E enjte, 28.03.2024, 09:06 PM (GMT)

Kulturë

Anila Brakaj: Rebelim

E merkure, 13.04.2011, 06:47 PM


Anila Brakaj

 

REBELIM

 

Ndonjëherë të duket sikur drita e diellit ka mijëra ngjyra të ndryshme në vetvete, që të lëbyrin sytë e të magjepsin si luspat vetëtitëse të një gjarpri helmues i cili pret çastin kur të përhumbesh për të të dhënë puthjen e tij fatale, të duket sikur pasqyra që ke përpara vetes e që të jep imazhin e rremë të saj në versionin që i teket, do të të pasqyronte ndryshe nëse do e thyeje, se do të shfaqeshin atëherë të gjithë unët e skalitur në qenien tënde e do të gjeje mes tyre fajtorin, duke kërkuar atë vështrim që do të të shmangej gjithmonë si sytë e ndrojtur të një njeriu të zënë në faj që sheh ngulmueshëm veç majën e këpucës së vet, e cila shtyp padrejtësisht një gur të vockël të ndodhur aty rastësisht e fati i të cilit të ngjan me fatin tënd; je veç një kokërrz rëre në një orë qelqi me rërë, ku ecja jote tërë mundim e sakrifica nëpër sipërfaqen e ciflosur të jetës nuk është asgjë për të zotin e plotfuqishëm të orës a për qeniet e tjera të mëdha në atë dhomë, por që gjithsesi ndien në vetvete një frymë rebelimi që të pëshpërit në vena që, nëse ti do të ngulje këmbë të mos rrokulliseshe më si i qorrollepsur, ndoshta do të ndryshonte diçka, ndoshta diçka do të ndalej në rrjedhjen monotone të të ngjashmëve të tu e ora do të ndalej duke bërë që të reagonin “ të mëdhenjtë”në dhomë  e të ndienin, ndoshta dhe për një çast të vetëm, vlerën tënde ku, ndonëse do të mund ta rikthenin sërish monotoninë vetëm me një të goditur të lehtë të qelqit, gjë që do të bënte të rifillonte sërish kalvari i pakuptimtë  e ku ndoshta do të ndihej akoma më  fort robëria e kotësia që rrinë shtrënguar rreth shpirtit si zinxhiri në qafën e një qeni që , ndonëse e di që asgjë s’mund ta këputë zinxhirin, tërheq e tërheq fort e më fort duke bërë që zinxhiri të futet më thellë në mish, por që nuk ndalon e i duket se në atë dhembje të ripërtërirë gjen forcën për të vazhduar t’i urrejë zinxhirët e për të mos u pajtuar me ta, ndonëse e di që është e kotë, ashtu siç e di dhe ti, por që e di se të paktën ky rebelim do të shërbente për të mbajtur diçka në kujtesë  e për të mundur të këpusësh e gërrisësh një copëz nga pëlhura  e pafund  e kohës, sa për të mundur të thuash se kanë kaluar kaq minuta a kaq shekuj që nga rebelimi i fundit, për të mos pritur shpëtim, as nga vetja, as nga të tjerët (se ndoshta kalon nga një robëri në tjetrën, e cila ndryshon veç fasadën e mënyrat, por jo dhembjen e dhunimit), për të mos u kapur në shpresën e një të ardhmeje të lëmuar, por për të kërkuar e gjetur veç guxim për të vazhduar përpara, çfarëdo ndodhtë, ku, ndonëse do të dyzohesh si Prometeu mes dhembjes i që shkaktonte vetmia kur ishte i fundosur nën tokë, a lemeria nga mëshira e kotë e njerëzve e hyjnive tek  e shihnin që vuante, asnjëherë nuk do të kthesh kokën mbrapsht a të pendohesh për çka ke bërë, sepse e di që asgjë s’ka kuptim e do të përfundojë njëlloj në harrim, pluhur e kotësi, e s’të ngelet veç të kapesh fort pas çastit, duke zbatuar me kokëfortësi të parën tekë që të lind në shpirt e duke pritur më pas, me të njëjtin stoicizëm, pa u ankuar askund, pasojat  e vetvetes, duke vepruar si akrepi që e ngul thumbin plot helm në gjoksin  e vet pa u trembur; ndoshta vetëvrasja është më e lehtë sesa të vdesësh nga një dorë që s’e njeh...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora