E marte, 11.08.2020, 08:39 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Rouan Atkinson: Nuk jam komik i natyrshëm

E premte, 30.11.2007, 06:44 PM


Dhjetë pyetje për Mister Bin

I keni dhënë fund personazhit të Mister Bin?

Ndiej se "Pushimet e Mister Bin" mund të jetë filmi i fundit ku interpretoj këtë personazh. Megjithatë nuk duhet marrë shumë seriozisht se këtë e thashë edhe përpara dhjetë vjetëve, pas realizimit të filmit të parë. Kur shkon te të pesëdhjetat, sa ç‘jam unë tani, ke prirjen t‘i japësh shumë rëndësi moshës. Gjithnjë e kam parë personazhin e Mister Binit si pa kohë, si karakter pa moshë dhe do të më pëlqente të mbetej në mendjen e publikut si karakter mes të 30-tave e 40-tave.

Ky karakter bazohet tek ju vetë, apo është krejtësisht fryt i improvizimeve tuaja?

Është njëfarë pasqyrimi i egos sime. Mister Bin është mjeti me të cilin shprehem natyrshëm kur më kërkohet të jem komik në rrugë tërësisht vizuale. Por nuk mund të them se nuk është edhe fryt i improvizimeve. Vetëm se këto vijnë gjatë xhirimeve dhe jo nëpër studio.

Përse humori i Mister Binit përkthehet kaq natyrshëm në të gjitha kulturat?

Pasi në të vërtetë i përket nivelit fëmijëror. Në thelb Mister Bin nuk është tjetër veç një fëmijë i mbetur në kurth brenda një trupi prej të rrituri. Që të gjitha kulturat e identifikojnë elementin fëmijëror pak a shumë në të njëjtën formë dhe është ndoshta kjo arsyeja për të cilën personazhi ka bërë për vete spektatorë nga të katër anët e globit. Ndërkohë që 10-vjeçarët e kulturave të ndryshme kanë shumë më tepër gjëra të përbashkëta nga ç‘kanë 30-vjeçarët. Ato elemente që na ndajnë e na dallojnë nga njëri-tjetri i përftojmë vetëm kur rritemi. Fëmijët janë njësoj në të gjitha vendet e botës.

Përse nëpër filma nuk është i pranishëm arushi i pamungueshëm?

Për fat të keq Tedi është zhdukur nëpër filma. Ndërsa nëpër spektaklet televizive ishte një shoqërues i pandashëm, filmat krijojnë tjetër frymë, në të cilën edhe vetë Mister Bin ndihet shpesh si peshku pa ujë.

Parapëlqeni rolet ku duhet të flisni apo ato në të cilët ua lini gjithçka në dorë veprimeve?

Mister Bin arrin të japë më të mirën nga vetja atëherë kur nuk i duhet të thotë fjalë, por ndihem si në shtëpinë time në të dyja rastet, edhe kur duhet të shprehem përmes fjalëve, ashtu si edhe në rastin e shprehjes joverbale. Kam luajtur një numër të konsiderueshëm rolesh në të cilat personazhi flet. Ndër to do të veçoja serialin "Nepërka e zezë".

Shpesh ju krahasojnë më bashkatdhetarin tuaj, Çarli Çaplin? Jeni ndikuar nga stili i tij i të bërit komedi?

Në moshë të re kam parë disa nga punët e tij, por jo shumë. Madje, edhe për Baster Kiton, me të cilin njerëzit më identifikojnë shumë, mund të them se nuk i shihja asnjëherë filmat e tij. E konsideroj veten shumë më tepër komedial vizual sesa fizik. Çaplini qe akrobat i pabesueshëm dhe mund të konsiderohej fare mirë si artist cirku. Unë nuk jam i tillë.

Thonë se ju mbahet pak goja. E keni kaluar ndonjëherë përfundimisht këtë problem?

Vjen dhe shkon. Varet nga gjendja e humorit dhe sidomos nga nervozizmi. Por duhet të pranoj se ndonjëherë bëhet problem mjaft serioz. Por kam zbuluar se kur luaj role të tjera dhe nuk jam vetvetja, zhduket tërësisht. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet për të cilën i hyra karrierës së aktorit komik.

Kam dëgjuar se ju pëlqen të koleksiononi makina ekzotike. Keni ndonjë të parapëlqyer?

Më pëlqen shumë të ngas makina historike që janë prodhuar në vitet ‘50-‘60. Embrionet e këtij interesi janë mbjellë kur isha vetëm 12 vjeç, në kohën kur udhëtoja me "Morris Minor" të sime mëje. Një herë më lanë ta ngisja përreth fermës së tim eti. Por megjithatë, makina ime e përzgjedhur mbetet "McLaren F1", të cilën e kam që prej dhjetë vjetësh.

Keni studiuar Inxhinieri në Oksford. Si e bëtë kalimin tek aktrimi?

Oksfordi më krijoi shumë mundësi për të ushqyer pasionin për aktrimin. Dhe, ndoshta mund të duket e pabesueshme, por ky institucion shtron përpara kujtdo një oportunitet të tillë. Gjatë kohës së universitetit doja ta shtrija jetën prej studenti sa më shumë të qe e mundur drejt artrit, për të kuptuar nëse ekzistonin mundësitë që ta drejtoja nga ai edhe karrierën. Dhe pak nga pak këto përpjekje për të eksploruar u kthyen në profesion i mirëfilltë. E megjithatë, mendoj se inxhinieria është diçka e mrekullueshme, dhe se, po të më duhej të zgjidhja edhe një herë, pa dyshim do të zgjidhja inxhinierinë për profesion. Por e dija që përpara se të mbroja diplomën se nuk do ta përdorja kurrë në jetë.

Keni po atë humor edhe larg kamerave?

Absolutisht jo, siç ndoshta e tregon qartë edhe kjo intervistë. Më duket sikur jam i dënuar që në jetë të mos më ndodhin kurrë gjëra që të bëjnë për të qeshur. Nuk jam komik i natyrshëm. Më duhet t‘i mendoj gjërat pafundësisht përpara se të arrij t‘i kthej në veprime që bëjnë për të qeshur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora