E premte, 29.03.2024, 02:55 PM (GMT)

Mendime

Shefik Shkodra: Për bestytnit e frikshme

E marte, 12.04.2011, 06:58 PM


PËR BESTYTNIT E FRIKSHME

 

(LETËR)

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

Dy fjalë miradije e më shumë si hyrje për gjithë këtë rrotullim të shpejt e marramendës. Më vjen keq që ishe pak i prekur e i indinjuar, me siguri nga klima. Dhe vërtet, klima ka ndërruar tërësisht te ne. Ti më kupton dhe e di çfarë dua të them dhe çfarë ke ti. Si krejt “dynjaja” edhe ne me një palë këpucë e çorapë, me një setër paçavër e me një këmishë krejt uniformë e të lëvozhgur...për mjedis qytetit mezi hapëron si të ishe 80 vjeçar. Ashtu si di koha për të këputur e për të lënë kërrutë. Edhe vocërraku i vrarë lije na ka matur në hall të vetin, atë yndyrën e shëndetit, krahas gjithë atyre mynxyrave dhe shqetësimeve në kohën më të mirë të stinës tonë. Ishin ato mote gurë dreqi. Fati jonë. Dhe thua se krejt i lamë, kaluan. E tashme është kohë e afërt. E menjëhershme. Aty ku je tash...E thjeshtë, më parë në dëftore. Nga regjimet që nuk duam të mësohemi as nuk duam të dëgjojmë më për to ka mbetur diç e pa fshirë. Në skutën pas dere, te ai qilari i korrierëve janë edhe aletet e tyre. Po aty, në një fletë gjenden emrat që janë regjistruar nga shërbëtori i institucionit me shkrim-lexim autodidakti. Kjo më ka mbetur grackë që më tremb vëlla! Dhe, asnjëherë nuk kam përgojuar aq. Krejt në uzdajë. E kjo të bën të pabesë. Dhe, pastaj dalin prej atij i vrarë lije shumë të shpifura. Ritmi i marshit shënohet si imja dikur çarshisë lirshëm. S’ka pse të gulçoj e të mundoj ëndrra, kur realisht je i zgjuar. – Je!

 

*

Më kishte marrë malli të kaptoj të gjitha rrugë e rrugica të Prishtinës. Provova vizitën e njëjtë si atëherë, kur më rrëqetheshin flokët me një krenari rinie. E mbaja në mend duke menduar se të gjitha vuajtjet do të futën në regjistra me dorëshkrim shkollari. Atë fletë e ruaja dhe e mbaja në xhep, e dikush ma vodhi e ma hodhi poshtë. Edhe në kryeqendër si në provincë s’pashë njeri që njoh më. Ka kaluar bukur shumë kohë, kur segëlltisesha atyre mbrëmjeve të vona dhe vetëm ecja e ecja pa u ndalur kund. Vend s’kishte ku nuk shkela, kështu më duket sot. Kishte rast, kur futesha në sokak pa dalje. Njerëzit më shikonin habitshëm se kush dhe çka jam. Ata nuk e dinin se unë kërkoja njeriun më të dashur. Rrëmbimthi më shikonte ndonjë fytyrë e padukshme nëpër kënd dritareje, veç me njërin sy, duke mënjanuar në qosh perden. Po, unë sikur në kalë shale, shpejtoja hapat kalldrëmit ushtimë, e në ritëm si me patkonjtë nallçe. Nuk di, a e mban mend dhe ku ishe në atë kohë, te plepat në vjeshtë si glaconin përreth dugajave sorrat në tuba të mëdha. Kur ngriheshin trembshëm, qielli errej dhe ushtonte gjatë. Qielli i vrerët e frymë e ftoftë si në të lagët. Në kafehanen përball radios disa letrarë pinin dhe flisnin, herë ngadalë e herë me të madhe. Përpiqesha t’ua marrë ndonjë fjalë, ndonjë bisedë të pakët, shumë pranë tyre ulur me një gotë raki gjithashtu. Derisa, maestro, poeti ynë i njohur më vërejti dhe më përshëndeti. Nuk e di ku strehohet sot. Është dashur, me siguri, të shkundët nga figurat e imagjinatës, diku skutave për një kore jetë të heshtë, nëse nuk është shndërruar në poet oborri. S’ka kohë të gjitha t’i kërkoj...aq më pak që të gjitha t’i rrëfej. Pak po kam të ftohtë.  

 

*

Një i vjetër pat thënë: “sa është i vogël e duam, e qafim, i japim bonbone. Fëmijë më, krejt pa sherr. Nuk e di njeriu se kur të rritet po ai ta heq kokën!” Jo de. Nuk të hatëron pse bëhesh i sjellshëm e i edukuar. Edhe një farë Kopili i Parkut, njëherë më dhimbsej. Megjithatë, tash ai ka mësuar imitimet nëpër rrugët e thata gjithë pluhur. S’është më ai që ishte? Pak i zmadhuar. Pak si i skuqur a i zverdhur. Ka frikë se i futesh në zyrë tek shërben me zell atë punën që ia mësojnë prajshëm e me lehtësi. Pa ngrit asnjë fije zhurme. Sikur të mos ishte i gjallë. Pas po!? S’ka rëndësi për mua që më shtie të frymëzohem ende edhe pse padronët e tij nuk i donë frymëzimet. Nuk donë vepra me gumëzhima e të mbështjella me lëkurë, se ajo farë shushuritje ua lëvizë mizën pas veshit. I frikëson e i trishton. Hë de! Po kunjin që ua ngul Kopili të tjerëve edhe ty më në fund, të ngul të tërin në tokë e të gjuan në qiell. Si hedhurinë shumë e lehtë, si gjësend shumë i pavlerë të bën...si diçka që nuk e ke menduar. Nejse, këtë kaherë e kam mësuar e përjetuar edhe nga më të afërmit. Në ato regjimet e shkuara, mos i përjetofshim më! Të rrëmben xhahili, edhe sot, dëshirë e merak për gjallërim. Të çon “te përroni e të lë pa pi ujë”. Kjo është trilluesja e gjallërimit. – Kush? – Ai, ajo, ata që u ka mbetur fundërrina titoiste. S’kanë mësuar më tepër. Ti, ua bëre gati shkallët sa për t’i këputur këmbët. O ata, fjala po vjen, që nuk dinë as nënë e babë e as Zot. Sipas besëtytnisë – gjindtë! I thoni more, të mos pëllet aq edhe ai gomari! Na i tranoi edhe fëmijët e djepit! Ai si gjeli në pleh, rrah krahët e qon pluhur me ato krra-krratë e tija të njëjta për të njëjtit. Kanë thënë të parët: “qeni i keq ta sjell ujkun n’ torishtë!” E nuk e marrim çdo gjë si të vërtetë. S’ka dert. Lerë mos ia përmend hiç! Aq di dhe aq thotë e këndon...

 

*

 

E di se ti do ta lexosh gjithqysh këtë letër, si të tjerat. Nuk do të ma zësh për të madhe sa herë e kam ngritur zërin me emocione. Po do të ma bësh qejfin. E merr si diçka serioze. E plasë shejtanin. Jo si nga burgu, përtej grilave. Po në liri. E kërcënon me dije. Nuk e ledhaton batakçiun që u rrapton tryezat e i tremb fëmijët në gjumë. Ia këput në rrënjë allishverishin e kobshëm. Atë që i sjell njerëzit në stom gremine. Që i lë pezull qeniet, ato qenie delikate, që nuk mendojnë e aq më pak duan të veprojnë mbrapshtë. Veç një pëshpëritje kam të drejtë ta drejtoj në hapësirën e kurmit tim. E, di. Sa dëshirë e flakët i del livrarit kur të sheh zvarrë e të munduar. Ani, kur të mendoj se vuajtjen ta ka shkaktuar ai kopil, “ha-ha-ha!” aq ëmbël qeshet. Zemra i rritet. Ashtu është rritur ai, mender me thënë, krejt në të lara enësh, te “hamami i hyrës”... ka mësuar si fshihet trupi i ndyrë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora