E enjte, 25.04.2024, 11:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Isabelle Adjani, aktorja misterioze, që jeton vetveten

E enjte, 13.12.2007, 06:40 PM


Ka vështrimin e përqendruar dhe të fiksuar të një maceje. Është pak Sfinks e pak hënë. E palëvizshme. Çdo takim i ri është një rikthim në të ardhmen, një rrotullkalim i kohës, që gjithmonë e kthen të paprekur, të afshët e imagjinare sot, sikurse dje, sikurse 30 vjet më parë. Që nga viti ‘69, e ashtuquajtura "The look" (pamja), sipas pagëzimit që i kanë bërë në shtyp, shfaqet e zhduket në një sërë rastesh, veprimtarish, copëzash të artit kinematografik. Një vit më parë ishte "Maria Stuarta". Këtë vit "Figaro", një serial që transmetohet në "France 3" dhe së fundmi edhe albumi i fundit, i cili pritet të dalë në treg për Krishtlindje. Quhet "Filmi pa figurë". Sa herë që rikthehet e gjen publikun të etur. "Kam në dorë një tjetër album, që do të dalë në fund të 2008". Për sa i takon kinemasë, ajo është përqendruar në dy metropole të mëdha, Paris dhe Los Anxhelos. Ka pasur shumë takime përtej oqeanit për një film, xhirimet e të cilit nisin vitin e ardhshëm. Ka shumë punë edhe me shoqërinë e saj të produksionit. Është e kënaqur me veten, sepse ka arritur të marrë të drejtën e një libri, që do të jetë një film i mrekullueshëm, sigurisht ala francezçe. Ka dëshirë që të luajë edhe vetë në të dhe aktualisht është edhe në kërkim të aktorit që do të luajë personazhin kryesor. "Më pëlqen, sepse përçon mesazhin e dashurisë së përjetshme dhe universale".

Kjo grua kaq e zënë me punën mes lancimeve të albumeve të rinj muzikorë, aeroporteve, shesheve të xhirimit e dhjetëra gjërave të tjera më të vogla, është Izabelle Adjani. Në vështrimin e pamjen e saj vitet nuk kanë lënë gjurmë, por sapo e sheh nuk mund të mos sjellësh ndërmend heroinat e interpretuara prej saj në vite, që nga Adela, Camila, Claudel, Mbretëresha Margot... Disa janë personazhe thellësisht mesjetare, madje edhe personazhi i ardhshëm te "Figaro" nuk del jashtë pamjes së gruas fustangjatë, me ankthe e turbullira. "Është e vërtetë. Kam pasur dhe kam gjithmonë një dobësi për figurat e heroinave viktima, të grave që kanë pësuar humbje dhe janë zhytur në fatalitetin e fatit të tyre". Po a ka pasur ky repertor i pasur me femra të tilla ndonjë ndikim në vetë jetën personale e mbi të gjitha në çështjet e zemrës së Adjanit? "Absolutisht jo. Jam unë ajo që u mësoj gjëra të reja personazheve që kam luajtur. Jam unë ajo që u ka shtuar jetëve të tyre diçka të re, që ua kam pasuruar dhe bërë më të larmishme ekzistencën e shkurtër brenda kuadratit të ekranit, apo të skenës. Jam mbretëreshë e dhimbjes vetëm në art, vetëm në jetën time provizore, atë të kinemasë. Në jetë nuk i marr kurrë me vete lotët e skenës". Të jetosh dhe të xhirosh vazhdimisht është për Adjanin, sipas frazës së një personazhi të saj të famshëm: "Të vish rrotull botës, ose të kërkosh hijet rreth imazhit tënd". Një ndër personazhet më të dashur që Adjani ka interpretuar, është ai i një skulptoreje të famshme, motrës së poetit Klod Clodel. Vetë poeti e ka konsideruar të motrën "një mister në dritë të diellit". Ajo ishte nxënësja dhe e dashura e skulptorit tjetër shumë të famshëm, Rodin. Historia e saj është magjepsëse, por fati tragjik. Nga një njeri që jeta i kishte dhënë gjithçka: dhunti, bukuri, fat, shndërrohet në një personazh të mjerë, që përqafon marrëzinë dhe çmendurinë. Me personazhin e saj, aktorja franceze ka shumë ngjashmëri edhe për vetë faktin se, ashtu si skulptorja, Adjani ka pasur një lidhje shumë të gjatë me regjisorin Bruno Nuytten, me të cilin 28 vjet të shkuara solli në jetë edhe një djalë. Bukuroshja franceze rrëfen se periudha e xhirimeve të filmit për jetën e skulptores ka qenë shumë e vështirë edhe për të. "Nuk e di se nga erdhi gjithë ai sulm i marrë i medias ndaj meje. Çfarë nuk nxorën në faqet e shtypit. Disa madje thanë se isha e infektuar me SIDA, të tjerë shkuan më larg, duke më bërë edhe të vdekur fare, por këtë e përgënjeshtrova me një shfaqje në një emision televiziv". Sikurse personazhi i saj, edhe Adjani ishte divë dhe martire njëherazi, po t‘i rikthehemi të njëjtës terminologji të filmit: "Mister në dritë të diellit". Jeta e saj duket sikur shtrihet mes dritave të projektorëve dhe errësirës së thashethemeve. Në vazhdimin e ngjashmërisë me Camilën, edhe Adjani ka pasur momente shumë të errëta personale, madje një herë përfundoi edhe në çmendi, sepse dërgonte me postë copa jashtëqitjeje. "Po, është e vërtetë, e kam bërë, por me persona të caktuar, me ata që mendoja se e meritonin një mesazh të tillë, si për shembull ish-ministri i Kulturës, i cili më ra në qafë me pa të drejtë, kur dolën fjalë për mua se gjoja isha e sëmurë me Sidë. Më kujtohet si tani kur shkova në Kopshtet e Luksemburgut, mblodha jashtëqitjet e disa qenve, i vendosa në një kuti dhe ia dërgova personalitetit në fjalë".

Adhurim e respekt, por edhe keqdashësi. Këto janë disa nga ndjenjat që shoqërojnë gjithmonë shfaqjen dhe zhdukjen e Adjanisë nga skena dhe jeta e përditshme parisiane. Shpesh, pikërisht ata njerëz që e duartrokasin në platenë e teatrit, janë të parët që hedhin baltë mbi të, apo të parët që ngrenë kështjellat e thashethemeve. "Kur u përfola se isha e sëmurë, nuk më erdhi keq fillimisht, sepse mendova që njerëzit nuk më paskan harruar edhe pse tani po më kujtonin për keq". Në fakt, Adjani e ka tradhtuar jo pak publikun e saj, por e ka bërë në emër të dashurisë. Kur e kapte ndjenja, ajo kalonte vite të tëra e tërhequr. I tillë është rasti i ikjes në Londër për vite me radhë, në krahët e aktorit Daniel Day Lewis, me të cilin ka edhe djalin e dytë, tani 12 vjeç; por edhe "ikjen" me Zhan Mishel Zharre. "Të jetoj dhe të zhdukem bën pjesë në mënyrën time të të jetuarit. Madje jo rrallë më është dashur të bëj edhe ndryshime të rrënjësishme për të qenë pranë njerëzve që kam dashur. Kështu, në rastin e Daniel Day Lews ndërrova nënshtetësinë dhe u bëra britanike, duke braktisur Francën dhe gjithçka që më lidhte me të. Vendi im ka qenë gjithmonë aty ku është jeta ime dhe jeta ime është aty ku është dashuria. Për tri vite rresht në krahët e Danielit, jeta ime ka qenë 1000 herë më e bukur se filmi më romantik që mund të jetë bërë ndonjëherë. Ndonjëherë për të ndryshuar gjërat duhet të marrim mbi vete rrezikun se mund të humbasim gjithçka që kemi. Kjo vlen për dashurinë, por edhe për gjithçka tjetër në jetë". Gjithë kjo kohë larg punës, a ju ka shkaktuar ndonjë uri profesionale kur i jeni rikthyer skenës apo ekranit? "Nuk kam pasur aspak kohë të humbur edhe kur kaloja muaj të tërë në një shtëpi në krahët e njeriut që doja, sepse bëja më të mirën për veten time".

Për francezët ajo është një nga gratë më të bukura dhe misterioze njëherazi, jo vetëm të kinemasë, por edhe të jetës së vendit. Për të huajt është një franceze tipike, pra lozonjare, enigmatike dhe e talentuar, ndërsa për vetveten Izabel thotë: "Unë jam thjesht vetvetja. Kam zgjedhur gjithnjë të bëj atë që dua dhe kështu do të vazhdoj. Mos e merrni mundimin të më gjykoni".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora