E premte, 23.08.2019, 09:01 PM (GMT+1)

Kulturë » Lushaj

Zeqir Lushaj: Amanet - mos e hup vorrrin...!

E hene, 11.04.2011, 07:25 PM


Zeqir Lushaj

 

AMANET: -MOS E HUP VORRIN…!

 

  -Bisedë në rrugë, me një të panjohur-

-Shëngjin, Korrik, 2008-

 

Gjinkallat, me ansamblin e tyre perfekt, e kishin “pushtuar” vendin. Vapë korriku, por, në malin e Shëngjinit, gjithësesi, nuk ndihet edhe aq shumë sikleti i saj. Kur sheh, nëpër hijen e pishave, perdën e tymit zhegitës në fushë, i thue vetes:-Ooo, sa mirë jam këtu!

Për mua, edhe atë ditë, vazhdonte riti i zakonshem i një paradite pushimi, në malin  me pisha, në shpat të Rrencit.Zbrita  shkallaren e gjatë nga depoja e ujit (pa uji), në një kand ,thikë - teposhtë e, rashë në asfalt, në portat e Fllotes, siç i thonë akoma atij trolli, sot, pa asnjë marinar!! Unë, jam katundar, por, si qytetar i kahvjetshëm, edhe në asfalt, e ndjej veten mirë.Aq ma shumë kur, je fiks, në nivelin “0” me detin. Të duket se je bërë Një, me tërë botën e sheshtë të ujit në këtë Glob. Dhe, nuk asht pak… Malet, me zgjojnë krenari, ndersa bregdeti-qetësi. Atje, jam ma afër qiellit, këtu, buzëujit, ma afër tokës. Asnjana pa shoqen, sikur nuk ban…!

…Dyqanet anash rrugës nuk më provokojnë aspak. Rrugës për tek qoshku ku e marr shtypin, mendjen e kisha në prakun e mikut tim të padivorcueshem, tash e rreth gjysëm shekulli: do të ktheja për një kafe tek “Oxhaku”, lokali i Prekës së “Rrokëve” te Razmes se Mbishkodres, miq të mi të vjetër, të paktën këtu e, mbase 45 vjete më parë. E vetmja gjë e re e ketij ritit tim të sotëm, e thuajse të përditshëm (gjatë pushimeve), ishte një malësor veshur kombëtarisht. Larg, kundruell, e shqueva siluetën e atij njeriu që ecte krejt në punë të vet, ndryshe nga bashkëkohorët bashkëvendas.

E shoqrova me simpati me sy, dhe u shndërruam me indiferencë, por Unë, thashë me vete:

-Akoma paska nga këta!? Oh sa mirë, dhe ndjeva një lehtësim instinktiv në shpirt. ….Njëkohësisht, po me botën time të brendeshme thashë:

-Sa keq që nuk e njoh këtë rob-zoti! Do të pija një kafe me këtë burrë etnik.

U shndërruan. Secili, në rrugën, në punën e në mendjen e vet. Si gjithë udhëtarët.

Te “Oxhaku”, nuk u vonova atë ditë. Rruga në kthim, ishte e njëjta. Thuajse hap pas hapi. Veçse, fushorja mbetet fushore si në vajtje edhe në kthim, ndërsa, disheza zbritëse e shkallarëve, tani është një malore, vërtet shumë e fortë!  Një “terren sportiv” shumë i mirë për të bërë testin e rrezistencës në ngjitje!

…E kam kaluar gjysmën e malores-thikë! Kur, fap, diçka, si për befasinë time, jo veç të asaj dite, malësori etnik, me të cilin u shndërrova panjofshëm në bulevard, ish ulë në mes shkallares, dhe mbante një dorë një flegër shalqini të kuq! Pa shkëmbyer akoma as shikimet, m’u duk se diçka, thellë në ndërgjegjen time, më tha:

-He, të mbeti merak parë, kur u shndërruat me indiferentizëm, poshtë, në qytet?                                                            

Ulu, tani. Do të bësh muhabet…!?

-A je burrë?,-i fola. Akoma pa ju afrue shumë, rreth 3-4 shkallë më poshtë.

-Te paça me nder,-sikur foli shkambi përballë e,jo ai portret burri, bash imponues.

Ngjasonte, aktor filmi i vertetë. I gjatë. Thatanik. I mbajtur me shumë kujdes. Tiparet e dukshme të fytyres, kapuçi i bardhë, mustaqet-grep, sikur e skalitnin dhe e bënin atë, sa interesant, aq edhe disi të largët,–një figurë folklorike!

-Nga të kemi, o burrë?-e pyeta me simpati.

-Ty, nga të kemi, se Unë, jam këtu, nga këto anë, të paktën qe 200 vjet! 

I thashë se jam nga Tropoja, kam në Tiranë rreth 40 vjete që punoj e jetoj, e tash së fundmi, kam ba një shtëpi këtu në malin e Shëngjinit, pra, ndjehem edhe Shëngjinas… Por, kam 10 vjet që punoj e jetoj në Amerikë! Tani, këtu, jam me pushime.

 -Aaa, tash, po. Tek jena çift, te dy. Malësorë, te zbutun e të ramë në bregdeti…!

 Ai, ulur gjysëmkëmbëkryq në shkallen e lagjes që të ngjitë tek Vodafoni, Unë, në këmbë, por mbështetur mbi gjurin tim të këmbës së majtë, të avancuar, dy shkallë përpara, që të ndjehem më afër personazhit tim befasues, ose-ose, më sak, personazhit tim – frymëzues!

-…Jetoke në Ameriiikë, eee? Bukur!... Ç’thotë Amerika?

Pa pritur përgjigje nga unë, vazhdoi me shumë bindje monologun, thuajse Unë, as nuk isha ballë tij…

-Kujdes. Amerika është shumë e zorshme. Amerika të mbytë. Atje nuk ka zot. Ata, zot kanë vetëm punën …!

U befasova nga fjalët e tij, dhe si me nxitim e pyeta:

-Po Ti, ku i di këto gjana?

Buzeqeshi hijshëm. Në atë buzëqeshje, gati-gati, e, lexova përgjigjen e tij.

-Kam qenë more bir, kam qenë, në Amerikë, në Europë, në të gjitha kontinentet kam qenë…! I njoh, deri diku, të gjitha….

-…E, pra, sikur këtu, nuk ka! Ma thuej ndryshe, Ti, që paske 10 vjet në Amerikë!?

Ja ngula sytë, si me kureshtje, si me zhbirilim, dhe i thashë:

More zotni,-po, ç’farë të ka çue ty në tërë këto vende të botës që m’i përmende.

 -…-Pyeti ata, që më kanë thirrë!,-tha ai, me një nënqeshje të këndeshme, sikur po më thoshte,”gjeje vetë, se, nuk due të ta kallxoj”!...

…! Vetëm folklori, këngët e kreshnikëve, epika shqiptare…,-mendova me vete.

-Eca,-i thashë,-Do të më falësh. I kam do miq për drekë e me ka ra detyra që sot të marr edhe bukën… Shihe, në qese, dy gruni e dy kollomoqi. Do të kisha dëshirë të rri prapë me Ty.

-Hec, hec, se qenke me detyrë. Ju amerikanët, jeni gjithmonë të nxituar!

-Po, pasha Zotin,-i thashë me shumë çiltërsi, dhe mora te ngjisë shkallaren përpjetë. Kalova,4-5 shkalle,kur prap me thirri. Me thirri,pa e kthyer koken nga pas:

 -A ban me ta lanë një porosi? Më le lezet me këto fjalë që ndërruam. Me sapo shoh, tek je edhe njeri i shkrimeve, e nuk duhet me harrue… E, po s’të pelqej – harroji!

-Fol bre Bacë, he të lumtë goja, dhe të kërkoj falje për nxitimin…

E ktheu kokën gjysëmdjathtas. E drejtoi dorën nga unë, me gishtin tregues lart:

 - ...Amanet,-mos e hup vorrin…!

 Shtanga. Nuk fala, ndoshta rreth dy minuta.

 Prapë, ktheu kokën pas e me tha, me një zë disi më të qetë, më prindror:

 …Hec, se të presin te shtëpia… Me duket se u kuptuam!

 …Guxova ta pyes:

-Kush je Ti,  e,-si e ke emrin? Tha vetëm dy fjalë:

-…Lahuta e Malesisë!

Eca, pa ditë asgjë më shumë, pra as emrin. Por tek e fundit, ç’e do emrin? Rëndësi ka porosia:

-Amanet: -mos e hup vorrin…! (Kjo, të duhet edhe Ty, lexuesi im i dashur, gurbetqar!)

 Eca, por shumë shpejt e ndjeva, se, në ato çaste, Unë, isha një gazetar i keq.      

 Gabova.

 Ate ditë, në shtëpinë time në Shëngjin, dreka, le të hahej, edhe pak ma vonë…!

 

                                                        ./.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT