E premte, 29.03.2024, 01:02 PM (GMT)

Mendime

Ardian Ramadani: Karakteristikat e një lloj lideri

E hene, 11.04.2011, 06:58 PM


Karakteristikat e një lloj lideri

 

Nga Mr. sc. ARDIAN RAMADANI

 

Është më se e vërtetë që çelësi kyç i udhëheqjes së një populli drejt lumenjve të suksesit është lideri dhe lidershipi. Zaten, po mos të kishte lider dhe lidership efiçient, populli dhe kombi si subjekt më i lartë do të zhyteshin  në dështime dhe në humbje të thella. Është më se e qartë se koha e liderit njësh, koha e kultit të individit ka përfunduar, e kam fjalën këtu për shtetet demokratike dhe me demokraci liberale. Tani në këto shtete është koha e lidershipit, pra e atyre liderëve që punojnë në ekip, në grup, që menaxhojnë dhe qeverisin në formë ekipore, ngase edhe përgjegjësitë janë më të vogla edhe rezultatet janë më efiçiente njëkohësisht.

Shtrohet pyetja se si dallohet një njeri si lider, cilat janë karakteristikat e tij, me çfarë gjëra shquhet ai si lider, cilat janë ato karakteristika që e paraqesin he e eksponojnë një njeri si lider? Janë shumë gjëra që do përpiqem që t`i analizoj në formë të thuktë.

Për ti shkoqitur këto gjëra, duhet pasur parasysh dhe duhet bërë ndarje mes liderit në një shtet demokratik dhe atij në një shtet me demokraci të brishtë, neodiktatoriale, me sisteme të korruptuara joefiçiente, me mungesë të kulturës dhe përvojës demokratike.

Është më se e qartë se pushteti është mjaft i lidhur me liderin dhe e kundërta, lideri është i lidhur për pushtetin. Pushteti dhe lideri apo lidershipi maten me sasinë e prodhimit të ideve ndaj efekteve të paparashikuara. Dhe kjo ndodh jo vetëm në formën teorike , por edh enë formën praktike.

Karakteristikat e një lloji të liderit demokratik, të një  njeriu i cili nuk vuan nga sëmundja kancerogjene e kultit të individit, të një njeriu i cili nuk vuan për mbështetjen qind për qind nga masat e thjeshta, sepse është koshient që nuk mund të ketë përkrahjen qind për qind nga masat, sepse kjo në një mjedis demokratik është e pamundur. Them E pamundur sepse siç do të thoshte Gandi “Bota nuk do të kishte kuptim pa diversitetin e theksuar”, andaj me këtë mëtoj të them që çështja e diversitetit, e alteritetit, e mendimit pro e contra është çdoherë e pranishme dhe e paevitueshme, andaj një lider duhet të mësohet që të respektojë mendimin pro dhe mendimin contra.

Nëse flasim në bazë të digresioni të bërë më parë që ekzistojnë tipe të ndryshme të liderëve dhe lidershipit, atëherë duhet patjetër të potencohen edhe tipet e këtyre liderëve, që do të thotë të shpalosen dhe shkoqiten secili veç e veç.

Por, një gjë dihet, ata që janë të arsyeshëm dhe racional e pranojnë gjykimin dhe vlerësimin, si dhe njëkohësisht edhe realitetin që koha e liderëve historik tradicional sasior në Ballkan ka përfunduar, si dhe ata janë pjesë e historisë dhe mendësisë së shekullit që lamë pas. Mirëpo, edhe pse në doza të caktuara mund të hasim edhe më tutje liderë të llojit demodé, të shekullit të kaluar, ata liderë duhet të izolohen që mos tu jepet mundësia që të tregojnë veten e tyre, të promovohen si dhe të keqpërdorin masën e njerëzve. Ata që nuk pajtohen me këtë realitet objektiv janë pesimistë subjektiv dhe të verbër politikisht.

Në Ballkanin e trazuar që shkon drejt qetësimit dhe rehabilitimit si duhet, megjithë tendencat e ca liderëve që përmes politikave nacionaliste të mbajnë turmat nën kontroll dhe të shpijnë proceset prapa, është me rëndësi të thuhet që liderët që përdorin nacionalizmin, populizmin, retorikën demagogjike, politikën e forcës, mjetet e presionit dhe shtypjes, imponimin e mendimeve dhe vendimeve....... po shkojnë drejt margjinalizimit edhe nga faktori ndërkombëtar edhe nga faktori kohë fatmirësisht, sepse rrethanat dhe kohërat aktuale nuk lejojnë mendësinë patriarkale dhe nacionaliste të para dy luftërave botërore. Kjo nuk do të thotë që lideri duhet të bëhet kozmopolit dhe të harrojë krejtësisht interesin kombëtar, por ai duhet të ketë parasysh interesin njerëzor mbi të gjitha e mandej edhe atë racional. Mediokriteti për liderin dhe lidershipin aktual nuk mund të shkojë.

Megjithë fatkeqësinë që kemi pasur si njerëz, si gjenerata që të jemi peng i liderëve që janë të kompozuar nga mendësia e të qenit superior ndaj gjithçkaje, duke abuzuar me masat, koha aktuale, koha dhe rrethanat që na kanë sjellë impaktin e theksuar të globalizimit, të kibernetizimit, të një miksi jashtëzakonisht të madh dhe të theksuar të gjërave që më përpara ishin utopi për liderët e atëhershëm, na detyrojnë patjetër që të mendojmë si duhet, të sillemi si liderë dhe lidership politik, intelektual dhe diplomatik, si një ansambël dhe tërësi pjesë e procesit demokratik dhe integrues.

Koha e liderit kult ka mbaruar. Ata që mëtojnë të sillen dhe të luajnë me këtë kartë janë të prirë që të vdesin politikisht dhe intelektualist. Rasti i të tillëve është numeroz. Kemi me qindra e qindra. Mirëpo ata janë pjesë e historisë së shëmtuar, ndërkaq ata që sillen si lider po që respektojnë lidershipin, pra poqë se punojnë në ekip, që konsultohen për çdo vendim me këshilltarë profesionistë, që pranë vetes kanë kuadro profesionale, që respektojnë alteritetin, që krijojnë tampon zona mes nacionalizmit negativ dhe patriotizmit nacionalist pozitiv, ata janë te prirë që të jenë të suksesshëm dhe të kenë harmoni gjatë qeverisjes së tyre me masat popullore.

Mirëpo kur jemi tek lideri historik dhe lideri i futurologjisë, këtu duhet të kemi parasysh çështjen e asaj se vallë cili i takon njërës anë e cili tjetrës. Lideri nacionalist, demagog, mediokër, hipokrit që manipulon me masat, i përket historisë së shëmtuar, ndërsa ai që respekton masat, që është transparent, që respekton popullin dhe kombin e tij (këtu duhet pasur parasysh dallimin mes popullit dhe kombit), që respekton qenien njerëzore si “L`Etre Humaine, që respekton atë që quhet alteritet, që respekton mendimin ndryshe, i përket liderit tipik për rrethanat aktuale dhe rrethanat që kushtëzojnë të ardhmen. Koha e liderëve pushtet (Shteti jam unë do të thoshte Luigji i XIV), është histori, ndërsa tani flet koha e liderëve që janë pushtet i institucionit dhe kjo duhet të jetë karakteristikë për këta liderë, koha  e liderëve autokratik është e përfunduar, autokracizmi si formë e qeverisjes i takon plejadës së njerëzve që kanë hyrë në histori për të keq, përkundrazi koha e liderëve të rinj dhe modern sjell liderin apo lidershipin demokratik, pranues e jo imponues, tolerant dhe elitar, e joautoritarist dhe mediokër.

Koha e diletantizmit të mjerë të liderëve që prodhojnë kriza dhe luftëra ka përfunduar, edhe pse në nuanca hasen edhe të tillë që nuk mund të pajtohen me realitetin. Për shembull në Afrikë, në Ballkan dhe në vendet ku ka destabilitete, frustrime dhe probleme të natyrave të ndryshme, hasen liderë me sëmundjen e pashëruar të liderizmit që nënkupton, që njerëz të rëndomtë bëhen politikanë brenda natës, partiakë dhe militantë mediokër bëhen ministra, zëvendësministra, populistë të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, liderë provincialistë dhe krahinor, bajraktarë të fiseve primitive, është pasojë dhe reperkusion i totalitarizmave të llojit sui generis, që janë relikte të së kaluarës, por që pengojnë edhe të tanishmen, në rrugën drejt të ardhmes. Kjo kategori e njerëzve duhet të hiqet krejtësisht nga skena politike, sepse ENAF IS ENAF.

Karakteristikat e një lloji të liderit modern, të ndryshëm prej atij tradicional, kërkojnë një angazhim të këtij të parit për të sfiduar të dytin dhe rënien në kurth nga ai, sepse ky i pari duhet që të promovohet shumë përmes punës dhe norma edhe fjalëve, për t`u formuar, njohur dhe pranuar si i tillë. Edhe pse duhet shumë mund për t`u paraqitur, publikuar dhe pranuar, sepse ata gjithçka bëjnë vet, që nga produkti i tyre cilësor e deri tek prezantimi, promovimi dhe pranimi, ky lloj i liderëve modern janë modele kreativiteti, individualiteti me përplot sakrifica. Por, Danteja do të thoshte, “Rruga që të shpie kah lavdia, asnjëherë s`ka qenë e shtruar me lule” vlen për këtë lloj liderësh dhe lidershipësh modernë.

Lufta kryesore mes liderit modern që e shoqëron gjithashtu edhe karakteristika e guximit, krenarisë, si dhe vlerave të tjera të lartpërmendura, si dhe atij lideri tradicional, mund të definohet në luftën vlerë- antivlerë. Në Evropë për shembull, e më konkretisht në shtetet që kanë demokraci të konsoliduar dhe shoqëri të hapur ku vlen mendimi kritik dhe ai kreativ, konkurrenca nuk bëhet në mes këtyre dy lloje të modeleve të liderëve, po zhvillohet konkurrencë dhe garë në frymën vlerë- vlerë, ngase shoqëria e konsoliduar i ka në harresë reliktet e liderëve antivlerë. Konkurrenca e vlerave sjell përparim. Ndërsa lufta vlerë antivlerë nuk është kaherë përfituese për të parin, ngase ky i dyti i instaluar institucionalisht dhe i veshur me petkun demokratik, edhe pse herët a vonë del në sipërfaqe, sfidon të parin.

Lideri në mes tjerash duhet të ketë parasysh realitetet, traditat gjeopolitike, të ketë doktrinën e tij, të tregojë të kundërtën e doktrinës së oponentit të tij. Ky lider nuk duhet të shndërrohet në lider enigmatik ngase enigma do të thotë manipulim, fshehje nga ajo që je, respektivisht siç do të cilësohet nga shumë studiues pushtet i pamerituar dhe i keq i vlerësuar. Lideri dhe lidershipi nuk duhet të bëhen peng i idesë, po duhet të ndjekin kohën dhe tempon e zhvillimeve, në mënyrë që sa më shpejtë të ikë koha, ai të ngarende pas saj. Kur një lider kritikohet apo vlerësohet mëson t`i vlerësojë si duhet situatat dhe rrethanat politike, kur ndesh në fatkeqësi ai mëson të vërtetat e botës reale dhe objektive.

Jemi mësuar të dëgjojmë se kush pëson mëson, andaj pësimi nuk duhet të perceptohet si zhgënjim, humbje dhe tërheqje, por përkundrazi të mëson të bëhesh i kujdesshëm, i hapur, stoik dhe prudent, apo i matur.

Beteja për të fituar postin e liderit të merituar, të lidershipit meritor, nuk do të thotë betejë rrugaçe,por betejë institucionesh, vlerash, doktrinash, si një lloj gare vrapimi, por me vlera e jo me forcë, edhe pse kjo e fundit nevojitet çdoherë.

Andaj secili që aspiron që të aderojë në botën e ashtuquajtur liderë duhet të ketë parasysh që të konsultohet me të mençurit dhe të diturit, si dhe t`i ketë ato aleatë të devotshëm. Lideri duhet të mësojë që edhe të japë dorëheqjen në momentin e duhur e jo të bëhet peng i karriges dhe i fronit, ngase dorëheqja është virtyt që lartëson një politikan, me kusht që ajo dorëheqje të jetë në çastin e duhur në mënyrë që të aprovohet nga elektorati dhe populli si meritë dhe si vlerë.  Në politikë, ashti si edhe në gjitha fushat tjera asnjë nuk është eternelle, i përjetshëm, por veprat dhe idetë që i len pas janë të tilla. Lideri dhe lidershipi i duhur duhet të vlerësojë atë që i përshtatet së drejtës e më pas ajo çka është e drejtë, pra të kihet parasysh siç thoshte Kardinali Rishelje, ish- udhëheqës i Francës, respektivisht kryeministër, i cili solli mpakte të fuqishme epokale, pra në politikë për të qenë lider duhet të vihet në rend të parë intelekti, arsyeja, nacionaliteti e më pas moralja.

Lideri që do të vuloset si lider i përshtatshëm dhe i pranuar nuk duhet të ketë revanshin pjesë të shpirtit të tij dhe politikës, por përkundrazi duke mos urryer dhe duke përbuzur tjetrin, ai duhet të tregohet jo i nxituar, por i matur të dijë të presë. Lideri që do të arrijë të bëjë ekuilibrimin apo balancën mes militantëve apo turmave të nxehta dhe pushtetit është lloji i liderit që nevojitet sot në këtë kohë të “knowledge society”, sepse interesat e këtyre dy palëve janë të kundërta dhe shpesh kundërthënëse.

Lideri i mirëfilltë, në bashkëpunim me ekipin duhet t`i shërbejë atdheut në çdo kohë, në çdo regjim, në çdo situatë, po duke mos futur hundët edhe aty ku nuk kërkohet prej tij.

Për në fund, thënia: “Nuk mbahet shtëpia me apo në një shtyllë”, duhet të jetë udhërrëfyese për liderin, ngase edhe shteti, respektivisht pushteti nuk mbahet me një njeri, po me ekip. Kjo duhet të respektohet dhe pasur parasysh nga lideri bashkëkohor.

“Ce n`est pas l`époque de leaders, c`est l`époque de leadership”, pra nuk është koha për liderë, po për lidership.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora