E enjte, 28.03.2024, 10:13 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Myhyri për historinë, madhështia e muraleve dhe gozhdimi i vizionit...!

E diele, 10.04.2011, 06:55 PM


E  S  E

 

Sejdi BERISHA:

 

MYHYRI PËR HISTORINË, MADHËSHTIA E MURALEVE DHE GOZHDIMI I VIZIONIT...!

 

Disa thanë, e unë nuk pajtohem me këtë, se jeta është si piktura, e cila përgjithmonë reflekton historinë dhe dashurinë, por edhe rrjedhat që duken e besa edhe janë të përjetshme. Nëse është kështu, atëherë, në këtë rast çfarë të bëjmë?! Si t’ia lidhim grykën thesit? Shih,... thesit!!! Por, kur të mbushet thesi, si mund t’i mbyllet gryka, kur dihet se ndodhë që brenda të ketë gjithçka, që plasë nga ngulfatja, plasë si kokrra e kripës, apo, edhe mund të shpërthejë si vullkan, i cili më vonë shkakton dridhje, termet,.. e, më vonë edhe cunam.

Hajt të themi se jeta po i ngjaka  pikturës, të cilën, herë e analizojmë drejtë e herë fare nuk ia qëllojmë, e herë herë edhe trillojmë... Por, nuk është kështu gjithmonë, nëse pikturat i eksplorojmë brenda në shpella, në shkëmbinj, në fusha e në pëlhurë. Katrahurë është piktura,... dua të them, jeta...! Për këtë, nganjëherë më thotë mendja për të sugjeruar që të ktheni në dhomën e gjumit dhe të shikoni fotografinë tuaj mbi krevat. Besoni se është e juaja?! Ndoshta, në te diçka u kanë gozhduar, e, ndoshta këtë akt vet e keni bërë, dhe as që e dini se e keni bërë ju,... Megjithatë, imazhin dhe vizionin po ua lë juve. Mos i dëmtoni...!                     

 

1.

Unë, më duket edhe njëherë mbase edhe shumë herë kam deklaruar, se librat, veprat e mia kurrë nuk i kam shitur. Gjithnjë i kam dhuruar, edhe pse shpeshherë më kanë nënçmuar që kam bërë një veprim të tillë. Por, nejse. Kjo, le të mbetet për komentim njëherë tjetër, e kur, nuk e disa as vetë! Mirëpo, këtë “intrigë” ma detyroi një mik, i cili gjatë tërë kohës më kishte përcjellë duke biseduar për njeriun dhe për dhembjen e tij. Dhembjen e tij?! Shih, sa pa lidhje.

Kështu, pas tërë asaj bisede tërkuzë, nxora nga çanta dy veprat më të reja që sapo kishin dalë nga shtypi dhe ia dhurova, kuptohet me nënshkrim, njeriut me të cilin isha duke biseduar. Ia dhurova me zemër e me shpresë se do t’i lexojë, nëse jo ai, bile dikush nga anëtarët e familjes. Pasi i nënshkrova në shenjë respekti, zgjata dorën dhe ia dhurova ashtu të ngrohta-valë, si samuni kur del nga furra. Në atë moment, nga larg dëgjova zërin e mikut i cili më bashkëshorten e tij ishte në të ikur nga restoranti:

-Tërë jeta të shkoi  vetëm duke dhuruar,... vetëm duke dhënë paraf në libra!

Po. Këto dy fjalë: dhurim dhe paraf, dallojnë shumë nga njëra-tjetra dhe ja, kjo fjali se ç’më nxori nga binarët, e kah nuk shkojnë e prej nga vijnë mendimet. Por, ndoshta duket e pavend dhe e papeshë për ta mbërthyer mendimin për birë të gjilpërës për këtë fjali, e aq më pak duket se ka peshë për fjalët: dhurim dhe paraf!

Por, nëse e bezdisim fjalën “dhurim”, po, është e vërtetë, njeriu ka dhuruar shumëçka, gjithnjë dhe përherë. Bile, kjo veti ka shërbyer dhe shërben si forcim morali e si krenari, që së bashku kalisin për të ecur përpara, edhe pse, kjo është e përzier thjeshtë edhe me naivitetin. Kështu është dhurimi. Dhurim në gazmend, dhurim nëpër histori, dhurim për durim, dhurim në tragjedi për fitore e humbje! Nëse, këtë e shndërrojmë në ekuacion matematikor, atëherë rezultati del si klithmë për lëshimet dhe për gabimet. Ndoshta, kështu është edhe kur njeriu dhuron libra.

Por, nënshkrimi,... parafi?!! Kjo fjalë shumëkuptimëshe ta sjellë makthin historik, i cili, padyshim se imponon komente e dilema për parafet e nënshkrimet që janë bërë e bëhen në të gjitha kohërat dhe situatat. Por, nëse dëshironi të hyni më thellë në këtë, atëherë, analizoni ju vetë, por jo edhe sipas dëshirës tuaj, sepse, çuarja gjithmonë ujë në mulli të vet, ndodhë të shndërrohet në gabim, mbase mëkat, e mollë sherri, po se po!

Nëse është kështu, atëherë tash po u frikohem edhe nënshkrimeve dhe parafeve të mi në libra që i kam dhuruar. Nënshkrimi dhe parafi nevojitet edhe në librat e amzës, të lindjes dhe të vdekjes, e besa edhe në certifikatat e kurorëzimit. E,... me kë dhe si kurorëzohen njerëzit, vështirë të ia qëllosh.

Tash, ec e dije a është mirë tash e tutje të dhuroj e të nënshkruaj libra. Kjo, le të mbetët pikëpyetje se a do të jam në trenin e shkrimeve, apo në “tasjanin” e fundit. Për këtë, do ta dëshiroja dhe e kam në qejf edhe mendimin tuaj. Ma thoni, ose thuajeni pa fije rezerve. Ma bëni qejfin,... Po, për besë...!

 

2.

E di, dhe mirë më kujtohen riparimet dhe rinovimet e objekteve kapitale. Më kujtohet edhe meremetimi i objektit, aty ku fjala zë vend e ka karar, i objektit ku merren e sjellën vendime meritore e me vend, por, besa edhe vendime të pavend. Tash, edhe kjo, siç them unë gjithnjë, është përrallë e gjatë dhe e mishëruar me mesele, me dhembje e lumturi, me peshë por edhe pa fije vlere.

Por, po ua them troç. Isha gëzuar pamasë kur në hapësirat e këtij objekti ishin vendosur muralet që s’kanë asnjë të keqe as të shtrembër për askënd, pos që janë pasqyrë dhe kujtim historik, të cilat kanë peshë vule dhe myhyri për historinë, për kulturën, për të djeshmen, të sotmen dhe për të nesërmen.. Murale, që si të tilla ka kudo në botë, vetëm e vetëm për të thënë e për të treguar diçka të mirë, njerëzore, shpirtërore, kulturore, e kurrsesi për ta nënçmuar dikë, apo për t’i rrënuar dikujt muret e jetës. Jo!... Sepse, muralet shndrisin dhe flasin bukur e shëndosh.

Por, kjo ecje pa mallkim si duket kishte penguar syrin, dhe drita që reflektonte nga to, kishin thënë se për momentin shkakton defekt, sjellë të ftohtë dhe acar! Kështu, në një mëngjes, muralet ishin mbuluar me një stof prej cohe, që sikur i “ngrohte” ato me pakuptimësinë e njeriut. Edhe sot e kësaj dite, këto murale janë të ngulfatura me stofin me vija të trasha ngjyrë hiri. Tani, madhështia e tyre i tregohet vetëm territ që e kanë krijuar copat e stofit të puthitura dhunshëm në murale. Ato, tani sikur presin dritën mu si njeriu i cili me shekuj e decenie ka pritur një grimë dritë, një rreze që ngrohë butë dhe njerëzishëm.

Ani, edhe muralet le të presin për ta parë dritën. Edhe kjo është gjë e zakonshme,a?! Por, u them këtyre muraleve, jo njeriut, që ta lëshojnë zërin e tyre i cili do t’i shurdhonte muralet e botës. Atëherë do ta shohim se do të reagonin muralet, edhe në shpella qofshin ato.

Vërtetë, këtë që e shkrova duket qesharake. Konsiderojeni si të tillë, nëse është ashtu. Keni të drejtë të mendoni edhe ndryshe, por pa hidhërim...!

 

3.

Tash, mëzi të dal nga kjo pjesë e shkrimit, por kur e dëgjova erën e qepës, të cilën ishte duke e fërguar bashkëshortja për t’ia shtuar shijen gjellës, diçka më theri në mes trurit, midis zemre. Më trokiti padurueshëm në mendje qepa e fërguar. A e dini, pse?! Dikur herët, ama, ka bukur do decenie, kur atëbotë ushqimin më të preferuar e kisha qepën e fërguar. Nëna ime binte në hall kur u ktheja nga shkolla për të ma përgatitur drekën. Por, e kisha gjetur ilaçin. Një ditë, prej shtëpisë së fqinjit, era e qepës së fërguar depërtonte në dhomën tonë. Atë aromë disi ma përqafoi zemra dhe shpirti dhe e adhuroja. Atëherë, i thash nënës:

-Nënë, fërgomi do qepë për drekë!

Ajo më pyeti a mos e kisha menduar për vezë, por i thash se pikërisht kisha menduar për qepë.

-Or bir, qepa thatë nuk hahet! –më tha.

-Hidhja pak vaj, se bëhet e shkëlqyeshme, oj nëna ime!

Prej atëherë, ushqimi im më i preferuar ishte qepa e fërguar. Ma kënaqte shpirtin. Kjo kishte vazhduar me kohë dhe vite.

Besoni se ky rrëfim ka peshë, sepse, sot nuk ka gjellë që në te nuk “përzihet” edhe qepa ime e fërguar. Këtë, e dini edhe vetë. As ju, nuk e besoj se hani gjellë pa qepë, ha, ha, haaaa... Jo, jo. Më të vërtetë, me afshin më të madh shkrova për qepën e fërguar të atyre kohërave, që flet për shumë gjëra, por edhe ma kujton dashurinë e nënës, shkrumbin e saj, madhështinë dhe këngën e saj të ndrydhur. Kjo më sjellë nostalgji të pakuptimtë, ndoshta. Kjo më bën pelin për kohën, dhe ndoshta nganjëherë më shkon mendja që në vend se të thuhet “Edhe unë jam Kosovë”, të theksohet ndryshe: “Edhe unë jam qepë e fërguar”!

Kaq për këto “figura” shahu të ironisë, të jetës si përrallë dhe si legjendë...!

 

4.

Mos u çuditni. Në botë kanë ndodhur mrekulli dhe mund të ndodhë gjithçka. Nuk dua të flas as për eshtrat, as për të pagjeturit dhe as për të vjedhurit, sepse, një ditë do të flasin ata vetë. Kështu më kanë thënë, dhe unë besoj. Besoj, sepse, ata kanë zë të çuditshëm i cili e dridh tokën, veçmas nëse njerëzit janë të shurdhët. Besoni edhe ju, ngase, duhet të besoni edhe për kufomën në birrë. Po, po. Në birrë! Dhe, merrje me mend, pini birrë me “aromë” kufome, me duhmë njeriu. Kjo, ka ndodhur diku në botë, dhe zëri i kufomës e ka bërë birrën me duhmë njeriu!

Duke punuar, kishte vdekur burri i botës në kazanin e birrës. Djersa e tij që derdhte për bukën e familjes ishte e rëndësishme, por e kishte tradhtuar veten. Përgjithmonë e kishte “lënë” punën, por çfarë është edhe më keq, ishte shpallur si i humbur, i “zhdukur”. Pastaj, për te kishin thurë “legjenda”. Por, birra e kishte nxjerrë jashtë zërin e këtij njeriu të pafat. Kishte lëshuar erë tmerruese, saqë tërë prodhimtarinë mujore të kësaj pije shumë të preferuar e kishte “helmuar”.

Pas duhmës së birrës, të cilën, një pjesë edhe e kishin pirë njerëzit, e kishin kontrolluar tërë procesin dhe pajisjet e fabrikës, dhe,... në kazanin ku tharbet birra,... jo jeta, e kishin gjetur punëtorin e shkretë duke “notuar” mbi birrë. Nga ai kishin ngelur vetëm rrobat e tij të punës dhe kockat përbrenda uniformës. E shihni, pra! Vetë flasin edhe eshtrat, edhe të pagjeturit gjenden...

Çfarë rrëfimi është, kur nuk ta rrëqeth zemrën as shpirtin, as trupin! Intrigë e jetës është kjo. Nëse e besoni këtë, atëherë ndiqeni këtë duke bërë sehir e jo duke mësuar histori, sepse, historia nuk e tregon të vërtetën. Për këtë arsye, atë duhet gozhduar në sheshin e botës, nëse ka shesh bota. Nëse ka edhe botë. Prit, prit. Bota është aty ku jemi pikërisht ne. Nëse nuk iu irriton ky mendim, atëherë, po që se doni, studiojeni. Por, jo pa lidhje...!

 

5.

Gozhdimet asnjëherë nuk kanë qenë të mira. Por, ato shpjegojnë fshehtësitë, tragjeditë më makabër të botës, ndodhitë më të pa imagjinuara të njerëzimit. Fshehin rrëfime rrëqethëse, sa që sikurse nga këto po të ndërtohej një mur, kush e di se ku do ta kishte ai fundin, atje lartë në qiell, apo këtu poshtë thellë e thellë në tokë. Mirëpo, ndoshta gozhdimi i ka dy kuptime. Një të mirë e një, jo të keqe por të pakuptueshme! Megjithatë, jo jo. Gozhdimi ka kuptim tragjik, sepse, ai e trishton edhe historinë e lëne më njeriun. Mirëpo, kam dëgjuar se “gozhdimin” e kanë përdorur njerëzit edhe kur kanë dashur të thonë diçka të madhe; për shembull: “kur ta përfundoni këtë punë, gozhdojeni mirë,... forcojeni mirë! Ose: “përforcojeni këtë punë,... gozhdojeni me dërrasa bungu”! Por, gozhdimi,...sot çfarë është ai?! Ndoshta gjë e pakuptimtë. Merre me mend, kur,... po e zëmë në një rrumbullakim të një rrëfimi për vlerat dhe madhështitë, me apo pa vetëdije i gozhdojmë imazhet e vizionit... Çfarë do të thotë kjo?! Gozhdim dhe gozhdim! Gozhdim i kujt? I kujt pos i mendjes dhe i njeriut. Për këtë, nganjëherë më thotë mendja për të sugjeruar që të ktheni në dhomën e gjumit dhe të shikoni fotografinë tuaj mbi krevat. Besoni se është e juaja?! Ndoshta, në te diçka u kanë gozhduar, e, ndoshta këtë akt vet e keni bërë, dhe as që e dini se e keni bërë ju,... Mos e merrni këtë seriozisht. Megjithatë, imazhin dhe vizionin po ua lë juve. Mos i dëmtoni, ju lutëm! Fund...!



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora