E enjte, 18.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

"Genesis", dyzet vjet rok

E diele, 23.12.2007, 06:34 PM


Publikohet në Angli dhe Itali autobiografia kolektive e grupit të famshëm rok "Genesis. Revelations"

Sot, në moshën 57-vjeçare, Peter Gabriel i ngjan më shumë një njeriu të maturuar, se sa liderit të bandës fantastike të rokut në fillim të viteve ‘70. Grupi "Genesis" ishte formuar pak vite para 1971-shit, kur publikuan "Nursery cryme", albumi që i futi në historinë legjendare të muzikës dhe këngëtari i bandës Gabriel u bë një ikonë, falë idesë së tij revolucionare të teatrit rok, duke e lënë publikun të mahnitur e të tronditur. Ishte i ri, i zgjuar, hirplotë dhe "shpikjet" e tij muzikore do të linin një gjurmë të thellë në historinë e muzikës dhe "musical". "Trespass", "Foxtrot", "Genesis live" dhe "Selling England by the pound" konsiderohen ende vepra të pavdekshme, por imagjinata e shfrenuar e Gabrielit krijoi mosmarrëveshje të paqëndrueshme brenda bandës, i cili dëshironte të vilte frytet e një popi më të drejtpërdrejtë, duke shmangur harxhimin e madh për organizimin e "The lamb lies down on Broadway" (1974), një album i dyfishtë dhe një megashow i kundërshtuar 102 herë, i cili i "krisi" përfundimisht raportet mes bandës. Braktisja e Gabrielit e falimentoi definitivisht grupin, por nuk i la pa burime komerciale. Në 40 vitet e historisë së tyre muzikore, "Genesis", kanë regjistruar 30 albume në 50 vende të botës, kanë shitur 212 milionë disqe dhe kanë luajtur për 25 milionë spektatorë.

Grupi i njohur muzikor, "Genesis", ishin gati të riktheheshin sërish bashkë këtë vit në një turne me Gabriel, siç rrëfejnë në librin që është publikuar njëkohësisht në Angli dhe Itali: "Genesis. Revelation" ("Genesis. Revolucioni"), ku protagonistët

(Peter Gabriel, Phil Collins, Tony Banks, Mike Rutherford e Steve Hackett) tregohen përmes një kolazhi kronologjik kujtimesh. Gjithashtu dhe Peter, 33 vjet më vonë, është gati për të qenë sërish një "Genesis".

Doja t‘i jepja fund muzikës

Ishte muaji maj i vitit 1975. Pas koncertit të fundit në St-Etienne, po qëndroja shtrirë në dhomë, duke menduar për karrierën dhe të gjithë veprimtarinë e grupit. Isha i mërzitur, sepse nuk kisha arritur t‘i thosha publikut se ajo ishte shfaqja ime e fundit. Kisha nevojë ta deklaroja publikisht këtë kthesë, por nuk dëshiroja ta bëja, sepse doja t‘i jepja grupit një mundësi për të mbijetuar. Kjo më detyronte ta mbaja gjithçka përbrenda dhe për këtë isha i vetëdijshëm se më vonë do të më duhej të përballesha me shumë kritika. E ndieja se kisha nevojë për mbështetje, por kjo nuk m‘u dha asnjëherë. Në të vërtetë, pas pak kohësh vendimi im u pranua, por unë e ndieja veten fajtor se po e braktisja grupin, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Qëllimi im ishte të zhdukesha nga bota e muzikës dhe t‘ia kushtoja jetën time realizimit të filmave. Kur isha student, frekuentova për pak kohë shkollën e kinemasë, por nuk munda ta vazhdoj, sepse isha shumë i përqendruar te "Genesis". Më pas miqësia me William Friedkin "plasi" si një flluskë sapuni.

Mendoj se pati ndonjë problem: ndodh që shpeshherë ndajnë së bashku ide të mëdha dhe revolucionare, por pak kohë më vonë, në mënyrë të paevitueshme vjen momenti për të "larë hesapet" me realitetin. Qëllimi im kryesor ishte të merrja pak kohë pushim për të qëndruar në shtëpi me familjen time. Kisha pak kohë që isha transferuar në një fshat anglez, West Country (një tjetër ndryshim i shtohej shumës së gjërave që kishin ndodhur në atë vit të mërzitshëm 1974). Nga pjesa e mbetur e bandës largësia gjeografike ndihej, por arsyeja që na shpuri drejt Perëndimit ishte ajo ekonomike: kishim nevojë për një vend si Bath, rreth 160 kilometra nga Londra, ku çmimet, të paktën atëherë, ishin relativisht të kënaqshme. Gjetëm një shtëpizë të vogël në Woolley, pak më në veri të Bath. Ishte një fshat ku jetonin më pak se 100 banorë. Kur binte borë, të vetmet mjete që mund të lëviznin ishin traktori i një fshati dhe makina ime "Range Rover". Në këtë mënyrë bënin shpërndarjen e bukës, të qumështit dhe transportimin e njerëzve për në varreza kur vdiste ndonjë banor i fshatit.

Nuk e kam ndier kurrë më parë ndjesinë e fortë që i përkas një komuniteti shumë special. Gjithmonë e kam dashur pjesën e West Country, sepse thellë-thellë njerëzit ishin të hapur, miqësorë dhe shumë bujarë. Kësaj mirësie i shtohej edhe bukuria e kodrave të gjelbëruara dhe vijave të ujit, elemente natyrore që i kam adhuruar gjithmonë. Bashkohem vërtet me mendimin se njeriu e gjen veten në fshat.

Pasi braktisa grupin, për disa dhjetëra vjet kërkova të bëja diçka ndryshe, por pas një farë kohe vendosa të mos mendoja më, pasi ndieja se kisha gjetur një identitet muzikor timin. Në vitin 2002, në këngën "Signal to noise", nga albumi "Up", fillova të bëj disa arranxhime që nuk do të kisha guxuar t‘i bëja kurrë në vitet e mia të para si solist. Sot ndihem tërësisht i lirë të trazoj edhe në atë që mund të konsiderohet si territori i vjetër i "Genesis": në turneun tim të fundit tentova të këndoj "Supper‘s ready". Madje, kam debatuar me pjesëtarët e tjerë të grupit për datat e turneut "Turn it on again", por e kuptova se problemi po bëhej më i madh se ajo që jam në gjendje të përballoj në këtë moment. Teorikisht nuk isha kundër idesë për të bërë diçka së bashku për një kohë më të gjatë. Megjithatë, nuk ka më paragjykime dhe gjithçka është e mundur.

Origjina e grupit

Bërthama e grupit u formua në Godalming, një qytet i vogël pranë Londrës, duke përfshirë "Charterhouse School", kolegji prestigjioz që frekuentohej nga pasardhësit e borgjezisë së mirë britanike. Formimi i grupit përfshinte Tony Banks (tastierist), Peter Gabriel (këngëtar, flautist dhe baterist), Anthony Phillips (kitarist), Mike Rutherford (në kitarë bas) e Chris Stewart (baterist). Grupi u krijua nga shkrirja e dy bandave të vogla "Anon" dhe "Garden Wall". Ai që i zbuloi ishte shoku i kolegjit, Jonathan King, i cili është edhe autori i këngës "Everyone‘s gone to the moon". Ishte pikërisht King që kontribuoi në krijimin e emrit të ri "Genesis", ndoshta edhe për shkak të tematikave biblike, ku frymëzohej fillimisht grupi dhe që do të mbeten një nga objektet e privilegjuara të shkrimeve të ardhshme të Gabrielit.

Debutimi i parë i tyre diskografik shfaqet në vitin 1969 me albumin "From Genesis to Revelation". Këngët lirike paksa arrogante dhe struktura muzikore ende e panjohur, bënë që albumi të mos kishte sukses dhe në fakt edhe vetë autorët e pranuan këtë gjë. Muzika e këngëve ishte marrë nga "Moody blues", grupi më i famshëm në atë periudhë, por nuk mungonin edhe pjesë të njohura si: "The silent sun" e "Where the sour turns to sweet", të cilat u pëlqyen mjaft nga publiku.

Albumi, që pritej të publikohej së shpejti, duhej të ishte një lloj koncepti me sfond fetar.

Disa prej këngëve që iu përmbajtën këtij koncepti ishin: "In the beginning", "The serpent", "In the wilderness" dhe "The conqueror". Gjatë provave djemtë morën vendimin për të zëvendësuar Stewart me John Silver. Grupi vazhdonte normalisht karrierën, ndërkohë që pika e tyre e referimit ishin "Beatles".

Duke ecur mbi gjurmët e tyre, "Genesis" publikuan në vitin 1970 albumin "Trespass", i cili ishte ndryshe në krahasim me paraardhësin. Në këtë album stili muzikor i "Genesis" filloi të ndryshonte rrënjësisht, duke i lënë një hapësirë të gjerë pjesës teatrale të Peter Gabriel. Në atë periudhë, një sërë koncertesh i bëri "Genesis" më të famshëm dhe më të pasionuar ndaj muzikës belge dhe asaj italiane. Sigurisht këto vinin pas asaj angleze. Kontributi i Phillips - një kitarist i zoti, e që më pas do të braktiste grupin e do të fillonte një karrierë sofistike - nuk u vlerësua nga regjistruesit e këngëve. Ndërsa zëri i Gabriel ende nuk kishte arritur në standardet e duhura. Por, pavarësisht këtyre "mangësive", albumi arriti të pëlqehej nga publiku. Mes këngëve të cituara ishin edhe: "Stagnation", "Looking for someone" dhe "The knife", që, veç të tjerash, është pjesa e vetme që do të mbetet nga repertori i grupit. Falë albumit "Trespass", grupi do të njihej në Evropën Veriore dhe veçanërisht në Belgjikë dhe në Holandë.

Braktisja e Phillips erdhi në vitin 1970, për shkak të disa problemeve shëndetësore të kitaristit dhe frikës që ai ndiente kur dilte në skenë. Por kjo është një nga periudhat më kritike të grupit. Dy pjesëtarët e tjerë të grupit, Rutherford dhe Banks, në atë kohë ishin të pasigurt se si do të vazhdonte karriera e tyre pa kitaristin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora