Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Isuf B. Bajrami: Pilotët serbë shtyllë e trupave të Gadafit

| E diele, 10.04.2011, 06:55 PM |


Pilotët serbë shtyllë e trupave të Gadafit

 

Nga Isuf B. Bajrami

 

Mes forcave të liderit libian Muamar Gadafi ka mercenarë nga vendet e ish -Jugosllavisë, kryesisht serb, kroatë dhe boshnjakë. Deklarata vjen nga një shkrimtare dhe gazetare libiane, Fatima Mahmud e cila është anëtare e Këshillit Kombëtar kryengritës të Libisë. Sipas saj shumë shpejt kryengritësit do të publikojnë listën me emrat e mercenarëve të ish vendeve jugosllave.

Fatima Mahmud, anëtare e Këshillit Kombëtar kryengritës të Libisë pohon se në përbërje të forcave ajrore të Moamer el Gadafit luftojnë vullnetarë serbë. Ajo thotë se mercenarët serbë, krahas atyre nga Kroacia e Bosnja, janë shtyllë e ofensivës së qeverisë në Tripoli.

- Është për keqardhje që Serbia, sikur dhe të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, ka qenë mike e madhe e Libisë dhe deri në vënien e embargos i kishte dërguar armë asaj për të vrarë popullin. E të mos flasim për mercenarët nga rajonet e ish-Jugosllavisë . nga Serbia, Kroacia dhe e B e H , që aktualisht janë vrasës të dëgjueshëm e të paguar mirë të Gadafit, thotë Fatima për gazetën „Veçernji list“ të Zagrebit.

Fatima Mahmud, letrare dhe aktiviste që me vite ka qenë e munduar nëpër burgje nga regjimi Gadafit, shton se këto të dhëna nga terreni nuk e habisin sepse mercenarët nga “rajonet e ish Jugosllavisë kanë përvojë lufte”.

- Gadafi ka para dhe nuk ka problem të paguajë këdo që do të vrasë për të, për të blerë kështu edhe ndonjë ditë në pushtet. Mos u brengosni, sapo të qetësohet pak situata në fushëbetejë, do të bëjmë evidencën e mercenarëve në radhët e luftëtarëve të Gadafit. Do ta bëjmë listën e të gjithë të vrarëve nga rajonet e ish-Jugosllavisë.

Ajo thotë se mercenarët nga Kroacia e B e H në terren luftojnë krahas mercenarëve nga vende afrikane, ndërsa ata të Serbisë kryesisht në aviacion.

- Gadafi pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë mbeti në anën e Slobodana Milosheviqit dhe e ndihmoi në të gjitha mënyrat që të mbetet në pushte e më së shumti e ndihmoi financiarisht. Veç kësaj, se çfarë është lidhja e tij me këtë vend dëshmon edhe fakti se Serbia deri më tash ende nuk e ka definuar qartë qëndrimin e vet ndaj situatës në Libi.

Fatima Mahmud thekson se angazhimi i mercenarëve të huaj më vonë me siguri do të ndikojë në marrëdhëniet politike, siç ka thënë ajo, të Libisë demokratike dhe të atyre shteteve.