E enjte, 18.04.2024, 07:04 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Lindberg, amerikani që "zbuloi" Evropën

E shtune, 29.12.2007, 06:30 PM


Dyqind kuajt fuqi po jepnin maksimumin për të ngritur në ajër rrotat gjithë baltë të atij avioni njëmotorësh dhe njeriu që po i drejtonte kërkoi edhe një tjetër sforco, jetë ose vdekje. Jepi, jepi. Rrotat u shkëputën, por pas disa metrave u përplasën përsëri në barin e dendur. "Jepi, jepi", bërtiste me të madhe piloti dhe kuajt u përgjigjën edhe një herë tjetër, pulsimet e zemrës së tyre arritën në 1475 për minutë, maksimumi që mund të jepnin në atë pistë të mbushur më ujë. Rrotat u ngritën edhe për një herë të dytë, por vetëm për të përfunduar sërish në baltë. Pesëqind metra, katërqindepesëdhjetë, katërqind, mungonin nga përfundimi i pistës ku ai, bashkë me kuajt e tij, do të ishin për copash brenda një fraksioni. Treqind e pesëdhjetë metra dhe vetëm kur përballë tyre del një traktor. Për herë të fundit njeriu i kërkon mëshirë atij qielli që po sfidonte dhe asaj toke që nuk donte ta lëshonte, dhe me një tjetër sforco, kuajt i shkulën rrotat nga balta dhe "karroca me krahë" u ngrit në ajër. Kjo ndodhi dy metra larg traktorit. Ishte ora shtatë e pesë dhjetë e dy minuta e 20 majit të vitit 1927, mbi një fushë të ishullit të Long Island, i quajtur "Fusha Ruzvelt", ku sot një qendër tregtare ofron produktet e zakonshme që prodhohen në Kinë dhe fëmijët as denjojnë të ngrenë sytë për të parë avionët që u nisën nga Kenedi drejt asaj Evrope që e arritën brenda shtatë orëve, të cilën njeriu i "karrocës me krahë" e arriti për 33 orë e gjysmë. Duke e bërë atë, Çarls Augustus Lindbergun, Kristofor Kolombin e mbrapshtë, udhëtari amerikan që hapi rrugën ajrore drejt Evropës, siç xhenovezi kishte hapur rrugën detare drejt Amerikës.

Nuk është se e kishte nisur mirë jetën e tij si pionier. Lindi e quanin në familje, ose "Shqiponja e vetmuar", siç e quajtën të ekzaltuar gazetat e ndryshme amerikane. Sipërmarrja e tij e parë, në vitin 1918, në moshën 17- vjeçare, në Minesota, ishte një ndërmarrje industriale për rritjen e pulave. Ky, një biznes tepër i mirë, pasi qytetet e pasluftës ishin duke u populluar me hapa të shpejtë dhe kërkesa për ushqim ishte në rritje. Arriti të kishte deri në 6 mijë pula që i mbante në kafaze të mëdhenj që i ngrohte me anë të disa stufave, duke arritur të mbante një temperaturë konstante gjatë dimrit të atyre rajoneve, më të ftohtit në Amerikë. Një aventurë që përfundoi kur një shkëndijë flake, në një nga stufat, dogji brenda pak minutave të gjithë impiantin. E ardhmja e "Shqiponjës së vetmuar" nisi me pjekjen më të madhe të pulave në historinë amerikane.

Dhe Lindberg nuk ishte as emri i tij i vërtetë. Gjyshi nga i ati quhej Manson, Ola Manson, i cili ishte detyruar të arratisej në vitin 1859 nga fshati Gardlosa në Suedi, ku karriera e tij si deputet në Kuvend ra pre e akuzave për mashtrim dhe shpërdorim të detyrës. Gjatë zbarkimit në "Quebec", ndërmjet Ilinoisit, Mizurit dhe Minesotës, ku shumë emigrantë të ardhur nga Skandinavia do të sistemoheshim përfundimisht, u vetë pagëzua Çarls Lindberg, dhe u përshtat me një jetë të mbushur plotë tregti, lodhje dhe ndonjë shkëmbim zjarri me tributë lokale. Pra brenda një periudhe 60-vjeçare, një familje emigrantësh suedezë të arratisur dhe me identitet fals, arritën të realizonin zhvendosjen e parë ajrore transatlantike. Nipi i deputetit mashtrues, me monoplanin e tij të quajtur "Shpirti i St. Luis", në nder të financuesit, pikërisht St. Luis që i kishte dhënë hua 10.500 dollarë për ta ndërtuar, arriti në brigjet e Nju England dhe arriti të përballonte me sukses një pjesë të asaj pengese që do ta shoqëronte për 33 orë, armiken e tij më të pamëshirshme: mjegullën. Me 1703 litrat e benzinës të shpërndarë kudo për të përshkuar 5810 kilometrat nga brigjet e Nju-Jorkut në aeroportin "Le Bourget" të Parisit, motori i avionit të tij, një "Wright" serie dhe nëntë cilindrat e tij as që nuk mund të ëndërronin të ngriheshin sipër reve, stuhive, kohës së keqe, ngricës, faktorë natyrorë që avionët e linjave të sotme i kalojnë pa asnjë problem. I mbyllur në gropzën me gjerësi rreth 80 centimetra dhe rreth 1.30 metra të lartë, ai shtrëngohej në një jokomoditet, që më vonë do të provohej nga miliona pasagjerë që do të paguanin për klasin ekonomik pikërisht në të njëjtin drejtim. Lindi nuk mund t‘i zgjaste këmbët dhe as nuk mund të shihte përpara (shihte vetëm me anë të një periskopi të vogël që e kishte instaluar një nga konstruktorët me përvojë në zhytje nënujore). Jo se nuk kishte ndonjë gjë për të parë gjatë brigjeve plot mjegull të Atlantikut Verior ose sipër sipërfaqes gri të oqeanit, ose të paktën ai donte të shihte diçka, duke ditur mirë se ndërmjet shkëmbinjve të Nju England, pastaj të Kanadasë, të Skocisë së Re, gjendeshin të shpërndara gjithandej mbetjet e 27 aeroplanëve që kishin marrë guximin më parë të bënin këtë udhëtim aventuresk. Pas dashtimit të fundit, ai i tre argonautëve sipër një avioni me tre motorë, Lindberg, i cili i njihte mirë problemet gjatë një fluturimi, pasi kishte eksperiencë si pilot i avionëve të postës, kishte urdhëruar që avioni i tij "Shpirti i St. Luis" të ndërtohej me një motor të vetëm. "Thjesht ka më pak gjëra që mund të prishen", kështu i ishte përgjigjur ai projektuesit dhe fabrikuesit. "Nëntë cilindrat e motorit tim "Ëright" duhet të prodhojnë 14 milionë e 500 mijë plasje të brendshme për të shkuar nga Nju-Jorku në Paris. Shumëzojeni këtë numër me tre dhe do ta kuptoni sepse një motor i vetëm është më i sigurt". Shpejtësia mesatare gjatë udhëtimit ishte ajo e një makine në një autostradë, 170 kilometra në orë me rreth 1300 xhiro motorike. Drejtohej me anë të busullës dhe yjeve kur arrinte të shihte nga dritaret anësore. Nuk kishte radio, e cila po të ishte montuar në bord, vetëm do të kishte rënduar dhe komplikuar bordin, pasi nuk shërbente për asgjë, madje as për të komunikuar me anijet, pasi ato ishin të rralla dhe tepër të largëta. Nuk kishte pilot automatik, as komanda të tjera, veç zbarrës së timonit në mes të gjunjëve dhe pedalet që duhet t‘i përdorte në raport harmonik për të mbajtur aeroplanin në nivel konstant fluturimi. Një armik tjetër që do ta shoqëronte për gjatë gjithë rrugës ishte gjumi. Por të gjithë këta kundërshtarë, mekanikë, atmosferikë dhe mbi të gjitha njerëzorë, Lindberg arriti që t‘i mundë menjëherë dhe pas orëve të para të fluturimit, as që nuk i bënin më përshtypje. Të njëjtin hov, fiksim dhe përqendrim që i kishte kushtuar ëndrrës së jetës së tij - asaj për të fluturuar, që e nisi kur një "i çmendur në një makineri fluturuese" kishte prekur çatinë e fermës së familjes së tij në vitin 1915 - do ta vërtetonte edhe në kapacitetin për t‘u bërë i pështjelluar dhe të kundërshtonte të njëjtin opinion publik, që e kishte lavdëruar pas fluturimit dhe pastaj e kishte mbështetur pas tragjedisë së jetës së tij, rrëmbimit dhe vrasjes së djalit të tij në moshën një vjeç e tetë muaj. Si aeroplani, tashmë i vetmuar në Muzeun e Aviacionit të Uashingtonit, edhe piloti i tij ishte një vetmitar. Turmat që ishin drejtuar drejt aeroportit "Le Bourget" për ta pritur, duke i dekretuar një triumf që vetëm Franca e freskët me ata avionë që fluturonin në qiejt e Marnës mund t‘ia jepte, e trembën. Çdo qytet amerikan i dedikoi paradat me kotijone që i hidhnin nga çdo dritare, por ai gjithmonë mbante një shprehi zemërimi. Çdo vizionar dhe investues e kërkonte për t‘i dhënë emrin e tij ndonjë avioni të sapondërtuar, ose një kompanie të re, siç bëri krijuesi i "Pan Am". Dhe nuk mbaroi hidhërimi në Amerikën e viteve 1932, kur Betti, zonja e familjes Lindberg, shkoi në dhomën e Çarls Augustit të vogël për t‘i ndezur sobën elektrike në një natë të ftohtë dimri në Nju Xhersi, dhe vuri re se dritarja ishte e hapur. Dhe krevati ku duhej të flinte djali ishte bosh. Kurrë më parë dhe kurrë më pas, aq shumë ngushëllim dhe urrejtje do të kishte shoqëruar një rast të kronikës së zezë, kërkimi i "zogut të shqipes", siç u quajt menjëherë fëmija. Një komb i çmendur, i goditur, të paktën deri në gjetjen e trupit të fshehur nën dherishten dhe gjethet e një pylli disa metra larg shtëpisë dhe deri në procesin gjyqësor kundër "emigrantit ilegal", i cili u arrestua dhe u dënua në karrigen elektrike, zdrukthëtari gjerman, Bruno Hauptman, i cili nuk e pranonte akuzën edhe pse iu raportua se nëse do të pranonte fajin, do t‘i jepnin dënimin e përjetshëm dhe jo atë me vdekje. Dhe ndodhi pikërisht në momentin e konvergjencës ndërmjet admirimit dhe ngushëllimit, ndërmjet triumfit të eksploratorit dhe dëshpërimit të shpirtit njerëzor, që diçka u shkëput përgjithmonë, në të dhe në kombin që e kishte shenjtëruar.

Pas kësaj shkoi të jetojë në Angli me bashkëshorten e tij, Anën, e cila ishte duke pritur një tjetër djalë, por që Lindbergët nuk donin që të lindte në Amerikë. Madje edhe gruaja, siç do të zbulonte e bija, pas kishte zbuluar rastësisht mes gjërave të së ëmës, do ta tradhtonte me një të dashur sekret, ashtu siç tradhtoi ai Amerikën. Në atë Evropë që do ta përbuzte gjatë mbërritjes, ku do t‘i pëlqente rrezatimi i ligjit, i autoriteteve, i eficencës, i progresit që nazistët ishin duke projektuar. Vizitonte me admirim vendosjet e Heinkelëve, laboratorët e "Luftwaffe", drejtimin e Goering-ut, aviatorëve si ai dhe asit të luftës së madhe. Tentoi të takonte Musolinin kur shkoi për të vizituar Romën Perandorake. Dhe iu kundërvu Ruzveltit, kur kuptoi se Presidenti po e çonte vendin drejt luftës, ndërsa betohej se donte të qëndronte jashtë saj. Me maskën izolacioniste, të doktrinës "America First", Amerika përpara çdo interesi tjetër, u bë një apologjet i nazizmit. Dhe kur pas Perl Harborit, doli nga bota e tij e mbyllur, Ruzvelti bëri që ta paguante duke i mohuar atij, të parit, më të suksesshmit aviator në historinë amerikane, aktivizimin në aviacionin amerikan, madje i mohoi edhe gradën e tij të vjetër si kolonel. Duhej të kënaqej në frontin e Paqësorit, duke stërvitur pilotë të rinj, të cilët habiteshin kur gjendeshin përballë "Shqiponjës". Madje ka kryer edhe dhjetëra misione vetmitare, pa u autorizuar nga asnjë komandë zyrtare. Zbulonte dhe luftonte vetëm me zotësinë e tij pa asnjë informacion tjetër mbi objektivat. Me zotësitë e tij, pikërisht siç kishte arritur të mbërrinte në ujërat e Irlandës pasditen e së nesërmes, pas ngritjes së mrekullueshme nga balta e "Long Island". Duke bërtitur në heshtje edhe ai "tokë, tokë", përballë peskarexhave që i tregonin afrimin e kontinentit. Një çast gëzimi sa që motori pushoi, duke filluar të nxjerrë tym vetwm pas 24 orësh punimi perfekt. "Ja mbaroi - tha me vete - isha tepër arrogant, tepër i sigurt me vetveten". Dhe ndërsa dritarja anësore ishte e hapur dhe ai fluturonte fare pranë ujit, i bërtiste një peshkatari të habitur nga ajo që po shihte, i cili as që nuk e dëgjonte dot: "A jam mirë këtej për Irlandë? Në çfarw drejtimi është Irlanda?". Dyqind kuajt fuqi që e kishin shpëtuar nga përplasja fatale me traktorin, rifilluan të merrnin frymë dhe zemra e tyre filloi të punonte. Rimori kuote. Filloi të vëzhgonte i emocionuar Plymutthin, portin e Devonshire, ku historia e Amerikës dhe asaj angleze, kishte filluar katër shekuj më parë me nisjen e pelegrinëve në bordin e "Mayflower" në vitin 1620. E kaloi Manikën, vazhdoi drejt "Cherbourg", goja e Senës, pastaj drejt Parisit, dhe ja shfaqen dritat e para, madje edhe turma që në errësirë arrinte ta shihte në lëndinën e "Le Bourget" dhe që më pas do të prekë tokën në orën 22:24, pikërisht 33 orë e gjysmë nga ngritja. Legjenda thotë që nga dritarja ai tha: "Jam Çarls Lindberg, ia dola mbanë", por fraza iu duk tepër retorike dhe deri në vdekje, në vitin 1971, e mohoi ta ketë thënë një gjë të tillë. Ka pranuar vetëm se ka thënë: "A ka ndonjë mekanik këtu?" dhe menjëherë më pas filloi të interesohej për ta çuar në një vend të sigurt avionin e tij, larg duarve të gjuetarëve të suvenirëve, të cilët ishin gati ta shqyenin me duar. Fotoja e tij e fundit pak para vdekjes, tregon një plak 70-vjeçar, ende i mbajtur dhe i krekosur me kostum, tepër i dobët dhe në krye të një shkëmbi të Atlantikut Verior. I ka kthyer kurrizin objektivit dhe sheh oqeanin drejt të cilit u nis kur ishte vetëm 25 vjeç dhe prej të cilit, lind dyshimi, ndoshta nuk kthehem më kurrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora