Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Oskar, versioni kaos

| E marte, 08.01.2008, 05:11 PM |


Depp, Clooney, vëllezërit Coen, të munguarit "e mëdhenj" Ang Lee dhe Julian Schnabel, shumë polemika dhe protesta

Për çmimet "Oscar", viti 2008 është një përvjetor i rëndësishëm: 80 vjet momente të paharrueshme, pasiguri, mundësi për Hollivudin për të lartësuar vetveten dhe rëndësinë e imazhit të tij. Në Aspan apo Karaibe, strategët dhe protagonistët e kryeqytetit të kinemasë i kanë kaluar pushimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri duke menduar për ritualin e përvitshëm se cili do të përfshihet në listën e gjatë të çmimeve të 22 janarit, e veçanërisht se cili do të marrë "Oscar"-in e tij më 24 shkurt. Dikush siguron se do të jenë vëllezërit Coen, që me filmin "No Country for Old Men" kanë shpalosur të gjithë talentin e tyre. Dikush tjetër mendon se do të jetë Tim Burton, i cili me filmin "Sweeney Todd" e ka transformuar Johnny Depp në një berber vrasës që shfryn dhimbjen e tij duke masakruar klientët, teksa këndon meloditë e Stephen Sondheim. Të tjerë mendojnë se "Oscar"-in do ta rrëmbejë "Michael Clayton", një film që është frymëzuar nga romanët e verdhë të asaj kohe e që ka si protagonist George Clooney. Mendohet se në këtë garë do të përfshihen shumë filma dhe regjisorë. Një prej tyre është edhe Paul Thomas Anderson me filmin "There will be Blood". Ndoshta për votuesit e "Academy Awards" është një film shumë i përgjakshëm. Më pas radhitet filmi i Sean Penn "Into the Wild" dhe ai i Mike Nichols "Charlie Wilson‘s War", një satirë mbi Afganistanin e viteve të pushtimit sovjetik. Gjithashtu një tjetër pjesëmarrës është edhe Denzel Washington me filmin "The Great Debaters". Është një film mjaft interesant, që tregon historinë e një grupi studentësh zezakë që në vitet ‘30 arrijnë të triumfojnë në Harvard. "Vitin e kaluar kishim ide të qarta se cilët do të ishin fituesit, për shembull një prej tyre ishte Helen Mirren ("The Queen"), Forest Whitaker ("The Last King of Scotland") dhe "The Departed", si filmi më i mirë. Të gjithë pohonin se kishte ardhur momenti që Martin Scorsese të vlerësohej. "Ndërsa këtë vit gjithçka është në ajër", thekson një nga autorët e shumë librave për nominimet e ndryshme të botës.

Ende nuk është konfirmuar nëse ceremonia do të zhvillohet e nëse do të shfaqet në ekran, pasi Sindikata e Shkrimtarëve ka hyrë në grevë që nga 5 nëntori i vitit të kaluar. Mund të zhvillohet një ceremoni pa diva, që për solidaritet të gjithë do të refuzonin të shkonin pa kolegët e tyre. Por edhe nëse do të ketë një marrëveshje para fundit të janarit, stafi i "Academy Awards" po përgatitet për të festuar 80-vjetorin, nën drejtimin e përbashkët të shtypit dhe artistëve më të famshëm të botës për paaftësinë e tyre për t‘iu përshtatur kohërave e për të mbajtur nën kontroll interesat që sillen përreth statujave të shumëdëshiruara. "Dua t‘i jap një këshillë "Academy Awards". Merrini 44 faqet e librit të rregullave, hidhini nga dritarja dhe fillojeni gjithçka nga e para", ka shkruar kohët e fundit një opinionist i njohur i "Los Angeles Times".

Këtë vit, polemikat më të forta sillen rreth kategorisë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Është një kategori e cila duhet marrë me shumë seriozitet: meksikani Alfonso Cuaron ka drejtuar filmin "Harry Potter", Clint Eastwood ka xhiruar në japonisht "Letters from Iwo Jima", Will Smith, aktori më popullor i momentit, vazhdon të qëndrojë përkrah regjisorit italian Gabriele Muçino.

Hollivudi ka arritur të dalë nga izolimi i tij dhe po përqafon globalizimin e kinemasë, por "Academy" vazhdon të këmbëngulë se për të konkurruar në kategorinë e "Best Foreing Language", një film duhet të flasë gjuhën e vendit të origjinës dhe pjesa më e madhe e dialogut duhet të jetë në gjuhën e atij vendi. Këto rregulla kanë përjashtuar nga gara filma si: "The Diary of Motorcycle", "Y tu mama tambien" dhe "Speak with me". Edhe këtë vit po ndodh e njëjta gjë, pasi shumë filma janë lënë jashtë gare. Një prej tyre është "Lust, Caution", filmi i regjisorit Ang Lee që fitoi në Festivalin e Venecias. Shkaku i përjashtimit ishte se Tajvani nuk arriti të provonte se prodhimi ishte mjaftueshëm tajlandez. Të njëjtin fat ka pasur edhe "The butterfly and the free deving", filmi i regjisorit Julian Schnabel, i cili ka tronditur platetë e botës, duke treguar historinë e Jean Dominiques Bauby, drejtorit të revistës "Elle" që u paralizua. Nga reagimet e para u vu re se ai do ta merrte medoemos statujën e artë, por Franca nuk mund ta gëlltiste idenë se do të përfaqësohej nga një film i drejtuar nga një amerikan dhe dërgoi në vend të tij "Persepolis". Një tjetër film i përjashtuar nga gara është edhe ai tajlandez "The Band‘s Visit". Ai tregon historinë e një orkestre të policisë egjiptiane që gabimisht arrijnë në një qytezë të vogël të Izraelit në shkretëtirën e Negevit. "Academy" nuk e ka pranuar pjesëmarrjen e tij, sepse në film mbizotëron gjuha angleze. "Është një situatë mjaft e tensionuar, pastaj si duhet të flasin izraelitët dhe egjiptianët? Mos duhet ta shfaqim filmin vetëm me armë?" pohon regjisori.

Dyzet e katër faqet që drejtojnë "Academy"-në paraqesin shumë gjëra kontradiktore. Në kategorinë "Best Documentary" mund të marrin pjesë vetëm dokumentarët që janë shfaqur në 14 qytete, një vendim që ka krijuar pakënaqësi te prodhuesit e tyre.

Çdo vit rregullat po bëhen gjithnjë e më të rrepta, por në fund ai që fiton nuk është talenti artistik, por kamera më efikase e më e kushtueshme. "Fushatat për çmimin e madh ‘Oscar‘ i ngjajnë gjithnjë e më shumë atyre politike", pohon një nga punonjësit e "Universal".

Më pas vijnë aktorët, të cilët janë të detyruar të marrin pjesë në bashkëbisedime të ndryshme, të jenë të pranishëm në vendet ku ndodhen votuesit e "Academy". Kandidatët e mundshëm janë: Philip Seymour Goffman (por vota e tij mund të ndahet mes dy filmave, "The Savages" e "Before the Devil Knows You‘re Dead"), Viggo Mortensen ("Eastern Promises"), Josh Brolin për filmin e vëllezërve Coen dhe në fund Casey Afleck, protagonisti i filmit të parë, drejtuar nga i vëllai Ben ("Gone, Baby Gone"). Ndërsa mes aktoreve më të përmendura janë Angelina Jolie me filmin e "A Mightly Heart" dhe Keiera Knightley me "Atonement".

Shqip