E shtune, 20.04.2024, 02:28 PM (GMT+1)

Editorial

Isa Mulaj: Ekopolitika vendore dhe ndërkombëtare e Trepçës

E shtune, 09.04.2011, 07:59 PM


Beteja për mineralet: Ekopolitika vendore dhe ndërkombëtare e Trepçës

 

Nga Isa Mulaj

Kryetar i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA)

 

Një eksploatim më i madh i pasurive nëntokësore në Kosovë do të gjeneronte shumë vende të punës meqenëse është veprimtari me punë intensive, po që se ato do ta gjenin vendin në treg dhe në faza tjera të përpunimit. Eksploatimi i mineraleve përfshin disa faza të punës dhe transaksioneve prej mihjes e deri të shfrytëzimi i tyre për konsum, e në disa raste si lëndë të para në procesin e prodhimit. Këtu është baza e rritjes ekonomike produktive, e jo në veprimtaritë shterpe dhe shpenzuese, siç janë: arsimi i pa reformuar në përmbajtje dhe metodologji, administrata publike e pushtetit komunal dhe qendror, dhe veprimtaritë e partive politike. 

 

Shfrytëzimi racional ekonomik dhe efikas i pasurive nëntokësore varet nga pasuritë mbitokësore ose njerëzit. Kosovës nuk i mungojnë pasuritë e tilla për shfrytëzimin e atyre nëntokësore, por ka një sistem ekopolitik të papërshtatshëm dhe korruptuar që po ua humb vlerën shumë pasurive njerëzore. Kur përndarjen e pasurive njerëzore e bënë sistemi i korruptuar duke i zhvlerësuar ato, atëherë është e qartë se Kosova nuk mund të ketë zhvillim të bazuar në eksploatimin e pasurive nëntokësore dhe mbitokësore. Kjo qasje ose ndërlidhje në mes të pasurive të mëdha natyrore dhe popullsisë në rastet kur njerëzit nuk  shfrytëzojnë me mençuri dhe vendi mbetet i ekonomikisht i pazhvilluar, në teori njihet si “mallkimi i pasurive natyrore” ndërsa në gjuhën popullore shqipe thuhet “ma zor osht me ditë, se me pasë”. Kosova për nga sipërfaqja dhe numri i popullsisë ka pasuritë më të mëdha natyrore në Evropë, por njëkohësisht është vendi më i pazhvilluar ekonomikisht dhe i varfër në kontinent. Pasuritë nëntokësore nuk vlejnë për zhvillimin e Kosovës kur nënvlerësohen dhe nënçmohen pasuritë njerëzore.

 

Oda e veçantë nuk i  jep llogari askujt

 

Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme në njërën anë ka mbetur si institucion që nuk i jep kujt llogari, ndërsa në anën tjetër ende mban juridiksionin për çështjet që kanë të bëjnë me AKM-në. Kompetenca e saj për këtë të dytën buron nga dispozitat e nenit 3 të rregullores së UNMIK-ut nr. 2002/13 për Themelimin dhe funksionimin e kësaj Gjykate, ku specifikohet përbërja prej pesë gjykatësve, nga të cilët tre janë ndërkombëtarë dhe dy të tjerë banorë të Kosovës. Përveç kësaj, siç thuhet në paragrafin 2 të nenit 3, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, i cili tani mund të identifikohet me Përfaqësuesin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cakton njërin prej gjykatësve ndërkombëtarë për kryesues të Dhomës së Veçantë. Derisa kjo rregullore mbetet në fuçi dhe nuk është ndryshuar apo edhe mbizotëruar me ndonjë ligj të Kuvendit të Kosovës, vendimet e kësaj Gjykate për Trepçën duken sikur kanë mbështetje ligjore, pavarësisht a mund të jenë të dëmshme. Kuptohet se në pikëpamje ligjore vendimet kyçe ende kanë mbetur në kompetencë të ndërkombëtarëve, prandaj nuk është çudi pse caktohet një administrator i huaj.  

 

Dilemat dhe pikëpyetjet e ristrukturimit të Trepçës

 

Tani është hapur dilema nëse Trepça së pari duhet të ristrukturohet në statusin e tanishëm pronësor shoqëror apo të privatizohet. Ndërkombëtarët në bazë të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2005/48 mbi Riorganizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve dhe pasurisë së tyre nën administrimin e AKM-së, e cila pavarësisht se është shuar dhe AKP pretendon se e ka zëvendësuar, duan ta privatizojnë në gjendjen në të cilën është tani, çka ka ngritur shqetësimin e pothuajse të gjithë aktorëve dhe ekspertëve kosovarë se një strategji e tillë mund të jetë e dëmshme, dhe se ristrukturohet i këtij kombinati është zgjidhje më e mirë. Mirëpo, problemi i parë është se si të ristrukturohet kur buxheti i shtetit është në deficit dhe nuk ka mjete të mjaftueshme për funksionim normal, e lërë më për subvencionimin e Trepçës ku kërkohen shumë mjete. Problemi  i dytë, i cili mund të jetë edhe i pari për kah rëndësia, është ndarja etnike e funksionimit të tashëm të Trepçës me kapacitete të reduktuara, ku 1340 punëtorë janë shqiptarë që punojnë në jug, dhe 1000 tjerë janë serbë që punojnë në pjesën veriore të Mitrovicës. Problemi i tretë mund të jenë kërkesat dhe pretendimet pronësore ndaj Trepçës, qofshin në formë të borxheve apo pronës fizike. Këtë rrëmujë të problemeve, sidomos të dytin për ndarjen etnike në pjesën shqiptare dhe serbe të kombinatit sipas parimin divide et impera (përçaj dhe sundo) duket se do ta shfrytëzojë administratorët ndërkombëtar për privatizimin e këtij kompleksi nëpërmjet likuidimit. Pyetja është nëse kanë të drejtë ligjore në këtë drejtim, a po jo? Përgjigjen e japin përgjegjësitë dhe kompetencat e fuqishme të administratorit që i përmban neni 11 i rregullores 2005/48, ku në kuadër të riorganizimit përfshihet edhe shitja, dhënia me qira dhe disponimi i pasurisë së ndërmarrjes nga administratori. Tenderin për administratorin sipas kësaj rregullore e shpall Agjencia ose AKM-ja, që në këtë rast do të duhej të ishte AKP-ja por nuk është, ndërsa e emëron Gjykata ose Oda e Veçantë. Nuk është në pyetje këtu vetëm një administrator për një ndërmarrje. Neni 8.2 lejon emërimin e deri në tre administratorëve. Kompetencat e administratorëve më tutje janë të rregulluara me Urdhëresën Administrative nr. 2007/1 për Zbatimin e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2005/48, ku parashihet themelimi i komisioneve të likuidimit nga ana e Agjencisë, që nënkupton AKM-në, e jo AKP-në. Me të gjitha këto dispozita ligjore që favorizojnë të huajt në vendim marrje madhore, të ashtuquajturat strategji për minierat nga institucionet vendore nuk kanë kredibilitet përpos në rastet kur opinioni publik ta kuptoj se vendorët janë duke bërë strategji për të huajt në emër të Kosovës, ose administratorët e ndërmarrjeve strategjike, në këtë rast të Trepçës, pajtohen me planet vendore nëse përputhen me kompetencat e administratorëve të huaj. Strategjia dhe administrimi duket se janë të ndara në dy lloje aktorësh; e para mund t’u përket vendorëve, ndërsa e dyta të huajve. Sidoqoftë, administrimi është strategjia që ka kuptim më së shumti.

 

Kuvendi i Kosovës dhe aktorët vendorë të privatizimit në Kosovë nuk kanë dashur t’i rregullojnë juridikisht këto probleme më herët, madje janë treguar shpërfillës dhe përbuzës ndaj propozimeve konstruktive për të mos ardhur deri te kjo situatë e sotme me privatizimin. Sipas të gjitha gjasave, këto lëshime i kanë bërë qëllimshëm shkaku i lakmisë dhe korrupsionit. Atëherë nuk kanë dashur shkaku i privilegjeve individuale e grupore në bashkëpunim me disa ndërkombëtarë, ndërsa sot kur duket se ato privilegje u janë tkurrur ose vënë në rrezik, nuk mund t’i përmirësojnë gjërat për të mirë, pavarësisht pozitave dhe kompetencave për të cilat thirren, sepse u mungon fuqia, inteligjenca, guximi, dhe mbi të gjitha, karakteri.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora