E merkure, 24.04.2024, 07:43 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Turkoshakët e qeverisjes anadollake

E shtune, 09.04.2011, 08:00 PM


TURKOSHAKËT  E  QEVERISJES  ANADOLLAKE

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Në fjalorin e gjuhës shqipe faqe 2042, fjala “turkoshak” ka këte shpjegim: “1. Turk, pasha turkoshak. Krerët turkoshakë. Taborr turkoshak. Emer turkoshak.

2. Që qeverisë me mënyra të prapambetura e të vrazhda; që u përmbahet zakoneve të vjetëruara e prapanike; që ka mundime e sjellje të trasha; anadollak. Regjim turkoshak. Mendime (paragjykime) turkoshake.” Në fakt ka edhe një shpjegim nga Veriu i Shqipnisë, kur do me tregue se “ky ose ajo janë të bijtë e një shakës që asht zanë me turq…”

Të gjitha shpjegimet e sipërme përputhen me artikullin e “Gazeta sot”, e ejte 8 prill 2011, “Turkofobia është investim politik kundër shqiptarëve” e S.Gokaj. Artikullshkruesi e fillon artikullin me këto fjalë: “Berisha deklaroi se popullin shqiptar dhe popullin turk i lidhin mijra fije gjatë historisë së tyre dhe se këto dy kombe kanë qeverisur një nga perandoritë më të mëdha të njerëzimit. Duke zbritur më poshtë historisë në kohë, Berisha theksoi se sot në Stamboll jetojnë më shumë shqiptarë se në Tiranë...”

Gjithmonë mashtruesit kur kerkojnë me u justifikue tregojnë një të vërtetë!

Edhe Tito kur e pyeti Hrushovi se pse nuk e more krejt Shqipninë, i pat thanë: “Nuk e mora Shqipninë se në Jugosllavi jetojnë ma shumë shqiptarë se në Shqipni.” Dhe, në të dy rastet asht një e vërtetë, se si në Jugosllavi ashtu edhe në Stamboll ka ma shumë Shqiptarë të vërtetë, sesa mbetën mbas 1946 në Shqipninë e masakrueme nga Enver Hoxha, dhe prap ma shumë ka Stambolli sesa janë edhe sot në Tiranën e qeverisun nga turkoshakët “demokrat”.

Populli Shqiptar nuk ka urrejtje patologjike për popujt e serbisë, malazezët, grekët apo italianët. Ky asht një tjetër mashtrim që i bahet popujve të Ballkanit, tue falsifikue faktet, mbasi për 46 vjet Shqiptarët kur janë detyrue me braktisë Atdheun e vet Shqipninë, ua kanë mësye vendeve fqinjë dhe kanë gjetë streh në shtetet serbe, malazeze, greke e italiane.

Ndërsa, po të shkruhet për qeveritë e tyne shoveniste kemi fjalë tjera, kemi ato fjalë që i përkasin qeveritarëve dhe udhëheqësve “shqiptarë”, që për hirë të kulltukut kanë shitë të gjithë papërjashtim trojet Shqiptare, përveç Qeveritarëve të 1912, Kryeministrit të nderuem Mustafa Kruja dhe Regjenca Shqiptare e vitit 1943 – 44. Pra, tokat Shqiptare bashkë me të gjithë Shqiptarët e atyne Trojeve, janë shitë atëherë kur thotë drejtori i arkivave të Shtetit Shaban Sinani, “kur të dy palët kanë qeverisur së bashku Perandorinë Osmane.” ose kur  Esad Pashë Toptani qeverisi me ke mujti, ose kur Ahmet Zogu, u kthye me ke punoi, ose kur tradhëtari Enver Hoxha me komunistët barbar u tregoi jugosllavëve që në Mukje, se unë jam sherbëtori besnik i juej, ose kur bashkpuntori i tij Ramiz Alia, vrau mija e mija kosovarë shqiptarë në 1945 në masakren e Tivarit, për me ua lanë tokat e tyne komunistëve të Titos! Pra, nëse flasim të vërteten duhet të pranojmë që qeverisjet e turkoshakëve të Shtetit tonë, janë në përputhje të plotë me “mënyrat e mbrapambetuna, të vrazhda, me mënyra e zakone të prapambetuna e anadollake”. Ma poshtë artikullshkruesi thotë se Bashkimi Europjan asht “një klub i krishterë”. Shumë interesant ky epitet! Atëherë, “çka donë në Europë mija e mija Shqiptarë të besimit muslimanë, që i janë përhapë Europës, bashkë me disa miljon turq e sa musliman të kombësive të tjera që janë në Gjermani, Francë, Itali, e vendet e Veriut, tue pasë mundësinë me shkue “në klubet muslimane” dhe, me jetue “rahat” me vllaznit e gjakut..?

Shkruhet se: “Shqiptarët e zgjodhën fenë islame për të shpëtuar nga asimilimi sllav, gjë që solli mbijetesën e popullit shqiptar.” Ky asht justifikimi ma i turpshem që kam ndigjue deri sot, me u ba musliman e me i sherbye sllavëve tue ua dhanë edhe trojet tona bashkë me vllaznit Shqiptarë atyne për hirë të kulltukut, e me u quejtë edhe “atdhetarizem” kjo tradhëti, që na paska ruejtë nga asimilimi sllav!! Nuk besoj se një logjikë e tillë pelqehet edhe nga vetë turqit e para vitit 1908. Ndersa të sotit e tregojnë si “barceletë”!

Në artikull porositet: “Prandaj, turkofobët shqiptarë është mirë të lexojnë më shumë, të zhvishen nga fanatizmi dhe tërbimi kundër turqve që u ka errur sytë dhe ta njohin të vërtetën, sepse ndryshe do të bien viktimë e sloganit zgjedhor: “Fajin e ka Saliu” alias “Fajin e ka turku”. Nëse thomi “Saliu” dhe nënkuptojmë “turku” ose e kunderta... atëherë, duhet ti referohemi Majakovskit që thonte: “Ne thomi Saliu e nënkuptojmë partia...” po, se cilës “parti” i referohemi në këte fushatë elektorale, ju nuk na e keni thanë...Ju thoni se turqit:

“Ata janë dëshmitarë të pritjeve madhështore që u është bërë si Sali Berishës, ashtu edhe Fatos Nanos, Pandeli Majkos dhe Ilir Metës, kur ata kanë bërë vizita zyrtare në Turqi...”

Të gjithë këta emna janë edhe bashkpuntorët e qeverive shoveniste sllave rreth e rrotull tokave tona që Shqipnisë, nuk di sesa i rritet vlera nga qendrimet e tyne politike tue fillue nga teserat e PPSh, që i kanë ende ndër sirtarët e zyrave të tyne. Ndërsa, kur flet për një tjetër përson: “Në kujtimet e tij, mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu, pranonte si gabimin e vetëm të jetës së tij atë që nuk u vendos në Turqi, kur ishte në mërgim, por bëri ecejake nëpër Evropë, ku njohu mashtrimin dhe mospërfilljen ndaj tij...” Ke harrue me shenue, se gabimin e tij mund ta korigjonte i biri...Leka, i cili nuk pat aspak nevojë me ardhë e me ba kualicion me komunista!!

Nëse artikulli “Turkofobia është investim politik kundër shqiptarëve” e S.Gokaj, do të arrinë edhe ndër zyrat e nalta të shteteve të Europës, kjo do t’ ishte një nga fatkeqësitë tona  ma të mëdha, mbasi “e vërteta është në arkivat turke duke përfshirë këtu edhe të vërtetën për figurën e Skëndërbeut..” thotë artikullshkruesi anadollak apo turkoshak në Tiranë!

 

Të vërtetën për Popullin Shqiptar dhe Udhëheqsin e Saj Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin, e keni ndër të gjitha sheshet e Europës së Përparueme dhe Flamuri i Tij edhe sot mbas 500 vjetësh valvitet në qendren e Asaj Europë, në Bruksel...

Ajo asht Shqipnia e Gjergj Kastriotit dhe, vetëm AJO !

 

Melbourne, 10 Prill 2011.



(Vota: 27 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora