Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pirro Prifti: BE këmbëngul për bashkëpunim, politika shqiptare këmbëngul për grindje

| E shtune, 09.04.2011, 07:59 PM |


BE këmbëngul për bashkëpunim, politika shqiptare këmbëngul për grindje

 

Nga Pirro PRIFTI

priftipirro@hotmail.com

 

Nuk është hera e parë që prej dy vitesh pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009 kur BE këmbëngul për të ulur në tavolinën e bisedimeve partitë e mëdha dhe rezultati është i njëjtë - asnjë dëshirë e sinqertë nga të dy palët për t’u ulur për bisedime, për të ulur tensionet e rritura politike dhe për të zgjidhur çështjet e lëna pezull në parlamentin shqiptar që kërkojnë shumicë të cilësuar, çështje të cilat po pengojnë pushtetin e tretë të marrë frymë lirisht si pushtet i barabartë me dy pushtetet e tjera nëpërmjet zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, zgjedhjes së Avokatit të Popullit, kompetencave të limituara të Prokurorisë së Përgjithshme, të arritjeve të konsensusit politik për shumë probleme madhore si ligji i lustracionit, problemit të Gërdecit, problemit të vrasjes së 4 qytetarëve më 21 janar, problemeve për përmirësimin e ligjit për zgjedhjet lokale por dhe ato të përgjithshme e në përgjithësi për ligjin për zgjedhjet dhe shumë probleme që ndoshta kërkojnë shumicë të thjeshtë parlamentare, por që për nga rëndësia janë nacionale.

Komisioneri i Zgjerimit Europian z.Fyle i cili vizitoi Tiranën me 30 mars dha këtë mesazh: “rrezikoni të mbeteni prapa nga fqinjët. Ngërçi duhet të zgjidhet. Është përgjegjësi e përbashkët e udhëheqësve politikë në Shqipëri. Kjo është çka shqiptarët presin dhe kanë të drejtë ta kenë. Ngërçi përben pengesë serioze të përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit dhe kritereve për integrimin në BE”. Më pas ai theksoi: “Ndërmerrni hapa deçizivë në një afat të shkurtër kohor për të çliruar ngërçin politik. Nëse nuk gjeni asnjë zgjidhje, Komisioni nuk do të jetë në gjendje të bëjë asnjë vlerësim pozitiv në progres raportin tonë të ardhshëm dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të shkojë drejt rrugës europiane së bashku me vendet e tjera të Ballkanit por mund të ngelet prapa nga fqinjët e saj aspirues për në BE. Ka ardhur koha që të vendosim përafrimin me BE. Ta risjellim atë përsëri në një vend të rëndësishëm në axhendën politike të Shqipërisë. Rekomandimet e opinionit dhe në veçanti 12 prioritetet kyçe ofrojnë një orientim të qartë si ta arrijmë këtë gjë”. Gjithashtu ambasadorja gjermane Karola Holtkemper gjatë një vizite në Gjirokastër duke folur për përfshirjen e gruas në politikë komentoi gjithashtu: “Zgjedhjet në Shqipëri duhet të ndryshojnë. Gjatë 20 viteve që këtu në Shqipëri janë zhvilluar proceset zgjedhore, fill pas tyre ka pasur kontestime të vazhdueshme, çka nënkupton që këto nuk janë bërë në formën më të mirë demokratike. Kjo gjë duhet të ndryshojë. Duke qenë se jemi pranë këtij procesi të rëndësishëm, palët duhet të bashkëpunojnë për të pasur zgjedhje të mira dhe të lira”.

Sipas një sondazhi tek gazeta “Koha Jonë”, se ‘ku rëndon pesha e fajit’ vërehet se nga 40613 votues 64.9% mendojnë se e ka PS fajin kurse 25.2% e ka PD dhe 9.8% e kanë të dyja (Sondazhi për dt.7/04/2011).

Me pak rezerva, sepse “Koha Jonë” është një gazetë pro mazhorancës, mund të them se njëanshmëria ndikon deri diku në këtë sondazh por përfshirja e të dy partive në pjesën e fajit është e qartë.

Sipas një komisionereje tjetër të BE, sot, ajo i ka tërhequr vëmendjen Ministrisë së Integrimit për mungesë transparence ndaj qytetarëve për kërkesat që PE dhe BE vazhdon të dërgojë por që qytetarët nuk informohen si duhet (?!). Duke e ditur problematikën politike shqiptare, populli shqiptar, shoqëria civile shqiptare, elektorati shqiptar, është totalisht i zhgënjyer për mungesën e zgjidhjeve konkrete megjithë përpjekjet spontane nga politikanë të njohur, nga presidenti i vendit dhe nga personalitete të njohura shqiptare por dhe të huaja.

Përse vazhdon të ndodhë kjo mungesë dëshire për të zgjidhur ngërçin i cili u nis në formë artificiale nga PS aty nga shtatori i vitit 2009 tre muaj pas zgjedhjeve me kërkesën jo ligjore ‘të hapen kutitë e votimit’, duke kaluar dhe u ashpërsuar nga muaji në muaj, e deri në harrimin kërkesës fillestare por me realizimin e grevës së urisë, takimin pa bereqet tek lokal ‘Krokodili’, djegien e fletëve të votimit dhe krijimin pa sukses të Komisionit hetimor për zgjedhjet e qershorit, demonstratën e 21 janarit e krahasuar pa sens serioziteti por plotësisht emocional- me revolucionin e qershorit nga Kryeministri, dhe duke vazhduar grindjet e vazhdueshme gërr-mërr pas hapjes së fushatës s zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011, e të gjitha këto nën survejimin dhe kritikat e vazhdueshme të PE, BE, OSBE dhe të SHBA për të zgjidhur këtë ngërç që me sa duket po dëmton Shqipërinë dhe shqiptarët por aspak politikën shqiptare, e cila mesa duket edhe sikur të përmbyset bota, ata do të vazhdojnë të grinden porsi vajzat e shtrigës se ‘kush është më e bukura’.

Ky ngërç i parë në gjithë gjatësinë e tij kohore ashtu dhe duke observuar dinamikën e ashpërsimit dhe të rënies së grindjeve i ngjan gjithashtu andropauzës mashkullore e cila pasqyrohet me llafazanllëk, grindavecllëk, dhe ‘impotencë’ programesh, megjithatë sikur të ishte ku sindrom i famshëm shkaku i të këqijave atëhere mund ti gjendej zgjidhja tek dr. Jevi, por mesa duket shkaqet janë të thella që i ngjajnë lëvizjeve tektonike në thellësi aty ku politika hesht përpara binomit financë-pushtet, por në sipërfaqe ka vetëm lëkundje mesatare, dhe të rënda politike të cilat mund të pengojnë seriozisht integrimin në BE. Shkaqet mund të jenë të shumta, disa mund të merren me mënd e disa as nuk mund të imagjinohen se përse ndodh ky kundërshtim apo kjo pengesë, përse politikanët tanë nuk pyesin këshillat e BE, SHBA, e nganjëherë qesëndisin e në shumë raste i kërkojnë po ata vetë si ndërmjetës (?!)

Unë mendoj se shkaqet kanë rrënjë të thella shumë vjeçare: qoftë pas ’90 kur R. Alia vendosi se kush do të shkonte majtas e kush djathtas, dhe këto janë shkaqe ambicie dhe intrigash, e kulisash që i ngjajnë kryesisht atyre të PPSH nga e cila këta politikanë morën eksperiencë; kurse shkaqet e tjera i përkasin gjithë kohës që nga themelimi i shtetit shqiptar nga Konferenca e ambasadorëve europianë më 1913 (themelim i cili u cilësua si ‘sukses i diplomacisë europiane’), kur copëtoi Shqipërinë, duke i u trembur shumë një Shqipërie etnike të madhe myslimanë pro-turke të asaj kohe. Kjo Shqipëri e vogël mbeti e pa-stabilizuar gjatë gjithë kohës dhe i është dashur gjithashtu gjatë gjithë kohës ndihma e shteteve evropiane dhe e SHBA që të mbajë të stabilizuar një shtet të cunguar e pa perspektive normale. Për këtë arsye klasat politike në Shqipëri kanë qenë diametralisht të kundërta si për nga ambiciet politike ashtu dhe nga dëshirat financiare-ekonomike.

Sot 99 vite pas themelimit të shtetit shqiptar, në një kohë kur ky shtet po i futet rrjedhës normale politike dhe me një sistem të njëjtë me atë të vendeve të zhvilluara, përsëri ka kontradikta të thella politike të cilat në fakt kanë të bëjnë me interesa gjeo-politike të ndryshme të individëve politikanë që drejtojnë partitë e mëdha, interesa që -pse jo, mund të kenë rrjedhur nga ‘gëlltitja e lugës së çorbës’ s’ka rëndësi: para apo pas ’90.

Nuk është për tu habitur fakti që tradita bizantine të bërit politikë është trashëguar edhe sot sepse politikanët e sotëm u ngjanë deri diku princërve shqiptarë të mesjetës kur ndërronin flamurët sipas interesit thellësisht personal, ashtu dhe në kohën e Turqisë kur për të fituar pushtet-pasuri dhe prona, politikanët e atëhershëm në trajtën e pashallarëve, agallarëve, bejlerëve, - nuk e patën për gjë të ndërrojnë edhe Fe- në e krishterë në këmbim të favoreve.

Pra politika në Shqipëri ka qenë dhe mbetet: thellësisht politikë e interesave të njëshit apo të klaneve që mbështesin njëshin, dhe jo politika të vërteta të shtetit shqiptar bazuar në strategji kombëtare, në programe politike reale, etj, etj, aq sa të krijohet përshtypja se politikanët e sotëm shqiptarë nuk duan të integrohen në BE për arsye se kërkojnë të rrjepin e të përfitojnë sa më shumë në këtë limit kohe e cila është nën presionin e ndërkombëtarëve, kërkojnë të bëjnë gjithçka duke shitur nëse mundet edhe -interesat e vendit (ashtu siç bënë dhe pashallarët pro-turq të cilët luftuan së bashku me turqit kundër europianëve dhe Rusisë, aq sa në kohën kur u dha e drejta e shtetformimit pas traktatit të Shën Stefanit, shtetet e krishtera fqinjë u hodhën të gjitha së bashku për të marrë trojet shqiptare të komanduara nga këta pashallarë shqiptarë pro-turq) - vetëm për pushtet.

Sot BE gjendet para dilemës së habitshme për ta: përse dy grupet politike nuk duan të bëjnë marrëveshje dhe të eliminojnë ngërçin në një kohë që të dyja palët thërrasin- ‘ të integrohemi sa më parë në BE’? Unë mendoj se përgjigjen ata duhet ta gjejnë aty ku është burimi i kontradiktës: nga i marrin paratë këto grupe politike dhe kush pengon në ndarjen e tortës!?