E diele, 02.10.2022, 11:05 PM (GMT+1)

Editorial

Idriz Zeqiraj: Presidenti Pacolli dhe lukunia komuniste

E premte, 08.04.2011, 08:59 PM


SHKAS NGA MËRDHEZJA E KOMUNISTËVE

 

PRESIDENTI PACOLLI DHE LUKUNIA KOMUNISTE

 

"Pa dyshim që Kosova do të jetë një vend më i vështirë pa Rugovën".

Carl Bild - ministër i jashtëm i Suedisë

 

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

 

     Fillimisht, dy pyetje për presidentin Pacolli:

 

     1.- Në një shkrim gjithë respekt për Presidentin Rugova, Pacolli nuk harron  të thotë, madje më shumë se një herë, "me gjithë gabimet e bëra nga Rugova..." Pyesim Pacollin, cilat janë gabimet e Rugovës?! Sepse, biografët dhe studiusit e tjerë, vendorë dhe të huaj, përjashto lukuninë satanike komuniste, deri më tani, nuk kanë arritur t´i nominojnë gabimet e Tij. Vlerësimi i njëzëshëm është se Ai është ideatori dhe realizuesi i lirisë dhe i pavarësisë, Ai dhe vetëm Ai e shpëtoi Kosovën nga zhbërja e refugjimi i përjetshëm i shqiptarëve të Kosovës.

 

     Edhe atëherë kur Rugova flet për grupe të armatosurish, por jo UÇK-në, nuk bën asnjë gabim:

     a)- marrja në mbrojtje e grupeve të tilla, do të thoshte se ke filluar luftën dhe përjashton mundësinë e kërkesës të ndihmës ndërkombëtare;

     b)- në pamundësi për të vrarë pushtuesit, disa nga këto grupe ekzekutonin shqiptarë, nën pretekstin, aspak bindës, të "bashkëpunimit me pushtuesin".        Në fakt, janë dy arsye të këtyre ekzekutimeve:

e para,- viktima, dikur, ka qenë i veshur me pushtet dhe ekzekutori ka qenë hafije i tij. Tani, dëshmia për të kaluarën e errët duhet varrosur;

e dyta,- thjesht, për hakmarrje partiake ose private dhe asesi kombëtare.

     Dhe, të dyja këto arsye janë dëshmuar në gjykimet seriale përgjatë kësaj dekade. Ilustrojmë me rastin e fundit të një gjykimi në vijim: për një zenkë në  lojën e shahut, vëllau i vrarë dhe vet i torturuar deri në sakatosje!

 

     Arsyetimi i ekzekutimit për "bashkëpunim me pushtuesin" nuk ka zënë vend, sepse e majta ekstreme, e identifikuar me këto vrasje, është dëshmuar shumë e përzemërtë me këtë kategori nëpunësish zyrtarë apo informatorësh privatë. Ndërkohë që edhe Fadil Hoxha, i cili, përkrah "vëllezërve komunistë" sllavë dhe partizanëve të Enver Hoxhës, kishte luftuar e vrarë, si derrat e egër, Shaban Polluzhën dhe trimat e tij drenicarë dhe të tjerë, më 1944. Dhe, Azem Vllasi që ishte bërë njësh me liderët jugosllavë, për ndëshkimin e rinisë "irredentiste" të Kosovës, në vitet `70-a e `80-a, tashmë, ishin kundërvënë "bashkim-vëllazërimit" të tyre me popujt jugosllavë dhe ishin bashkuar me popullin e vetë, me popullin e Ibrahim Rugovës, me popullin e Kosovës. Pra, vrasjet ishin për humbje gjurmësh të ish-informatorëve dhe hakmarrje partiake (ideologjike) ose private dhe, si të tilla duhej dënuar, sepse plagët e mbyllura, me pajtimet e viteve `90-a, nuk duhej rihapur në pragvitet 2000-a.

 

     Vite më parë, në Mbishkodrën tonë, stërnipërit u hakmorrën për stërgjyshin e tyre të vrarë para 87 vitesh. Nuk është çudë që kjo të ndodhë një ditë edhe në Kosovën tonë. Kur heshtë drejtësia, vepron kanuni. Dhe, lukunia komuniste do të protestonte rrugëve e shesheve të Kosovës, duke u çjerrur se "bijtë e nipat e agjentëve të Serbisë, të ekzekutuar nga UÇK-ja, po vrasin bijtë dhe nipat e çlirimtarëve tanë" dhe broçkulla tjera të marrëzishme.

 

     Atëherë, rezulton se Pacolli, për të mos e lënduar komunistin Hashim Thaçi me shokë, e ka parë të nevojshme për të shpikur edhe "gabimet" e Rugovës, qoftë edhe pa shënuar asnjë fakt!!!

 

     2.- Ju, zoti president Pacolli, më 5 mars 2011, vizituat disa familje dëshmorësh, sipas jush, markantë. Por, jo edhe familjen e Heroit të Kosovës Sali Çekaj! Ky anashkalim skandaloz u bë nga ana e juaj për mosnjohje të së vërtetës të kohës, apo i dirigjuar nga eprorët tuaj të koalicionit?!

 

     Për dijeni: - Juristi i diplomuar Sali Çekaj përfaqëson grupin e parë të armatosur në Kosovë të "Djemëve të Deçanit"; është jetësuesi i parë i Kushtetutës të Kaçanikut në komunën e Deçanit; është njëri nga organizuesit faktik i ushtrimit ushtarak të djemëve të Kosovës në Shqipëri, i treti i renditjes vertikale hierarkike për luftë mbrojtëse: dr. Ibrahim Rugova, prof. Fehmi Agani, juristi i diplomuar Sali Çekaj; është njëri nga veprimtarët më aktiv, krahas kryetarit të Kolegjiumit të Degëve të LDK-së në Diasporë, Hafiz Gagicës, në ndihmë të mbijetesës ekonomike dhe politike të popullit të Kosovës dhe të institucioneve paralele të Kosovës; është kontraktues i hapjes të ushtrimores ushtarake në Papaj të Tropojës, në zbatim të strategjisë të luftës, të hartuar nga ministri i mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi; është iniciator dhe bashkëveprues i thyerjes të kufirit Shqipëri - Kosovë, përkatësisht, shqiptaro - shqiptar; është komisari dhe komandanti, krahas Agim Ramadanit me shokë, i luftës të Kosharës, e cila përfaqëson dhe legjitimoi detashmentin më të organizuar ushtarak dhe luftën në Kosovë dhe botë; është heroi i Kosovës, i rënë me armë në dorë ke Rrasa e Kosharës. Juristi i diplomuar dje dhe Heroi i Kosovës sot, Sali Çekaj, është në pesëshën e parë të organizimit t strategjisë të luftës krahas Presidentit Ibrahim Rugova, ideologut Fehmi Agani, ministrit të mbrojtjes, kolonrel Ahmet Krasniqi, kolonel Tahir Zemaj. Sali Çekaj është heroi numër një i rënë në fushë-betejë.

 

     Statusi i luftëtarit është i veçantë nga ai i viktimës. Kur ky status ngatërrohet qëllimshëm, atëherë kemi të bëjmë me falsifikim të historisë. Dhe falsifikimet me dashje meritojnë dënimin më të rëndë, madje unanim, pavarësisht përkatësisë etnike, partiake e fetare. Përndryshe, do ta aprovonim një degradim e degjenerim moral e kombëtar.

 

     Për interesa partiake e pushtetare, pas luftës në Kosovë, u organizua grupi agjitativ i rrospihanës intelektuale e akademike, servilë e hipokritë, me qëllim të denigrimit të kundërshtarëve politikë, madje deri në asgjasimin fizik të tyre dhe përlavdërimin e një grupimi e shtresimi komunist, i cili, për të marrë pushtetin kopjoi, deri në detaje, idhullin ideologjik e shpirtëror të tyre, filosllavin Enver Hoxha me shokë, tej gjysmë shekulli më parë. Për rrjedhojë, falsifikimi i historisë ka marrë përmasa shqetësuese dhe rrezikon të thellohet deri në neveritje.

 

     Dihet, në Kosovë është bërë një luftë e imponuar nga tepria provokuese e pushtuesëve serbo-sllavë, me pjesëmarrjen e armatosur të vetëm 1 % të popullit të Kosovës, me çka dëshmohej se populli nuk ishte i gatshëm për luftë, ngaqë nga raporti i forcave e dinte apriori dështimin e saj, sepse atë e donte Serbia, për ta shkretuar e boshatisur Kosovën nga shqiptarët. Andaj, edhe përmasat e kësaj lufte kanë qenë modeste, simbolike, sa për t´u dëshmuar para botës se refuzojmë, madje kolektivisht, pushtimin dhe bashkëjetesën e mëtejme me Serbinë.

 

     Në Kosovë nuk ka pasur as legjenda, as legjendarë dhe aq më pak epope apo epopera. Më shumë se sa luftë, në Kosovë ka ndodhur masakra. Dhe, rrospihanja intelektuale e akademike, duke bërë falsifikimin e vrazhdët të historisë, i reklamon si beteja masakrat makabre të pushtuesit, gjithnjë duke i heshtur shifrat. Sepse numrat do të demantonin vetvetiu rrospihanët falsifikatorë. Zanatin e falsifikimit e kanë mësuar nga bashkëmendimtarët e tyre ideologjikë, lajkatarët e Enver Hoxhës, të cilët luftën civile vëllavrasëse në Shqipëri, e kanë manipuluar, duke e paraqitur si luftë çlirimtare. Mbijetuesit e kësaj lufte, sot i tmerron masakrimi i historisë nga kalemxhinjtë servilë, karrieristë dhe horra, pa shpresë rehabilitimi.

 

     Prekazi është djegur e përkallur mjaft nga pushtuesi. Zjarret e sotme aty janë të tepërta, madje cinizëm i skajshëm. Mjaftojnë qirinjtë, për t`i nderuar viktimat e një masakre të ngeshme. Masakra e Prekazit, masakrimi i Jasharëve është dhembja jonë e madhe, është dhembja e Kosovës, e kombit mbarë. Familja e ngujuar në perdhesën e kullës, u bë poligon gjuajtës të një makinerije të rëndë ushtarake, madje nga një largësi e llogaritur mirë, të mbrojtur nga çfarëdo kundërpërgjigjeje shpaguese. Kjo është e vërteta sipërore, ndërsa ato çfarë shkruajnë kelemxhinjtë e agji-propit e rrospihanët ideologjikë, janë ëndërra e broçkulla, deformim dhe manipulim mjeran i një ngjarjeje fort të dhimbshme, i një masakre të përgjakshme, i historisë më të re të Kosovës. Trajtimi përlavdërues, deri në idiotësi, nga politikanët karrieristë, si profiterë të paskrupulltë të luftës të tyre të pa bërë dhe kalemxhinjtë e tyre, të kësaj masakre të rëndë e çnjerëzore të pushtuesit, ka rehabilituar mjaftueshëm Serbinë kriminale. Sepse kjo masakër, fiktivisht, reklamohet si luftë dhe lufta e zhvilluar në kështjella e kulla, i ka edhe viktimat e pashmangshme, të pafajshme, siç janë familja e përbërë nga gra dhe fëmijë.

 

     Zhurma shurdhuese për ta kthyer një masakër në luftë epope, bëhet për dy qëllime të pista:

     1.- Për t`ia kundërvënë ushtarin Adem, kryeçetanikun e Drenicës, më 15 luftëtarët e tij, kryekomandantit, Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës;

     2.- Për ta hymnizuar një luftë imagjinare, sepse ngujimi në shtëpi i çetanikëve Hamëz e Adem Jashari, me babën Shabanin, dajën Osman Gecin nga Llausha trime, luftëtarin Isak Feriz Halilin, si dhe familjen tjetër, kryesisht gra dhe fëmijë, nuk kishte as mundësi teorike për luftë e, aq më pak epope. Dhe, hymnizimi i një lufte të pa bërë, pjesë e të cilës duan të bëhen edhe ata që, faktikisht, nuk kanë qenë kurrë pjesë e saj.

 

     Pse nuk përmenden asnjëherë 15 luftëtarët e çetës të Hamëz dhe Adem Jasharit?! Sepse asnjë nga pushtetarët e sotëm nuk kanë qenë me Hamëz e Adem Jasharin. E theksoj Hamzës dhe Ademit, sepse ndarja e tyre është artificiale, e qëllimshme, thjesht, për t`ia kundërvënë Adem Jasharin Presidentit Rugova. Përndryshe, asnjë veprim, asnjë pushkë më shumë nuk ka zbrazur Ademi se sa Hamëza. Pisllëqe të tilla dinë të skenarojnë vetëm mendjet e ndryshkura komuniste. Dhe, ky skenar është i Tiranës zyrtare, i lansuar nga SHISH-i, duke u jetësuar nga SHIK-u në Kosovë.

 

     Krimi fillon në Tiranë. Projektimi i krimit të organizuar politik ësht bërë në vilën numër 31, pikërisht aty ku monstrumi filosllav Enver Hoxha ka banuar, intriguar dhe inskenuar qindra komplote, për t`i shpenë në plumb, në burg dhe në internim të përjetshëm kundërshtarët e tij faktikë, por edhe imagjinarë.

 

     Krimi përfaqësohet nga Presidenti Rexhep Mejdani, kryeparlamentari Skënder Gjinushi, ministri i jashtëm Paskal Milo, shefi i SHISH-it Fatos Klosi dhe lukunia e gjeneralëve komunistë me kryekodoshin Kudusi Lame.

 

     Shtrohet pyetja: Pse po e kursejmë Fatos Nanon nga banda e katërshës të parë? Jo thjesht që përgjatë këtyre gjashtë viteve të fundit nuk është pjesë e politikës shqiptare. Por, sepse, ai u kufizua në politikën e mbajtjes  lidhur të Kosovës me Serbinë. Dhe, Nano nuk u angazhua në intriga e skenare vrastare në Kosovë, siç bënë të cituarit më sipër.

 

     Prishja e marrëveshjes të Osllos, pengimi i unifikimit të faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, ndalimi i çfarëdo marrëveshje apo kontakti me kuadrin institucional të Presidentit Rugova, janë vendime e veprime të bandës të Tiranës zyrtare, në koordinim të plotë me lakejtë të tyre të LPK-së, të kryesuar nga Jakup Krasniqi me lukuninë e tij staliniste-enveriste. Përgjegjësi direkte në prishjen e marrëveshjes të Osllos ka edhe Adem Demaçi, si garant i saj. Demaçi duhet të rrëfehet, në gjallje të tij, për kërcënimin skajmërisht të poshtër ndaj kuadrit institucional të Presidentit Rugova, kërcënim ky i bërë nga qendra e krimit, në televizionin e krimit, madje vetëm pak javë nga ekzekutimi kriminal zyrtar i ministrit të mbrojtjes të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit.  Heshtja e mëtejme ose marrja në varr të këtyre sekreteve, do t`ia rrezikonte seriozisht, edhe pas vdekjes, titullin e lartë të Heroit të Kosovës. Sepse prishja e marrëveshjes në fjalë ka prodhuar elemente të bollshme të tradhtisë të lartë, ngaqë komunistët stalinistë-enveristë kanë vrarë, përgjatë dhe pas luftës, luftëtarët demokratë të partisë të Rugovës, legjitimuesit e luftës faktike në Kosovë. Bandat komuniste, me synimin për ta marrë me çdo kusht e dhunshëm pushtetin, kanë gjakosur Kosovën dhe kanë njollosur tërësisht luftën e shenjtë për çlirim, madje duke e dështuar turpshëm edhe vet luftën.

 

     Shqiptarët duan ta dinë se cili është roli i akademik Rexhep Qosjes në sabotimin e luftës në Kosovë, si rrjedhojë e përçarjes të faktorit politik dhe ushtarak? A i dinte Qosja veprimet antikombëtare të krerëve komunistë të Tiranës dhe pse i aprovonte ato?! Edhe dje edhe sot, të jesh kundër Rugovës, apriori je edhe kundër Kosovës, sepse Rugova mendonte dhe vepronte për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërsa kundërshtarët e Tij, Milo me shokë, ishin kundër pavarësisë, rrjedhimisht, kundër Kosovës, sepse ishin për bashkëjetesë me Serbinë, duke kërkuar vetëm rifitimin  e statusit të dikurshëm, të ligjësuar në klauzolat e emërtuara -amandamente- të vitit 1974.

 

     Ish-burgaxhinjtë politikë të Kosovës nuk mund të mburrën me të kaluarën e tyre të tri dekadave më parë, nëse nuk shpjegohen për rolin e tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Vardisja e tyre pas mjekrrës të Qosjes, madje edhe pas shpërfaqjes publike komuniste të Qosjes me "revolucionin e vonuar demokratik", vuri në dyshim qëllimin e angazhimit të tyre për liri dhe demokraci apo për "mustaqet leshtake të Stalinit"?! Hyrja në PDK-së, e cila dje dhe sot identifikohet me krimin e organizuar politik - vrasje seriale të kundërshtarëve politikë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, është një arsye më shumë e këtij dyshimi të madh. Pyetja direkte që mund të shtrohet është: Zotërinj burgaxhinj, (dikur fizik, tani edhe mendor e shpirtëror), i aprovoni ju tej 1.000 vrasjet politike të ndodhura në Kosovë? Nëse jo, atëherë pse vazhdoni militimin tuaj në partinë me dyshimin e bazuar për krime?!?

    

     Behxhet Pacolli është një bisznismen i suksesshëm. Respekt dhe admirim për afarizmin e tij. Por, Pacollin për President nuk do ta votoja asnjëherë. Sepse nuk përmbush normën dhe etikën elementare për këtë post suprem. Ai devalvoi veten mjerueshëm, të paktën, në tri rastet e freskëta:

     1.- I priu mocionit për mosbesim të "Qeverisë Thaçi" i porositur nga vet Thaçi!!!

     Kalkulimi i turpshëm për mocionin rezultoi sa i saktë, aq edhe i suksesshëm. Të pengohet konsolidimi i LDK-së në prag-zgjedhje, sepse kryesia e vjetër e saj, më sakt, klani, rrethi vicioz brenda kryesisë, ngulmonin të qëndronin në "istikame", për të realizuar humbjen e katërtë me radhë dhe ndarjen e dytë të LDK-së. Dhe, kështu ndodhi. PDK-ja me mitosje, premtime e vjedhje, me dajak e kërbaç "fitoi" zgjedhjet! Shto këtu edhe raportet hiç të pastra, aspak serioze, madje shumë të dyshimta Thaçi - Pacolli.

 

      2.- Propozimi për thirrjen e një konference gjithëkombëtare, pas raportit të Dick Marty-së, sikur të mos mjaftonte marrëzia e shpalosur, pothuajse, nga të gjithë liderët dhe kalemxhinjtë shqiptarë për këtë rast! Qëllimi ishte hiç e servil ndaj Hashimit. Fatmirësisht, kryeministri Berisha nuk e mori seriozisht këtë nismë dhe e heshti si të pa qenë.

 

     3.- "Ose unë - Pacolli, president, ose rash e vdiqa e rrafsh Kosova"!  Vjedhjet, manipulimet dhe shpëdorimet me votat ishin të tejskajshme. PDK-ja për   t`i veshur me imunitet dhe pushtet, si obligim e mirënjohje, u dhuroi postin e deputetit atyre që kishin sjellë  PDK-në në pushtet dhe Hashimin e Jakupin me shokë në krye të këtij pushteti. Dhe, kjo ngritje ishte bërë duke shkelur mbi kufomat e kundërshtarëve politikë, kryesisht, ushtarakë institucionalë dhe kuadro të LDK-së, të cilët kalojnë shifrën njëmijë. Kryeministri ishte dhe vazhdon të jetë nën hetime për krime lufte. Edhe pa akuzat e Dick-ut, varret e krimit të organizuar politik janë aty, në tokën mëmë, në Kosovën tonë. Edhe Jakup kryekuvendari është pjesë e regjisë të këtij krimi, së bashku me zyrtarët komunistë të Tiranës. Garda tjetër kriminale e korruptive është masive. Për këto dhe njëmijë arsye të tjera, Pacolli nuk duhej të bëhej varkë e shpëtimit të Hashimit me shokë, duhej ta refuzonte koalicionin, ashtu siç bënë partitë dhe liderët e tyre të përgjegjshëm për fatin, të ardhmen e Kosovës. Ndërsa Hashim Thaçi duhej ta ndiqte shembullin e Fatmir Limajt, të hiqte dorë vullnetarisht nga postet dhe ofiqet, për t`u vënë në dispozicion të drejtësisë.

 

 

Akuzat ndaj Pacollit u bënë temë e ditës, javës, muajit... Deklaratat e tij kontraverse ndër vite e deri tek pretendimi për të ndërmjetësuar për bisedimet me Serbinë, u shpërfaqen në media, kafeneve, rrugëve. Bilëz, disa grupime ekstreme komuniste e anarkiste reaguan me mosnjohjen e tij si president i vendit.

 

     Shumë nga deklaratat e tij janë ose të huazuara ose të ndikuara po nga komunistët. P.sh. "Kosova nuk mundet pa Serbinë", ose "është koha që Rugova të tërhiqet" janë huazuar nga Heroi i Kosovës, Adem Demaçi, i cili jo vetëm i ka thënë, por edhe i ka përsëritur. "Shqiptarët i kanë vrarë serbët dhe serbët i kanë vrarë shqiptarët. Tash është koha për t`u pajtuar shqiptarët me serbët"! Për këtë Pacolli nuk mund të fajësohet, sepse është ndikuar drejtpërsedrejti nga komunisti Muharrem Xhemajli me shokë. Kur ky komunist, në cilësinë e kryetarit të OVL të UÇK-së, përjashtoi nga kjo organizatë një ish-luftëtar të çetës të Hamëz dhe Adem Jasharit, e motivoi se X.Y. ka thënë se "pas një aksioni që bënte çeta jonë, kur policia pushtuese kundërpërgjigjej me krisma, ne iknim tri katunde larg". Dhe, Muharrem Xhemajli thotë se UÇK-ja jo vetëm se nuk ka ikur, por ka vrarë me mijëra policë dhe ushtarë serbë! Dhe, kur thuhet me mijëra, kuptohet mbi dhjetë mijë e sipër vetëm në Drenicë!

 

     Atëherë është logjike se edhe shqiptarët që kanë pësuar vetëm 13.300 viktima e ushtarë, duhet kërkuar të parët falje serbëve, ngaqë "kanë vrarë me mijëra serbë"!!! Pranimi i vrasjeve numerike nga kreu i luftëtarëve veteranë Muharremi, rehabiliton dhe ndihmon edhe Dick Marty-në. Dihet, shqiptarët nuk kanë pasur shumë përballje në beteja me armikun. Përveç Kosharës, Loxhës, të tjerat janë, kryesisht, aksione. Atëherë, ku janë vrarë "mijërat" e Muharrem Xhemajlit?! Sigurisht, UÇK-ja ka therë pleq e plaka, si kecat, ka tregëtuar organe gjithandej në Evropë e botë, thotë Serbia. Jo me kot thonë se "qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë".

 

     "Namuzlinjtë" e Kosovës e kontestojnë Pacollin president, ngaqë ai ka nuse ruse! Mbretër e perandorë, princër e baronë oborrtarë, ndër shekuj kanë pasur martesa të kësaj natyre dhe megjithatë nuk janë dyshuar për besnikëri kombëtare. "Namuzlinjtë" tanë talebanë njohin ruset "pevaçica" të kafeneve, por jo edhe gratë intelektuale ruse. Në Universitetin e Tiranës mësueset tona ruse ishin shembull shkencor, pedagogjik dhe njerëzor. Kur rrugaçëria partiake komuniste e Hoxhës burgosi shumë dhjetra intelektualë shqiptarë të martuar me ruse, ishin nuset intelektuale ruse që refuzuan kthimin në Moskë, duke u pajtuar me fatin dhe,që nga kooperativat e internimit, të përkujdeseshin për bashkëshortët e tyre shqiptarë, me trastat e ushqimeve, burgjeve për dy dhe tri dekada radhazi. Dhe, sot, të fyhet në këtë masë një nënë, që ka lindur dhe vazhdon të rrisë tre fëmijë, shtetas të Kosovës, është mendësi e mykur dhe moral i sakatosur.

 

     Breshëria e akuzave  dhe e presioeve të bëra nga lukunia komuniste, me dozë të theksuar të despotizmit, e çorientuan tërësisht presidentin Pacolli, ai humbi torruan dhe për të dëshmuar pendesën e tij për deklaratat paushalle të bëra ndër vite, bëri atë deklaratën të pakohëshme të bashkimit kombëtar, se "Tirana është edhe kryeqytet i Kosovës", duke harruar se fliste në cilësinë e presidentit, për rrjedhojë, duke devalvuar në thelb pavarësinë e Kosovës, ende të pa konsoliduar, madje fort të brishtë.

 

     Subjektiviteti i komunistëve është i skajshëm. Lë të krahasojmë miqësinë e biznesmenit Pacolli me ambasadorin serb në Moskë dhe të "zëdhënësit" Jakup Krasniqi me ministrin e jashtëm komunist shqiptar, pëndryshe, agjent serb e grek, Paskal Milo. Miqësia e Pacollit ishte biznesore e private, me pamundësi të prodhimit të rrjedhojave politike, pasi njiheshin që të dy "si parja e kuqe", sepse ambasadori ishte edhe vëlla i Millosheviçit.

 

     Ndërsa pasojat e miqësisë dhe të bashkëpunimit të Jakupit me Milon, kanë qenë lëndore, fatale në një kohë vendimtare për fatin e Kosovës. Kasta komuniste e Tiranës zyrtare, përkallëse e Shqipërisë më 1997-ën, ishte përcaktuar për rifitimin e statusit të 1974-ës të Kosovës. Me këtë ishte pajtuar edhe "zëdhënësi" i UÇK-së Jakup Krasniqi me shokë! Ndërkohë që Presidenti Rugova  dhe populli i Kosovës ngulmonin në pavarësinë e Kosovës. Komunistët e Tiranës dhe stalinistët-enveristë të LPK-së, në koordinim me Serbinë dhe Greqinë, vepronin me një zë e qëllim: eliminimin politik, madje edhe fizik të Rugovës, për realizimin e qëllimeve të tyre të errëta, ringjalljen e autonomisë të 1974-ës dhe varrosjen e pavarësisë. Kjo dëshmohet me fakte e dokumente të shkruara, duke demantuar bindshëm shpifjet dhe falsifikimet monstruoze të Paskal Milos, në librin e tij paçavure dhe denigrues për Presidentin Rugova, pas amëshimit të Tij, libër ky i promovuar qëllimshëm në Prishtinë dhe fort i hymnizuar nga lakejtë burracakë e morracakë, komunistë e rrospihanë të Kosovës.

 

     Pasojat e miqësisë të Jakupit me shokë me Milon dhe bandën e tij ishin: bashkëpunimi direkt i palës shqiptare me Serbinë dhe Greqinë dhe indirekt i komunistëve të LPK-së në dëm të Kosovës; përçarja e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, për rrjedhojë sabotimi dhe humbja e turpshme e luftës në fushë-betejë; nisma e krimit të organizuar politik në Shqipëri, për të vazhduar pandalshëm në Kosovë, me qëllimin e vetëm për të marrë pushtetin nga komunistët enveristë në Kosovë.

 

     Pas gjithë kësaj tradhtie të madhe të berë nga Jakupi me shokë, pse OVL-ja e "UÇK-së" e Muharrem Xhemajlit nuk protestoi kundër vënies të Jakupit në krye të Parlamentit të Kosovës, madje edhe ushtrues i detyrës të Presidentit të Kosovës?!! Kush ka tradhtuar dhe dëmtuar më shumë Kosovën? Pacolli apo Jakupi? Me votimin pa kuorum për presidentin, Jakupi e shkeli rëndë Kushtetutën e vendit. A do të kërkojë OVL e UÇK-së shkarkimin e kryeparlamentarit? Vështirë të besohet, sepse i përkasin të së njëjtës racë komuniste.

 

     Lë të vëjmë në peshore se cila është shkelje më flagrante e Kushtetutës: Dyshimi për ushtrimin indirekt të detyrës të kryetarit  të LDK-së e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, për çka ekzistonte edhe një marrëveshje pajtuese për këtë rast, apo zgjedhja pa kuorum, një paligjshmëri e rëndë për çfarëdo lloj zgjedhjesh e, në veçanti të presidentit të vendit, siç veproi kryekuvendari Jakup Krasniqi? Padyshim, fajësia e rastit të dytë rëndon më shumë se sa e të parit. Dhe, për çudë, në vend që të fillojë procedura e shkarkimit të kryeparlamentarit, Jakup doktorit, i cili, për turpin e tij, nuk njeh dokumentin, Kushtetutën, për hartimin dhe ligjësimin e së cilës ka vënë firmën, ai kalaveshohet edhe me postin e ushtruesit të detyrës të presidentit të vendit!! Pra, në vend të kafshimit, e puthën! Dhe, me të drejtë shtrohet pyetja: Me çfarë kuti matë Dauti?!?

 

     Një pyetje për turmat - bisht të Muharrem Xhemajlit me shokë: A është më e dëmshme zgjedhja e Pacollit president apo enklavat e realizuara në Kosovë nga rrugaçëria banditeske në emër të ashtuquajturave organizata e shoqata fantomë, "të dala nga lufta", pa hyrë fare në luftë?!! Pse këto turma amorfe, të cilat identifikohen me partitë e ekstremit të majtë, nuk protestonin kundër pasojave që prodhuan demonstrimet kallëse të kishave dhe tentim-vrasjeve të pleqve dhe plakave serbe në shtëpitë e tyre, në mars-prill 2004, njësoj si bandat komuniste përflakëse të Shqipërisë më 1997?!! Janë këto sulme të bandave të kuqe, të organizuara nga Serbia, që sollën fshat e enklavë serbe.

    

      Studiusi Lis Bubureca shkruan: "Me revoltën e vitit 2004, deri diku, rehabilituam Serbinë dhe pasoi pezullimi i vizave, pa dorëzuar kriminelin e luftës... Deri në vitin 2004 perceptoheshim në Gjermani si viktima. Ushtarët krishterë janë në Kosovë për të na mbrojtur neve dhe, para syve të tyre, u dogjen edhe disa kisha! Dhuratë më të madhe nuk ka mundur askush t`i bëjë politikës serbe. Shqiptarët kurrë më parë nuk kanë djegur godina kulti... Pse ky asimilim i kodit" -  pyet qortueshëm e pikëllueshëm autori?!

 

     Kryeministri Berisha bëri propozimin fisnik e atdhetar: "Ne kemi nevojë të kalojmë në programe e tekste të përbashkëta në shumë lëndë dhe në të gjitha nivelet e arsimit, duke filluar nga shkollimi fillor deri në nivelin universitar".

 

     Pas kthimit nga takimi në Tiranë, ministri i arsimit Enver Hoxhaj u konsultua me shefat e tij në Prishtinë dhe bëri deklaratën sa të turpshme, aq edhe antikombëtare: "Nuk do të këtë unifikim të teksteve shkollore me Shqipërinë. Kosova është një shtet i pavarur me sistemin e vet arsimor, ajo do të zhvillojë bashkëpunimin në fushën e arsimit edhe me shtetet tjera"!

 

     Ministri Hoxhaj në refuzimin e unifikimit të programeve mësimore ishte i një mendjeje me sekretarin për arsim maqedonas, Zidas Daskallovski, i dëshmuar si antishqiptar i rreshkur.

 

     Ky refuzim skandaloz i kuqaloshëve të Prishtinës zyrtare gjen shpjegim të bazuar në falsifikimin e historisë: në "bëmat" e LPK-së, në kthimin e masakrave në epope, në betejat imagjinare të krerëve pushtetarë, të cilët përgjatë luftës mrizonin në vilat e Tiranës, por pozonin dhe bënin shou me uniformën e UÇK-së!! Hartimi i përbashkët i teksteve  do të bëhej nga studius të përgjegjshëm, duke shmangur falsifikimet e vrazhdëta të komunistëve. Shtrohet pyetja e ligjshme: Pse OVL të UÇK-së dhe simotrat e saj nuk protestuan për akte të tilla thellësisht kundrakombëtare?! Sepse janë soji i tyre, janë racë bastarde komunistësh.

 

     A e dinë turma-bisht se demonstrimet idioteske, të porositura nga partia e Muharrem Xhemajlit, janë fatale për Kosovën. Vet zotëriu që u prinë, është i dënuar për shuarjen e një familjeje të tërë shqiptare, një nga krimet më të rënda të krimit të organizuar politik të pas luftës. Shokët e tij vazhdojnë të jenë prapa grilave, ndësa Muharremin e nxorën eprorët e tij SHIK-as dhe, për ta rehabilituar, e katapultuan në krye të të OVL të UÇK-së!!! Si njeri i SHIK-ut dyshohet se të ngelurit në burg, kanë qenë argatë të Muharremit. Një përpjekje për ta denoncuar këtë fakt, njëri "hëngri" plumba, për çudë, nga njerëz të afërt me kryeministrin dhe mezi u mbijetoi plagëve në një spital të Stanbollit.

 

     Muharrem Xhemajli filloi me OVL, por tani përfaqëson të gjitha organizatat  dhe shoqatat "të dala nga lufta"! Kreu i OVL të UÇK-së të Dukagjinit u deklarua se nuk e njeh zotin Xhemajli për kryetar të tij. Por vetëm kaq, sepse Muharremi vazhdon të flasë në emër të të gjithëve, madje, së fundi, edhe në emër të popullit të Kosovës!!! Luaje macë kryet e buallit!

 

     Shqiptarët e kanë parë të dënuarin për krimin e vrasjes, Muharrem Xhemajlin, shumë herë në ekran, në biseda, kokë me kokë, me Hashim Thaçin! Kryeministri ka pranuar listën emërore për statusin e 26.000 veteranëve të luftës nga i dënuari Muharrem Xhemajli, listë kjo e zmadhuar, e falsifikuar dhe fiktive. Deputetët Adem Hajdari dhe Gani Geci e kanë kontestuar mënyrën e hartimit të kësaj liste. Madje, Gani Geci njëri ndër çetanikët e parë të Drenicës, duke i njohur luftëtarët dhe duke krahasuar listën, në sallën e Parlamentit tha se "në listën për status të veteranëve të luftës janë futur halla, dajë, teze e kushërinj, por jo edhe luftëtarët e vërtetë". Deputetët-mumje të Parlamentit të Kosovës, në vend që të kërkonin krijimin e një komisioni qendror verifikues, me komisionet lokale, për të nxjerrë emrat meritorë, sepse këtu bëhet fjalë për anë morale dhe trajtim të përjetshëm material, e heshtën rastin në fjalë!

 

     Deputetët e Kosovës shumëçka që duhet të jetë shqetësimi i tyre dhe që duhet të kenë qasje serioze për zgjidhje, po i heshtin! Dhe, kjo na kujton atë anekdotën për gomarin, të cilit, edhepse po i shkonte gjysma e prapanicës, uronte të ishte në ëndërr!! Arroganca e qeverisë, deri në mospërfillje totale të Parlamentit, të subjekteve politke dhe të shoqërisë civile, me përjashtim të asaj pjese bashkëmanipuluese, është dëshmi se, tashmë, elementet e diktatit dhe të despotizmit  janë fajktike. Dalja në rrugë e militantëve të partisë në pushtet, shantazhimi i vrazhdët i ndërkombëtarëve, si përfaqësues të vendeve që çliruan Kosovën, janë shenja të këqia për vetë popullin e Kosovës. Për më shumë se një dekadë bandat bëjnë ligjin në Kosovë, duke vrarë ke kanë dashur dhe duke vjedhur e grabitur pasuritë shtetërore si dhe vjeljen kriminale të reketit, njëra nga format supërkriminale të shantazhimit, të pengimit të ushtrimit të biznesit, të zhvillimit të ekonomisë dhe të shoqërisë, të këcënimit të lirisë dhe të jetës.

 

     Me krime nëpër këmbë Kosova nuk mund të bëjë asnjë hap para. Këtë, tashmë, e kanë kuptuar edhe ndërkombëtarët, EULEX-i. Krimi i organizuar politik, i projektuar në Tiranë dhe i zbatuar në Kosovë, është serial. Derisa për atentatimin e një kundërshtari politik janë angazhuar një duzinë njerëzish, me eprorë të hierarkisë vertikale, krimet kanë qenë gjysmë-legale, ashtu siç ishte edhe vet organizata terroriste e SHIK-ut, funksionimi i së cilës nuk është aprovuar nga Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe as nga ndërkombëtarët, ndërkohë që ka vepruar shpengueshëm në eleminimin fizik dhe dajakosjen faktike të kundërshtarëve politikë.

 

     Lëvizja popullore e Kosovës (LPK) e pas shuarjes fizike, të amëshmit të kombëtarit Jusuf Gërvalla, u vu e tëra nën diktatin e "diplomatëve" të Enver Hoxhës. Krahu i Jusuf Gërvallës, në shenjë mospajtimi ideologjik dhe strategjik, u tërhoq dhe më vonë iu bashkua LDK-së. Tirana zyrtare në vitet `90-a impulsoi LPK-në, duke i shpërndarë emisarët e saj në diasporën shqiptare. Duke shfrytëzuar luftën, krijoi fondin mashtrues e vjedhës "Vendlindja thërret" dhe aktivizoi SHIK-un, të themeluar po nga ata, "diplomatët" e ambasadave shqiptare, qysh në vitet `80-a.

 

     Në pranverën e 1998-ës Tirana zyrtare, pëkatësisht, SHISH-i i saj, hapi pikat ushtrimore për djemtë e SHIK-ut në Tiranë, Durrës, Mat dhe Kukës, të cilët duhej ta realizonin marrjen e pushtetit, qoftë edhe duke e derdhur gjakun e bashkëkombasëve, të cilët mbështesnin politikën e Presidentit Rugova. Dhe, ashtu u bë.

 

     Duke dëgjuar përlavdërimet idioteske të disa shqipfolësve se kinëse kanë vrarë me mijëra serbë gjatë luftës; duke kremtuar, madje tre ditë radhazi, masakrën e Prekazit si heroike, bile epope, ku u vranë tej 50 persona, pjesa dërrmuese gra dhe fëmijë të familjes të nderuar dhe martire Jashari dhe asnjë serb nuk arriti ta përshkojë plumbi, meqë granatimi, gjuajtja armike bëhej nga distanca; duke rrahur gjokës se Kosovën e çliroi UÇK-ja, madje qysh në fillim të marsit 1998 dhe jo pakti NATO më 12 qershor 1999, Serbisë i janë dhënë argumente të mjaftueshme, për të kërkuar ngulmueshëm balancimin e luftës, të vrasjeve dhe të viktimave reciproke.

 

     EULEX-i u është kthyer krimeve të luftës dhe të pasluftës. Nëse komunizmi arreston e dënon 99 të pafajshëm, për një të fajshëm, parimi i drejtësisë perëndimore është i kundërt: më mirë të lihen të lirë 99 të fajshëm se sa të dënohet një i pafajshëm. Të mos ngatërrohen qëllimshëm maltretuesitë, vrasësitë e luftëtarëve të UÇK-së me UÇK-në. Askush nuk mund të jetë edhe maltretues e vrasës i kuadrit të UÇK-së edhe luftëtar i UÇK-së. Nëse këta vrasës konsiderohen luftëtarë të UÇK-së, ndërkohë që kanë ekzekutuar ministrin e luftës në kohë lufte dhe kuadrotë e tij komanduesë gjatë dhe pas luftës, atëherë UÇK-ja nuk mund të këtë bërë luftën më të pastër në Evropë, siç u pëlqen ta thonë mbrojtësit e krimit dhe të kriminelëve, por ajo duhet ta këtë bërë luftën më të pistë në botë. Konfondimi i kriminelëve profiterë të luftës, me luftëtarët e vërtetë të UÇK-së, dëmton, njëherësh, UÇK-në dhe Kosovën. Askush më shumë nuk e ka njollosur UÇK-në, se sa bandat vrastare të krimit të organizuar politik në Kosovë. EULEX-i nuk e solli krimin nga Evropa. Ai e gjeti të ulur këmbëkryq këtu, madje në kupolën e institucioneve shtetërore të Kosovës.

 

     Tashmë është provuar katërcipërisht se të gjithë të arrestuarit nga ndëkombëtarët  kanë qenë të fajshëm, në mos ekzekutorë direkt, pjesëmarrës rrethanorë gjithësesi. Kosova duhet të merakoset pse lihen të lirë njerëzit e krimit dhe jo pse ata arrestohen e dënohen. Kosova është e lodhur, e dërrmuar nga bandat e krimit. Nën pretekstin që kanë qenë pjesë e luftës, kanë uzurpuar objekte afariste shtetërore, i shfrytëzojnë ato pa tatime dhe pengojnë dhunshëm privatizimin e tyre. Komunarët janë të pafuqishëm për të vepruar, sepse krimi mbrohet nga shefat e të majtës ekstreme të Kosovës. Në fakt, luftëtarët e njëmendët nuk merren me pisllëqe të tilla. Jetojnë varfërisht, por ndershmërisht.

 

     Njerëzit që kanë "mizën pas veshit", janë të gatshëm të zhurmojnë rrugëve, madje duke mashtruar edhe të tjerë të pa mëkate. Slloganet "t`i hiqen të drejtat ekzekutive EULEX-it" dhe "të largohet EULEX-i" janë thellësisht armiqësore për Kosovën. Pa ndërkombëtarët Kosova, në çdo kohë, do ta pësonte fatin e vitit 1999. Çuditërisht, LPK-ja që u thirr për vite të tëra për luftën, kur filloi lufta, ajo mrizonte ndër pishat dhe vilat bllokiste të Tiranës. E humbën shansin për t`u bërë pjesë e luftës. U mjaftuan duke dëgjuar televizionin komunist shqiptar, komunikatat lavdëraqe e përralltare të zëdhënësit të Tiranës zyrtare Jakup Krasniqit.

 

     Imagjinoni Kosovën me bandat e SHIK, që kanë realizuar tej njëmijë ekzekutimeve të kuadrave dhe të aktivistëve të LDK-së, në pusira dhe prapa shpine, pa ndërkombëtarët! Dhe, tani që kanë pushtetin, janë të zënë me depozitimin e pasurive të paligjshme. Dhe, humbja e këtij pushteti do t`i cyste në zanatin e mësuar në kampet ushtrimore të SHISH-it në Shqipëri, për të atentatuar kundërshtarët politikë.

 

     Para lufte kujt i shkonte në mendje se shqiptarët e Kosovës do të refugjoheshin në Mal të Zi?! Me bandat aktive, të pandëshkuara, në mungesë të ndërkombëtarëve, nuk është çudë, në ikja nga bandat, qofshin edhe shqipfolëse, shqiptarët që mendojnë ndryshe nga bandat, të azilohen në Serbi! "Shpirti është i ëmbël" - thonin të sprovuarit në luftëra dhe vuajtje të llahtarshme.

 

     "Ujku don mjegullë". Mjegullnajë duan edhe bandat vrastare të Kosovës. Andaj, kërkojnë heqjen e kompetencave të EULEX-it, bile edhe largimin fare të tij! Sepse, atëherë, do tì kenë duart e lira për vazhdimin e krimeve seriale.

 

     Populli i Kosovës nuk duhet të mashtrohet nga deklarimet e porositura paushalle, mburracake e rrenacake të kryeprokurorit Ismet Kabashi me shokë, se kinëse "janë të aftë të përballën me krimin dhe kriminelët". Janë më shumë se njëmijë krime, kryesisht, ekzekutime në pusira, të cilësuara si vrasje të pazbuluara. Sa sosh i zbuloi dhe ke arrestoi Kabashi me shokë?! Asnjë. Absolutisht asnjë! Ai me shokë nuk mund të fajësohet për këtë, sepse i mungon forca elementare për t`u pëballur me armatën SHIK-ase, shuarja e të cilit është fiktive. Por, për rrenën e madhe sa bjeshka, meriton dikreditim dhe ndëshhkim të pamëshirshëm. Lë të trenohen e tranohen prokurorët tanë në Francë, po deshën edhe në Amerikë, por kurrë nuk do të arrijnë t`i mundin bandat e stërvitura nga SHISH-i, me prova goditëse të dhëna nga SHIK-u.  Për të mos i mashtruar dhe gënjyer edhe mëtej shqiptarët e Kosovës, ata duhej të ishin të parët në kërkesën zyrtare që institucionin e drejtësisë në Kosovë, ta marrë një shtet i fuqishëm dhe tërësisht ligjor i botës. Dhe, prokurori Ismet Kabashi si dhe i gjithë stafi i "drejtësisë" aktuale, mund të shërbënin si shkresaxhi "inkonjito" brenda zyrave, pa vënë askund firmën. Guximi i tyre nuk është hiç më i madh se sa ai i "gjyqtarit" Rrahman Ratkoceri, në procesin gjyqësor kundër bandës të "UÇK-së" të Llapit.

 

     Kosova është në krizë, në kolaps të plotë institucional e moral. Hashim Thaçi duke qenë keqas i shantazhuar, sepse krimi i organizuar politik - vrastar në Kosovë nuk është bërë kuturu, në tym, por ka pasur qëllime fikse të përcaktuara, marrjen e pushtetit "alla komunistëçe", pra, të dhunëshme, në kupolë jo rastësisht është, pikërisht, ai. Dhe, kjo është shumë domëthënëse.

 

     Veprimet qeverisëse të Hashimit janë tërësisht mafioze. Kompozimin e qeverisë e bëri sipas modelit të kryekriminelit shqiptar, madje të të gjitha kohërave, Enver Hoxhës. Edhe ai kishte pesë zëvendës-kryeministra. Edhe mbikëqyrja e resorëve ministrorë nga zëvendës-kryeministrat u bë sipas skemës të Hoxhës.

 

     Kulmon marrëzia e Hashimit me emërimin zëvendës-kryeministre të "lëvriçkës" Edita Tahiri, e cila kishte komplotuar me kundërshtarët e Dr. Rugovës, duke krijuar kinëse parti, që nuk ka as kryesi e lëre më anëtarësi, për ta sfiduar Presidentin Rugova. Në agjitim për "vizionarin" Hashim Thaçin, konkuronte edhe servilin Enver Hoxhaj. Kjo lëvriçke e pa parime turpshëm u bë pjesë e partisë që identifikohet me krimin. Fjalori i saj tipik komunist e nevritës, nuk e fshehë dot dështimin total dhe kapitullimin e saj ndaj Serbisë. Lëshimin e parë për kopjet e regjistrave, e pranoi lehtësisht e turpërisht. Pse duhej kjo lëvriçkë e pa parime, megallomane e llafazane, që flet si "e ëma e Zeqos në maje të thanës"- siç thonë vëllezërit tanë jugorë, kur dikush llomotitë pa lidhje!

 

 Parashikimi i Carl Bild-it se "Kosova do të jetë një vend i vështirë pa Rugovën", rezultoi krejt i saktë. Për të zbutur sado pak vështirësitë për Kosovën, në skenë duhet thirrur LDK-ja, si e vetmja forcë politike dhe e përgjegjshme në Kosovë. Nisma e reformës partiake filloi me zgjedhjen demokratike të kryetarit Isa Mustafa, por, kjo ngeci në zgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-ë, nga i cili zgjidhet edhe Kryesia. Pa votim të fshehtë nuk ka zgjedhje demokratike. Kjo zgjidhje iu imponua kryetarit të ri nga kryesia e vjetër. Dhe, kryetari i ri zhgënjeu mjaft, pikërisht, për rastin në fjalë.

 

     Megjithatë, LDK-ja ka lëvizur nga zero-ja ku kishte rënë, duke u vënë në shërbim të padinjitetshëm të PDK-së komuniste. Refuzimi i përafrimit të pjesës të ndarë në Kuvendin e VI-të të LDK-së dhe ndarja e vogël, por shumë simbolike, në Kuvendin e VII-të, janë vepër e gardës të vjetër, përkatësisht e klanit të ngushtë në kryesinë qendrore.

 

     LDK-ja duhet të bashkojë pjesët e ndara të saj, duke larguar ose neutralizuar kundërshtarët e kësaj ideje fisnike. Vetëm bashkimi bën fuqinë. Hapja e partisë për kuadrotë e rinj, është reformimi më bindës për anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, duke aktivizuar në përkrahje dhe votim elektoratin masiv të dikurshëm të dr. Rugovës.

 

     Shumë pluhur është ngritur kundër kryetarit Isa Mustafa. Ai nuk ka pse të ndjehet inferiorë karshi asnjërit prej liderëve të tjerë partiakë dhe shtetërorë aktual. Ai nuk ka qenë luftëtarë me pushkë në dorë, ashtu siç nuk kanë qenë, në fakt, asnjë nga shefat e tjerë, të cilët rrejshëm thirrën në luftën. Por, zoti Isa Mustafa ka qenë në shërbim të mbijetesës materiale të Kosovës si dhe kuadër direkt i Emergjencës të luftës, sëbashku me dy djemtë e tij. Ai ka financuar luftën në Kosovë, madje pavarësisht ngjyrimeve politike e ideologjike. Dhe, mbi të gjitha nuk e ka sabotuar luftën, siç kanë bërë disa nga liderët tjerë dhe nuk është implikuar në vepra moralisht dhe ligjërisht të dënueshme.

 

     Sjellja dinjitoze e LDK-së, maturia në vlerësimin e luftës, mirënjohja për çliruesit faktik të Kosovës, vlerësimi i paanshëm i dëshmorëve, dallimi dhe emërtimi i saktë i betejave dhe i masakrave, fjalori adekuat dhe shmangie nga lavdërimet pa mbulesë, kujdesi për ta mbrojtur falsifikimin e historisë më të re të Kosovës nga mburracakët, hileqarët dhe profiterët e luftës, kanë qenë dhe mbeten moral e guidë rrugëtuese e LDK-së. Nuk ka hamendje se LDK-ja e bëri paqen dhe luftën faktike. Ajo i ka numerikë heronjtë e lirisë dhe të demokracisë. Ajo dhe vetëm ajo mund ta nxjerrë Kosovën nga kriza fatale, ku e ka katandisur e mjeruar injoranca politike komuniste. Në vend që të krenohen me ata që prezantuan vlera njerëzore e kombëtare në botë, lukunia komuniste e kryesuar nga Jakupi Krsniqi, në pamundësi për t`i arkivuar në harresë, shfrynë injorancën e tij me lojën e ndyrë të fotografive.

 

     Lukuninë komuniste është fatkeqësi ta kesh në kontinent, e lëre në shtet e pushtet!

 

 

Mars 2011



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora