E enjte, 25.04.2024, 12:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhek Nikolson: Më mirë unë se një pikturë e Van Gogut

E hene, 21.01.2008, 05:51 PM


Është një burrë shtatvogël që nuk i jep shumë rëndësi pamjes së jashtme. E megjithatë, kur heq syzet e errëta dhe ngul sytë mefistofelikë mbi bashkëbiseduesin, Xhek Nikolson, aktori shtatëdhjetëvjeçar - gjenial e shtrigan, protagonist i filmave legjendarë e i një jete në kufijtë e të lejueshmes - bëhet absolutisht i parezistueshëm. Kjo ndodh edhe tani që teksa merr frymë me shpejtësi, kujtdo e pyet nëse ndihet i lodhur i përgjigjet "jo, jam plak". Në filmin e fundit "Lista e koshit", i cili do të shfaqet nëpër kinematë evropiane gjatë kësaj jave, luan rolin e një miliarderi të urryer që sëmuret nga kanceri dhe vendos - falë takimit të rastësishëm me Morgan Friman, i shtruar bashkë me të në të njëjtin spital për të njëjtën arsye - t‘i shfrytëzojë ditët e fundit të jetës për të bërë ato gjëra që i ka dashur gjatë gjithë jetës, por nuk ka pasur rastin t‘i përmbushë.

Me flokë të rënë, me shenjën e dukshme të një të çare të dikurshme në kokë, i dërrmuar nga kimioterapia - thuajse gjatë gjysmës së filmit shfaqet në shtrat, peng i shiringave e i serumeve - Nikolson dhe një herë tjetër di të shfaqet i urryer e joshës në të njëjtën kohë, cinik dhe prekës, shpirtzi e simpatik.

Kohët e fundit keni qenë shtruar në spital për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale në grykë. Sa u ka ndihmuar kjo përvojë personale gjatë xhirimeve të filmit?

"Ai operacion qe diçka e vogël dhe e parëndësishme, por duke qenë se deri tani nuk isha sëmurur kurrë në atë formë, gjithashtu nuk më kishte ndodhur asnjëherë të kaloja aq shumë kohë shtrirë në shtrat, i privuar nga pavarësia, me infermieret që vijnë e të zgjojnë në orët më të tmerrshme të natës për të dhënë mjekimet, i kufizuar në gjithçka. Do të thotë të dish se kur vjen për të të vizituar ndonjë zonjë e shumta që mund të bësh me të është të hash ndonjë akullore. Gjithsesi, disa aspekte të përvojës personale më vlejtën gjatë xhirimeve të filmit ‘Lista e koshit‘, por arsyeja për të cilën pranova ta luaja këtë rol ishte elementi aventurë që gjendej me bollëk te personazhi. Mua më pëlqen jashtë mase të jem aventurier".

Ç‘raport keni me idenë e vdekjes?

"Them se motivi për të cilin të gjithë trembemi përpara saj është se nuk e njohim, nuk e dimë ç‘fsheh në vete, bëhet fjalë për diçka përpara së cilës nuk jemi në gjendje të ushtrojmë të drejtën për të zgjedhur. Edhe pleqëria është e tillë, vjen ngadalë dhe të duhet të mbledhësh të gjitha energjitë për të mos u bërë pre e saj. Nëse nuk arrin ta bësh këtë, humbet njerëzit që ke pranë dhe përfundon i vetëm e i rrezuar nga dëshpërimi".

Tashmë keni mbushur të shtatëdhjetat, e megjithatë punoni me kohë të plotë, jeni një ndër yjet e kinemasë më të adhuruar në gjithë rruzullin, në rastin tuaj probleme të këtij lloji duken shumë të largëta...

"Teksa isha i shtruar në spital u preka shumë nga ata pacientë krejt të vetëm, që nuk vinte askush t‘i vizitonte. Historia e filmit më bëri të reflektoja gjatë. Gjithsesi, në jetë ka shumë gjëra të cilat nuk arrin t‘i bësh e mandej të ndihesh ligsht që nuk i ke pasur mundësitë. Për mua të ecësh përpara do të thotë të kesh për ditë diçka që duhet ta bësh patjetër ditën e nesërme".

Të qenit i famshëm, ju është bërë ndonjëherë barrë e pamundur për t‘u mbajtur mbi supe?

"Jo, por është diçka që edhe sot e kësaj dite, pas gjithë atyre viteve kinema, nuk arrij ende ta shpjegoj. Ashtu siç ende e kam të vështirë të mbyll sytë e të mos u kushtoj//////////////// atyre gjërave që shkruajnë për mua, por që as kanë të bëjnë me mua. Më ka qëlluar të gjendem në një muze, i thithur tërësisht nga një pikturë e Van Gogut, e të më afrohen njerëz që pasi më njohën, kërkuan me çdo kusht të bënin foto me mua. E thënë thjesht, në vend që të shijonin Van Gogun e përqendruan gjithë vëmendjen tek unë që shihja Van Gogun. Arrini ta kuptoni këtë?"

Ju jeni edhe skenarist, por është një aspekt i karrierës të cilin e keni lënë gjithnjë në hije. Përse?

"Po, madje e kam shkruar unë skenarin e ‘Listës së Koshit‘, por nuk më pëlqen shumë të flas për këtë temë, në të njëjtën mënyrë siç nuk më pëlqen shumë të dal në televizor, as të dukem shumë rrotull, as të flas vazhdimisht me gazetarët. Në rast se aktori nuk rrethohet nga një farë misteri, i ka ditët e numëruara në atë profesion. Në rast se mbi aktorin dihet gjithçka, nuk do të mundet më t‘i bëjë të besueshëm personazhet që luan".

Përveç aktrimit dhe shkrimit të skenarëve, keni realizuar edhe regjinë e një filmi. Nuk ju pëlqen më të vazhdoni në këtë rrugë?

"Kur merr përsipër regjinë, merr mbi shpinë gjithë përgjegjësinë e realizimit të tij. Në rolin e aktorit je shumë më i çliruar nga përgjegjësitë, je në gjendje të përqendrohesh vetëm në punën tënde".

Cili është sekreti i qëndrimit të përjetshëm në rangjet më të larta?

"Të vazhdosh të ruash gjithnjë të njëjtën dëshirë dhe përkushtim ndaj këtij profesioni. Pas kësaj është shumë e rëndësishme të mbetesh thellësisht i dashuruar me kinemanë. Unë jam i dashuruar, dhe po aq sa unë, për shembull, është edhe Dastin Hofman".

Kështu, nuk do ju dëgjojmë kurrë të deklaroni, siç kanë bërë shumë kolegët tuajt, se keni vendosur të hiqni dorë nga aktrimi.

"Në punën time, deklarata të këtij lloji janë krejtësisht pa vend. Në rast se më ofrojnë një skenar të bukur që më pëlqen e që dua ta pranoj e pranoj. Nëse nuk më pëlqen nuk e bëj. Kaq është e gjithë historia".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora