E enjte, 28.03.2024, 07:31 PM (GMT)

Kulturë

Tiziano, rosso relativo

E merkure, 23.01.2008, 03:09 PM


Piktura moderne? Eshtë bijë edhe e kësaj pikture të vitit ‘500 dhe të autorit të saj, një revolucionarizues që kërkonte tek tavoloca ngjyrën e shpirtit. Pa dashur t’ia dijë që përsosmëria e vizatimit linte ca për të dëshiruar

Artistët e Rilindjes italiane janë si futbollistët brazilianë. Nuk thërriten me mbiemër, por vetëm me emrin e pagëzimit: Raffaello, Michelangelo, Giorgione, Tiziano, Veronese e kështu me radhë. Ashtu si mjeshtrit brazilianë- Pele, Jair, Amarildo, Socrates, Falcao, Cerezo, Ronaldo, Adriano - këta artistë janë kaq të zotët sa nuk kanë nevojë për emrin e familjes për t’u njohur: mjaftojnë veprat e tyre të pangatërrueshëm. Çdo kuadër, çdo skulpturë është një gol.

Nëse në vitet Katërqind është Firencja Nju-Jorku i botës së artit, rreth viteve Pesëqind edhe Venecia nisi një fushatë të mirë mbledhjesh të artistëve. Kemi vëllezërit Bellini, më i famshmi ndër të cilët Gentille, dhe kemi edhe dishepujt e tyre, mes të cilëve Giorgione dhe miku i tij Tiziano. Për pak kohë pikturojnë bashkë, gju më gju, aq sa disa telajo të Tiziano-s janë pandehur si të Giorgione-s, paksa më i vjetër në moshë.

Nëse do të dinte të vizatonte

Që të mos ngatërrohemi edhe ne, giorgione është ai që ka pikturuar të famshmen pikturë misterioze “Stuhia”, që mund të shihet në Akademinë e Venecias, ndërsa Tiziano pikturoi tre vjet më vonë “Koncert fushor” që gjendet në Luvër, në Paris. Nëse shikohen të dy telajot, mund të kuptohet fare mirë nga vjen ngatërrimi: të dyja skenat duket se janë vendosur në të njëjtin peizazh dhe personazhet duket se i përkasin të njëjtës familje. Megjithatë, ndryshimi qëndron tek ajo se si këta personazhe i prezantohen spektatorit. Tek Giorgione, gruaja me fëmijën në krah na sheh sikur do të na thotë që ka frikë, ndoshta nga burri që ka në të majtë e që po e vrojton, apo edhe nga rrufetë që po mbërrijnë, e duke qenë se ajo qëndron nën pemë, mund ta godasin. Përkundrazi, në pikturën e Tiziano-s të dyja femrat e zhveshura bashke me dy muzikantët, as që duan t’ia dijnë për ne që i shohim dhe rrinë e flasin me njëri–tjetrin.

Nëse do t’ju qëllojë të shihni të tjera piktura të këtij zotit Tiziani, lindur diku në vitet 1490, fëmijë i një tregtari druri, do të vini re se personazhet, fisnikë apo shenjtorë qofshin, njerëz të zakonshëm apo fëmijë, duken gjithmonë sikur janë të zënë duke diskutuar mes tyre, duke e harruar rolin zyrtar dhe pozicionin që duhet të mbajnë brenda kornizës së drunjtë të telajos. Njeriu i Tiziano-s lëviz gjithmonë, i shqetësuar ndoshta nga ngjyra që e bën të gjallë dhe të çliruar nga pozat e figurave – të edikuara në perfeksion – të pikturës fiorentine. Michelangelo thoshte se, nëse Tiziano do të dinte të vizatonte, me siguri do të kishte qenë një gjigand i vërtetë. Ndoshta kishte të drejtë, por revolucioni dhe madhështia e mjeshtrit venecian qëndrojnë pikërisht në lirinë me të cilën ai përdor ngjyrat për të shpikur trupat dhe hapësirën, duke ia hapur rrugën asaj pikture moderne që shumë shekuj më pas do të shpërthejë në Impresionizëm.

Pa frymë, pra njerëzorë

Duke dëgjuar gjithmonë e më shumë se Tiziano pikturonte ashtu si ai, Giorgione fillon të mërzitet dhe vjen një ditë që nuk shkëmben më fjalë me shokun. Pastaj bie murtaja, që i jep fund të gjitha mërzive të Giorgione-s, kur ai ishte vetëm 33 vjeç. I riu Tiziano nuk ka më rivalë. Tek “Portreti i një njeriu me mëngë blu”, ndoshta një autoportret që u përfundua në të njëjtin vit kur vdiq Giorgione, në vitin 1510 e që tani gjendet në National Gllery të Londrës, ka në shikim arrogancën e artistit që e di që është kthyer në protagonistin e pakundërshtueshëm të botës së artit venecian.

Portrete ai do të bëjë mjaft. Megjithatë, shumë preh tyre, që nga “Xhentëllmeni i ri anglez” tel “burri me dorashkë” do të mbeten gjithmonë anonimë. Tipa të çfarëdoshëm, që përmes ngjyrave të ngopura nga drita dhe nga lagështia e lagunës, do t’i përcjellin spektatorit gjithë humanizmin e tyre. Nëse figurat e vizatimeve fiorentine duken si të sapodala nga dushi, ato të piktorëve venecianë duken paksa të të lodhura e sikur po dihasin, sikur të kenë qenë duke ngjitur shkallët apo sikur kanë vrapuar për të kapur autobusin. Nga rrobat e tyre duket sikur del avulli i trupit, kurse peizazhi dhe arkitektura shfaqen gjithmonë si të lagur nga bryma.

Magjepsja nga pushteti

Tiziani do të shohë me admirim mjeshtrit e Rilindjes, veçanërisht Raffaello-n, që do të tentojë ta takojë në Romë, por pa sukses. Megjithatë e kupton se ky i tyre është një art artificial, që mbahet nga një instrument racional – vizatimi – për të vendosur në qendër të universit qenien njerëzore, por jo shpirtin e tij. Shpirti është për të diçka fluide, që të fluturon, e pakontrollueshme, më tepër ngjyrë sesa linja.

Përdorimi i ngjyrave të Tiziano-s – një përdorim paksa garibaldian – do të ndikojë së tepërmi artistët, që nga El Greco tek Rubens-i, tek Rembrandt-i, por mbi të gjithë tek Jaccopo Comin, i njohur si Tintoretti, që do të mbërrijë i ri në moshë në studion e piktorit dhe që do të dëbohet menjeherë për në shtëpi sepse ishte shumë i zoti, pra i rrezikshëm. Tiziano-ja e mbron territorin e vet me dhëmbë. I interesuar në art për ngjyrën e shpirtit, ne jetë ai ëhstë një karrierist i hekurt, mik i fisnikëve dhe i mbretërve, i pari ndër të cilët Perandori.
Me Karlin V, që do ta piktutojë disa herë, do të bëhet mjaft mik. Aq sa, gjatë një vizite në studion e tij, monarku do të përkulet për të kapur një penel që po i binte nga duart, gjë që është njëlloj sikur Mbretëresha e Anglisë të insistonte për t’u ulur në sedijen e pasme të një fiati Panda. Por, veç perandorit dhe trashëgimtarëve të tij, miqësitë e Tiziano-s kanë të gjitha njëfarë shkalle, që nga dukët e Mantovës, tek ata të Urbinos e deri tek Papa Paulo III. Pushteti e tërheq, siç ndodh me të gjithë artsitët e kohës së tij, madje edhe të tonës, ai nuk bën dot pa të.

Nga guximi tek frika

Por Tiziano nuk është i zoti vetëm për të bërë portrete: ai luan të të gjithë fushën. Madhështore është “Ngritja e Virgjëreshës” (1516 – 1518), në ksihën e Shënmërisë në Frari, me Zotin që e mbajnë pa lëvizur dy engjëj dhe me Shën Mërinë në cepin e një reje, që duket sikur do të hidhet poshtë (por shenjtët janë gati ta kapin). Revolucionare duket edhe një tjetër krijim, gjithmonë në kishën e Frarit, me të njëjtën temë “Madonna Pesaro”, (1526) me Virgjëreshën që nuk është më në qendër të kuadrit, siç e kërkon tradita, por të spostuar më djathtas me fëmijën Jezus, që më tepër sillet si një fëmijë normal sesa si Jezusi.

Eshtë pastaj edhe “Afërdita e Urbinos” (1538), që u bë frymëzim për shumë kryevepra të mëvonshme, që nga “Maya e zhveshur” e Goya-s tek “Olympia” e Manet-së. Thuhet se piktura qe një dhuratë dasme, sikur t’u dhuronin për shembull pikturën e të fejuarës suaj nudo. Tepër i bukur edhe vizatimi i vitit 1554, “Afërdita dhe Adonisi”, me Afërditën që duket sikur thotë “Edhe një herë! Edhe një herë!” dhe Adonisi që duke u rrekur të çlirohet nga përqafimi i saj mendon “Ohu, mos ma çaj shumë se duhet të çoj qentë të bëjnë çiçin”.

Do të vijë pastaj koha e Kundëreformës së Kishës së Romës dhe artistët do të tallen më pak. Duke iu përshtatur humorit të papatit, piktura e Tizianos do të bëhet më e errët, ngjyra e dëborës do të bëhet si e hirtë. Engjëlli paralajmërues do të jetë më i frikshëm se ç’do të jetë e mrekullueshme Maria dhe trupi i Jezusit do të bëhet më i squllët. Vdekja sërish do të kthehet për të trembur shpirtin.

E zeza e murtajës

Në vitin 1570, tashmë tetëdhjetëvjeçar, Tiziano do të provojë të mbarojë veprën e fundit “Mëshira”, që tashmë gjendet në Akademinë e Venecias. Nuk do t’ia dalë mbanë. Do t’i duhet ta përfundojë një nga nxënësit e tij të rinj. Gjashtë vjet më vonë, murtaja do t’ia marrë Tiziano-s ngjyrat e tij, duke tentuar ta hedhë si të gjitha viktimat e saj në një gropë të përbashkët anonime. Por edhe i vdekur, mjeshtri i madh do të arrijë të bëjë të ndjeshme peshën e miqësive të tij të fuqishme. Do ta varrosin në një varr të veçantë, në Frari, poshtë në të majtë, pranë Shën Mërive të tij që qëndrojnë ulur qetë qetë lart në të djathtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora