E marte, 23.04.2024, 08:12 PM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Partneritet dhe miqësi

E hene, 04.04.2011, 07:59 PM


Partneritet dhe miqësi

 

Nga Dorian Koçi

 

Njëzet vjet më parë në datën 21 mars 1991 pas një absurditeti të pakuptimtë që zgjati 45 vjet me radhë, Shqipëria rilidhi marrëdhëniet diplomatike me SH.B.A. E gjendur në fillimet e veta të normalizimit të jetës demokratike pas aksidentit të dhimbshëm dhe të vështirë historik të mbizotërimit të dogmës komuniste në jetën e vet publike dhe shoqërore, Shqipëria gjeti shumë shpejt në SH.B.A një vend mik dhe aleat që filloi të kontribuojë shumë në ndërtimin e institucioneve demokratike në vend dhe ushtrimin e drejtë për së drejtë të demokracisë liberale. Por ndonëse ky afrim dhe mbështetje mund të tingëllonte pak i çuditshëm për vëzhguesit e jashtëm pas retorikave të ashpra të sistemit komunist ndaj SH.B.A dhe vlerave që ajo mbarte, ky qëndrim dashamirës dhe mik i SH.B.A ndaj Shqipërisë nuk ishte i çuditshëm dhe i ri për shqiptarët që kishin një memorie historike.

SH.B.A kishin qenë një nga vendet ku kishte pasur dhe vazhdonte të kishte një emigracion të fortë të shqiptarëve, të cilët të organizuar në shoqërinë “Vatra” kish kontribuar shumë në pavarësinë dhe stabilitetin e shtetit shqiptar. Nga SH.B.A kishin ardhur idetë në vitet 20’ ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës të dy nga korifenjve të Vatrës Fan Noli dhe Faik Konica , të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik, filozofik dhe kulturor të Shqipërisë. Por ndihma e SH.B.A nuk kish konsistuar vetëm në transmetimin e ideve, apo dhe më herët në ndihmën e dhënë për përhapjen dhe lëvrimin e gjuhës shqipe nëpërmjet rrjetit të tyre protestant në Korçë e Manastir, por dhe në ndihmë të drejtë për së drejtë si në rastin e Konferencës së Paqes në Paris më 1919-1920 ku plani prej 14 pikash i Presidentit Thomas Woodrow Wilson(1856-1924) u bë ombrella mbrojtëse për ruajtjen territoriale të Shqipërisë, vazhdimësinë politike  dhe stabilitetin e saj. Madje dhe në vitet e vështira të diktaturës komuniste ku vendet kishin qenë në të dy kampe të kundërta politik, sa herë që ishte diskutuar tërësia territoriale e Shqipërisë nga fqinjët e vet problematikë dhe të mbushur gjithë pasione shoviniste, SH.B.A qoftë në Konferencën e Paqes më 1946 apo dhe më vonë në kuadrin e doktrinave të NATO-s, kishin vënë veton për përmbysur këto plane të mbrapshta pasi për to si në fillim të viteve 20’ apo dhe në vitet 60’ e deri tani  stabiliteti i Shqipërisë ishte dhe mbetet një paritet kryesor i politikës së jashtme të tyre. Ky fakt është dëshmuar jo vetëm që  gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar, por dhe në aksionin  e madh që ndërmori NATO në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin e serb ndaj Kosovës, aksion që solli lirinë për shqiptarët dhe riformatoi sërish ekuilibrin e forcave në Ballkan në formimin e shtetit më të ri të Evropës-Kosovës.

Kjo është një nga arsyet që popullata shqiptare në Ballkan edhe pse nuk ka qenë përfituese në ndihma ekonomike të tipit të llojit “Marshall” duke qenë se ka vlerësuar shumë lirinë e vet politike si parakusht dhe për mirëqenien ekonomike është një nga popullatat me përqindje më të lartë proamerikane në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Në këtë dashamirësi të shqiptareve ndaj SH.B.A nuk ka ndonjë sentiment të tepruar e servil siç mund të dëgjohet lart e poshtë nga antiglobalistë të rinj apo ideologë që zbulojnë të majtën evropiane të viteve 60’ në vitet 2010. Ajo që në fakt duket si adhurim i tepruar i shqiptarëve ndaj SH.B.A në fakt manifestohet tek klasa politike shqiptare e cila rezulton në shumë raste të mos ketë qenë partnerë të barabartë dhe të denjë të principeve dhe politikës së SH.B.A në rajon. Ndihmën dhe faktorizimin që SH.B.A iu kanë afruar shqiptarëve është keqpërdorur shpesh herë nga klasa politike e Shqipërisë si patericë për të qëndruar më shumë në pushtet dhe për të keqqeverisur sesa për të stabilizuar demokracinë e brendshme dhe aq më tepër për ta përçuar atë në popullatat e tjera shqiptare në rajon. Shembulli i zgjedhjeve në Kosovë apo dhe bojkoti i parlamentit në Maqedoni nën shembullin shqiptar i ka zhgënjyer jo radhë partnerët tanë strategjikë të cilët kanë më se njëzet vjet që japin garancitë e tyre për mbarëvajtjen e demokracisë në popullatat shqiptare në Ballkan por ajo që marrin si përgjigje janë këto sjellje feminore që dëshmojnë infantilitetin e klasave tona politike.

Ndihma e afruar nga SH.B.A konsiston në të njëjtat parime demokratike dhe plane afatgjata për të kontribuar për stabilitetit në rajon, ndaj asnjë faktor politik nuk duhet të mërzitet apo ta quajë të tepërt këshillimin e tyre në problemet e brendshme të demokracisë në Shqipëri. Mesazhi i tyre ka qenë gjithmonë i hapur dhe i çiltërt si në vitet 20’ ku nëpërmjet aktivistëve të Vatrës kontribuonin në themelimin e jetës demokratike Shqipëri, në 1946 kur e këshillonin qeverinë komuniste të kohës të organizonte zgjedhje të lira si kusht kryesor për prosperitetin e vendit, sërish në vitet 90 për zhvillimin e  zgjedhjeve të lira dhe demokratike e tashmë në dhjetëvjeçarin e shekullit të XXI me respektimin e institucioneve. Kjo qëndrueshmëri në e tyre ndaj vendit të vogël dhe aleat që jo radhë ka ndezur xhelozira tek fqinjët duhet përshëndetur dhe jo anatemuar pasi për një vend si Shqipëria që njëzet vjet më parë ishte një ishull i vetmuat i marrëzisë komuniste, është një fat politik të ketë këtë mbështetje politike nga SH.B.A si fuqia e vetme dhe njëkohësisht demokratike në botë. Ajo çka vërtet Shqipëria mund ti afrojë SH.B.A në shenjë mirënjohje për këtë ndihmë nuk është dërgimi i trupave në Irak dhe Afganistan si rëndom dëgjohet nëpër korridoret e politikës shqiptare por stabilizimi dhe konsolidimi i demokracisë në vend nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve jo problematike dhe të kontestueshme nga palët dhe faktorizimi në politikën rajonale në Ballkan. Në këtë mënyrë do të dimë vërtetë të tu jemi mirënjohës miqve tanë duke luajtur  rolin që ata dëshirojnë për ne, por dhe do të jetë dhe një përfitim i madh për vendin tonë pasi nëpërmjet kësaj rruge Shqipëria do të përparojë duke u zhvilluar politikisht dhe ekonomikisht.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora