Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skandalozi Balthus dhe lolitat e tij

| E merkure, 23.01.2008, 03:06 PM |


Shikojeni mirë pikturën këtu lart. Konti Balthazar Klossowski de Rola, i njohur në art me emrin Balthus, kishte dy pasione të mëdha: macet dhe adoleshentet. Përpiquni ta gjeni pak se çfarë mund t’i ketë ndodhur në ekspozitën e parë

Sot, ndonjë prokuror i zellshëm, përpara kuadrit të vitit 1934 “Leksione kitare”, me siguri do të kishte hapur një hetim postum për autorin e saj, kontin Balthazar Klossowski de Rola, një nga piktorët më të rëndësishëm të shekullit XX. Apo më mirë të themi atë që njihet me emrin Balthus, lindur në Paris në një familje me origjinë polake në 29 shkurt 1908 dhe që vdiq në 2001 - duke e ditur se ky nuk ishte një vit i brishtë, pra nuk do të kishte ditëlindje, - zgjodhi të ikte nga kjo botë më datë 18 shkurt, në moshën 92 vjeçare në kështjellën Rossiniere në Zvicër, ku jetonte i fshehur që nga viti 1977.

Nuk do ta kishte dhe aq gabim ai prokuror që të dyshonte për atë mendje, edhe nëse jo e sëmurë, paksa e turbulluar, duke parë që në atë kuadër, mësuesja e përdor nxënësen e saj si një instrument muzikor, ndërsa kjo e fundit, gjysmë e zhveshur dhe, gjysmë e përhumbur, po “akordon” një nga thithat e gjinjve. Piktura duket se është frymëzuar nga një prej “Pietá”-ve të Louvre-it, edhe pse vetë Balthus-i gjithmonë e ka mohuar, si përqasjen, ashtu edhe frymëzimin fetar që ka rrëshqitur në blasfemi. Duke mohuar në një mënyrë të pacipë origjinën e tij hebraike nga ana e të ëmës, mjeshtri francez shprehte me mjaft krenari besimin e tij katolik, që e përdorte si një provë të pakundërshtueshme kundër akuzave për pedofili: nuk kishte se si ta dyshonte që pasioni për mishin e ri në shekullin XXI do të kthehej në një problem për shumë priftërinj dhe ndonjë peshkop.

Në Nju Jork me detaje të censuruara

Balthus-i është Humbert Humberti i historisë së artit, mishërimi i personazhit të famshëm të Nabokov-it “Lolita”. Ndoshta pasioni për pubertetin i ka ardhur në mënyrë spontane duke shërbyer edhe vetë ai si një nga ato joshjet sekrete të dashnorit të së ëmës, poetit Rainer Maria Rilke, i cili i kishte pikasur menjëherë dhuntitë artistike të djaloshit, (asokohe vetëm 13 vjeçar) duke parë 40 dizenjot e mrekullueshme që rrëfenin historinë e një fëmije dhe të maçokut të tij Mitsou (pas vajzave, macet do të mbeten pasioni i Balthus-it, të pranishme në shumë nga vizatimet e tij).

Nuk është e nevojshme t’ua prishim qetësinë gjykatësve të kohës sonë: arti i Balthus-it krijoi skandal dhe u censurua që në ekspozitën e parë në Paris, në vitin 1934. Në Evropë, thuajse askush nuk donte t’ia dinte për veprat e tij, ndërsa që në 1938, tregtari Pierre Matisse, djali i Matisse-it të madh e të vërtetë, do ta shpjerë në galerinë e tij në Nju Jork, ku ai do të ketë një sukses të jashtëzakonshëm mes koleksionistëve amerikanë, i pari ndër të cilët James Thrall Soby, mbreti i telefonave dhe i xhetonave, që do të blejë një prej kryeveprave të tij “Rruga” (1939), të cilën do ta mbajë në zyrë nga frika se mos djali i tij 9-vjeçar do të fillonte të krijonte ide të çuditshme duke parë djaloshin që në pikturë ka mbërthyer në mes këmbëve një vajzë të vogël. Një detaj ky që Balthus-i, i detyruar nga koleksionisti, do ta fshehë, për ta lejuar kështu veprën të shfaqet në ekpozitën e Muzeut të Artit Modern të Nju Jorkut në vitin 1956.

Megjithë njohjen e madhe, piktori francez nuk do të shkojë kurrë në Shtetet e Bashkuara, duke vazhduar të shohë me përçmim ata amerikanë të varfër dhe naivë, që në fakt ishin arteriet kryesore të suksesit të tij ekonomik dhe të famës së tij të ardhme.

Pas 5 shekujsh kome

Snob dhe autodidakt, Balthus-i ka një talent natyral të jashtëzakonshëm që e mban larg shkollave. I ati, artist edhe ai, e njeh me pikturën e Cezanne-it që ai do përpijë, duke bërë që tek ai të ndikojë më pas joshja prej impresionizit dhe kubizimit. Udhëton në Itali, ku do të dashurohet e pikturën e Piero della Francesca-s, me anë të së cilës do të njohë seksin. Lexon “Liza në botën e çudirave” të Carroll-it, duke marrë shkas nga fotot e vajzave të vogla që shkrimtari vdiste për t’i shkrepur, me të njëjtin pasion epshor me të cilin piktori francez do të vizatojë adoleshentet e tij.

Konti ynë (titullin në fakt ai e kish mjaft për zemër), parimisht nuk do të jetë kurrë modern, por as prapanik kurrsesi. Piktura e tij do të mbetet pezull në një epokë që nuk ka ekzistuar kurrë, sikur Pierro della Francesca dhe Massaccio të kishin rënë në një komë mjaft të thellë dhe të rizgjoheshin në vitin 1900 e të nisnin të pikturonin realitetin që do të gjenin.

Përveç mjeshtërve të Rilindjes së hershme, Balthus-i do t’i hedhë sytë edhe nga piktura kineze e japoneze, ku hapësira duket ajo e një ëndrre dhe ky ngjyrat duket sikur dalin si të zëna në turp nga një kujtesë në bardh e zi. Teknika dhe perfeksioni nuk do të jenë gjithsesi obsesioni tij, duke mos i interesuar që piktura e tij të përfaqësojë dikë ose diçka. Me shumë se me gjithçka, pikturat e tij duhet të identifikohen me një gjendje shpirtërore ose atmosferë psikologjike. Në “Lojë me letra” të vitit 1940, dy fëmijë luajnë me një tërbim të atillë që fsheh një dëshirë të pashmangshme të rriturish për të bërë një tjetër lojë.

Ashtu si miku i tij skulptori Alberto Giacometti, Balthus-i donte që me artin të arrinte deri në njëfarë pike, duke krijuar një tension edhe nëse vepra nuk do të ishte krejtësisht e mbaruar. Piktorit i mjaftonte të arrinte mbi telajo atë moment, në të cilin arti shpreh diçka përpara se të katandiset tek përshkrimi i trishtë i realitetit. Për të, çdo kuadër ishte një festë, nga e cila duhej të largohej përpara se zbavitja të shndërrohej në mërzi.

Mërgimtari i Zvicrës

Në vitin 1961, ministri i atëhershëm francez i kulturës, Andre Malraux, një nga intelektualët më të mëdhenj evropianë të pasluftës, do ta emërojë drejtor i Vilës Medici në Romë, institucioni më prestigjioz i kulturës franceze në botë. Balthus-i nuk pret t’ia thonë dy herë dhe vendoset afër Piazza di Spagna-s për gjashtëmbëdhjetë vjet. Do të largohet në fund të viteve ’70, kur piktura ka nisur të dorëzohet përpara peshës së viteve të hekurta dhe kur nga ekstremizmi kulturor dhe politik i asaj kohe do të nisë të quhet një nga krimet e imperializmit.

Balthus-i, me gruan e tij të dytë, të renë japoneze Setsuko Ideta, do të tërhiqet në kështjellën e tij në Zvicër, një ngrehinë me qindra dritare dhe dhjetëra dhoma të papërdorura asnjëherë. Do të fillojë të bëjë aty një jetë të mbyllur dhe do të nisë të presë të paktët vizitorë që do të lejohen të kapërcejnë muret e kështjellës, i veshur me një robdëshambër japonez.

Në vitin 1983, Qendra Pompidou do t’i kushtojë një ekspozitë retrospektivë, pikërisht në atë godinë me tuba të ngjyrosur që Balthus-i e konsideronte si shenjë të një bashkëkohësie perverse. Në fakt, publiku dhe kritika do të mbeten indiferentë ndaj punës së tij, duke e konsideruar dekadente dhe reaksionare. Një vit më vonë, do të jetë Metropolitan Museum që do të mirëpresë të njëjtën ekspozitë dhe publiku do të jetë më pak i ftohtë.

Vepra të tilla si “Dhoma” (1952) – një lloj “anuncimi” i çmendurisë, ku Virgjëresha është shndërruar në të zakonshmen vajzë të mitur dhe engjëlli në një dado sadiste, apo edhe piktura tjetër “Mali” (1937), ngjajnë mjaft të vonuara në kohë në krahasim me një botë arti bashkëkohore ende nën diktaturën e ideve dhe koncepteve, të vendosur keq përpara një arti tepër intim dhe shpirtëror. Dashuria për pikturën do të rikthehet, e ekzagjeruar madje, disa vjet më pas dhe arti i Balthus-it do të bëhet një pikë referimi edhe për brezat më të vonë, mbi të gjitha për piktorin e shkollës së Lipsia-s, të riun Neo Rauch, i cili në mënyrë të parakohshme është nderuar me një ekspozitë personale në Metropolitan.

Por diferencën nga piktorët e sotëm të rinj e kishte kuptuar edhe vetë Balthus-i, edhe pa i njohur fare. Ata gjejnë gjithmonë një truk që i bën të shkojnë përpara dhe shpeshherë të kthehen mbrapa tepër shpejt. Artisti fisnik trukun e kish kërkuar gjithmonë, por fatmirësisht, nuk e ka gjetur kurrë,. Balthus-i, aty ku u ndal, nuk u largua më.

Jeta