Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V)

| E diele, 03.04.2011, 06:58 PM |


TRAJTIMI I ÇËSHTJES KOSOVËS NË GAZETËN “QËNDRESA SHQIPTARE” ORGAN I KOMITETIT KOMBËTAR  DEMOKRATIK “SHQIPNIJA E LIRË”, PARIS (V)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com 

 

VDEKJA E TITOS DHE SULMET E EGRA NDAJ SHQIPTARËVE NË KOSOVË

 

“Qindresa Shqiptare” edhe në numrat në vijim vazhdon që të informoi opinionin e gjerë për situatën e rënd politike në Kosovë. Në numrin 112, në rubrikën “Lajme nga Kosova e robëruar”, gazeta i kushton rëndësi vdekjes së Josip Broz Titos, duke shtuar se Mareshali Tito vdiq me 4 maj , 1980, pas një agonie të gjatë. Veç të dhënave biografike të Titos, autori i shkrimit shkruan edhe për të bëme e tij: Është e vërtet se Tutua gjatë jetës së vetë, pat bërë të flitej shumë për të: i patë kthyer karshillëk Stalinit, patë hedhur idenë e një “bote të tretë, në organizimin e së cilës u përpoq të kënaqte ambiciet e tija megalomane pasi nuk mundi të bëhej kryetar i një “Konfederate ballkanike”. Përbrenda Jugosllavisë, mbasi kishte vrarë një milion e gjysmë njerëz, nga ata ishin 700.000 mijë shqiptarë, mundi ta merrte fuqinë dhe provoi ta kthente mozaikun jugosllav në një shtet federativ me gjashtë republika dhe dy krahina “autonome”[1] etj.

Por duke i shikuar punët për së afërmi, del  menjëherë në dukje se regjimi i Titos nuk ishte veçse një diktaturë komuniste si shumë të tjera , ku të drejtat e njeriut nuk u respektuan kurrë, ku barazia ndërmjet kombësive të ndryshme s’ishte veçse  një parullë, ku policia e fshehtë (UDB-eja e famshme) sundonte absolutisht, ku grupi shqiptar ishte ai më i persekutuari, të cilin Rankoviqi provoi ta zhdukte fare.

  Gazeta vazhdon të shkruaj se duhet ta themi pa druajtje se është më kollaj të rregullohen këto punë në tre a katër rreshta të shkruar me anën e pendës se sa në fushën e realitetit. Pabarazia dhe urrejtja kombëtare, në Jugosllavinë e sotme, janë aq të forta sa që kanë qenë gjithnjë, nga shkaku që serbët, malazezët e maqedonasit sundonin mbi kombësitë e tjera. Jugosllavia nuk ka njohur kurrë një regjim demokratik, as përpara luftës e as pastaj, për të parë se cilat janë ndjenjat e vërteta të kombësive të ndryshme, të cilat mbahen nën grushtin e administratës dhe të policisë. Disa nga ato grupe etnike, si grupi i shqiptarëve, janë trajtuar dhe trajtohen gjithnjë si një popull i shkelur. Zyrtarisht, tregohet se ka vetëm një milion shqiptarë, në “krahinën autonome” të Kosovës. Kurse , në realitet ka dy milion e gjysmë shqiptar në Jugosllavi, të ndarë ndërmjet “krahinës autonome” të Kosovës, republikës së Maqedonisë, republikës së Serbisë dhe Republikës së Malit të Zi. Përse mbahet gjithmonë i fshehtë numri i plotë i popullsisë shqiptare, për të mos krijuar me shqiptarët një republikë autonome sikurse republika e Maqedonisë e Malit të Zi dhe e Bosnje Hercegovinës, të cilat, po të merren një nga një, kanë popullsi shumë më pak se sa grupi etnik shqiptar

Disa shpresojnë se me vdekjen e Titos, këto padrejtësi do të ndreqën prej të ashtuquajturës “udhëheqje kolegjiale”,  E para sepse, në politikë, “drejtimi kolegjial” është një prrall, dhe e dyta, sepse padrejtësitë që ngjajnë në Jugosllavi lidhen ngushtë me përbërjen e shtetit jugosllav, ku disa kombësi sundojnë mbi të tjerët[2], thuhej në artikullin për vdekjen e Titos.

 

UDB-eja del në skenë të hapur

 

Deri sa Tito lëngonte në shtratin e vdekjes, policia jugosllave ishte sjellë brutalisht e egër ndaj shqiptarëve, po në këtë periudhë ajo kishte arrestua dhe dënua shumë shqiptarë të pafajshëm. Ushtria jugosllave kishte fillua me të madhe të zë dhe të sistemohej në pikat kyçe të Kosovës sikur të kishte pushtua tani dhe kishte aktivizua në çdo qoshe të Kosovës policin sekrete të saj (UDB-en). Edhe pse valë arrestimesh kishte pasur edhe më herët në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, por tani ato vinin duke u intensifikuar. Me të madhe burgoseshin studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme, duke i akuzuar se ata gjëja se po shpërndajnë pamflete e trakte të ndryshme kundër regjimit dhe po organizojnë grupe e organizata ilegale. Në këtë periudhë u arrestuan : Ruzhdi Saramati, Xhavit Basha, Ibrahim Shala, Asllan Loshi, Hysen Gërvalla, Ekrem Gërvalla, Nehru Salihu. Në Ferizai është arrestua djaloshi 23 vjeçar Shaban Musliu, nga fshati Zaskok[3], me arrestime vazhdohet edhe më tej duke arrestuar mësues dhe student në Universitetin e Prishtinës.

 

Proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve nuk kanë të ndalur

 

Në shkrimin “Beligradi ka përgatit një gjyq të madh kundër shqiptarëve”, thuhej se vala e re e ndjekjeve kundër shqiptarëve në Kosovë u vërtetua nga të dhënat që sjell gazeta beogradase “Politika” e 31 marsit, 1980.

Mbas dy javësh, thuhej në gazetën “politika”, do dalin në gjyq 50 shqiptar të akuzuar se kanë përgatitur një komplot kundër shtetit të Jugosllavisë.

Lajmin e gazetës beogradase e kanë marr dhe e kanë publikua shumë gazeta ndërkombëtare si “Zani i Amerikës”, BBC-ja e Londrës dhe shumë të tjera[4]. Pas këtij lajmi bota ka ngel e habitur.

Edhe pse dihej se të gjitha akuzat që janë ngritur për të arrestuarit janë falsë dhe nuk janë të vërteta, por qëllimi është që tek shqiptarët të futet frika dhe të krijohet panik.

 

Numër marramendës i të dënuarve

 

 Sipas lajmeve të fundit që vijnë nga Kosova, Lidhja Kosovare informon se deri më tani ishin arrestua mbi 400 veta nga të cilët ishin edhe 30 vajza. Të arrestuarit janë studentë të Universitetit të Prishtinës, por ka edhe nga radhët e nxënësve të shkollave të mesme në qytet.

Si shkak për këto arrestime autoritetet kanë sjell të dhënën e organizimit të një proteste që studentët shqiptarë i paskan drejtua  qeverisë se nuk e paskan ndihmua  aq sa duhej popullsinë e Kosovës pas dëmeve të mëdha që i paska pas bërë bujqësisë vërshimet e mëdha që paskan ndodhë në Kosovë. Me këtë rast studentët kanë thënë se shteti republikës së Maqedonisë i paska ndihmua tri herë radhazi më shumë se Kosovës[5].

Është evidentua edhe një metodë tjetër e presionit, që ndikon hapur tek shqiptarët duke shfrytëzuar serbët e maqedonët që jeton në Kosovë që të bëjnë presion sa më shumë ndaj shqiptarëve dhe ndaj atyre shteti nuk merr kurrfarë masash ndëshkuese. 

 

Jehona e arrestimeve të shqiptarëve në botë

 

Arrestime që ndodhën në Kosovë dhe sjellja e egër e organeve shtetërore që kishin përdorur ndaj 400 shqiptarëve të arrestuar në Jugosllavi, kishte zgjua peshë ndërgjegjen e shqiptarëve. Ata kudo që ndodheshin me anë të telegrameve, protestave e memorandumeve të ndryshme kishin reaguar në zyra dhe organizata ndërkombëtare në Amerikë, Evropë, Australi, për të ndikua tek opinioni botëror për shtypjen e madhe që po bëhej ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Komiteti Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë” kishte protestua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Organizatën Amnesty Intrenational dhe në organizata të tjera që mbronin të Drejtat e Njeriut.

Veç këtyre reagimeve, Lidhja Kosovare, i kishte dërgua një memorandum Seksionit të të Drejtave të Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara, në Gjenevë të Zvicrës, duke kërkua ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu edhe Rinia Kosovare në Botën e Lirë e kishte dërgua protesta Seksionit të të drejtave të Njeriut të KB si dhe Organizatës Amnesty International.

Është e pa justifikueshme, se si Jugosllavia një shtet në zemër të Evropës bënë këso veprash kriminale e terroriste duke i arrestuar e dënuar shqiptarët pa pikën e fajit, ndërsa para botës bënë tjetër politik[6], thuhej në memorandumin e rinisë kosovare.

 

Përkujtohen dëshmorët shqiptar nga Maqedonia

 

Mërgimtarët tanë edhe pse ishin të shpërndarë në katër cepat e botës, megjithatë ata asnjëherë nuk lejonin që të harrohen figurat më të ndritura të kombit. Më 30 mars të vitit 1980, në hotelin Aurora të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lidhja Kosovare kishte përkujtua me nderim dhe dinjitet dëshmorët e lirisë, të cilët kishin dhënë jetën duke luftua në Maqedoni kundër bandave e komunistëve serb dhe maqedonas, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj.

Në këtë akademi përkujtimore kishin qenë të ftuar shumë atdhetar shqiptarë të ardhur nga shumë vende të botës. Akademinë e kishte udhëhequr Zotri Hafëz Isuf Azemi, anëtar i Komitetit Qendror i Lidhjes Kosovare. Lutjen fetare e kishte mbajtur imami i Xhamisë së Chikagos, Profesor Hysni Hoxha. Ndërsa me diskutime u paraqitën edhe Z. Gazmend Lloshi, Bardhyl Shatku, Sami Prespa dhe Ajet Rushiti[7], anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare.

 

Shtypi i huaj për arrestimet e shqiptarëve në Kosovë

 

Për arrestime e shqiptarëve në Jugosllavi kishte njoftua i tërë shtypi dhe radiot ndërkombëtare. Por rëndësi të veçantë i kishte kushtua gazeta e rëndësishme amerikane “The Washington Post”, me 1 prill 1980. Artikullin e kishte shkrua gazetari i njohur Michael Dobbs. I cili ndër të tjera kishte shkrua se : Jugosllavia po bënë gati një gjyq politik me rëndësi kundër 50 shqiptarëve, gjoja se kanë marr pjesë në një lëvizje për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Këtë gjyq që do të fillojë brenda dy javësh, e kishte përmendur dje në faqet e saja për herë të parë gazeta beogradase “Politika”, mbase disa muajsh që pëshpëritej se kishte një lëvizje nacionaliste në Kosovë, e cila është një krahinë kryesisht e banuar me shqiptarë. Zaten edhe shkak i vizitës së papritur të kryetarit  Tito në tetorin e vitit 1979 ishin po këto turbullira.

Koha e caktuar nga gjykatësit për të mbajtur këtë proces gjyqësor është i rëndësishëm  për shkak se këtyre vjetëve të fundit, dëshmon se zyrtarët e kanë vendosur që të mos lejojnë  të ngrinin krye  mbas vdekjes së Titos as një ndjenjë kombëtare, që sjell ndarje në Jugosllavi. Sado që kalimi për në kohën mbas Titos duket se po shkon me të butë, udhëheqësit jugosllav e dinë mirë se, në kohën e ardhshme, bashkimi i vendit mund të kërcënohej jo vetëm nga bashkimi Sovjetik por edhe nga mosmarrëveshjet e brendshme[8].

Pastaj vazhdon gazetari se Kosova , është një vend që është në kufi me Shqipërinë dhe ka një popullsi shqiptare të madhe. Është një krahinë e pazhvilluar dhe prej kohësh dihej se është rrathët më të dobët të federatës jugosllave me shumë kombësi. Në këtë krahinë ndodhën turbullira të furishme më 1968, dhe katër vjet më parë 31 anëtarë të Ballit Shqiptar të Çlirimit Kombëtar u dënuan  deri më 15 vjet burg të rëndë[9]

Ndërsa gazeta “Politika” kishte shkrua se 50 shqiptarë, nga të cilët 19 janë nacionalist të dënuar më parë, paditën se kanë organizua “veprimtari kundër shtetit”, në tërë krahinën. Ajo shkruan se të arrestuarit kanë shpërndarë trakte kundër qeverisë, kishin përhapur lajme të rreme për Jugosllavinë dhe kanë përhapur “pikëpamje irredentiste”,  çka del nga e tërë kjo se ata kanë kërkua që Kosova të ndahej nga Jugosllavia dhe të bashkohej me Shqipërinë[10], thuhej në shkrimin e “Politikës”.

 

PREZANTIMI I PROCESEVE GJYQËSORE NDAJ SHQIPTARËVE NË FAQET E SHTYPIT TË LIDHJES KOSOVARE

 

Në rubrikën “Lajmet nga Kosova e robëruar”, gazeta “Qindresa Shqiptare”, në numrin e 113, të vitit 1980, shkruan gjerësisht për arrestimin e 9 shqiptarëve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Në shkrimin “Dënohen 9 shqiptarë nga gjyqi i Prishtinës”, thuhej se gjyqi i madh kundër 50 shqiptarëve, sikurse qe lajmëruar nga Beogradi në fund të marsit (1980), filloi në Kosovë. Sipas gazetës “Rilindja”, më 10 të qershorit, 1980, në Prishtinë u gjykuan anëtarët e grupit të parë dhe u dënuan 9 veta, më 9 qershor, me burg të rëndë:

1.       Shefqet Jashari, 36 vjeç, përkthyes, Vushtrri, me 8 vjet burg

2.      Ramadan Pllana, 33 vjeç, student, Vushtrri, 7 vjet burg të rëndë

3.      Avdi Kelmendi, 29 vjeç, shef reparti në fabrikën MINEX, Ferizaj, 5 vjet burg të rëndë.

4.      Avdyl Lahu, 36 vjeç, nëpunës, Prishtinë, me 4 vjet burg të rëndë

5.      Isa demaj, 34 vjeç, profesor, SH.M.M. Prishtinë, me 4 vjet burg

6.      Sylejman Qyqalla, 26 vjeç, nëpunës,  3 vjet burg të rëndë

7.      Hysen Gërvalla, 39 vjeç, bujk, Deçan, me 3 vjet burg të rëndë.

8.      Skënder Jashari, 26 vjeç, 3 vjet burg të rëndë

9.      Ismet Rama,  me 3 vjet burg të rëndë[11]

Nga këta të dënuar: Shefqet Jashari dhe Avdyl Lahu edhe më herët kishin qenë të dënuar politik.

            Të gjithë të akuzuarit ishin paditur se kishin qenë “kundër sistemit socialist të Jugosllavisë”. Ndërsa e vërteta ishte se shqiptarët e dënuar kishin kërkua vetëm barazim të drejtash politike, ekonomike dhe kulturore sikurse të gjitha kombësitë e tjera në Jugosllavi. Sepse regjimi i Beogradit i ka trajtuar gjithnjë shqiptarët si një popullsi të robëruar, dhe nuk i ka njohur asnjë të drejtë themelore që i jepte Kushtetuta Federale e Jugosllavisë.

 

            Shqiptarët dënohen edhe në Gjykatën e Qarkut në Shkup

 

            Shqiptarët dënoheshin gjithandej Jugosllavisë. Edhe në qytetin e Shkupit, kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë, në Gjykatën e Qarkut u organizua një proces gjyqësor. Me 9 korrik, 1980, Radio e Beogradit lajmëronte se edhe në gjykatën e Shkupit u mbajt procesi gjyqësor ku u shqiptuan dënimet për 4 shqiptarë.

            Të akuzuarve dënimet iu shqiptuan me 8 korrik, 1980. Të dënuarit ishin:

1.       Gani Sylaj, profesor, i dënuar me 6 vjet burg të rëndë

2.      Muharrem Shaljani, avokat, me 3 vjet burg të rëndë

3.      Zonjusha Hatixhe Maliqi, studente, me 3 vjet burg të rëndë

4.      Hasan Bekteshi, student i mjekësisë, me 2 vjet burg të rëndë.

Të gjithë këta të burgosur pasi iu shqiptua dënimi, u dërguan në burgun e tmerrshëm të Idrizovës[12], në afërsi të Shkupit.

 

Lajme të tjera tronditëse nga trojet e okupuara shqiptare në Jugosllavi

 

Gazeta “Qindresa Shqiptare” lajmëron opinionin e gjerë se një valë e re arrestimesh ka fillua kundër shqiptarëve në Kosovë. Dy studentë nga fshati Lipkovë i Maqedonisë, ka muaj që ndodhen në burg dhe mbahen të veçuar, çka është më e keqja ata nuk mundet ti vizitojë askush në burg ngase nuk munden me fitua lejen e duhur nga organet e burgut.

Po ashtu, në Tetovë, 5 intelektual shqiptar janë arrestuar që nga qershori dhe 9 intelektual të tjerë janë arrestuar në Prishtinë. Të gjithë këta mbahen në burg pa u nxjerr para gjyqit, duke i mbajtur të izoluar dhe i torturojnë vazhdimisht. Askush nuk ka të drejtë ti takojë në burg. Në mesin e të dënuarve është edhe avokati Muharrem Shala[13].

Ndërsa presioni ndaj punëtorëve shqiptar që janë të punësuar jashtë atdheut, kur shkojnë në pushime në shtëpitë e tyre, shpesh thirren në hetuesi në organet policore, dhe shpesh ndodhë që atyre edhe t’iu konfiskohet pasaporta dhe kështu nuk munden të kthehen në vendet e tyre të punës.

Popullsia shqiptare e Jugosllavisë është gjithnjë e shtypur dhe jeton në një trysni të paparë si politike, ekonomike e kulturore. Dihej se Kosova është pjesa më e prapambetur në Jugosllavi, papunësia është tepër e lart, varfëri ekonomike dhe mungesa e veglave dhe e orendive shkollore është bërë një fushë e lirë për shfrytëzuesit sllav, për policinë dhe spiunët që në mënyrë të lirë bëjnë çfarë të donë dhe nuk i japin askujt llogari.

 



[1] Vdekja e Mareshalit Tito, Qindresa Shqiptare, nr. 112, f. 10. Paris 1980.

[2] Po aty, f. 11.

[3] UDB-a vërsulej egër kundër shqiptarëve, Qindresa Shqiptare, nr. 112, f. 11. Paris, 1980.

[4] Beligradi ka përgaditë një gjyqë të madh kundër shqiptarëve, Qindresa Shqiptare, nr. 112, f. 11, Paris, 1980.

[5] Janë arrestua 400 stdentë, nga të cilët janë 30 vajza, Qindresa Shqiptare, nr,, 112, f.12. Paris, 1980.

[6] Shtypja e madhe e shqiptarëve në Jugosllavi I ka tronditur të gjithë shqiptarët në botë, Qindresa Shqiptare, nr. 112, f. 12. Paris, 1980.

[7] Lidhja Kosovare përkujton dëshmorët e Krahinës shqiptare të Maqedonisë, Qindresa Shqiptare, nr. 112, f. 13, Paris, 1980.

[8] Fletorja THE WASHINGTON POST shkruan për gjyqin e 50 shqiptarëve në Jugosllavi, Qindresa Shqiptare, nr,112, f. 14. Paris, 1980.

[9] THE WASHINGTON POST, 1 prill, 1980.

[10] Gazeta “Politika”, prill, 1980.

[11] Rilindja , 10 qershor, 1980; Dënohen 9 shqiptarë nga gjyqi I Prishtinës, Qindresa Shqiptare, nr. 113, f. 6, Paris 1980..

[12] Shqiptarë të tjerë dënohen në Shkup, Qindresa Shqiptare, nr. 113, f. 7. Paris, 1980.

[13] Lajme të tjera tronditëse, Qindresa Shqiptare, nr. 113, f. 7. Paris, 1980.