E enjte, 25.04.2024, 01:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Mbi poezinë

E diele, 03.04.2011, 07:57 PM


DANIEL GÀZULLI

 

MBI POEZINË

 

 - Reflektime nga krijimtaria e një gjimnazisteje –

 

Asht e kotë të përpiqesh me ba përcaktimin e poezisë. E kanë provue sa e sa të tjerë ndër shekuj dhe asnjeni prej përcaktimeve nuk i ka rezistue kohës. E megjithate edhe unë po provoj: “Poezia asht përjetim ndjesor i asaj që na rrethon shprehë me mjete gjuhësore të figurëshme”.

        Po përpiqem të shpjegohem.

        Le të marrim vargun “e fjalët do t’i them pa i kafshue”. Thanja e figurëshme “pa i kafshue” asht vetë poezia. Ajo nuk mund të zevendësohet nga “Unë do të flas haptë, pa ngurrue, pa frikë” – këtu nuk ka poezi, asht thjeshtë një deklaratë. Pikërisht te shprehja e figurëshme „pa i kafshue“ qëndron poezia.

        Që poezia të ngrihet në nivelin a veprës artistike, asht e domosdoshme të përcaktohet raporti poet – poezi. Ç’ do të thotë kjo? Poeti nuk mund të jetë mbrenda poezisë, ose, edhe ma keq, poezia nuk mund të jetë një çimçakez që ta mllaçisë në mërzinë e tij, qaramanllekun e tij. Poezia, edhe kur shpreh fakte tragjike, nuk mund të jetë kurrë qaramane. Pra, poeti e poezia nuk mund të jenë kurrë në të njejtin rrafsh.

        Tek poezia “Të paktën unë vuej” nuk ka absolutisht dobësi, përkundrazi, aty shprehet raporti poet – realitet vulgar, në mes mediokres dhe mendimit të lirë. Vargu “të paktën unë vuej” asht sa i fuqishëm, aq edhe i pamëshirshëm. Vuen kush zotnon dy elementë: ndjenjën dhe arsyetimin. Ata, primitivët, përballë artistit, ose nuk i kanë këto dy elementë, ose i kanë të atrofizuem, pra në minimumin e qenjes sociale, po jo asaj intelektuale.

        Vargu i mirëfilltë poetik mund të lindë spontanisht, ashtu si edhe mund e duhet të rikërkohet njëmijë herë. Arti kërkon edukatën e punës vetëshkatërruese, të të qenunit i pamëshirshëm ndaj asaj që vetë ke krijue, por që nuk asht kurrë e përsosun.

        Rreziku ma i madh që kërcënon poezinë janë vargjet deklarative. Ata mund të jenë të çiltëra, njerëzore etj., por poezi nuk janë.

        Një tjetër rrezik për t’u shmangë asht ai i përsëritjes së temës a i figurës artisitike. Arti asht i tillë pse asht i papërsëritshëm, asht krijim i parë në çdo qelizë të tij.

        Shpesh herë poezia ngjet me kangën e mjellmës. E gabimisht ka një mendim se kjo asht në vetë natyren e poezisë. Simbas meje, ky asht një konceptim krejt i gabuem i artit. Poeti nuk ka të drejtë t’i këndojë vdekjes, dëshprimit, mosbesimit, urrejtjes, etj., etj. Artisti duhet të dalë gjithmonë mbi individin qytetar, mbi faktet, qofshin ata edhe tragjike të të përditëshmes, me forcën mbinjerëzore të artit. Atë që asht në gjendje ta përballojë artisti në subkoshiencën e tij, njeriu i zakonshëm nuk asht në gjendje as ta imagjinojë. Kjo nuk do të thotë aspak se poezia duhet të jetë entuziaste, optimiste etj., përkundrazi, por njëherësh, ajo nuk mund të jetë shprehje e dorëzimit personal ndaj të përditëshmes. Sado e randësishme të jetë për njeriun e thjeshtë e përditëshmja, ajo nuk duhet të mbizotnojë artin dhe artistin. Nuk duhet të ngatrrojmë dhimbjen, vuejtjen fisnike me qaramanllekun. Qamja nuk i përket artistëve.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora