E shtune, 20.04.2024, 01:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Në parlament me zërin e “Ritmit të rrugës”

E shtune, 26.01.2008, 03:45 PM


Memli është një nga politikanët e rinj të Kosovës. Një nga ata djemtë që zërin ia njohin nga këngët rrep e që tashmë ia kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar në Kuvendin e tyre. Për gjithçka ka gjetur kohën të tregojë në intervistën për revistën JETA: që nga familja, arsimi, punët e nisura që në gjimnaz, e deri te fejesa me të dashurën

Arta Çano - Jeta

Memli Krasniqi
Grupi kosovar “Ritmi i rrugës” jo vetëm këndon rrep, por të sjell në mendje deri dhe origjinën e rrymës muzikore hip-hop, nga lagjet e varfra të zezakëve amerikanë, që për të protestuar kishin shumë. Është  po ajo dëshirë për të zbrazur mllefin e grumbulluar të shqiptarëve. Sot, kur Memli Krasniqi, një nga ata dy djemtë që këndojnë nën ritmin e rrugës, është pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës, duket se çdo gjë ishte pjesë e së tërës. Një e tërë fare e zakontë, një fije kashte për stereotipat që kërkojnë të mbështeten, por ama të mjafton të mësosh ca për të riun, curriculum-i i jetës së të cilit të bën të ngjajë ajo data e lindjes 25. 01. 1980, çuditërisht e largët dhe parehatitë fillojnë ta braktisin perceptimin: Duket si një angazhim i nisur me muzikë e i vazhduar në formën serioze të politikës.

Ndoshta dhe aq e programuar jeta e 27-vjeçarit nuk ka qenë që në fillim, sepse ishte vetëm 15 vjeç kur nisi të këndojë, por ama sot, pas 3 vitesh nga dita që është “kyçur” (si thonë kosovarët) aktivisht në Partinë Demokratike të Kosovës, të gjitha janë në vendin e tyre: Memli ka mbaruar studimet për Shkenca politike në Prishtinë, qytetin e tij të lindjes në vitin 2005, ka mbrojtur Magjistraturën për Marrëdhënie Ndërkombëtare një vit më pas në Londër dhe gjatë këtyre tre viteve ka mbajtur vende drejtuese në disa struktura të PDK-së. Në tetor të vitit 2006 është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës, që përfaqëson të gjithë anëtarët e saj ndërmjet moshave 16 - 30 vjeç. Nga ky pozicion, Memli është edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së. Nuk ishte çështje fati pra, emri i tij në listën e PDK-së para zgjedhjeve, edhe pse numri ishte 31.

Megjithatë, as fati nuk i ka munguar. Këtë vit është fejuar e po bashkëjeton. Vetëm që bashkë nuk munden të rrinë shumë kohë. Memli është i humbur në punë. Pak a shumë si ka qenë gjithmonë që nga koha e gjimnazit. Sepse veçse këndonte dhe shkruante tekste, Memli në vitin 1999-2000 ka punuar si gazetar/korrespodent nga Kosova për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, një vit më parë ka nisur të japë leksione të  “Historisë së Civilizimit Perëndimor”, në një kolegj universitar të Kosovës. Por kurrë nuk ka pasur kaq përgjegjësi. Ai ka marrë përsipër të dëgjohet zëri i të rinjve në Kuvendin e Kosovës, një zë që e ka sjellë edhe me këngët e tij, nga të cilat ende s’ka hequr dorë. Vitin e ardhshëm do nxjerrin albumin e katërt, që vjen pas “Bota është e Jona” (2000), “Obsesion” (2002), “Përjetësisht” (2004).

Kur ishe i vogël e mendoje veten artist apo politikan?

Që nga fëmijëria kam qenë shumë i dhënë pas muzikës dhe ëndrra ime e hershme ka qenë që të merrem me muzikë. Megjithatë, për shkak të rrethanave në Kosovë, gjatë kohës së okupimit nga Serbia, ne të gjithë kemi qenë mjaft të politizuar dhe politika ka qenë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë, kështu që ka ndikuar edhe jetën time shumë herët si fëmijë. Kjo dhe fakti që babai im ka qenë i përfshirë në proceset politike në Kosovë që nga fundi i viteve ’80 besoj se kanë bërë që unë të interesohem për politikën edhe më shumë dhe ta zgjedh edhe si profesion të mëvonshëm.

Sot si e quan veten?

Të dyja, edhe pse dy vitet e fundit kam qenë dukshëm më shumë i angazhuar në politikë se në muzikë.

Ç’është muzika për ty? Po politika?

Të dyja janë shumë të rëndësishme për mua. Në fakt muzika, dhe konkretisht muzika rrep, për mua gjithmonë ka qenë një formë e politikës sime, sepse përmes saj jam munduar që të përçoj idetë, bindjet dhe mesazhet e mia për të gjitha problemet sociale, politike dhe të tjera me të cilat ne jemi ballafaquar në atë kohë.

Po emri yt ka një kuptim?

Emri im është marrë nga romani “Gremina e Dashunisë” i Mustafa Greblleshit dhe deri tash nuk e di nëse ka ndonjë kuptim ose është një sajim i autorit.

Mbiemri yt është mjaft i përhapur. A ke lidhje gjaku me të tjerë të njohur me mbiemrin Krasniqi?

Është e vërtetë së mbiemri Krasniqi është ndër dy-tre mbiemrat më të përhapur shqiptarë. Persona të tjerë të njohur me këtë mbiemër janë edhe anëtarët e familjes sime të ngushtë: babai Milazimi është shkrimtar dhe profesor, motra e madhe Teuta është aktore dhe motra e vogël Bubulina është këngëtare.

Sa e vështirë është të jesh bërë i njohur në një fushë arti e pastaj të kërkosh të hysh në një fushë superserioze si politika?

Për mua s’ka qenë shumë e vështirë, sepse edhe krijimtaria jonë muzikore ka ruajtur gjithmonë nivelin e seriozitetit dhe origjinalitetit. Fakti që tekstet e këngëve tona zakonisht kanë trajtuar tema të ndërlidhura me politikën e ka bërë mjaft të natyrshme hyrjen time në politikë edhe për opinionin.

Ke ndjerë paragjykime?

Në fillim edhe mund të ketë pasur paragjykime, por paragjykime ka edhe për shumë të tjerë. E rëndësishme është që me punë ose mospunë njeriu e dëshmon aftësinë ose paaftësinë e tij.

Mendon se njerëzit të kanë votuar se të pëlqejnë si këngëtar? Shpreson ta shfrytëzosh këtë të paktën për votuesit e rinj?

Besoj se mjaft të rinj më kanë votuar edhe për shkak se më kanë pëlqyer si këngëtar. Unë kam kërkuar mbi të gjitha mbështetjen e grupmoshave të reja, në mënyrë që të bëhem përfaqësues i vërtetë i të rinjve në Kuvendin e Kosovës.

Ndoshta moshat  më të rritura nuk kanë besim te një djalë i ri që këndon e i kthehet politikës?

Në fakt, tani e di që edhe shumë njerëz më të vjetër më kanë votuar, sepse unë kam bërë ca vite në politikë dhe ata kanë pasur rastin që të vlerësojnë angazhimet e mia tashmë.

Do vazhdosh të këndosh edhe tani?

Unë s’jam larguar përgjithmonë nga muzika. Fakti që dinamika e madhe e angazhimeve në PDK ka ndikuar që ta lë pak anash muzikën, nuk do të thotë që unë s’merrem ende me muzikë. Në fakt, gjatë vitit të ardhshëm “Ritmi i Rrugës” do të dalë me një album të ri.

Me cilat veshje ndihesh më rehat, me ato zyrtare apo të një rrepisti?

Unë edhe më parë s’kam veshur veshje të dallueshme prej rrepisti, kështu që nuk kam përjetuar ndonjë transformim të madh në gardërobë. Edhe tani veshja ime nuk është krejtësisht zyrtare.

Të vjen keq për bishtin e prerë të flokëve?

Flokët i preva gjatë kohës kur po studioja në Londër për Magjistraturën. Kishte shumë kohë që po mendoja t’i shkurtoja flokët dhe më në fund e bëra. Edhe pse bishti i flokëve ka qenë pothuaj pjesë e lindur e imja, tash ndihem shumë rehat me flokë të shkurtër.

Mendon ndonjëherë se kështu po rritesh shpejt?

Të gjithë njerëzit në Kosovë rriten shpejt. Gjenerata ime ka përjetuar një fëmijëri të rëndë dhe jeta na ka imponuar një maturim dhe rritje më të shpejtë. Të gjitha ato gjëra që i kemi kaluar, i kanë përjetuar pak moshatarë tanët nëpër botë.

Në të vërtetë si karakter je një nga ata që merr përsipër detyrime e angazhime?

Që nga fëmijëria kam qenë karakter që ka kërkuar angazhime dhe përgjegjësi. Gjatë gjithë këtyre viteve unë kam bërë së paku dy punë në të njëjtën kohë dhe nuk e kam problem të punoj edhe nga 14-15 orë në ditë për javë të tëra.

Vëllai i madh i familjes?

Jam vëllai i madh i dy motrave.

Si e ka pritur anëtari tjetër i grupit, Arbëri, këtë angazhim?

Unë dhe Arbëri jemi shokë fëmijërie dhe muzika nuk është gjëja kryesore që na lidh. Ai e ka mbështetur angazhimin tim që nga fillimi, ashtu siç e kam mbështetur unë atë në angazhimet e tij.

Të duket se po tradhton një pjesë të vetes për hir të një tjetre?

Nuk do e quaja tradhti, por shumë herë më vjen keq që nuk kam më shumë kohë për t’i kushtuar muzikës, meqë është pjesë e rëndësishme e vetes sime.

E ke një të dashur ose të fejuar? Cili është roli i njeriut të zemrës në angazhimet e një të riu shumë të përfshirë?

Jam fejuar këtë vit dhe jetoj me të fejuarën. Jam shumë i lumtur me të dhe ajo më ka përkrahur shumë gjatë gjithë rrugëtimit tim në politikë. Në këtë profesion është shumë e rëndësishme që njeriu i zemrës të ketë mirëkuptim, sepse puna është me strese dhe pa orar të prerë.

Mendon se do ta gjesh kohën për gjithçka?

Shpresoj se po, edhe pse nuk është lehtë. Tani në Kuvendin e ri dhe në Qeverinë e re na presin shumë punë, sepse jemi në një moment historik për Kosovën, kështu që angazhimi im parësor do jetë në politikë. Në anën tjetër, jam shumë i interesuar që të filloj studimet e doktoraturës sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjithsesi, edhe muzikën nuk do e harroj dhe vitin që vjen do nxjerrim një album me këngë të reja.

Si është koha e lirë?

Sinqerisht, nuk kam pothuaj fare kohë të lirë. Megjithatë, gjej ndonjë moment që të lexoj ndonjë libër nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe aktualiteteve politike.

Mund të quheni një njeri që ka plane konkrete për atë që do të bëjë në të ardhmen?

Angazhimi im primar deri tash ka qenë që të punoj për fitoren e PDK-së dhe tani që kryeministër i Kosovës do të jetë kryetari i saj Hashim Thaçi, unë do jem në dispozicion të tij për të punuar për të mirën e vendit aty ku të jetë nevoja. I pëlqej sfidat dhe jam i gatshëm për çfarëdo që më pret në të ardhmen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora