E enjte, 25.04.2024, 06:52 AM (GMT+1)

Mendime

Xhavit Haliti: Administrimi i pavaresise se Kosoves

E shtune, 26.01.2008, 03:26 PM


Administrimi i pavaresise se Kosoves

Nga Xhavit Haliti

Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që tashmë është tepër e afërt, vazhdojnë të jenë prezente dy opsionet kundërvënëse të politikës ndërkombëtare në miratim ose për mosmiratim të saj. Diferenca dhe kundërshtia mes këtyre opsioneve mori rrugë pas kërcënimit rus për vendosjen e vetos në Këshillin e Sigurimit gjatë diskutimit të Planit "Ahtisari". Për të shmangur kërcënimin e Rusisë për vendosjen e vetos në Këshillin e Sigurimit, që do të shënonte fundin e trajtimit të Kosovës si objekt dhe subjekt nën vëmendjen dhe kujdesin e OKB-së, u miratua dhe u zhvillua ndërmjetësimi 120-ditor i Treshes ndërkombëtare mes Prishtinës dhe Beogradit për gjetjen e një kompromisi mes tyre. Edhe në përfundim të këtij ndërmjetësimi të pasuksesshëm, faktori politik ndërkombëtar mbeti dukshëm i ndarë në dy opsione të kundërta.

Opsioni sundues në shumicën dërrmuese të Këshillit të Sigurimit, që mbështetet nga SHBA-ja dhe me ndonjë përjashtim nga BE-ja, por edhe nga shumica e bashkësisë shtetërore ndërkombëtare, e konsideron shpalljen dhe njohjen ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës në përputhje me Planin "Ahtisari", si kusht, faktor dhe garanci stabiliteti në pjesën perëndimore të Ballkanit.

Opsioni që e konsideron njohjen ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës si një "kazus beli" (shkak lufte) në rajon (në Ballkanin Perëndimor), si mundësi destabiliteti në Evropë, por edhe më gjerë, i iniciuar nga Rusia dhe i përqafuar fort nga Serbia zyrtare, nuk është pa ndikim në bashkësinë shtetërore ndërkombëtare. Secili nga këto opsione buron e mbështetet në argumente që konkurrojnë mes tyre në planet formale.

Mbaroi, siç pritej, mbledhja e 16 janarit të Këshillit të Sigurimit për statusin e Kosovës. Në këtë institucion u dëgjuan dhe u vlerësuan Raporti i Kryeadministratorit të UNMIK-ut, Ryker, deklarimet e Presidentit të Serbisë, Tadiç dhe të Kryeministrit aktual të Kosovës, Thaçi. Nga e gjithë kjo u arrit ajo që pritej: Pavarësia e Kosovës nuk mund të marrë miratimin unanim të Këshillit të Sigurimit. Ky përfundim, i paralajmëruar nga media ndërkombëtare, por edhe nga përdorimi kundër i vetos së Rusisë, u vërtetua. Njohja ndërkombëtare e statusit të Kosovës, në përputhje me zbatimin e planit "Ahtisari", nuk mund të bëhet më përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë përfundim nuk arritëm vetëm ne, kosovarët, por edhe politologët më në zë ndërkombëtarë. Ecja e opinionit tonë në të njëjtën shinë me politologët dhe opinionin ndërkombëtar për çështjen e njohjes së statusit të Kosovës jashtë kuadrit të Këshillit të Sigurimit mbështetet në të njëjtat premisa, buron nga kundërvënia e dy opsioneve ndërkombëtare të shpallura dhe të papajtueshme mes tyre. Duke qenë ende objekt, por jo subjekt i bashkësisë politike ndërkombëtare, Kosova pret të përballet me dy dukuri tepër të përgjegjshme dhe të pashlyeshme për historinë e vet:

- Me shpalljen e afërt të pavarësisë dhe me gjetjen e shprehjes adekuate, të datës së shpalljes së këtij akti në përshtatshmëri me aspiratën shekullore të shqiptarëve etnikë të Kosovës dhe të pranueshme në situatën aktuale nga bashkësia shtetërore ndërkombëtare, nga OKB dhe BE.

- Me administrimin luajal, demokratik, të duruar dhe të mençur të aktit të shpalljes së pavarësisë ndaj pakënaqësive dhe reagimeve mosmiratuese të minoritetit serb në Kosovë dhe ndaj kërcënimeve e provokimeve legale e ilegale të Serbisë për të destabilizuar e delegjitimuar shtetin e ri të Kosovës.

Shpallja e pavarësisë është një akt madhor që do të zërë vend në historinë e Kosovës. Pozitiviteti i këtij akti kushtëzohet drejtpërsëdrejti nga deklaratat për pavarësinë, nga mirëkuptimi apo keqkuptimi i tyre nga bashkësia e shteteve ndërkombëtare dhe nga mbështetja vepruese e politikës dhe e popullit shqiptar të Kosovës, menjëherë pas deklarimit të pavarësisë.

Nuk mendoj se ka shumë rëndësi dita apo data kur Kosova do të shpallë pavarësinë. Kanë më shumë rëndësi fjalët e Deklaratës së Pavarësisë dhe "protokolli" i deklarimit të saj. E kam të vështirë të jem i qartë për këtë të fundit, sepse mund të kem qenë i pranishëm në zbatimin e përpiktë të protokollit në ngjarje të rëndësishme nga shtete sovrane. Por do të dëshiroja që në aktin më të madh historik të Kosovës të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë shtetërorë nga aleatët tanë të mëdhenj; nga SHBA-ja dhe BE-ja. Shpallja e pavarësisë duhet të pritet e të përjetohet në mënyrën më festive, siç e meriton e siç i takon nga të gjitha forcat politike dhe gjithë shqiptarët e Kosovës.

Akti i Pavarësisë përshfaq në vetvete një moment, që mbijeton apo vdes në varësi të procesit pasues. Strukturat tona shtetërore, të krijuara në mënyrë demokratike e të njohura ndërkombëtarisht si demokratike, janë të disponuara dhe të angazhuara të respektojnë e të mbrojnë të drejtat e minoriteteve e në radhë të parë të drejtat e minoritetit serb në standardet më të përparuara demokratike ndërkombëtare për minoritetet. Pavarësia e Kosovës është e afërt dhe e pashmangshme. Konfirmimi i saj dhe shndërrimi i shtetit të Kosovës në anëtar të OKB-së, në subjekt ndërkombëtar, lidhet dhe kushtëzohet drejtpërsëdrejti me veprimet ose mosveprimet tona ndaj minoriteteve. Është detyrim ndërkombëtar t‘i respektojmë, por do të ndihem në "mëkat" nëse minoritetet i "përkëdhelim". Ne individët veprojmë, historia na gjykon!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora