E enjte, 28.03.2024, 10:35 AM (GMT)

Shtesë » Historia

“Hebrenjtë dhe shqiptarët u bënë bashkëluftëtarë të fateve të tyre”

E shtune, 26.01.2008, 01:51 PM


Rezarta Gjata - Metropol
 
Organizohet në Berat Konferenca Shkencore me rastin e ditës së përkujtimit të Holokaustit

Është organizuar dje në ambientet e Galerisë së Arteve "Eduart Lear", Konferenca Shkencore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës, (e njohur ndryshe si përkujtimi për Holokaustin). Kjo konferencë kishte në qendër të saj, kontributin unik që Shqipëria dhe populli shqiptar kanë dhënë për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tema e kësaj konference ishte: "Berati për shpëtimin e hebrenjve".

Kjo konferencë u mundësua nën kujdesin e Bashkisë së Beratit, Konsullatës së Nderit të Izraelit në Tiranë dhe Akademisë së Shkencave. Të pranishëm ishin ambasadori amerikan në vendin tonë, John Withers, akademikë, studiues, historianë dhe përfaqësues të disa institucioneve ndërkombëtare me seli në Tiranë.

Konferenca u drejtua nga akademikët, prof. dr. Jorgo Bulo, prof. dr. Aleklandër Meksi dhe prof. dr. Kostas Giakoumis.

Në konferencë u evidentua se, "Shqipëria nuk ka probleme me ndërgjegjjen e vet, për sa i përket Holokaustit. Në Shqipëri nuk ka pasur Shoah, shqiptarët shpëtuan jo hebrenjtë e vet rezident, por ndoshta edhe 3 mijë hebrenj të tjerë të ardhur në Shqipëri prej Evropës Qendrore e Ballkanit, gjatë kryqëzatës naziste".

Kryetari i Bashkisë

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, në fjalën e tij përshëndetëse ka theksuar se, “Kjo konferencë është organizuar në qytetin muze të Beratit, pasi ky qytet është i njohur për kontributin e veçantë për mikpritjen dhe mbrojtjen e hebrenjve.

Nga 2264 hebrenj, tha Nasufi, të strehuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, 600 prej tyre gjetën strehë dhe mbrojte në qytetin e Beratit dhe kjo tregon se populli shqiptar me ketë gjest e shprehu antifashizmin e vet dhe bashkimin e sigurt me aleancën më të përparuar të kohës, jo vetëm me qëndresën ndaj ushtrive të huaja, por edhe me mbrojtjen fisnike të hebrenjve. Shqipëria, tha Nasufi, është vendi i vetëm i përfshirë në luftë, që nuk lejoi të cenohej asnjë hebre që kishte mundur të hynte brenda kufijve të saj historikë dhe populli shqiptar mori në mbrojtje dhe shpëtoi disa mijëra hebrenj që arritën të hyjnë në vendin tonë”.

Ambasadori amerikan

Ambasadori amerikan në vendin tonë, John Withers, duke marrë fjalën është shprehur se, “Është një nder i madh për të që merr pjesë në këtë ditë, të përkujtimit të Holokaustit. Ndoshta nuk ka asgjë më të të rëndësishme, u shpreh Withers, se sa të kujtojmë ato mësime, disa të hidhura, por edhe shumë frymëzuese të atyre viteve të tmerrshme të Holokaustit, pasi në krahasim me hebrenjtë në vendet e tjera që shkuan drejt kampeve të vdekjes, hebrenjtë e vendosur në Shqipëri ishin të vetmit që arritën të mbijetonin. Shqipëria dhe populli shqiptar, tha Withers, konsiderohen nga opinioni botëror si një rast unik në qëndrimin që mbajtën ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit fashist, jo vetëm duke mirëpritur e ruajtur hebrenjtë”.

Ambasadori amerikan e mbylli fjalën e tij duke thënë se, "Bota do të kishte qenë një vend shumë më i mirë, nëse do të kishte vepruar në atë kohë ashtu si veproi Shqipëria".

Ambasadorja izraelite

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Amira Arnon, duke marrë fjalën, citoi disa rreshta nga një poezi kushtuar kësaj dite, në të cilat thuhej, "ata vijnë nga malet,/ ata vijnë nga luginat,/ nga shkretëtirat,/ ata vijnë,/ emra, fytyra, sy/ e qëndrojnë si në paradë/. Trima si luanët,/ të fortë si tigrat,/ të shpejtë si shqiponjat,/ ata kalojnë/ dhe unë i shikoj/ të gjithë të lumtur.../ Kështu qëndrojnë ata,/ e drejta në fytyrat e tyre/ e vetëm zoti kalon/ midis tyre e me lot në sy/ i puth plagët, /duke thënë,/ ‘këta janë djemtë e mi’/”.

“Duke thënë këto reshta, vijoi Arnon, mendoj për ata shqiptarë trima që vunë në rrezik jetën e tyre, të familjeve të tyre, duke shpëtuar hebrenjtë nga fati i tyre tragjik. Nga miliona hebrenj që qëndruan në Evropë, u shpreh ajo, vetëm një përqindje shumë e vogël arriti që t’i shpëtonte makinës naziste të luftës, nga e cila 6 milionë hebrenj, përfshirë një milion e gjysmë fëmijë u vranë në mënyrë sistematike në geto, kampe përqendrimi dhe dhomat e gazit. Bota për hebrenjtë ishte ndarë në vende ku ata nuk mund të hynin dhe ku ata nuk mund të jetonin dhe Shqipëria, tha Arnon, u shfaq një prej vendeve të pakta që iu erdhi në mbrojtje hebrenjve”.

Ambasadorja Izraelite në Tiranë e mbylli fjalën e saj, duke thënë se, “Hebrenjtë dhe shqiptarët u bënë bashkëluftëtarë të fateve të tyre duke luftuar së bashku dhe për këtë ky shtet meriton vlerësim maksimal”.

Propozohet vendosja edhe e një pllakate përkujtimore

Tituj nderi për familjet që strehuan hebrenjtë

Në konferencë, kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, iu shpërndau tituj mirënjohjeje 10 familjeve beratase, që ndihmuan e strehuan hebrenjtë në shtëpitë e tyre, duke i shpëtuar ata nga vdekja gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Bashkia Berat nderon ndihmesën e familjes suaj për strehimin, mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës Antifashiste si dëshmi e traditës shkëlqyer të mikpritjes, humanizmit të popullit shqiptar, si shprehje e rezistencës qytetare ndaj pushtimit të huaj, si shembull paraprirës të idealit të sotëm të botës moderne për të drejtave të njeriut”, thuhej në certifikatat e mirënjohjes.

Konferenca vijoi më pas me leximin e kumtesave të shumta të përgatitura nga studiues e historianë lidhur me aspekte të historisë e jetës së hebrenjve në Shqipëri e në mbarë botën.

Në konferencë u sugjerua se në Berat duhet të vendoset një pllakat memoriale për të përkujtuar këtë humanizëm nga banorët e këtij qyteti madhështor.

Familjet që u nderuan me certifikata

QANI CIVEJA

MEHMET XHEZO

HALIL FRASHRI

XHEVAT GJERGJANI

VEXHI BUHARAJA

SULO DROBONIKU

TAQ SIMSIA

LLAZAR SHOLLA

TOLI DODI

LILO XHIMITIKU

Ardhja e rreth 500 hebrenjve nga Kosova, 100 prej të cilëve u vendosën në Berat.

Musftafa Kruja me Françesko Jakomoni, marrëveshje për të shpëtuar hebrenjtë

Pas fushatës së përndjekjes grupi i parë i hebrenjve prej 100 vetësh të ardhur nga Kosova u vendos në Berat më 5 prill 1942.

Pas konferencës së Vanzes më 20 janar 1942 u vendos që fushata e përndjekjeve shfarosëse kundër hebrenjve të shtrihej në të gjitha vendet e pushtuara nga nazifashistët. Jehona famëkeqe e këtyre vendimeve erdhi edhe në Shqipëri. Edhe këtu dolën urdhra e vendime të vërteta për të nxjerrë nga trojet shqiptare të gjithë hebrenjtë që kishin hyrë me fillimin e luftës nga shtetet fqinje. U dhanë edhe afate.

Rreziku më i madh u krijua për hebrenjtë e Kosovës, me hyrjen e nazistëve në Mitrovicë, të cilët dhanë urdhër që të gjithë hebrenjtë të grumbulloheshin e t’u dorëzoheshin autoriteteve naziste.

Por kjo nuk ndodhi.

Një oficer italian, të cilin më pas e vranë nazistët, informoi autoritetet shqiptare të Prishtinës, ku menjëherë u ngrit një opinion i tërë në mbrojtje të tyre.

Zërat erdhën deri te Kryeministri shqiptar, Mustafa Kruja, i cili shkoi menjëherë te mëkëmbësi i Mbretit të Italisë në Tiranë, Françesko Jakomoni dhe iu lut që të mos i linin të binin në duart e nazistëve. Ai u dha pëlqimin dhe mbi këtë bazë u dha urdhri për të sjellë grupe hebrenjsh të Kosovës në Shqipëri, me fletë shoqërimi.

Grupi i parë prej 100 vetësh erdhi dhe u vendos në Berat, më 5 prill 1942, grupi i dytë në muajin maj prej 195 vetësh u vendos në Kavajë dhe grupi i tretë prej 175 vetësh (gjithsej 500) u vendos në qendrën e përqendrimit në Krujë.

Berati, një strehë e sigurt për hebrenjtë

Dr. Anna Kohen *

NEW YORK

Të dashur vëllezër e motra të qytetit të Beratit!

Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor e qendror!

Të dashur miq!

Qyteti më i moshuar i Arbërisë është shumë i dashur dhe i shtrenjtë për të gjithë shqiptarët. Por Beratin e do dhe e nderon sidomos komuniteti hebraik i Shqipërisë, si dhe hebrenjtë në mbarë botën.

Dëshmi historike provojnë nguljen e hershme në Berat të hebrenjve që merreshin me tregti. Komuniteti hebraik gjeti në Berat një popull të dashur, mikpritës dhe tolerant.

Në vitin 1688 kur Venediku pushtoi Vlorën, hebrenjtë e Vlorës u larguan brenda 24 orësh për të mos rënë në duart e persekutuesve venedikas. Ata gjetën menjëherë strehë dhe shpëtim në Berat.

Porse Berati i Arbërisë do të shkruante faqe të tjera, edhe më të lavdishme, gjatë ditëve të zeza e tragjike të Holokaustit. Dhjetëra familje hebraike, beratase ose jo, erdhën dhe gjetën strehë të sigurt aty.

Një e tillë ishte familja e shoqes time, Johanna Neumann, sot punonjëse në Muzeumin Holokaust në Uashington, e cila aso kohe ishte vetëm një vajzë e mitur.

Të ikur nga Gjermania, familja e Johanës u ndodh në Shqipëri me 7 prill 1939 dhe gjeti strehë për disa muaj në Berat, prej nga u largua vetëm pas bombardimeve ajrore gjatë luftës Italo-Greke.

Në mars të vitit 1944 trupat gjermane në Janinë, me ndihmën e kolaboracionistëve grekë, arrestuan dhe internuan mbi 2500 hebrenj të Janinës, prej të cilëve vetëm një grusht shpëtoi gjallë.

Edhe në Berat, po në mars të vitit 1944, gjermanët u përpoqën për të grumbulluar të gjithë hebrenjtë në sheshin kryesor të qytetit, atje ku disa ditë më parë ishin vrarë 40 ushtarë fashistë. Por sheshi mbeti bosh dhe gjermanët nuk mundën të zënë asnjë hebre, sepse beratasit trima dhe fisnikë nuk e lejuan një gjë të tillë. Dhe kështu filloi terrori.

Rashela, një grua hebraike, u mbyll natë e ditë në shtëpi dhe e kalonte kohën vetëm duke qëndisur. Si një lloj Anne Franku shqiptare, qëndismat e Rashelës janë si një dëshmi, apo ditar i ditëve të shpëtimit të saj në Berat. Por ndryshe nga Anne Franku që vdiq në kampin e përqendrimit në Bergen-Blesen, Rashela jonë shpëtoi.

Rroftë Berati i lashtë, i madh dhe i pavdekshëm!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë populli i Shqipërisë, të cilit i mbetemi përjetë mirënjohës!

* Presidente

Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave Motrat Qiriazi, Nju Jork

Shoqata Shqiptaro-Izraelite e Nju Jorkut

24 janar 2008

Të dhëna

200 - Është numri i hebrenjve me shtetësi shqiptare të regjistruar në vitet 1929-1931, regjistrim zyrtar, i pari dhe i fundmi që u lejonte qytetarëve të deklaronin lirisht besimin. E njëjta shifër përmendet edhe në librin “Raca shqiptare” të Jakov Milajt, botim i “Ismail Mal’Osmani - botonjës”, Tiranë 1944.

200 - Është numri i hebrenjve që, sipas vendimit të Konferencës së Wannsee-së (1942), që u përgatit dhe u zhvillua prej personaliteteve më të lartë të Reich-ut, gjendeshin në Shqipëri dhe që duhej t’i nënshtroheshin formulës së Hitlerit “final solution” - zhdukjes rrënjësore.

192 - Është numri i hebrenjve të Kotorrit që u strehuan në “Shqipërinë e vjetër” në vitin 1941. Transferimi i tyre u bë me lista të rregullta emërore, për secilin, bashkë edhe me gjeneralitetet e tjera. Për vendosjen e tyre në Shqipëri kishin dijeni edhe autoritetet italiane të kohës.

350 - Është numri i hebrenjve të ardhur në Shqipëri nga Dalmacia (mendohet të jenë hebrenjtë e Splitit) në vitin 1942. Ata u vendosën në “fushat e përqendrimit” në zonën e bregdetit, pa lista emërore. Asnjë prej këtyre hebrenjve nuk u identifikua me emrin e vërtetë.

94 - Është numri i hebrenjve kryefamiljarë të ardhur “në Shqipërinë e vjetër” nga Kosova më 1942, kryesisht hebrenj të arratisur nga Serbia dhe Bullgaria për shkak të rrezikut nazist, 87 - Është numri i hebrenjve të ardhur në “Shqipërinë e vjetër” nga Kosova pa familjet e tyre (1942).

2264 - Është numri i saktë i hebrenjve të strehuar në Shqipëri duke ardhur prej vendesh nën sundimin nazist (Evropa Qendrore dhe Ballkani) sipas të dhënave që përmban e njëjta listë që gjendet në web-site-in e Memorial Museum of Holokaust, 600 - është numri i hebrenjve të strehuar në 1941-1942 e vijim në Berat. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Akuzat e Greqisë në Konferencën e Parisit: Jemi në luftë me Shqipërinë Greqia deklaron përdorimin e bombës atomike nëse nuk anekson Shqipërinë National Geographic: Shqipëria, e vetme përballë Botës Mjedisi kishtar dhe politik i Kuvendit të vitit 1462 Dialogjet e Alise me intelektualet ne '90 Prelë Milani, studenti i parë shkodran që i shkruan Ramiz Alisë për mjerimin migjenian të kohës Si u krijua Këshilli Presidencial në vitin 1991 Shqiptari që i mbijetoi mbytjes së Titanikut Kur themelohej PD-ja Kur u krijua "shërbimi i msheftë" Vissarioni, paraardhësi i Janullatosit që kacafytej me Greqinë Ushtria shqiptare, bëmat më të mëdha i ka me veten?! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Në vend të parathënjës Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - S'kam fuqi te kthehem ne vendlindje Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Jeta ma këtheu shpinën atëherë, e tash vetëm e shikoj atë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ju lutem, me lini te vdes! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - E vetmja gjë që më ka mbetur janë fëmijët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Jeta e saj përfundoi në valët e Adriatikut Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Tragjedi në një familje Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Tmerri në ditën e “gënjeshtrave”

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora