E shtune, 20.04.2024, 02:53 AM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Perceptimi qosiqjan i të qenit krenar

E merkure, 30.03.2011, 07:58 PM


Perceptimi qosiqjan i të qenit krenar

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Në të gjithë botën shprehja më e përdorshme në përditshmërinë e bisedave intime e deri te bisedat publike është ajo që thotë: "Jam krenar për...". Gjermanët e përdorin si refren këtë shprehje: "Ich bin stolz auf... selbst..., auf meine Kinder... auf mein Land... auf mein werk". (Jam krenar për... veten... fëmijët e mi... vendin tim... veprën time). Në Shqipëri dikur, kur komunizmi shqiptar e kishte përçudnuar personalitetin e shqiptarëve, përdorimi i shprehjes së tillë kritikohej ashpër si "shfaqje e psikologjisë mikroborgjeze" dhe ndonjë që mendonte kësisoj (jo më të shprehej) përndiqej nga regjimi si gjahu prej gjuetarit.

Hyra në këtë lloj paranteze i bindur se përdorimi i shprehjes "Jam krenar..." do të rikthejë personalitetin e qytetarëve tanë dhe do t´i bëjë ata më të lumtur, më optimistë dhe do t´i motivojë më shumë për të ndërtuar vepra të mira e të mëdha në interes të vetvetes, të familjes dhe të kombit tonë. Megjithatë, Shqipëria ende vuan nga ndërgjegjja e egoizmit të pashpallur, e smirës së shprehur pa fjalë, pra vetëm me mimikën e fytyrës së inatit të akumuluar për shkak të paaftësisë për të ndërtuar diçka me të cilën njeriu do të ndihej vërtet krenar. Por të qenit krenar nuk është dhuratë. Mundet që dikush ose çdokush të marrë si dhuratë vlera të caktuar materiale e monetare. Por është plotësisht e pamundur që dikujt t´i dhurohet dinjiteti, integriteti, personaliteti, shkurt të qenit krenar. Parmbrëmë kombëtarja jonë fitoi me meritë kundër kombëtares së Bjellorusisë dhe të gjithë ne u ndiem krenarë me kuqezinjtë tanë. Nëse nuk do të fitonin, do të ndiheshim siç ndihen humbësit. Por humbësit e fituesit nuk u përkasin vetëm fushave të futbollit e të sporteve të tjera. Ata i përkasin dhe fushës së politikës. Ndërkaq, dy ndjenjat kontrast: ajo e fitores e të qenit krenar dhe ajo e humbjes, e të qenit humbës, përftohen ndryshe në politikë e ndryshe në sport. Sepse në themel të sportit qëndrojnë rregulla strikte të shndërruara në kode morale, në fushën e politikës kodi moral është i ndryshëm për aktorë dhe faktorë të ndryshëm që ndeshen në fushatat elektorale. Kodi moral I politikës në Shqipëri është kod i falsifikuar, nga i cili humbësi dëshiron të përfitojë "krenarinë e humbur" me mjete dhune e me forcë.

Të qenit krenar është një ndjenjë e veçantë, e papërsëritshme me pasjen ose mospasjen e një ndjenje që nuk lidhet me vlerat morale. Në përgjithësi, ne shqiptarët e kërkojmë qenien krenar me të njëjtat vlera, të cilat përbëjnë pasurinë e vlerave shpirtërore për evropianët dhe amerikanët. Kjo do të thotë se ne i përkasim strukturës shpirtërore, kulturore dhe tradicionale perëndimore. Po ky "rregull" i sjelljes sonë shpeshherë bëhet i përjashtuar. Nëse do të deshifronim sjelljet morale dhe politike të jo pak politikanëve, intelektualëve, studiuesve, analistëve, opinionistëve, do të dallonim krejt lehtësisht se perceptimi për konstituimin e vlerave të personalitetit, pra, për ndjenjën e të qenit krenar, nuk është i njëjtë. Ai është i ndryshëm te njerëz dhe grupe të ndryshme njerëzore. Ky ndryshim i formatimit të vlerave, dhe për pasojë të të ndjerit krenar me vetveten, është shpjeguar shpeshherë me pushtimin e gjatë osman të vendit tonë. Në kohën e diktaturës komuniste kjo dukuri, pra, paraqitja e pushtimit osman si shkaku i të gjitha problemeve dhe problematikave tona kombëtare, ishte përpunuar me qëllime të caktuara politike dhe demagogjike. Arsyeja kryesore ishte prirja e diktaturës dhe diktatorit për të ruajtur një lidhje të qëndrueshme me fqinjët tanë, grekët dhe serbët. Rapsodët dhe krijuesit e rapsodive në veriun e vendit janë dëshmitarë të ndryshimeve drastike të teksteve të këngëve, ku në vend të emrit krajli i Serbisë, përdorej emërtimi pashai i Sulltanit. Unë mund të kujtoj vetëm një prej tyre, këngën rapsodike të kënduar nga Dida, Çela, Kovaçi kushtuar Mahmud Dacit të Kalisit, së cilës i ishin ndërruar vargjet, duke ndryshuar dhe të vërtetat historike. Ajo rapsodi ishte burim i një krenarie të falsifikuar.

Fenomeni i krenarisë së falsifikuar është i njohur në të gjithë botën. Shumë prej atyre që duan të fshehin diçka të turpshme i mëshojnë me insistim theksimit "të të qenit krenar". Ndërkaq ajo që kemi huazuar prej serbëve dhe grekëve është një prej modeleve matës të krenarisë së falsifikuar e të trilluar. Ish-presidenti dhe ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Dobrica Qosiç, në një nga romanet e tij shkruan se "për ne serbët rrena në mënyrë kreative është patriotizëm". Pra, sipas Qosiç, për serbët të gënjesh në dobi të nacionalizmit serb është vlerë, është krenari. Duke legjitimuar zyrtarisht dhe nga pikëpamja morale gënjeshtrën si vlerë, Qosiç dhe paraardhësit e tij kishin institucionalizuar në shoqërinë e Serbisë një modus vivendi tjetër sa i përket ndjenjës së të qenit krenar. Perceptimi i tyre për vlerat e të vërtetën është krejt ndryshe nga percepsioni evropian dhe amerikan, ndryshe nga shoqëritë e botës së qytetëruar. Për grekët thuhet gjithnjë se pabesia, hileja, pra rrena është një princip i krenarisë së tyre nacionale, pasi edhe ata, njësoj si edhe serbët, mbijetesën e tyre e kanë lidhur me formimin e një tradite psikologjike e morale të papërligjur nga ligjet morale qytetare e civilizuese të botës demokratike. Të qenit krenar pse ia hodha dikujt, pse mashtrova dikë, pse gënjeva dhe madje shpifa kundër dikujt ka ardhur në mjediset shqiptare pikërisht nga shkaku i lidhjeve të ngushta psikologjike e morale me fqinjët tanë të antivlerave. Periudha e komunizmit ishte periudha më shkatërruese e këtyre vlerave në vendin tonë, pasojat e së cilës shqiptarët i ndiejnë në ditët e sotme.

Në politikën shqiptare, si dhe në elitën intelektuale e mediatike, konflikti përveçse i nxitur nga interesat pushtetore e pasurore, lidhet jo pak me përcaktimin e perceptimin e ndryshëm të vlerave që shprehin personalitet, dinjitet, integritet, shkurt krenari. Dua të kujtoj vetëm një spirale të një dukurie absurde tek ne. Në qershorin e vitit 1998, kur aeroplanët e NATO-s fluturonin në qiellin tonë si kërcënim për makinerinë ushtarake të Milosheviçit, dy kolegë të mij gazetarë, tek pinim kafe në lokalin e gazetarëve të Fidelit të deputet, u shprehën hapur të pakënaqur me atë kërcënim që vinte në dobi e në përkrahje të shqiptarëve. Njëri prej tyre arriti që entuziazmit tim t´i kundërvihej me pyetjen inatosëse dhe provokative njëkohësisht: “Po ti, Enver, çfarë përfiton nga çlirimi i Kosovës?!” Ishte e qartë se nuk mund të përgjigjesha me shabllone, sepse të ishe krenar pse kishe fituar mbështetjen e NATO-s për gjënë më të shtrenjtë, ishte e kundërta e perceptimit për krenarinë që miku im kishte asokohe. Ndaj u përgjigja shkurt: “Unë jam botues. Nëse në territorin e Shqipërisë shes 1000 libra në vit, kur Kosova të çlirohet, unë do të shes 2000 copë. A nuk është ky fakt i mjaftueshëm që unë t´i gëzohem kërcënimit të NATO-s?!” Ne kishim dy lloj perceptimesh për ndjenjën e të qenit krenar dhe optimist, edhe pse të tre punonim në të njëjtën gazetë, "Albania". Ndërsa në këto kohë, ata që më qortonin atëbotë janë bërë reklamuesit më të zellshëm të "çështjes së Kosovës".

Në diskursin e sotëm politik në vendin tonë kemi gjithashtu një qasje të ndryshme të perceptimit të të qenit krenar. Slogani i opozitës "Fajet i ka Saliu" është shndërruar në krenarinë e saj. Opozita jonë është krenare nëse kryeministri i vendit do të kishte faje, do të bënte gabime, do të punonte keq dhe nuk do të kishte suksese. Ky model i perceptimit të ndjenjës morale të krenarisë, e zëvendësuar jo me vlerat e vetvetes, por me antivlerat hipotetike e të paargumentuara të kundërshtarit, është në fakt model antivlerash. Nëse në politikë dikush shpif për kundërshtarin, atëherë dalim te përfundimi se modeli i të qenit krenar për këtë person ose të ashtuquajtur personalitet nuk është e vërteta, por rrena, shpifja, trilli, truku. Nga Kavaja, kryeministri i vendit u shpreh se "opozita po bën fushatë elektorale me shpifje". Një nga deputetet e selisë rozë u përgjigj menjëherë me krenari se "Saliu duhet t´i shohë të një milionë të papunët". Ndërkohë të papunët kudo në botë numërohen me anë të statistikave reale. Pozita dhe opozita operojnë me shifrat zyrtare dhe asnjëherë nuk ndodh që opozita e një vendi të shfaqet krenare pse shpik shifra, numra, fakte, të dhëna të paqena, pse shpif dhe rren. Spekulimi është e kundërta e vlerës që shton asetet e krenarisë. Krerët e opozitës sonë e matin gjithçka me rrenën dhe ndihen krenarë kur kanë mundur të fantazojnë sa më "bindshëm" rrenën e radhës, në vend që të punonin për t´u ndier krenarë me projekte, ligje, ide, vizione dhe alternativa konkrete për ta afruar Shqipërinë sa më shumë drejt Brukselit.

Sipas opozitës shqiptare, personaliteti, dinjiteti dhe integriteti i saj dhe politikanëve që e sundojnë atë realizohen duke reaguar me forcën më të madhe të mundshme kundër kundërshtarit politik, në rastin konkret mazhorancës së koalicionit të integrimit. Në fjalimet e tyre krerët e opozitës shpesh i kemi parë të ndihen krenarë kur fyejnë, shajnë, shpifin e trillojnë "në mënyrë kreative", siç shkruante Dobrica Qosiç. Por nuk e kemi parë asnjëherë kreun e Bashkisë së Tiranës në këta dy vjet që të dalë para qytetarëve e të shprehet krenar qoftë dhe për një vepër mesatare të ndërtuar në dobi e për qytetarët e kryeqytetit. Krenarinë e munguar me punën e tij, ai e kompenson me krenarinë e të qenit mohues dhe shpifës të rëndomtë për veprat e shumta e madhështore që mazhoranca e sotme ka realizuar në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që Shqipëria nuk është Zvicër e për shumë kohë nuk do të bëhet e tillë. Por, nëse dikush, një qeveri apo një mazhorancë ndërton vepra të nivelit evropian e zviceran, atëherë kjo do të thotë se Shqipëria shkon drejt standardit të tillë. Ndërkohë, krerët e opozitës janë krenarë pse ky vend nuk ka mundur në katër vjet të bëhet Zvicër, më pas po me të njëjtën "ndjenjë krenarie" premtojnë Zvicrën, por duke shpifur për kundërshtarin. E më në fund shkojnë në identitetin e tyre të krenarisë me aplikimin e metodave staliniste dhe enveriste të bojkoteve dhe dhunës revolucionare. Modelimi në mentalitetin ortodoks serbo-grek si matës të integritetit dhe krenarisë së mashtrimit, shpifjes, rrenës, ka qenë dhe mbetet një nga tiparet kryesore të falsifikimit të identitetit dhe integritetit moral të shqiptarëve.

Arritja e qëllimeve me çdo mjet, sipas teorive revolucionare të Bernshtajnit e të Trockit, është gjithashtu pjesa më vulgare e antivlerës së opozitës sonë në Shqipëri, antivlerë, e cila prej politikanëve të majtë në opozitë ende vlerësohet si vlerë e krenarisë së shpifur e të shpikur në laboratorët e Lindjes orientale.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora