Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Përçarja ndërshqiptare

| E marte, 29.03.2011, 07:59 PM |


Përçarja ndërshqiptare

 

Nga Ndue Ukaj

 

Si mund të shpjegohet përçarja kaq e thellë dhe kaq tragjike brenda kombit shqiptar?-është një pyetje e dilemë që preokupoi dhe vazhdon të preokupon mendjet që duan vërtetë kombin.  Përçarja ndërshqiptare, si fenomen, nuk është vetëm mos aftësi e bashkimit të prijësve dhe popullit drejtë idealeve dhe qëllimeve të përbashkëta. Përçarja tek ne, ka kaluar gjitha suazat e normales dhe është bë një mendësie kulturore, që për pandehmë ka mendësinë bizantine-orientale, që s’ka asgjë të përbashkët me synimet e proklamuara të shqiptarëve për integrim në Familjen Perëndimore, ku dialogu, bashkimi, solidariteti janë tipare qenësore. Për t’mos thënë, përçarja te ne është bë mit, së cilës verbërisht i shërbejnë apo edhe i besojnë shumë segmente shoqërore brendashqiptare. Madje edhe prijës politikan, njerëz të kulturës, qeveritar e diplomat ane e kënd hapësirave shqiptare, politikën dhe angazhimet i ndërtojnë mbi përçarje, ndarje, selektime. Dhe asnjëherë nuk shtrohet pyetja dhe s’kërkohet përgjigja, nga vjen gjithë ky sinrdrom rrënues për të tashmen tonë, e sidomos për të ardhmen tonë?

Asnjëherë s’jemi të bashkuar. Ky është një përfundim, aspak i vështirë për çdo njërin që vështron, analizon dhe krahason zhvillimet e tanishme në Kosovë, Shqipëri e hapësirat tjera shqiptare, me ato të kaluarat. Kështu ishte situata edhe me të kaluarën tonë. As në ditë të vështira, as në ditë gëzimi, politikanët tanë, mediat tona, elitat (nëse i kemi) intelektuale s’ i gjejmë të bashkuara. Kjo përligj mendimin gjenial të Faik Konicës, se Shqiptarët në histori gjithmonë vonohen, dhe se “armiku më i madh i shqiptarëve është vetvetja”. Këto mendime, në shumë nivele, korrespondojnë me të vërtetën që pasqyron në vete gjenda e brendshme shqiptare e tanishme, por edhe në të kaluarën. Vetëm si shkak i përçarjes, ne kemi pësuar sa e sa tragjedi, prej së cilave asnjëherë s’kemi nxjerr mësim. Katharsis për ne mbete larg, i urryer, i pa nevojshëm. Madje, për të thelluar mjerimin e kësaj gjendje, kjo përçarja jonë, kërkon bashkimin e të tjerëve, aty kur vihen ne shprehje interesat tona. Në këtë rast, është më së e çuditshme, të shihet sesi klasa politike e institucionale kosovare, kërkon pa vetëdijshëm kompromis mes vendeve botërore për jetësimin e Pavarësisë së Kosovës, ndërkaq s’arrin kompromis të brendshëm në çështje jetike. Madje as për çështje elementare. E situata identike paraqitet edhe në Shqipëri. Kjo, e gjendur në tranzicion, në politikë dhe institucione ka krijuar polaritete ekstreme. Qeveria shqiptare kërkon miratim dhe agjitacion nga qeveritë perëndimore, për të ndihmuar në rrugën e integrimit në BE, ndërsa brenda nuk mund të ndërtoi konsensusin minimal në çështje jetike, apo në mënyrë indirekte kontribuon kundër këtyre vlerave dhe kundër këtyre interesave.

Çështja më e komplikuar e përçarjes paraqitet brenda spektrit politik të Kosovës, i cili vazhdon të jetë i përçarë edhe në këto ditë mjaft dramatike për të ardhmen e saj. Politika kosovare vazhdon me avazin e vjetër. Duhet një iniciativë ndërkombëtare (Amerikane kryesisht) me realizua unitet. Po ashtu duhet një iniciativë e huaja që të arrihet një kompromis brenda faktorit shqiptar. Kostoja e së cilës ka për ekuivalencë një gjendje të mjerë ekonomike, një korrupsion në shkallë të lartë, institucione larg të qenit profesionale, një familjarizim në politikë dhe institucione, e një kulturë demokratike, larg të qenit e kënaqshme. Dhe gjitha këto, për klasën tonë me çalime të mëdha politike dhe intelektuale, s’do të thonë asgjë. Politikanët tanë vazhdojnë avazin e tyre të injorancës politike dhe lojës me fjalë të mëdha retorike e  “patriotike”, duke dhunuar votën e qytetarit, të cilën assesi s’ e kanë marr për të shërbyer, por për të abuzuar me të. Ky është stadi i kulturës politike, që mbetet larg nga të qenit në përkim me vlerat demokratike dhe civilizuese perëndimore, për të cilat flitet aq shumë këtu, e për të cilat nuk punohet fare.

 Popullit tonë si duket i është bërë sindrom i rrezikshëm ndjenja e të jetuarit në përçarje, nënshtërim, ndarje e dallime të gjithfarëshme. Në mos një kancer vdekjeprurës, që çdo ditë e më tepër po bluan shpirtin shqiptar.

Si rezultat i kësaj, kemi prodhuar në historinë tonë tradhtarë të shumtë, emrat e së cilëve do jenë të panevojshëm në këto opinione. Si rezultat i kësaj jemi i vetmi popull në Europë, që nuk kemi unifikim historisë dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Madje, as heroin e përmasa botërore Gjergj Kastriotin s’e vlerësojmë njësoj. Po të shkojmë më tutje me shembuj, ne nuk kemi për model të njëjtat figura kombëtare, nuk kemi unifikim të gjuhës (çështje kjo që ka mjaft nevojë për diskutim), nuk kemi një histori unike, një histori të letërsisë së pranueshme tërësisht. Ne nuk e shohim të ardhmen tonë njësoj. Pra ne jemi të copëtuar. Dhe copëtimin, ç’ është më tragjikja, ju atribuojmë tjerëve: asnjëherë nuk na shkon mendja të kthejmë gishtin tregues nga vetja, të vetërrëfehemi me vetën tonë për gabimet dhe të metat tona, kundruall vetës e historisë sonë. Për ne, gabimi është i huaj, ndërkaq falja është turp. Është një proverb që thotë, të gabosh është njerëzore, por të jetosh në gabime është djallëzore. Ne shpeshherë jemi të vetëdijshëm për gabimet që i kemi kundrejt historisë, por nuk kemi kurajo të mos i përsërisim, e vetëdijshëm jetojmë në gabime. Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen tonë mbi mashtrime, gënjeshtra të vetvetes, interesa bejlerësh, e qëllime bajraktarësh. Ne duhet të formësojmë të ardhmen mbi të kaluarën e ndritshme e jo sajime e gjithfarshme që s’përbëjnë asnjë vlerë. Ky është binom i shenjtë i çdo kombi të përparuar. Në këtë këndvështrim, duhet shoqërisë sonë t’i jepet një shpirt i mirëfilltë perëndimor.

 

Problematika në fjalë sipas mendimtarit të madh Dr. Krist Malokit

 

Lufta e ardhme asht luftë e djalërisë shqiptare kundra anmikut në zemër të vet, asht luftë mendsie krijuese kundra anmikut destruktiv, asht luftë botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errsine, asht lufta e okcidentalizmës shqiptare kundra orientalizmës shqiptare” shkruan Kristë Maloki në eseun e famshëm “Oreitnal apo okcidenta?”. Ky soli i njeriut është orientali shqiptar në mendësi e mentalitet. Duke mos i dhunë kualifikim religjioz, sepse ky soj njeriu gjendet kudo, edhe ndër shqiptar që shtirën si oksidental.

Nisur nga fakti se kombi kishte plagë të mëdha shpirtërore, që erdhën nëpërmjet pushtimit anadollak, Atë Gjergj Fishta i madh thoshte se përderisa sa s’ i japim kombit një shpirt oksidental në mendësi, nuk mund të pritet përparimi i kombit. Këtë mendim të Fishtës, e sforcon përmes një analize mikroskopike në shpirtin dhe psikologjinë shqiptare Krist Maloku.

Çështja e jounitetit, përçarjeve ka diçka të dimensioneve etno-psikologjike. Këto në mënyrë brilante i shkoqiti profesori dhe intelektuali i kalibrit europian Kristë Maloki, në esetë e tij për natyrën e shqiptarit. Diskutimi në fjalë është pjesë e debateve të shumta që u zhvilluan, në periudhën më të ndritshme të emancipimit të kulturës sonë (vitet 30-të).

Duke analizuar çështjen e kombit në suaza të dallimeve, ky dijetar bën një analizë antropologjike dhe psikologjike dy kategorive kulturore, shqiptarëve me prirje orientale dhe oksidentale. E, njeriu me prirje orientale, për çudi del sot gjithandej në politikën shqiptare, në kulturë, e ku jo gjetiu, pa asnjë ndryshim nga ai që na jepte Maloku para më se shtatë dekadave. Ai është zëmadh e retorikë për atdheun, të cilin aspak nuk e ndihmon, por e dhunon, e shfrytëzon pa fije turpi.

Pyetjes së parë, nëse ka ose s’ka ideale njeriu ynë publik, përgjigja e Malokit sjell pyetjen, çfarë janë këto ideale? Idealet që i ka tipi i orientalit shqiptar, i ka për vete, jo për tjerët. Ato i ruan për gjithfarë interesash, por jo për interesa madhore që lidhën me kombin. Në fakt, cilësia e parë që triumfon, si një përbindësh, brenda portretit të njeriut tonë publik, mbetet fakti se ai ka ideale të sofistikuara për kulltuk, për pushtet, për të ushtruar manipulimin, mashtrimin kundër çdo gjejë që lidhet me përparimin. Portreti i orientalit shqiptar, ideal sublim ka kolltukun (karrigia), për të sunduar dhe abuzuar me tjerët: bëhet kur e do nevoja patriot (pa pasur as më të voglën vetëdije si konceptohet patrioti dhe çdo të thotë të jesh patriot), bëhet kur e do puna tradhtar, pa e ditur të ligat që ja sjell vendit të tij, popullit të tij, vetës së tij. Dhe, më tutje, orientali shqiptar kur e do puna bëhet bashkëpunëtor me të gjithë. Vetëm e vetëm që t’i ec kungulli mbi uj, dhe t’i funksionojnë telat e karadyzenit. Njeriu i kohës sonë, sipas analizës së mendimtarit të madh: është kryekëput shkatërrimtar, rrënimtar, asht destruktiv...dhe bashkohet me të tjerët si njata ujqit që vihen së bashku në pre...porse edhe si njata ujq që shkyejn shokun e vet, kur të dobësohet apo plagoset udhës. Dhe ky njeri ashtu sikur në të kaluarën edhe tash jetën e ka sipas thanjës së famshme: “kudo rafsha, mos u vrafsha”. Dhe po vazhdoj të citoj të mendimtarin e madh kur thotë së vendi ku ushqehet dha majet ky soj njeriu është Atdheu. Por jo pse e don, por sepse e shfrytëzon në mënyrën më barbare, pa mëshirë, ashtu sikurse njerëzit tanë publik. Mu ashtu sikur sot shumë syresh. Dhe ky soj njeriu si ushujzë ngjitet trupit kolektiv dhe shoqëror, ja thithë gjakun pa asnjë drojë e skrupull. Ky njëri, më tej, në vend që të turpërohet për veprimet e veta shkatërrimtare, bëhet kryenaltë. Ndërsa çka është më tragjikja, ky soj njeriu, ashtu siç na përshkruan mendimtari i madh s’njeh turp e marre, sepse ai është i zoti për të gjitha... po, po për të gjitha turpet-shkruan Maloku! Gjitha turpet i ka të perfeksionuara!  Shet bab’e nanë, besë e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e përvetëm që t’i shkoj kungulli mbi uj, vetëm që mos të prishen telat e karadyzenit. Ky sol i njeriut tonë gjendet kudo, në politikë, në arsim, në kulturë, në arte, në letërsi. Dhe ky soj njeriu, është murtaja shpirtërore, të cilën e sheh çdo ditë spektatori ynë, në teatrin tragjikomikë.

 

Plaga e hapur e përçarjes

 

Plaga e përçarjes, nëse vazhdon me këtë avaz do të bëhet kancer i pashërueshëm, veçanërisht për Kosovën, e cila po shënon përpëlitje drejtë konsolidimit dhe ndërtimit të një rendi demokratik. Një gjë e tillë ka parashenja të rrezikshme edhe në Shqipëri, e gjetiu në hapësirat shqiptare.

Pikërisht nga ky problem dhe mendësia e formësuar mbi përçarje, kemi pasur trashëguar një histori përplot divergjenca. Pikërisht nga mosbashkimi ynë në çështje esenciale, ka ndodhur ajo që ka ndodh me ne: ne jemi çliruar të fundit nga Perandoria Otomane, sepse një pjesë e madhe e popullit, vetëm e vetëm për t’u bërë pashallarë e bejlerë, identifikoheshin me pushtuesit barbar. Andaj edhe përkundër rezistencës ne Turqinë e shporrëm vetëm atëherë kur ajo u dobësua në planin global. Është kjo nata e zezë, siç e quan Kadare, e cila, përdhosi idealet tona, krijoj një shpirtngushtësi, një mendësi anadollake, që për fajin tonë u ndëshkua nga perëndimi. Dhe pikërisht si rezultat i kësaj mendësie, të fundit u liruam nga ideologjia lindore komuniste. Po ashtu të fundit po bëjmë përçapjet për në terminalin politik: integrimin në strukturat transatlantike.

Krizat e mëdha politike dhe shoqërore, popujt i kalojnë të bashkuar, ndërsa ne të kundërtat, në kriza ndahemi edhe më tepër. Ndahemi dhe punojmë, me vetëdije apo pa të, kundër njëri tjetrit. E gjithë kjo rrjedh nga vobektësia e shpirtit tonë intelektual, që nuk del nga lëvozhga e primitivizmit katundaresk, që më parë kërkon lavdinë personale, se sa atë të përtejmë.