E enjte, 28.03.2024, 03:09 PM (GMT)

Kulturë

Papavrami: Nuk vij gratis në Shqipëri

E enjte, 24.01.2008, 12:36 PM


Nga Oliverta Lila

Një koncert që do të ketë ngjyrë tjetër nga të tjerët. Janë pikërisht kujtimet që i bashkëngjiten interpretimit të Tedi Papavramit në skenën shqiptare. Ka mbërritur vetëm dje në Tiranë dhe shprehet për emocionet e bashkëpunimit me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, aty ku një pjesë e mirë e instrumentistëve e njohin që fëmijë. Ka zgjedhur Paganinin për të komunikuar me publikun kryeqytetas sot në mbrëmje, ora 19.00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ftesa që ka marrë pak muaj më parë në bashkëpunim edhe me shoqatën kulturore “Argjiro” e ka rikthyer në Tiranë. Shprehet se mbetet i hapur ndaj tyre, por sigurisht nëse do të jenë të shoqëruara edhe me faturën e përshtatshme financiare.

Riktheheni për të interpretuar në Tiranë. Ç’do të thotë për ty ky koncert?

Për mua është kënaqësi, sidomos që po bashkëpunoj me një orkestër shqiptare për të realizuar një koncert të madh, si dhe me Ermir Krantjen, me të cilin merrem vesh shumë mirë si muzikisht, ashtu edhe nga ana miqësore. Unë kam ardhur edhe më parë në Tiranë, por rikthimi për të luajtur është një emocion i veçantë. Sot po bënim prova dhe ka shumë njerëz në orkestër që më njohin që kur kam qenë i vogël e njohin dhe prindërit e mi. Sigurisht që ky koncert është i ngjashëm me atë që bëj tjetërkund, sepse është e njëjta punë, por njëkohësisht ka edhe një ngjyrë të veçantë.

Ngjyrë që ia japin kujtimet?
 
Po, ka kujtime brenda këtij koncerti, por ka edhe idenë që këtu njerëzit më njohin në një mënyrë krejt tjetër nga vendet e tjera të botës.

Pas bashkëpunimit me orkestra të ndryshme të botës, si është të punohet me orkestrën shqiptare?

Është e vështirë të gjykohet niveli i orkestrës në sajë të një prove, por shoh që ka një komunikim të mirë me njëri-tjetrin dhe besoj se gjithçka është në rregull për koncertin, nuk kam ndonjë shqetësim.

Po me profesor Krantjen?

Në vitin ‘84 ka qenë koncerti i fundit para se të largohesha që unë dhashë në Shqipëri me vepra të Sibelius, ku si dirigjent ka qenë Ermir Krantja. Ai koncert më mbeti gjatë në memorie, ishte një kujtesë e veçantë. Vetëm një vit më parë me profesorin u takuam sërish në Prishtinë e Shkup dhe bashkëpunimi mes nesh vjen natyrshëm. Shpresoj që në të ardhmen atë koncert të kem mundësi të luaj sërish këtu me Krantjen.

Pse zgjodhët pikërisht Paganinin për këtë koncert që çel stinën simfonike?
 
Zgjodha Paganinin, pasi mendoj se është goxha popullor në Shqipëri. Është një pjesë të cilën unë e studioja në shtëpi dhe lidhet me kujtimet e asaj kohe. Por kam parë se influenca italiane sjell edhe një përputhje mes karakterit të muzikës dhe temperamentit të popullit. Pikërisht për këtë pritshmëri m’u duk më me vend të zgjidhja Paganinin, jo se ai është komercial dhe më lehtë në interpretim. Mund të kisha zgjedhur edhe pjesë të tjera, por i mendova që janë më të rënda jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe kudo në botë.

Këtë koncert e keni luajtur në Tiranë kur keni qenë 11 vjeç. Si ndjeheni pas kaq shumë vitesh?
 
Paganin e kam luajtur në Shqipëri dhe po me këtë pjesë kam hyrë në konservator të Parisit. Gjatë kësaj kohe e kam interpretuar dhe në vende të tjera. Tashmë në Tiranë e luaj pas 25 vjetësh, po ky është zanati im dhe të njëjtën punë bëj edhe këtu, me të njëjtin përqendrim, të njëjtën kërkesë si kualitet dhe se çfarë mund të ndodhë në kokë varet nga momenti.

Nëse ju bëhen ftesa, do të jeni sërish para publikut shqiptar?

Me gjithë kënaqësi, por sigurisht duhen edhe konditat financiare. Ky është zanati im dhe nuk kam të ardhura të tjera. Nuk mund të vij gratis, edhe pse e di se Shqipëria është në vështirësi. Por kur konditat financiare dhe muzikore janë normale si në çdo vend tjetër të botës, vij edhe me kënaqësi më të madhe në Shqipëri se në vendet e tjera.

Cilat janë projektet pas Tiranës?

Në datën 28 janar jam në Gjenevë, pastaj në datën 10 shkurt do shkoj në Gjermani, në Danimarkë. Kam shumë koncerte gjatë vitit të vazhdim. Gjithashtu, po punoj për një disk të ri që besoj se do të dalë në qershor. Shitja e disqeve klasik është pak e komplikuar dhe besoj se disqet e mia nuk gjenden në Shqipëri. Do të ishte mirë që firma që më promovon si artist të mund t’i shpërndante edhe këtu, por ndoshta kjo do të ndodhë më vonë, sepse tani është një situatë delikate.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora