Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Erdhi stina e fitnessit!

| E marte, 06.06.2006, 06:11 PM |


Ditë të ftohta, shi, humori ndryshon dhe një fetë tortë me çokollatë dhe krem nuk duket dhe aq e tmerrshme… palestra të duket kaq larg… derisa të vijë sërish pranvera dhe menjëherë do të të duhet të rikuperosh format e trupit, sepse vera nuk është aq larg sa e mendon...

Motivimi yt duhet të jetë në nivele optimale. Një bluzë e gjerë apo një fund i trashë mund të mbulojnë kilet e tepërta derisa të vijë vera tjetër. Ditët e errëta, të ftohta dhe tmerrësisht të shkurtra të grishin të qëndrosh pjesën më të madhe të kohës brenda në shtëpi, mbuluar me batanije dhe sigurisht duke u përtypur gjatë gjithë kohës, me televizorin që nuk fiket për asnjë moment. Si t'ia bësh për të mposhtur mefshtësinë e ditëve dimërore? Shumë e thjeshtë, të paktën me fjalë. Mbani parasysh disa sekrete të vogla për të qenë gjithmonë e motivuar, për të evituar neglizhencën e mbajtjes së dietave dhe për një aktivitet fizik të rregullt. E para gjë që duhet bërë është të sillni pak nëpërmend sikletin që keni ndjerë ditën e parë të plazhit verës që shkoi. Pjesa më e madhe e njerëzve provojnë një ndjenjë pasigurie dhe fillojnë menjëherë të pendohen që e lanë veten pas dore gjatë periudhës dimërore. Vetëm pak ditë dietë dhe pak minuta vrap në javët e fundit e bënë menjëherë të dukshëm ndryshimin.

Mbaj gjithmonë një peshë reale

Me reale kemi parasysh që t'i lësh hapësirë edhe ndonjë teprimi të vogël me ushqimin. Por mos lejo në asnjë mënyrë që t'i largohesh peshës që ke arritur. Peshohu herë pas here dhe mbaj me vete gjithmonë fletushkën e peshës tënde. Duke e pasur gjithmonë para nuk do të të lërë rehat dhe do të stimulojë dëshirën për t'u dobësuar.

Vendos objektiva

Çfarë kërkon të arrish gjatë dimrit? Ulje të peshës? Rritje të masës muskulare? Apo dobësimin në ato pjesë të trupit që kanë qenë gjithmonë pika jote e dobët? Duhet të kesh mirë të qartë se çfarë kërkon, është shumë e rëndësishme për të mos humbur kohë gjatë rrugës.

Regjistrohu në palestër

Një trajner i përgatitur, një ambient ku të gjithë stërviten dhe bëjnë ushtrime dhe rezultatet që arrin dita ditës, janë të gjithë faktorë që kushtëzojnë pozitivisht formën tënde fizike. Por për fat të keq, të qëndrosh në shtëpi nuk është e njëjta gjë...

Një palestër pranë shtëpisë

E rëndësishme është që të mos kesh probleme kur vjen puna për të shkuar në palestër pa munguar asnjë ditë. Trafik, shi, ftohtë… janë të gjitha armiqtë e betuar të palestrës gjatë dimrit. Prandaj regjistrohu në një palestër pranë shtëpisë apo punës që të mos të të shkaktojë probleme me largësinë.

Vendos një ditë për qejf

Që do të thotë që një ditë në javë ty të lejohet të shkelësh dietën me të dyja këmbët dhe të hash çfarë të duash. Kjo ndihmon të mbash nën kontroll dietën e ditëve të tjera, duke u bëtë qejfin edhe kapriçove të tua të parezistueshme. Një ditë e tillë në javë nuk ndikon në formën fizike, me kusht që ditët e tjera dieta të mbahet e rregullt.

Kujdes në supermarket

Kur bën pazarin mbaj gjithmonë parasysh objektivat e tua. Në xhiron e supermarketit qëndro larg zonave të nxehta, larg vitrinave të tortave dhe pijeve alkoolike. Mos e tepro me këto të fundit. Janë të parat që e hedhin në erë dietën e mbajtur me aq vështirësi.

Dobësohu në grup

Stërvitu bashkë me shoqet e tua. Kështu, kur njëra nuk ka pikë dëshire të shkojë në palestër një ditë, patjetër që do të jetë tjetra e devotshme që do të shtyjë edhe të tjerat për të shkuar ose për të vazhduar dietën. Është mirë të bashkëpunosh dhe të dobësoshesh në grup.

Mos e bëj tragjike

Nëse për ndonjë arsye apo për një tjetër i ke harruar objektivat e tua dhe dieta nuk respektohet më, mos e dramatizo situ atën. Nuk ka asgjë të paarritshme. Fol me trajnerin tënd ose me miket e tua dhe rifillo aty ku e pate lënë. Dimri është i gjatë…