E premte, 29.03.2024, 07:03 AM (GMT)

Mendime

Nirvana Pistulli: Një vullkan i urtë që shpërthen nga zemra e Shqipërisë

E premte, 25.01.2008, 11:41 AM


Një vullkan i urtë që shpërthen nga zemra e Shqipërisë

Nga Nirvana Pistulli
  
Vitorja është një vullkan energjie, e mbushur me jetë dhe forcë, një qenje e brishtë të cilën jeta që në ditët e para të saj e mbushi me dhimbje. Një vullkan që nuk mundi të shpërthente, e mbushur me poezi që nuk mund t’i këndonte, një jetë e mbushur me halle, por ato nuk mundën ta vrasin, nuk ia shterrën as forcën e as energjinë. Shpirti i saj krijues mbeti i plotë dhe i virgjërë në ditën kur gjeti momentin të shpërthejë. Nuk kishte rëndësi mosha kur erdhi koha, moshën ajo e merr për dore dhe endet me forcë të plotësojë momentet e humbura, ta rekuperojë me forcën e karakterit atë që diktatura ia vodhi. Vitorja nuk ka kohë për urrejtje, nuk ka kohë për vajtime. Dhembjen e vuajtjen e shpërtheu dhe e skalit në vargje, në vargje të ëmbla, të mbushura me figura e me dhembshuri, me botën e pasur të femrës, me ndjesinë e poetes.
Energjinë e pashtershme e ktheu në punë, në ndihmë të kujtdo ka nevojë, edhe të asaj të reje që rastësisht e takoi në lulishtet e Triestës, si rasti i Monikës të cilën e shpëtoi nga kthetrat e drogës. Shtëpia e saj e mbushur me të rinj shqiptarë që kanë nevojë për ndihmën e saj. Ajo hidhet në ndihmë të të rinjve me duart e njoma në ndihmë të luleve shqiptare që sado pak të mund të lehtësojë shpirtin e tyre nga pesha e rëndë e mërgimit. Dhe ajo zhbiron rrugët e Triestës, hyn në zyra, në Karitas, në spitale, kudo, për këdo që ka nevojë për diçka, ajo merr dhembjen e tjetrit në shpatullat e saj duke e shpërblyer me buzëqeshje Nëne, duke falur fjalët e ëmbla dhe përkëdheljet e Nënës, duke ndarë bukën e saj me ata që kanë më pak.
Me kapelen kuq e zi, me shallin e kuq me shqiponjën dukrenare të zezë, me një çantë të vogël në dorë, merr rrugët e Europës, atje ku ka shqiptarë të të gjitha trevave, dhe atyre u flet me zemër e jo me gojë, për bashkim, për vëllazërim, ngase bashkimi bën fuqinë. Gjithandej ku Lidhja Shqiptare në Botë vepron, që nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Zvicra, Belgjika e gjetiu, ajo është prezente të falë ndihmën e saj, të bashkojë shpirtin shqiptar, të lidhë me njëri/tjetrin inteligjencinë shqiptare, për të mirën e Atdheut. Dhe përsëri ktehet në Triestë, të vazhdojë të ndjekë zyrat, Karitasin spitalet, fabrikat e uzinat ku mund të gjejë punë për të rinjtë, të hapë dyert e shtëpisë së saj, për të njohur dhe të panjohur, të vazhdojë të shkruajë, të informojë në listat e internetit. Vitorja nuk e njeh lodhjen, rininë e saj e gjen midis të rinjve dhe duket më e re se të rinjtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora