Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III)

| E shtune, 26.03.2011, 08:59 PM |


TRAJTIMI I ÇËSHTJES KOSOVËS NË GAZETËN “QËNDRESA SHQIPTARE” ORGAN I KOMITETIT KOMBËTAR  DEMOKRATIK “SHQIPNIJA E LIRË”, PARIS (III)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Që nga viti 1973 e deri më 1976 ( në numrat 101 102 dhe në 103),  në gazetën “Qindresa Shqiptare” nuk ka asnjë shkrim për Kosovën. Me gjasë, në Kosovë është periudha më e qetë politike, dhe me një farë mënyre kishte fillua një dekadë e re pak më relaksuese për shqiptarët.

Më botimin e numrit të 104 të “Qindresës Shqiptare”, kishte fillua përsëri një informim më i shtuar i opinionit ndërkombëtar për shqiptarët e Kosovës. Bile, në faqet e para të saj, gazeta hapet me shkrimin “Shtypja qe po u bëhet shqiptarëve në Jugosllavi po kapërcen çdo kufi”, dhe pas kësaj vije rubrika që tërësisht i kushtohet ngjarjeve në Kosovë e quajtur “Lajme nga Kosova e robëruar”.

 

Shtypja e vazhduar ndaj kosovarëve në Jugosllavi po kapërcen çdo kufi

 

Në numrin 104, të “Qindresës Shqiptare”, në dy faqe tekst të saj, jepen të dhëna shumë interesante për dhunën, arrestimet dhe presionin e vazhdueshëm që po bëhej ndaj shqiptarëve në Jugosllavi.

Në shkrimin “Shtypja që po iu bëhet kosovarëve në Jugosllavi po kapërcen çdo kufi” thuhej se nuk po kalon muaj, nganjëherë nuk po kalojnë javë, pa pasur në Jugosllavi dënime shqiptarësh. Në vazhdim të shkrimit, thuhej se edhe më herët gazeta kishte botuar dënimet e mëparshme që janë shqiptua ndaj shqiptarëve që kanë shkua deri më 9 ose 12 vjet burgim të rëndë për ndonjë demonstratë të thjesht studentësh, nga ato që në botën e lirë, nuk i trazon askush. Duke u bazuar në të dhënat që i jep shtypi jugosllav por edhe ai i huaj, që i kishte siguruar gazeta nga korrespodentët e vet, informohet opinioni se tani në Jugosllavi po dënohet një grup shqiptarësh prej 19 vetash në gjyqin famëkeq të Prishtinës. Sipas vendimit që ishte marr me gjasë me 7 shkurt, mbasi botohej prej shtypit të datës 8 të ati muaji[1]. Emrat e të dënuarve, thuhej në shkrim se, gazeta do i japi në lajmet e fundit të këtij Buletini. Midis tyre figuron edhe njëherë emri i shkrimtarit Adem Demaçi, i cili u dënua përsëri me 15vjet burgim, mbasi njëherë kishte kryer, vitin që shkoi dënimin e mëparshëm prej 12 vjetësh. Ndërsa, tani së voni, një lajm i ri vije nga Beogradi se janë dënuar edhe dy student të tjerë të Universitetit të Prishtinës, Arif Jetullahu, me 12 vjet burg dhe Abdullah Fazlija, me 6 vjet burg të rëndë[2],  thuhej në vazhdim të shkrimit.

Dhe si gjithmonë, të gjithë këta të dënuar politik paditën, për veprimtari irredentiste që kërcënon gjoja se integrimin e shtetit jugosllav. Kjo paditje e rreme përdorët vazhdimisht kundër shqiptarëve gjithsaherë  që këta kërkojnë barazi të drejtash me kombësitë e tjera të shtetit federal jugosllav; domethënë gjithsaherë që ngrehin zërin për të mos mbetur vazhdimisht nën sundimin e serbëve, maqedonasve e malazezëve.

Gazeta konstaton se ky qëndrim jugosllav kundër shqiptarëve nuk është i sotshëm. Kjo urrejtje është vijimi i politikës së vjetër- politikë shtypjeje dhe shfarosjeje kundër popullsisë shqiptare-që ka ndjekur vazhdimisht Beogradi, si në regjimin e tanishëm që nuk ndryshon nga ai i mëparshmi.

Siç dihej, Kosova i ishte dorëzuar Serbisë e Malit të Zi prej Konferencës së Londrës, më 1913[3]. Edhe atëherë e tërë krahina banohej prej shqiptarësh më shumë se 95%. Regjimi mbretëror jugosllavë nuk i njohu asnjë të drejtë popullsisë shqiptare, e cila ishte e dënuar të zhdukej me anën e shfarosjes dhe të kolonizimit brutal.

            Shqiptarët as në regjimin e ri të ashtuquajtur socialist kishin vazhduar me traditën e vjetër. Megjithëse popullsia shqiptare në Jugosllavi ishte tri herë më e madhe në numër se popullsia malazeze dhe më e madhe se popullsia maqedonase, nuk iu dha kurrë e drejta të përbënte një republikë autonome si kombësitë e tjera  të shtetit federal jugosllav. Nuk iu njoh kurrë barazia e të drejtave me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Dhe kur shqiptarët kërkonin në mënyrë paqësore këtë barazi të drejtash, paditshin si armiq të rendit publik, si reaksionar dhe si komplotist kundër shtetit. I tërë drejtimi ekonomik, administrativ dhe policor i truallit të shqiptarëve  ndodhej në duart e serbëve, të maqedonasve dhe të malazezëve, të cilët ishin mësuar me kohë ti shtypnin shqiptarët si robër.

Ishte e nevojshme dhe duhej patjetër që kjo padrejtësi e shëmtuar, e cila ngjante mu në qendër të Evropës[4], të merrte fund njëherë e përgjithmonë, propozonte mërgata shqiptare. Duhet që autoritetet jugosllave ti lirojnë nga burgjet me mijëra kosovarë që ndodhen brenda dhe t’iu njohin  shqiptarëve të drejtën e administrimit të vendit të tyre si republikë autonome, në pajtim me kushtetutën e shtetit jugosllav. Përndryshe, pretendimet e regjimit jugosllav që ngrihen sot në botë si mbrojtës të lirëve shoqërore dhe kombëtare, nuk do të gënjejnë më hiç njeri[5] thuhej në shkrimin e gazetës.

 

            Lajmet nga Kosova e robëruar

 

Në gazetë njoftohemi nëpër mes shkrimit “ Organizata “Amnesty International”, kujdeset për të burgosurit shqiptarë në Jugosllavi”, në mesin e të cilit shkrim thuhej se Organizata e madhe ndërkombëtare “Amnesty International”, e cila ka për qëllim të mbrojë të Drejtat e Njeriut kundër çdo shtypjeje të ndonjë regjimi politik (qoftë i së djathtës ose i së majtës), kishte marr për sipër që të kujdesej për të burgosurit politik shqiptarë në Jugosllavi, të cilët po shtypeshin dhe po ndiqeshin pa pushim dhe pa mëshirë në atë vend[6].

Dhe konstatohet se edhe më tej shtypja dhe diskriminimi i shqiptarëve nga pushteti jugosllav, ishte një nga plagët më të shëmtuara që ndodhte në zemër të Evropës.

 

Burgosen dhe dënohen 19 (nëntëmbëdhjetë ) shqiptar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë

 

Në shkrimin “Nëntëmbëdhjetë shqiptar janë dënuar me 5 deri më 15 vjet burg të rëndë në Kosovë”, thuhej se shtypi jugosllav edhe një pjesë e shtypit ndërkombëtar kishin informua se 19 shqiptar janë dënua me 5 deri më 15 vjet burg të rëndë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 7 shkurt që kaloi (1975). Të gjithë këta ishin paditur se gjoja po vepronin si irredentist në dëm të shtetit jugosllav. Gjatë procedurës doli se nuk kishin asgjë konkrete organet e ndjekjes kundër tyre. Mërgata shqiptare kishte ardhur në përfundim se çdo gjë ndaj këtij grupi të dënuarish ishte e montuar nga policia sekrete e shtetit.

Në gazetë jepen të gjithë emrat e të dënuarve si;

1. Adem Demaqi, shkrimtar, 40 vjeç u dënua me 15 vjet burg të rëndë

2. Skender Kastrati, 29 vjeç, u dënua me 12 vjet burg të rëndë

3. Hasan Dërmaku, 32 vjeç me 10 vjet burg të rëndë

4. Rexhep Mala, 25 vjeç,  me 9 vjet burg të rëndë

5. Xhavit Dërmaku, 27 vjeç,  me 9 vjet burg të rëndë

6. Nazmi Shurdhani, mësues, 27 vjeç, me 8 vjet burg të rëndë

7. Irfan Shaqiri, profesor, 30 vjeç, me 7 vjet burg të rëndë

8. Hetem Bajrami,  mësues, 30 vjeç, me 7 vjet burg të rëndë

9. Osman Dumoshi, 30 vjeç, me 7 vjet burg të rëndë

10. Ilaz Pireva, 31 vjeç, me 7 vjet burg të rëndë

11. Fatmir Salihu (Spahiu) 24 vjeç, me 6 vjet burg të rëndë

12. Sherif Masurica, 25 vjeç, me 7 vjet burg të rëndë

13. Isa Kastrati, 29 vjeç, profesor, me 6 vjet burg

14. Zijadin Spahiu, 24 vjeç, me 6 vjet burg të rëndë

15. Ahmet Hoti, 29 vjeç, me 6 vjet burg të rëndë

16. Selatin Novosella, 31 vjeç, me 5 vjet burg të rëndë

17. Hilmi Ramadani, student, 23 vjeç, me 5 vjet burg të rëndë

18. Njazi Korça, student, me 6 vjet burg të rëndë

19. Sami Dërmaku, student, me 6 vjet burg të rëndë[7]

 

Mërgata shqiptare proteston

 

Sipas njoftimeve që i sjell gazeta në shkrimin “Shqiptarët përjashta protestojnë”, thuhej në vazhdim të shkrimit se Komiteti Kombëtar Demokrat “Shqipnija e Lirë” dhe Lidhja Kosovare, që përfaqësojnë shqiptarët në mërgim, kanë protestuar rreptë kundër shtypjes së pamëshirshme, prej së cilës vuajnë  bashkatdhetarët  e tyre në Jugosllavi, dhe kundër gjyqit famëkeq të Prishtinës, që iu shqiptoi dënime të rënda nëntëmbëdhjetë vetave të pafajshëm. E tani, bota duhet të zemërohet dhe të fyhej nga këto gjyqe të rrejshme që herë pas here me qëllim që t’ia bëjnë jetën edhe më të vështirë shqiptarëve.

Të gjithë shqiptarët që ndodhën në botën e lirë kërkojnë me një zë dhe i thërrasin ndërgjegjes së botës së lirë që të ndërhyjë pranë Qeverisë së Beogradit[8] për të mirën e këtyre shqiptarëve që në mënyrë sistematike po shtypen dhe nuk mund të ngrehinë zërin dhe të tregojnë për hallet e tyre, thuhej në protestë.

 

“QINDRESA SHQIPTARE” NR. 105, PARIS 1976

 

SERBI RRËFEN PËR TORTURAT E POLICISË QË IU BËHEN SHQIPTARËVE NË BURGJET JUGOSLLAVE

 

Rubrikës “Lajme nga Kosova në robëri”, i prinë shkrimi “Një jugosllav i dalë nga burgu tregon torturat mizore që policia jugosllave iu bënë të burgosurve shqiptar”, thuhej se në titullin “Një kundërshtar jugosllav fletë”, e përditshmja franceze “L’Aurore” boton, më 2 dhjetor 1976, një intervistë të bërë me z. Mirko Vidoviqit, shkrimtar jugosllav, nga gazetari francez Georges Daudon.

Zotëri Mirko Vidoviq, kishte qenë një ish i burgosur politik që kishte dal nga burgjet e Jugosllavisë ose siç shkruan gazetari francez, “nga kthetrat e policisë jugosllave”. Ai, kishte mbërritur në Francë dhe ishte vendosur në një nga lagjet e jashtme të qytetit Lion. Ai kishte tregua se çka kishte hequr në burgjet Jugosllavisë duke shtuar se “ jetonim në kushte të Gulakut, veçse neve na mungonte dimër i i Siberisë”[9]

Shkrimtari Mirko Vidoviq përmend emrat e disa intelektualëve kroat dhe shqiptarë që ka njohur nëpër burgje. Ai flet për torturat mizore që UDB-eja iu bënte të burgosurve, sidomos kroatëve e shqiptarëve. “Shqiptarët në Jugosllavi, janë një milion e pesëqind mijë frymë, thotë ai, domethënë tri herë sa popullsia e Republikës Federale e Malit të Zi.

Mirëpo Zotëri Mirko Vidoviqi ka qenë mbajtur disa kohë në burgun e Mitrovicës së Sremit, në Kosovë[10] dhe ai sipas të dhënave ishte njohës i mirë i situatës në atë burg. Ai shtonte se në këtë burg për herë të parë kishte takuar patriot shqiptarë dhe ndaj tyre shprehet se ka një respekt dhe shfaqte një nderim më të thellë për kurajën dhe flijimin që ata burra po tregonin me prova për popullin e tyre. Në natën e 18 shkurtit dhe në ditën e 19 shkurtit të vitit 1974, dëgjuam thotë ai, ulërimat rrëqethëse të patriotëve shqiptar që i torturonte policia (UDB). Dy prej tyre, Rifat Fanol dhe Nysret Bihorac u çmendën po atë ditë nga torturat. Midis shqiptarëve, Mirko Vidoviq kishte takuar edhe shkrimtarin Adem Demaçin, dënuar me tridhjetë vjet burg.

Mandej gazeta L’Aurore, vazhdon; “për këto tmerre, për këto tortura, Mirko Vidoviq nuk dëshironte të flas... Ai vetëm kërkon ti shpall botës këtë amanet; “Patriotët shqiptar dhe kroat që kam takuar në burg, duan që opinioni i përbotshëm ta dijë se ata luftojnë për të drejtat themelore të popujve të tyre. Ata duan që popujt e tyre të jenë zotë dhe të vendosin vet për fatin e tyre. Ata nuk duan të vrasin veten në shenjë protestimi, siç bëri poeti kroat Vladimir Lazor, më 1949. Kur pushteti djeg librat, deri në gramatikën kroate për shembull, kur kundërshtarët torturohen në atë mënyrë prej UDB-es, na imponohet detyra që të dëshmojmë. Kjo është një detyrë kundrejt kombit sikurse kundrejt gjithë njerëzve që kërkojnë lirinë[11].

 

Dënimet në Trepçë

 

Sipas gazetës, në një shkrim tjetër po të këtij numri (105), “Dënime në Trepçë”, thuhej se vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj vëllezërve tan nuk kanë të ndalur dhe vazhdojnë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Në Minierën e Trepçës shumica dërmuese e punëtorëve ishin shqiptarë. Nuk mjaftonte që kjo minierë shfrytëzohej, duke pasur parasysh vetëm nxjerrjen e mineraleve dhe duke mos marr parasysh prishjen e natyrës rreth e përqark, as përmirësimin e jetës së fshatarëve; nuk mjaftonte as pasuria e kësaj miniere që shkonte nëpër bankat e Beogradit dhe asnjë pjesë e saj nuk shpenzohej për zhvillimin e Kosovës; por kushtet në të cilën punëtorët kosovarë ishin të detyruar të punonin, ishin fortë të këqija  dhe shpesh bëheshin të padurueshme. Brenda në minierë ka pasur shumë aksione. Punëtorët ishin sëmur  e atyre drejtoria u ka paguar vetëm gjysmë rroge. Përveç kësaj sjellja e përgjegjësve të minierës, shumica e të cilëve ishin serbë e malazezë, ndaj punëtorëve shqiptar, ishte shumë e ashpër. Ata i kishin ndëshkua shqiptarët shpesh e pa arsye dhe drejtoria kishte heshtur. Pastaj, rroga e punëtorëve  shqiptar ishte shumë më e vogël se sa ajo e punëtorëve serbë e malazezë.

Kjo është edhe arsyeja që punëtorët shqiptar i kishin lënë punët dhe kishin fillua grevën e cila ishte bërë pas degradimit të Veli Devës dhe mbas caktimit të tij si drejtor i minierës së Trepçës, kah mesi i vitit që kishte shkua[12].

Natyrisht, si gjithmonë autoritetet qeveritare jugosllave e kishin shtypur pa mëshirë grevën. Minatorët ishin dënuar nga një gjykatore e fshehtë më shumë se 60 veta me burgime gjithë faresh. Me gjithë këto masa të qeverisë, pakënaqësia ishte shtuar tek punëtorët shqiptar. Ata tani e thonë haptas se Beogradi ka emërua me qëllim një shqiptar si drejtor të minierës së Trepçës, kështu që të thuhet në popull se shqiptarët po i dënon vet shqiptari[13], thuhej në shkrim.

 

Shqiptohen shumë dënime të tjera për shqiptarët

 

Në vazhdim të gazetës, në shkrimin “Dënime të tjera...”, në të cilin ceket se në anën tjetër  qeveria e Beogradit edhe më tej vazhdon ti shtypi shqiptarët me anë burgosjesh edhe dënimesh të padrejtë edhe të paligjshme.

Kështu, Muharrem Elshani ishte dënuar me 21 muaj burg të rëndë dhe njëkohësisht i kishin hequr të drejtën e punës, sepse kishte lexuar “Lahutën e Malcisë” të Atë Gjergj Fishtës.

Profesor Teki Dervishi, shkrimtar nga Gjakova, ishte arrestua dhe dergjet në burg tash nëntë muaj dhe ende nuk ka dal para gjyqit. Më 1965, Teki Dervishin, Beogradi e pat dënua me 5 vjet burg dhe ai pat dal nga burgu më 1970[14]. 

Pastaj gazeta cek se po ashtu është arrestuar edhe mësuesi Dervish Shala, nga Suhareka, që tani ndodhet në burg, pa dal në gjyq, qysh nga 28 nëntori i vitit 1975.

Ndërsa Gafurr Kabashi, arkëtar i Bashkisë së Suharekës, e kishin pushua nga puna dhe e kishin paditur si ballist, sepse i kishin gjetur libra në gjuhën shqipe duke thënë se janë nacionaliste.

Në Kosovë ishin dënuar edhe këngëtarët Idriz Bilshekaj dhe Bajram Bajriu që u dënuan me nga 2 muaj burg dhe iu janë hequr të drejtat civile.

Dënimet bëheshin gjithandej ku jetonin shqiptarët. Në Tetovë u dënuan: profesori i matematikës Abdullah Abedini, që i kishin shqiptua dënimin prej një viti burg më 1960 (në kohën e demonstratave në Kosovë). Edhe pse ka kalua një kohë e gjatë, profesori ende ndodhet i pa punë dhe se i kanë hequr të drejtën e punës. Të njëjtin fat e kishin pësua edhe Rexhep Nuredini, dhe mësuesi Bajram Hoti e që nuk janë të vetëm.

Profesor Adem Rukiqi, nga Vërhovca e Drenicës, ishte kapur në natën e Flamurit, më 1974, vetë i shtati. Të gjithë këta ndodheshin në hetuesi dhe nuk dihej se kur dot dilnin para gjyqit. Por, të gjithë familjaret që i kishin vizituar në burg thoshin se ata po i malltretonin shumë dhe ishin bërë ashtë e lëkur.

Në Kërçovë, ishte arrestuar Adem Kisha, nga Serbica, dhe dy shqiptarë të tjerë nga Cervoica[15].

Nga këto të dhëna që i prezantonte shtypi në mërgim, thuhej se kështu në Jugosllavi kishte me qind të burgosur shqiptar që mbaheshin në burgje me muaj e vite se gjoja ende nuk janë përfunduar hetimet. Qëllimi i krejt kësaj loje dihej, ngase për të përdor dhunën ndaj tyre ishte më lehtë kur shqiptaret ndodheshin në hetuesi. Bile shpesh ndodhte, kur familjaret as nuk njoftoheshin  se në cilin qytet e burg po u mbanin ata. E dhuna ndaj tyre shtohej edhe më tepër.

 

Shtypi i huaj fillon të shkruaj për gjendjen në Kosovë

 

Në shkrimin “Shtypi i huaj ka filluar të shkruaj për gjendjen në Kosovë”, shkruan gjerësisht, sesi kohëve të fundit shtypi ndërkombëtar, e sidomos ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po shkruan për dënimet e rrepta të Kosovarëve në Jugosllavi.

Po ashtu edhe shtypi francezë po i kushtonte rëndësi më të shprehur shqiptarëve në Kosovë. Gazeta “La Republique du Centre”, me 16 korrik, 1976, dhe “Le claireur du Gatinais et du Centre”, me 29 korrik, 1976, kishin botua një artikull të Lidhjes Kosovare për shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavi.

Por, kohëve të fundit, shkruante gazeta, se e përkohshmja”LUnite” e tetorit, po ashtu edhe gazeta tjetër franceze “Le Republicain Lorrain”, më 2 nëntor, 1976, kishte botuar një letër të degës së Francës të organizatës së madhe “Amnesty International”, që dënonte  gjendjen e rëndë e shtypëse të shqiptarëve në Jugosllavi.

“Grupi i Amnesty International” ka hapur një fushatë për të mbrojtur të burgosurit shqiptarë në Jugosllavi”- thotë letra. Pastaj, duke folur për kërkesat e shqiptarëve edhe për demonstratat e tyre, në letër theksohej : “ Këto demonstrata kanë qenë shtypur me egërsi. Shumë studentë dhe intelektualë kanë qenë kapë edhe janë dënua nga gjyqet e fshehta deri më 15 vjet burg”[16].

 

Telegram kryetarit të Francës nga mërgimtarët kosovar që jetonin në Francë

 

Shqiptarët që jetonin si mërgimtar, shfrytëzonin dhe angazhoheshin çdo herë dhe në çdo moment për të mirën e shqiptarëve që jetonin të robëruar në Jugosllavi. Një rast të tillë ata e kishin shfrytëzuar edhe me rastin e vizitës zyrtare që kryetari i Republikës Franceze, Zotëri Giscard D’Estaing, që e kishte bërë në Jugosllavi me datën 6 e 7 dhjetor, grupi i refugjatëve Kosovarë në Francë, më 1975 i kishte drejtuar këtë telegram;

“Vizita e Shkëlqesisë suaj në Beograd e intereson shumë grupin e 2 milion shqiptarë të Jugosllavisë, që vuajnë nën shtypjen e pakufishme të regjimit jugosllav. Grupet kombëtare të ndryshme të atij vendi iu është njohur e drejta që të kenë republikat e tyre autonome, përveç shqiptarëve. Këta trajtohen shumë keq se sa zezaket e kolonive  të dikurshme. Shqiptarët formojnë minoritetin etnik më të shtypur në Evropë. Shpresojmë se Franca, që kërkon të mbaj në botë dritën e lirisë dhe të demokracisë, do të gjejë mënyrën tua theksojë drejtuesve të Beogradit gjendjen e vajtueshme të grupit etnik shqiptar dhe të kërkojë që këta të kenë republikën e tyre autonome. Ne shqiptarët e Kosovës, të emigruar në Francë, shpresojmë shumë në kurajën, në shpirtin e lirisë dhe në pamjet e gjera evropiane të Shkëlqesisë suaj”[17], mbyllin telegramin mërgimtarët kosovar me banim në Francë.

 

VAZHDON QËNDRESËN “QINDRESA SHQIPTARE” NË MËRGIM

Numri i 106 (1977) i “Qindresës Shqiptare”, ka të njëjtin format sikurse numrat e tjerë të saja. Ka gjithsej  tri rubrika kryesore: Lajmet nga Shqipëria e robëruar, Lajmet e mërgimit dhe Jehona e shtypit. Zakonisht në rubrikën “Lajmet e mërgimit”, përfshihen ngjarjet që ndodhin në tokat shqiptare që kanë ngelur të okupuara në Jugosllavi.

Në këtë numër vëmendje më e madhe i kushtohet arrestimit të një bashkatdhetari tonë, por që jeton ne Turqi- Nijazi Sulçoglun që është arrestua në Jugosllavi në shkrimin “Nijazi Sulçoglun e futën në burg në Jugosllavi”. Gazeta shkruan se Bashkatdhetari i ynë, Nijazi Sulçoglun, sot gjendet i burgosur edhe i dënuam me 5 vjet burg të rëndë në Pejë të Kosovës.

Nijazi Sulçoglu ishte larguar nga Kosova shumë vjet më parë, në kohën e presioneve dhe të shtypjes jugosllave ndaj shqiptarëve. Dhe ishte vendosur me shtëpi në Ankara të Turqisë, atje kishte gjet një punë dhe merrej me shkrime. Disa nga shkrimet e tij ishin botua si libra por në shumicën e rasteve botonte edhe në shtypin e mërgatës. Megjithëse ishte rehatua në Turqi, malli për vendlindjen nuk e linte të qetë, dhe pas një kohe kishte vendosur që ti vizitoi familjarët e vet dhe prindërit që ishin të shtyrë në moshë. Në Pejë, policia serbe e ka arrestua dhe e ka dënua me pesë vite burg të rëndë.

Gazeta konstaton se nuk dihej arsyeja  se me çfarë e akuzojnë udbashët, por duke e ditur qëndrimin e tyre ndaj shqiptarëve kudo që janë ata sigurisht kanë shpikë ndonjë shpifje kundër atdhetarit tonë, Njazi Sulçoglu, për ta dënua sa më lehtë[18]. Dhe nuk duhet çuditur se ky është fati i shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.

 

Shtypi i huaj për Kosovën

 

Presionet e shumta që ushtroheshin ndaj shqiptarëve në njërën anë dhe ndikimi i mërgatës tek vendet ku jetonin në anën tjetër kishte bërë që shumë gazeta të shteteve të huaj të shkruanin për Kosovën dhe çështjen e saj të pazgjidhur.

Në shkrimin “Jehona e shtypit”,  thuhej se ndjekjet e papeshuara kundër shqiptarëve në Jugosllavi, me dënime të rrepta dhe tortura të tmerrshme, kanë përhap zemërim edhe kanë shkaktuar që të merret edhe shtypi ndërkombëtar me këtë çështje.[19]

Do të përmendja vetëm disa nga gazetat e huaja të cilat cek shkrimi i kanë kushtuar rëndësi kësaj çështjeje.

E përkohshmja britanike “EAST&WEST DIGEST, në numrin 3 të shkurtit, 1977, kishte botua një shkrim të plotë për ndjekjet dhe torturat kundër shqiptarëve  që bënte pushteti jugosllav ndaj tyre. Për tortura dhe dhunë edhe më parë kishte shkrua edhe gazeta e përditshme e Parisit L’AURORE, më 2  të dhjetorit që kishte kalua (1976), sipas deklaratave të shkrimtarit jugosllav, Mirko Vidoviq[20], i cili kishte dal nga burgu i Jugosllavisë dhe kishte ikur për Francë.

Po ashtu gazeta kroate “Danica” që botohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që përfaqësonte mendimin e mërgimtarëve shumicë kroate, në numrin 24 janarit, 1977, kishte shkrua një artikull të z. Vlado Glavash me titull “Dy popuj të ndryshëm- e njëjta rrugë historike”. Në këtë shkrim zotëri Glavashi bënte krahasimin e fatit të kombit Kroat me atë shqiptarë të Kosovës, pasi se që të dy popujt kanë vuajt nën të njëjtin sundim tiranik të shtetit Serbo-Jugosllav. Gazeta “Qindresa Shqiptare”, në vazhdim na prezanton disa pasuse që ka marr nga ajo , i ka përkthyer dhe i ka botuar.

“Ka rëndësi që të shkruhet sa më shumë në shtypin kroat për popullin, të cilit duhet t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë. Armiqtë e tij të sotëm janë edhe armiqtë e kroatëve. Kur shfletojmë historinë e tyre, njeriut i duket sikur po lexon historinë kroate. Ky është populli shqiptar. Shqiptarët janë miqtë tanë, më të sinqertë në burgun “jugosllav” dhe ata i përkrahin kroatët. Mendoi se do te gaboheshim sikur  të mos u mendofshim për fatin e popullit shqiptar. Jemi të lidhur me ta në të gjitha fushat dhe me fuqi të përbashkët do të shkatërrojmë të njëjtin armik. Vetë fati i bënë shqiptarët të jenë populli më i afërt i yni me të cilin na mund të qëndrojmë krah për krahë... Për pesëqind vjet shqiptarët kanë luftua kundër perandorisë Otomane, deri sa shpallën pavarësinë më 28 nëntor 1912. Mbas Luftës së Dytë Botërore të përgjakshme, Shqipëria u copëtua përsëri. Pesë milion shqiptar janë të ndarë; dy milion e gjysmë janë pashallëkun e Beogradit, në Serbin e sotshme, Malin e Zi dhe në Maqedoni”[21] shkruan gazeta “Danica”.

MË vonë gazeta kroate shkruan se politika serbe e mbas-luftës dhe terrori i Aleksandër Rankoviqit, në vitet 1955, 1956, 1957 e pastaj edhe në vitet 1964 e 1965, ishin shkaktare të vdekjeve e mase 65 mijë atdhetarëve shqiptar. Ndërsa shumë të tjerë i kanë detyrua të shpërngulën për në Turqi. Ky numër edhe sot e kësaj dite mbahet i fshehur. Sa janë ata që shtypën nëpër llogoret jugosllave. Edhe sot nuk iu dihet numri. Sa nga ata ikin dhe shkojnë për të punuar në Evropën Perëndimore. Edhe për këtë numër të shqiptarëve heshtet në Jugosllavi. Autori i shkrimit Vllado Gllavash citon të dhënat që i kishte sigurua nga mërgata shqiptare duke thënë se në perëndim ka mbi 200.000 mijë shqiptar[22].

Gazeta “Danica” shkruan se sa i shqetësuar dhe i trazuar është Beogradi nga shqiptarët, duket shumë mirë nga statistikat e popullsisë. Dhe në vazhdim na ofron të dhënat statistikore sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1948, ku paraqiten vetëm 750.431 shqiptarë, më 1953, numri i shqiptarëve është në rritje simbolike me 754.245 mijë shqiptarë, më 1961 kishte vetëm 914.733 dhe më 1971 numëronte 1. 310.000 shqiptarë. Por, autori i shkrimit konstaton se numri i shqiptarëve në Jugosllavi është mbi 2 milion e gjysmë banor. Shtrohet pyetja se kujt i shërben numri i falsifikuam dhe i rrem i popullsisë shqiptare, përveç Beogradit. Po ashtu shtron pyetjen se deri kur bota do të lexoi metodat “shpëtimtare” të Beogradit për mbajtjen e “bashkëjetesës paqësore”, deri kur do tu besoi bota fjalëve të serbëve për vëllazërim-bashkimin, kur nuk i lejon qytetarët e vet të quhen me emrin e tyre, po nuk qenë serbë dhe për Serbinë e Madhe. Shqiptarët janë shumë të vendosur[23], konstaton autori, dhe këtë e tregojnë çdo ditë, se nuk do të pushojnë deri sa të bashkohen tokat shqiptare dhe deri sa shqiptarët të çlirohen. Vërtet ardhmëria e tyre nuk është një kopsht me lule, mbase ata janë të rrethuar me armiq nga çdo anë, nga serbet në veri, maqedonët në lindje dhe grekët në jug. Shqiptarët e regjur do të kishin ditë me i përballua të gjitha këto vështirësi, po t’iu ishte mike qeveria e Tiranës. Enver Hoxha nuk dëgjon të çojë as gishtin për bashkatdhetarët e tij, të cilët ia dorëzoi Beogradit më 1945[24].

Dhe krejt në fund të shkrimit, gazeta e përshkruan se si u festua dita e Flamurit në Çikago të Amerikës, më 28 Nëntor 1976, dhe sjell në disa  rreshta fjalën e Profesor Luan Gashit, sekretarit të Përgjithshëm të “Lidhjes Kosovare”, i cili iu drejtua Kroatëve: Miq Kroatë, ne jemi me ju në çdo pikëpamje, njashtu siç jeni edhe ju në këtë luftë të përgjakshme për liri, drejtësi dhe pavarësi kombëtare”[25], përfundon fjalën profesori i nderuar. 

Edhe gazeta që botohej në Boston të Amerikës, “The Christian Science Monitor”, lajmëron me 9 shkurt 1977, se Banka Botërore, me qendër në Uashington, do ti japi Kosovës një hua prej 56 milion dollarësh.

Korrespodenti i kësaj gazete, zoti Eric Bourne, lajmëronte nga Beogradi se “ Pakica më e madhe dhe më e varfër e Jugosllavisë-afër një milion shqiptar në Krahinën e Kosovës, në Serbinë Jugore- do të fitoi nga Banka Botërore një hua për zhvillim prej 56 milion dollarësh”[26]

Huaja kryesisht ishte e dedikuar për përmirësimin e kanalizim dhe ujitje të 50 mijë hektarëve të tokës së Kosovës. Për modernizimin e e bujqësisë dhe të siguroi rezerva të ujit të pijshëm në shumë qytete të vogla shqiptare. Gazetari Eric Bourne, shkruan gjatë  për këtë çështje duke thënë se numri i shqiptarëve  në Kosovë është më shumë se katër me një në përpjesëtim me serbët, para-ardhësit e Beogradit. Natyrisht, ndihma që ka dhënë Beogradi, nuk mjaftonte për popullsinë shqiptare, e cila shtohej tri herë më shumë se mesatarja e jugosllave. Të ardhurat për njeri janë vetëm një e treta e mesatares  jugosllave. Prodhimi për njeri është vetëm 500 dollar në vit ( një e katërta e mesatares jugosllave). Ky inferioritet i vazhdueshëm ekonomik dhe ndjeshmëria politike  që e shoqëron, e shqetëson Jugosllavinë. Në këtë kuadër të dyfisht politik dhe ekonomik, huaja e Bankës Botërore, shkruan gazetari Bourne, merr një rëndësi të posaçme ; jugosllavët kanë pranua t’a venë në radhë të parë Kosovën në planin 1976-1980 dhe kjo hua  e lidhur me këtë. Banka do të paguaj gjysmën e çmimit të projektit të kanalizimit dhe të ujitjes. Beogradi do të kompensoje të tjerat.[27]

Zoti Bourne thotë se ata që do të përfitojnë nga ky projekt do të jenë 35 mijë veta, shumica shqiptare, bujq që prodhojnë 80 mijë tonelata pemë e zarzavate në vit. Ky prodhim pastaj parashihet që të shtohej deri në një gjysmë milioni tonelata duke përfshirë edhe prodhime të reja drithi. Gazeta, njofton gjithashtu se qysh nga vitet 1960, Banka Botërore, me qendër në Uashington, është burimi më i madh i ndihmës ekonomike perëndimore për Jugosllavi. Deri më tani, Beogradi ka mundur të marri hua një miliard e 500 milion dollarë në një radhë kredish[28], që e kanë ndihmua Jugosllavinë në zhvillimin e energjisë, të përpunimit të lëndëve të para, të transportimit të komunikimit, etj.

Në fund të gazetës jepet edhe ky njoftim se numrin e “Qindresës Shqiptare”, për botim e kanë ndihmua ushtarët e Ballit Kombëtar në Ushtrinë Amerikane në Gjermani.

 

ORGANIZIMI I DEMONSTRATAVE ANTI JUGOSLLAVE NË SHTETET PERËNDIMORE

 

Në numrin 107, të gazetës  “Qindresa Shqiptare”, 31 dhjetor 1977, në faqe 11, ishte edhe shkrimi për organizmin e demonstratave  shqiptare në Uashington, që i kishte organizua “Lidhja Kosovare” kundër politikës jugosllave dhe vet kryetarit të saj –Josip Broz Titos.

Gazeta njoftonte se me 16 qershor të vitit 1977, në Uashington ishte organizua një demonstratë madhështore që kishte për qëllim sensibilizimin e të drejtave të shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi dhe që me dekada kishin qenë të shtypur. Në tubimin e madh fjalën kryesore e kishte mbajtur Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes , Prof. Luan Gashi.

Vazhdimisht sipas shkrimit, në tubim kishin marr pjesë më tepër se 500 veta. Por ajo që binte në sy ishte se gati të gjithë demonstruesit ishin veshur me veshje kombëtare dhe barteshin flamuj kombëtar të Shqipërisë dhe të Amerikës, si dhe ishin shkruar dhe bartur mbi 50 tabela me parulla të ndryshme që kishin kërkesat që shqiptarët e Kosovës të jenë të lirë dhe të barabartë me popujt tjerë të Jugosllavisë. Demonstrata kishte filluar para Shtëpisë së Bardhë, ku u pranua një delegacion e cila e dorëzoi një memorandum të nënshkruar prej 500 vetave, që iu dërgua Presidentit Carter[29].

Vargu i demonstruesve pastaj ishte drejtua tek Kongresi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku deputeti William Broomfild përshëndeti turmën e kosovarëve dhe brohoriti me ta. Përfaqësuesit e dy senatorëve shpjeguan se “Çështja e shqiptarëve të Jugosllavisë ishte vu si pjesë e lëndës që do të bisedohej në Beograd[30]

Pas fjalimeve që mbajtën përfaqësuesit e senatorëve, fjalën e kishin marr edhe zotëri Hafëz Jusuf Azemi, Dr. Faton Gashi, z. Kadri Bajram Gashi, anëtarë të Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare, si dhe dy editorët e gazetës “Dielli”,  që kishin shkua në zyrën e shtypit të Senatorit Dole, ku i kishte pritur z. Donald Lambro, i cili u bëri një intervistë të gjatë në emër të agjencisë së madhe të lajmeve amerikane- UNITED PRESS INTERNATIONAL.

Po ashtu po nga këto demonstrata, Dr. Tako Baçaj u dorëzoi dy senatorëve të Virginia-s, zz. Byrd dhe Scott, shkresat me qëllimet dhe ankimet e shqiptarëve.

Sipas shënimeve, demonstrata kishte përfundua  mirë dhe në botën demokratike kishte përcjell mesazhin se, ka një Kosovë që qon zërin me fuqi Shqipërie dhe se Kosova e Çamëria të shkëputura nga kombi, janë në Evropë, dhe si të tilla nuk munden të qëndrojnë më si të tilla, si një vend të humbur në Afrikë[31]. Demonstrata e Uashingtonit, gati qe, edhe kushtrimi i parë që i jepej bashkësisë ndërkombëtare.

 

Organizohen demonstrata të tjera në Uashington

 

Në bazë të shkrimeve që na i ofron shtypi që botohej nga mërgimtarët tanë, del se vitet e shtatëdhjeta e këndej ishin të mbushura me plotë manifestime të ndryshme që kishte organizua mërgata shqiptare.

Në numrin e 108, me 30 prill 1978, të gazetës “Qindresa Shqiptare”, thuhej se  shqiptarët e kroatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin mbledhur në Uashington, më 6 mars të vitit 1978, dhe kishin organizua një demonstratë madhështore kundër Mareshalit Tito të Jugosllavisë, i cili kishte ardhur në këtë qytet për një vizitë zyrtare.

Ata, demonstruesit kishin brohoritur se diktatura tiranike e Jugosllavisë është armiku i përbashkët i shqiptarëve dhe i kroatëve, prandaj këta dy popuj janë të bashkuar po në këtë luftë për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kështu, Lidhja Kosovare në Amerikë ishte marr vesh me Organizatën e Kroatëve për me bë bashkë një demonstratë më 6 mars, për të kërkua  të drejtat njerëzore, për tu ndërpre terrori, torturat dhe ndjekjet dhe për të ngulë këmbë që të lirohen të burgosurit politik që po mbushnin burgjet e  Jugosllavisë dhe që t’iu njihej shqiptarëve të Kosovës një autonomi efektive. Të gjitha këto kërkesa bëheshin sepse regjimi i Jugosllavisë nuk ka veprua kurrë sipas Kushtetutës së vet për sa i përket barazisë së të drejtave të kombeve që përbëjnë shtetin mozaik jugosllav të ashtuquajtur “federal”[32].

Duhet cekur se në këtë demonstratë kishin marr pjesë mbi 2.000 veta shqiptar e kroat, që kishin ardhur nga vendet e ndryshme të SHBA-ve dhe nga vende tjera. Demonstrata ishte organizua në Lafayette Park para Shtëpisë së Bardhë, dhe demonstruesit në duar mbanin flamuj shqiptarë, kroatë dhe të Amerikës. Në marshin e tyre u dëgjonin duke u kënduar himnet e tri shteteve, dhe këngë të ndryshme kombëtare, persona të caktuar mbanin parulla të ndryshme në duar. Tubimi kishte fillua në ora 10, para dite dhe kishte përfunduar diku vonë në orët e pasdites. Duke fillua nga Shtëpia e Bardhë dhe duke përfunduar para Pallatit të Kongresit Amerikan, ku në pritje iu kishin dal shumë deputet e senator.

Shtypi amerikan, demonstratave shqiptare e kroate i kishte kushtua rëndësi të madhe. Nga të pranishmit gazetarët e ndryshëm morën shumë intervista nga të pranishmit. Në emër të kroatëve kishte folur z. Janko Skrbin si dhe në emër të “Lidhjes Kosovare” prof. Luan Gashi.

Në ora një ( 1 ), pas dreke u mbajt një Konferencë shtypi e përbashkët, në të cilën kishin folur : Prof. Luan Gashi, zotëri Hafëz Jusuf Azemi, , z. Abdyl Henci, Dr. Faton Gashi, Dr. Nihat Bakalli, z. Ajet Rushiti, z. Kadri Bajrami, Z. Mustafa Henci, z. Shaqir Salihu dhe z. Skender Gashi.

Ndërsa pas dreke, Profesor Luan Gashi, ishte ftuar në zyrën e Senatit Amerikan nga gazetari i njohur Donald Lambro (fis shqiptari), i cili kishte bë një intervistë në emër të agjencisë së madhe amerikane të lajmeve United Press International. Po atë ditë agjencioni e kishte shpërndarë si një lajm të veçant të ditës.

Po ashtu, po atë ditë edhe dr. Tako Baçaj kishte dhënë një intervistë për televizionin Amerikan NBC dhe kishte prezantuar në detaje jetën e vështirë dhe të robëruar të shqiptarëve në Jugosllavi.

Edhe gazeta  “The Washington Star”, kishte botua një fotografi me një grup kosovarësh me plisa të bardhë, që mbanin një pankartë, ku ishte e vizatuar një dorë e përgjakur, me këtë shkrim : “ Tito, deri kur duart e tua të përgjakura do të mbysin shqiptarë të pafajshëm”.[33]

 

Shtypi amerikan lajmronte për demonstrata e shqiptarëve dhe kroatëve

 

Agjensioni amerikan i lajmeve United Press International, lajmëronte opinionin e gjerë amerikan se një grumbull i madh shqiptarësh të Amerikës protestoi ditën e hënë kundër Presidentit Josip Broz Titos, i cili kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara për një vizitë tri ditësh. Ata e kishin paditur Titon se po e përdor keq pakicën shqiptare në Jugosllavi[34].

Gazeta njofton se udhëheqësit e demonstratës, në krye me profesor Luan Gashin kanë organizua një konferencë për shtyp, ku kanë njoftuar arsyen e mbajtjes së demonstratave. Profesori para gazetarëve kishte thënë se ne kemi ardhur këtu për të protestua kundër vizitës së Titos në SHBA, ngase profesori Gashi jep mësim në Shkencat Politike në Queen’s Colleqe të New Yorkut, dhe duke i ditur parimet e demokracisë kishte paditur Titon se u ka mohua  të drejtat e statutit më shumë se dy milion e gjysmë shqiptarëve në Jugosllavi.

Agjensioni lajmëron se mbledhja i kishte dërgua telegrame Presidentit Carter si dhe anëtarëve të Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe atyre të Komisionit të Dhomës  së Deputetëve për Marrëdhënie Ndërkombëtare, për të protestua kundër vizitës së Titos dhe për të padit presidentin jugosllav se përpiqet që të zhdukë krejt nga ky vend i Ballkanit tërë qenien kombëtare shqiptare.

Po ashtu demonstruesit gjatë defilimit të tyre kishin shpërndarë një deklaratë ku thuhej se që nga viti 1944, Jugosllavia kishte ndjekur një politik, e cila kishte për qëllim çrrënjosjen e krejt shqiptarëve nga tokat e tyre të lindjes[35].



[1] Procesi gjyqësor i Adem Demaqit me shokëështë mbajtur me................

[2] Shtypja që po iu bëhet kosovarëve në Jugosllavi po kapërcen çdo kufi, Qindresa Shiptare, nr.104 f.2. Paris 1976.

[3] Konferenca e Londrës u mbajt...............

[4] Si në shënimin 41, f. 3.

[5] Po aty.

[6] Organizata “Amnesty International”, kujdeset për të burgosurit shqiptarë në Jugosllavi, QindresaShiptare, nr. 104,f. 7, Paris, 1976.

[7] Nëntëmbdhjet shqipëtar janë dënua me 5 deri më 15 vjet burg të rëndë në Kosovë, Qindresa Shqiptare,nr. 104, f. 8, Paris, 1976.

[8] Shqipëtarët përjashta protestojnë, Qindresa Shipëtare,nr.104. f.8. Paris 1976.

[9] Një jugosllav i dal nga burgu tregon torturat mizore që policia jugosllave bënë të burgosurve shqiptar, Qindresa Shqiptare,nr. 105, f. 6 Paris, 1976.

[10] Artikullshkruasi thotë se i burgosuri kishte ndodhë në burgun e Mitrovicës së Sremit, që ndodhej në Kosovë, kjo është megjasë ndonjë gabim në gazetën franceze,ngaseMitrovica e Sremitndodhej në Sremë në Krahinën e Vojvodinës. Por Mitrovica si qytet ndodhej edhe në Kosovë, por është shumë emundur të jetë Mitrovica e Sremit, ngase të burgosurit politik shqiptar kryesisht i kanë dërguar në këtë burg, ata të burgosur qëkanë qenë të dënuar mbi dhjetë vite burg të rëndë.

[11] Po aty, f.7.

[12] Dënime në Trepçë, Qindresa Shqiptare,nr. 105,f. 8. Paris, 1976.

[13] Po aty.

[14] Dënime të tjera... Qindresa Shqiptare,nr.105,f. 8, Paris, 1976.

[15] Po aty.

[16] Shtypi i huaj ka fillua të shkruaj për gjendjen në Kosovë, Qindresa Shqiptare, nr. 105,f.9. Paris, 1976.

[17] Një telegram drejtuar Kryetarit të Republikës Franceze.,Qindresa Shqiptare,nr. 105, f.10, Paris, 1976.

[18] Nijazi Sulçoglun e futën në burg në Jugosllavi, Qindresa Shqiptare, nr. 106, f. 6, Paris, 1977.

[20] Shtypi I huaj, Qindresa Shqiptare, nr. 106, f, 6, Paris, 1977.

[21] Gazeta “Danica”, 24 janar 1977. SHBA.

[22] Po aty.

[23] Po aty.

[24] Po aty.

[25] Fjala përshëndetëse e Profesor Luan Gashit në Çikago, më 28 Nëntor, 1976.

[26] Gazeta “The Christian Science Monitor”, 9.02.1977, Boston

[27] Shtypi I huaj, Qindresa shqiptare, nr. 106, f. 8. Paris 1977

[28] Po aty.

[29] Demonstrata madhështore e Lidhjes Kosovare në Washington, Qindresa Shqiptare, nr. 107, f. 11, 1977. Paris

[30] Po aty., f. 12

[31] Po aty.

[32] Lajmet e mërgimit, Qindresa Shqiptare, nr. 108, f. 11, Paris, 1978

[33] Demonstrata e madhe e shqiptarëve dhe e kroatëve në Washington, Qindresa Shqiptare, nr. 108, f. 12. Paris, 1978.

[34] Agjencia eamerikane e lajmeve, United Press International, lajmëron për demonstratatën e shqipëtarëve, Qindresa Shqiptare, nr. 108, f. 12. Paris, 1978.

[35] Po aty. f. 13.