E enjte, 28.03.2024, 11:41 AM (GMT)

Kulturë

Mentor Quku: Ndre Mjeda, me Budin në dorë derisa vdiq

E shtune, 26.03.2011, 07:13 PM


Ndre Mjeda, me Budin në dorë derisa vdiq

 

Nga Mentor Quku

 

Në moshën 64 vjeçare, gjuhëtari Mjeda, ndërmerrte një udhëtim të vështirë me kalë deri thellë në malësitë e Matit, për të gjurmuar të folmen e gurabardhasve, për të gjetur pika takimi me të folmen e Budit. Udhëtimi në vendlindjen e Budit, na kujton ekspeditën tjetër shkencore, atë që ai ndërmori në krahinat e Elbasanit (maj 1917), për të gjurmuar veçoritë e të folmes së elbasanishtes, variant i gegërishtes jugore, për të cilin, Komisia Letrare e Shkodrës kishte vendosur që të vihej në themel të gjuhës së shkruar, të unjisuar, shqipe. Syri vëzhgues i Mjedës kishte vërejtur se e folmja e gurabardhasve, me kalimin e viteve, nuk kishte pësuar ndryshime dhe se ruante gjëra të përbashkëta me të folmen e Budit.

 

Në artikullin “Nji vizitë shkencore në Gurin e Bardhë” botuar në ‘Vullneti i Arbërisë’, më 20 qershor 1930, shkruhet: “Prifti katolik Z.D.Ndre Mjedja, i shoqnuem prej deputetit të Dibrës Z. Kol Mjeda, niset sot për Gurin e Bardhë për të ba studime mbi gjuhën e popullatës s’atjeshme. Kjo vizitë u shkaktue nga studimi i librit t’Imzot Pjeter Budit, lindur në Gurë të Bardhë, i cili libër u botue në vitin 1621 dhe formuen objektin e studimit të Z.-it D. Ndre Mjeda. Vizituesat do të bajnë nji krahasim midis librit në fjalë dhe gjuhës të asaj krahine, e cila thuhet se gjuhën e ka mbajtun të pa prekun, me qenë se nuk merr as nuk jep martesa në krahina të tjera”. Nxënësit dhe dishepujt e tij kujtojnë se Ndre Mjeda ecte “neper rruginat e Seminarit me Bogdan e Bud nensjetull”.

 

Mjeda kishte ndërtuar projektin e tij me qëllim për ribotimin e librave të Budit me besnikëri në shqiptimin e tekstit. Me transkriptimin fonetik të teksteve të vjetra, ai donte të gjente tingujt përmes shkronjave. Kjo sipas metodës së Mjedës ishte mënyra më e mirë, megjithëse më e vështirë. Përmes krahasimeve, të folmes së gurabardhasve me gjuhën e Budit ai kërkonte të bënte një ribotim shkencor të veprave të Budit. Që këtej mund të mësojmë për lidhjen mes ekspeditës së Mjedës në Gurë të Bardhë(1930), kërkimeve këmbëngulëse të Mjedës ndaj librave të panjohur të Budit, përpjekjeve të tij për ribotimin me transkriptim fonetik të pjesëve të librit Pasqyra e të Rrëfyemit (1932), si edhe përgatitjes së lartë teorike e praktike, në fusha të ndryshme të dijeve filologjike të Mjedës, si, glotologjia, dialektologjia, etimologjia, tekstologjia, paleografia, ortografia, kaligrafia, etj.

 

Mjeda filloi të punojë seriozisht për Budin, në vitin 1930 dhe pavarësisht nga peripecitë, nuk ju nda kësaj rruge, deri në ditët e fundit të jetës. Vdiq me Bud në dorë. Mjeda e vlerësoi Pjetër Budin si poetin e parë shqiptar, si letrarin patriot, si luftëtarin e zjarrtë për lirimin kombëtar, ndërsa veprën e tij, si një thesar të vërtetë të gjuhës shqipe. Mjeda hartoi projektin ambicioz dhe punoi për një dhjetëvjeçar, për ribotimin e veprave të Budit.

 

Ekspedita në Gurin e Bardhë bënte pjesë në metodën krijuese të gjuhëtarit tonë, pjesë e projektit të tij për gjurmimin, studimin, transkriptimin fonetik dhe botimin e veprave të panjohura të Budit. Mjeda ka kërkuar gjuhën e Budit për të krijuar ura lidhëse në mes të dy kryedialekteve që, me kalimin e kohës, ishin larguar fonetikisht.

 

Ekspedita në Gurë të Bardhë (1930), nuk ishte për Mjedën një shëtitje turistike, apo një mjet për një frymëzim të ri poetik: kishte kohë që paleografi Dom Ndre Mjeda e kishte mbyllur atë kapitull. Pas botimit në vitin 1930 të veprës së Bogdanit “Jeta e së Lumes Virgjin Mri” nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”, Mjeda i kthehet veprave të Budit. Deri atëherë mendohej se të gjithë veprat e Budit kishin humbur, ose nuk njiheshin: dihej vetëm Doktrina e Krishtenë, botim III, Romë, v. 1664. Roli i Mjedës në lidhje me gjurmimin, komentimin, transkriptimin dhe botimin e veprave të panjohura të Budit, është i një rëndësie të veçantë: si për angazhimin e plotë të dijeve të Mjedës në këtë fushë, si për përgatitjet e lartë gjuhësore të tij, ashtu edhe për kohën e gjatë që ai punoi në këtë drejtim. Pse Mjeda u interesua kaq shumë dhe kaq gjatë për Budin? Përveç arsyeve që përmendëm më lart, Mjeda e quante veprën e Budit një thesar të vërtetë të gjuhës shqipe, si dhe një burim për të ditur më shumë për jetën e tij. Pjetër Budi shfaqet në skenën e përpjekjeve të popullit shqiptar për lirim kombëtar në shekullin XVII. Vlerësohet si poeti i parë shqiptar, letrar patriot dhe luftëtar i zjarrtë për lirim kombëtar.

 

Rezultatet e punës së Mjedës

 

Ku qëndron hopi cilësor që sollën studimet e Mjedës mbi Budin? Mjeda qe ai që hartoi projektin më ambicioz dhe punoi gjatë e me këmbëngulje për transkriptimin, studimin, komentimin dhe botimin e veprave të Budit. Do të duhej një gjuhëtar i shquar, shumë i kulturuar dhe i arsimuar, njeri me vullnet të hekurt, me karakter e këmbëngulës, si Ndre Mjeda, që t’i hynte kësaj pune kolosale. Por do të duhej që të vinte v.1925, që Ndre Mjeda të mbyllej në famullinë e tij në Kukel, ku ai të drejtonte energjitë dhe dijet e tij në fushë të studimeve mbi shkrimtarët tanë të vjetër.

 

Ishte në traditën e fshatit Guri i Bardhë, me zakone konservatore, ku nuk bëheshin martesa me fshatrat përreth, ku, prandaj, gjuha e të vjetërve ishte ruajtur deri në ditët më të vona. Syri vëzhgues i Mjedës kishte vënë në dukje se e folmja e gurabardhasve nuk kishte ndryshuar shumë në kohë, gjë që e bënte të ishte i bindur se ajo kishte ruajtur gjëra të përbashkëta me të folmen e Budit, pavarësisht nga largësia kohore.

 

Për fat të mirë kemi trashëguar një kronikë të hollësishme të kësaj ekspedite, e cila u hartua nga deputeti Kolë Mjeda (1895-1951), menjëherë mbas kthimit në Shkodër, më 7.7.1930. Për shkak të besueshmërisë që ka kjo kronikë, si edhe për faktin se u hartua nga njeriu që e shoqëroi poetin në këtë udhëtim, po japim një fragment:

 

“Sikursè âsht pá edhè nder shtylla të fletoreve të kryegjytetit, udhtimi i êm me të Nd. Zotní Dom Ndré Mjeden ká pasë per qellim vetem studimin mbî nji botim të Don Pjeter Budit, prej Gurit të Bardhë, të shtypun në giûhë amtare në vjetin 1621. Me 19.6.1930 kalueme Tufinen edhè shkallen e Tujanit, kû syni nuk ká të ngím tue e pá at bukuri natyre, e, kah ora 20.30 mrrijtme në vendin e caktuem per bûje t’asajë natë, qi thirret “Hani i Zallit” kû kjeme pritë s’ká ma mirë prej Jashar Bejt, i dibranë. Ne e nesre, kah ora 6.30 vijueme udhtimin mbi Qafen e Morizës e, mas nji rruge mjaft të mundshme, por të bukur, mrrijtme në maje të malit, kû gjetme Postë Komanden e Gjendarmerís e brí ksajë nji han, kû pushueme e píme kafe e tamel, e prep u vûeme per rrugë, qi kishim nisë. Mas do kohet n’a u paraqit nji panoramë e shkelqyeshme në të cillen muejtme me dá per së largut shpija të nalta. Qeraxhít n’a thane se atà ishin shpijat e Gurit të Bardhë, kû mrrijtme në krye të nji orës e gjysë. At vend e kishte stolisë natyra me kodrina të thepisuna e të veshuna me blerim, me kroje, qi i zotnote brîja e malit të naltë të Dajtit....”

 

Itinerari i ekspeditës

 

Cili është itinerari i ekspeditës së gjuhëtarit tonë? Dom Ndre Mjeda nuk ishte kthyer në Tiranë, që nga koha kur kishte qenë deputet në Asamblenë Kushtetuese. Kësaj radhe ai erdhi në Tiranë pas pesë vitesh, duke udhëtuar me autobusin e linjës. Në kryeqytet ai u takua me kushëririn e tij, deputetin e Dibrës, Kolë Mjeda. Qellimi ishte realizimi i ekspeditës për në vendlindjen e Budit, gjë për të cilën ata duhet të kenë biseduar edhe më heret, për itinerarin, për kohën, si edhe për detajet e tjera, aq të rëndësishme për mbarëvajtjen e një ekspeditë të vështirë në një terren plot rrëpira e gremina. Ata duhet të kenë pajtuar fshatarë me mushka, që do të ishin udhërrëfyesit, banorë të rretheve që duhet ta kishin bërë edhe herë të tjera këtë udhëtim. Guri i Bardhë lidhej me Tiranën vetëm përmes një rruge mushkash. Ekspedita nisi më 19.6.1930. Ishte parashikuar një udhëtim i vështirë, por me qëllim ishte zgjedhur muaji i qershorit, kur në majat e maleve nuk kishte borë. Rruga gjarpëronte në shtigje të ngushta, të thepisura, buzë greminave dhe kalohej vetëm me mushka të sprovuara. Rruga, e cila, në vijë ajrore, ishte rreth 25 km, u përshkrua për dy ditë. Guri i Bardhë ishte një fshat malor, atje pas maleve të Dajtit, në rrëzë të shpateve veriore të Malit me Gropa.

 

Historikisht ky fshat është i përmendur për rëndësinë që kishte në rrugën që nisej nga deti Adriatik e kalonte nëpër Mat e Dibër. Mendohet se Guri i Bardhë është vendlindja e Skënderbeut. Mbi rrugën Durrës-Dibër, e cila kalonte pranë qafës së Murrizës, ndodhet kalaja e Skënderbeut, me emrin Portalba, e cila ishte rezidenca e gruas së Skënderbeut për stinët e verës dhe të vjeshtës. Njihet se Ndre Mjeda ishte një kalorës i sprovuar, me një pasion për kuajt. Itinerari ka kaluar nëpër Tufinë, Shkallën e Tujanit, luginën e lumit Ishëm. Mbas një dite udhëtimi të lodhshëm, natën e kaluan në Hanin e Zallit. Heret, në mëngjesin e 20 qershorit, janë nisur në drejtim të Qafës së Morizës, në mes të dy majave, të Malit me Gropa, Majës së Kotit, (1391 m.) dhe Majës së Bastarit (1740 m. ). Qafë Murriza përbënte kufirin ndarës në mes të krahinës së Matit dhe Tiranës. Në fshatin Guri i Bardhë kanë arritur në kohën e drekës. Gjithë pjesën tjetër të ditës, Ndre Mjeda, ka pasur kontakte me banorë të fshatit Guri i Bardhë, të cilët kishin ruajtur besimin katolik dhe të folmen e Budit deri në kohët më të vona. Ata as nuk jepnin nuse dhe as nuk merrnin me fshatrat përreth.

 

Mbasi zhvilloi intervistat e planifikuara me të moshuar të fshatit malor, Dom Ndreu, së bashku me Kolë Mjedën, janë nisur më 21 qershor për në kthim, kësaj radhe, ne një drejtim tjetër: nëpër luginën e lumit Mat, në drejtimin Jug-Veri. Kjo për shkak të terrenit në zbritje. Natën e parë të rrugës së kthimit fjetën në Bershê, kurse natën tjetër në Burrel. Me datën 23 qershor, kanë kalëruar për nëntë orë rresht në rrugën Burrel-Krujë. Ishte viti 1930: Rruga automobilistike Burrel – Krujë ishte në të përfunduar, kurse Ura Matit, posa kishte lidhur me linjë automobilistike të rregulltë Shkodrën me Tiranën.

 

Fakti që Mjeda ka kërkuar të njohë gjuhën e Budit, përpara se të fillonte nga puna për të transkriptuar veprën e tij, Pasqyra e të Rrëfyemit, tregon për për profilin prej shkencëtari të formuar të gjuhëtarit tonë. Bie në sy natyra sistematike e punës shkencore që bënte Mjeda. Ai nuk nxitoi të bënte punë shkel e shko. Ai tregoi këmbëngulje në realizimin e projektin e tij për gjurmimin e veprave të panjohura të Budit, për fotografimin, për transkriptimin fonetik, si dhe për botimin e tyre. Por gjatë rrugës që ndoqi për të sjellë fotografitë e veprave të Budit përmes një dore të tretë, i dolën probleme të paparashikuara.

 

Debati Ndre Mjeda-Filip Fishta për problemin e Budit: Mbasi kishin kaluar dy vite nga koha që kishte bërë ekspeditën në Gurë të Bardhë, del në pah një dokument që tregon se Mjeda kishte vazhduar gjatë kësaj kohe me projektin e tij për veprat e Budit. Në pamundësi për të vajtur në Paris, Mjeda kishte ngarkuar studentin e ri Filip Fishta, që shkonte atje për studime, që fotografonte çdo faqe të kopjes së librit “Pasqyra e të Rrefyemit” që ruhej në bibliotekën Mazarine të Parisit. Në një fletë, që ruhet në AQSH, ka shënime autografe të Mjedës rreth bashkëpunimit me Filip Fishtën për këtë problem.

 

“Në letër 13.IV.32, thotë: “per tash e shoh të kotët me fotografue librin unjí”.

Me 8.V.32 – Ká marrë porosín m’u marrë vesht për fotografim; çon fjalët e fotografvet – Mandej thotë: “Un kujtoj se mbasi e kam nisë e gadi e kam krye së përkthyemi, bâjmë mâ mirë me e botue si fretent Buzukun, tui porositë germat e posaçme, e tui e bã me kalue neper sá duer”.

 

26.VII.32 – “Nuk keni mujtë me i rá në tê ngurrimit të deritanishem me e botue krejt librin. Sharti i pare (para se me ia hî punës) sejcilli fotograf kerkon ká nji pjesë të hollash perpara. Me thanë të verteten i keni dalë hakut se më keni pvetë nder letra se kuer e si me i dergue të hollat.”

 

Që këtej, del se më 13 prill 1932, Filip Fishta e ka njoftuar Mjedën, me siguri nga Parisi ku është me shërbim, se është e kotë të bëhet fotografimi i të gjitha faqeve të librit të Budit. Kjo len të kuptohet se ka filluar të ndihet interesimi i studentit të ri për ta bërë ai vetë ribotimin e veprës. Por Mjeda ka bërë porosinë dhe prandaj këmbëngul në të tijën. Më 8 maj 1932, Mjeda ka marrë letër-përgjigje nga Filipi, lidhur me ofertat e fotografëve. Gjithashtu ka mësuar, jo pa habi, niciativën e studentit të ri shkodran, i cili me shumë ambicje, pothuaj, e ka përfunduar, në mënyrën e tij, transkriptimin e librit Pasqyra e të Rrëfyemit. Pra në një farë mënyre e ka tejkaluar porosinë e bërë nga Dom Ndre Mjeda. Filip Fishta ka propozuar, që libri i transkriptuar i Budit, të botohet me shkronja speciale të derdhura, ashtu si Justin Rrota botoi Mesharin e Buzukut. Më 26 korrik 1932, flitet haptas për një ngurrim që vjen nga Parisi për të kryer porosinë e Mjedës.

 

Në postën e numrit 7-8 (1932) të revistës LEKA, kemi përgjigjen dërguar Filipit: “Qyshë në muej të kaluemë na kanë ardhë gjashtë tefterët me 576 faqe dorëshkrim të librit “Speculum Confessionis” të Timzot Pjeter Budit, të cillin patët mirësin me e pershkrue me aq kujdes e me na e dergue. Të jeni të sigurët se gjith dashamirët e letërsis shqype e çmojnë fort ket mund t’Uej. Librin “Rituale Ramanum” e kemi gjetë në Romë, medje kena çue me marrë do fotografina të cillat në këto dit na kanë ardhë.”

 

Ky është mendimi i redaksisë së Lekës, kurse Ndre Mjeda ka mendim tjetër për punën e Filip Fishtës. Në qershor 1932, Filipi ka dërguar në Shkodër, gjashtë fletoret, me 576 faqe dorëshkrime të librit “Pasqyra e të Rrëfyemit” (Posta e jonë, LEKA, viti IV, nr 7-8, rekto e kopertinës së fundit. Shkodër, korrik-gusht 1932). Që këtej mësojmë se që më 1932, redaksia e Lekës interesohet edhe për librin tjetër të Budit, Ritualin Roman, një kopje e vetme e të cilit është gjetur në Bibliotekën e Vatikanit. Shumë interesant është lajmi se paskan ardhë në redaksinë e Lekës, disa fotografi të librit të Budit Rituali Roman. Ne mendojmë se ky interesim ka lidhje me shtysën që duhet të ketë bërë Dom Ndre Mjeda.

 

Po në numrin e korrik-gushtit 1932, Ndre Mjeda ka botuar artikullin Permbi nji liber të panjoftun të Timzot Pjeter Budit, ku ai sqaron bashkëpunimin e tij me Filip Fishtën:”Sivjet në rasë qi Z. Filip Fishta shkote në Parigj me krye këndimet e veta, ju lutshë m’u orvatë per ketë punë; e ai me drejtime të profesorit të vet Z. Mario Roques, jo veç se e gjet librin, por edhè me nji zéll të páshoq u vû e e pershkroi krejt. Âsht e dijtun se ngutsija nuk i dha dorë me e pershkrue âshtû si lypet tui i dá fjalët per së mbarit, e tui u ruejtë prei ndo’i së metës kah ana e leximit. Prandaj e “LEKA” e une po i çojmë falenderimet t’ona të flaktit atëdhetar. Me porosi të cliches-ë së titullit i kje thanë të çote edhe nji tjetrë të njá dý faqevet, por ketë të dyten porosí s mujt me e krye.” (Leka, viti IV, nr. 7-8, fq 221, Shkodër, korrik-gusht 1932).

 

Mbas dërgimit të fotografive Mjeda botoi, përveç fac-similes së titullit të librit “Speculum Confessions” edhe dhjetë faqet e parathënies së veprës në fjalë, kthye në orthografinë e sotme. Ndërkohë Mjeda ka filluar botimin pjesë-pjesë të librit të Budit “Pasqyra e të Rrëfyemit” tek revista Leka, ku luante rolin e këshilltarit. Në artikullin e parë të botuar në Leka në korrik-gusht 1932, ai bën një përshkrim të shkurtë të veprës së Budit. Pastaj po në këtë revistë, filloi botimin pjesë pjesë të mbarë veprës së transkriptuar të Budit. Botimi është bërë me okelion “Prej librit “Pasqyra e të Rrëfyemit” së Timzot Pjetër Budit”, në shtator-tetor 1932.(D. Ndre Mjedja, Prei librit „Pasëqyra e të Rrëfyemit” së Timzot Pjeter Budit, rev. Leka, v. IV, nr. 9, fq. 265, Shkodër, shtator 1932 dhe viti IV, fq. 304, Shkodër, tetor 1932). Mjeda kështu radhitet ndër transkriptuesit e parë të shkrimtarëve tanë të vjetër. Në fillim u duk se çdo gjë do të shkonte mbarë, aq më shumë se njihej kompetenca e Mjedës në këtë fushë. Vetë redaksia, që e kishte Dom Ndreun këshilltarin e vet, u tregua entuziaste. Po pasi ishte botuar një pjesë e librit të Budit, ndodhi ajo që i çuditi të gjithë rrethet letrare e shkencore të vendit: u ndërpre proçesi i botimit të mëtejshëm. Redaksia e Lekës njoftoi me takt se ndërpriste botimin: “Para se me e këputë botimin e copavet të xjerruna prei kësi libri, kaq së çmueshem per giuhë tanë, s mund u pritme pa shtue edhe njiketë copë qi po qesim sod.” (D. Ndre Mjedja, Prei librit „Pasëqyra e të Rrëfyemit” së Timzot Pjeter Budit, Leka, v. IV, nr.10, fq.304, Shkodër, tetor 1932).

 

Ndërprerja e botimit të veprës së Budit

 

Pse u ndërpre botimi i veprës së Budit nga Mjeda në Leka? Në këtë drejtim duhet të ketë ndikuar Filip Fishta, i cili mendonte se me botimin e librit të Budit nga ana e Mjedës, atij po i bëhej një padrejtësi. Studenti i ri Filip Fishta besonte se kishte mundësi, më shumë se kushdo tjetër, për të ribotuar veprën e Budit. Në anën tjetër, në korrik-gusht 1932, Mjeda ka vënë në dukje se F. Fishta nuk i ka qëndruar besnik origjinalit të Budit, duke e “përmirësuar atë”, duke i ndarë fjalët për së mbari, si edhe “është kujdesur” të ruhet nga të metat e leximit që ka teksti origjinal. Mjeda ishte këmbëngulës në projektin e tij ambicioz dhe kishte paguar paratë.

 

Ndërkohë, i riu F. Fishta, i frymëzuar dhe i pajisur me ambicje shkencore, kur e ka parë veten të humbur, ka vënë në lëvizje familjen dhe farefisin, me potencial real, që kishte në Shkodër, duke bërë të mundur që të ndërhyhet tek pronarët, apo personat përgjegjës të shoqërisë LEKA. Këto ndërhyrje duhet të kenë qenë bërë nga persona të fuqishëm, sepse nga ana tjetër edhe Mjeda ishte një personalitet i pajisur me një autoritet absolut dhe status të priviligjuar në rrethet jezuite e posaçërisht tek redaksia e LEKËS. Një informacion të besueshëm, për këtë, na jep kolegu dhe bashkëpunëtori i Mjedës, Injac Zamputi: “...deri te polemikat që nuk mbanin përherë qëndrim serioz dhe atakonin drejt personin e tij. Nji gja e tillë ndodhi edhe gjatë periudhës së fundit të jetës së tij me polemikën që u rrah për çështjen e disa thanieve të tija në lidhje me peshkopin e Shkupit Carev, si edhe në lidhje me përpjekjet për kopjimin e veprës së Budit “Pasqyra e të Rrëfyemit”.(Injac Zamputi, Si e njoha unë Ndre Mjedjen, Nëndori, viti 7, nr. 8, fq. 205, Tiranë, gusht 1960.)

 

Ka edhe dokumente të tjera që flasin për këtë çështje: Më 11 tetor 1933, Filip Fishta i drejton poetit Ndre Mjeda me nderime të mëdha, një letër, duke i kërkuar që ta ndihmojë për të fituar një bursë (AQSH, fd Ndre Mjeda (nr. 40), ds. 9, fl. 2, letër e Filip Fishtës, Paris më 11 tetor 1933). Është një përpjekje e Filip Fishtës për të zbutur Mjedën, e inatosur: “Fort i çmueshmi e i dashtuni Z. Dom Ndré. Nji vênd qi âsht këtû vakant, ai i njij Instituteuri Shqyptar per gjuhë e letratyrë shqype nder stabilimentat jasht Universiteti, n’Ecole des langues Orientales Vivantes, më shtîni nder mend nji fjalë qi më pat përmendë Z. Roques profesuer n’at shkollë. Ká 3 vjet tha, qi Ministría e Arrsimit në Tiranë i ká pasë premtue, në kerkesë të bâme, Z. Justinit Godard, të dërgojë nji instituteur per shqyp në ketë shkollë të Parisit, tuj e pague shteti i jonë. Sekretarjati i ksajë shkolle, qi këtë çashtje i a pat lëshue në dorë Prof. Roques, gjithnji pret me uzdajë se ai premtim i bâm mund të kryehet. Me kênë se âsht ndo’i farë uzdaje me ndrrue ndo’i gjâ n’Arrsim, a do t’ishte e mundun qi Ju të kqyrshi me bâ në mndyrë, qi çashtja e atij vendimi të njállej prap, e ai vend të kalote te un.”

 

Mbas një viti, Filip Fishta, rihap debatin lidhur me veprat e Budit. Ai tregon se iniciativa për fotografimin e librit të Budit ka qenë e tija: “Tuj i u falë nderës interesimit qi mbas lutjes s’eme pat diftue argjipeshkvi i Shkodrës Shk. e T. L.Mjedja, mujta të fotografoj librin e Budit “Pasqyra” etj. Ribotimi i këtij libri të çëmueshem shqip të vjetit 1621 asht në pregatitje. Edicjoni i parë ruehet në bibljoteken “Mazarine” të Parisit në nr. 24.782.” Që këtej mësojmë se më 1934 qenka në përgatitje nji ribotim i librit të Budit, Pasqyra e të Rrëfyemit.

 

Mjeda vazhdon polemikën: “E verteta asht se Argjipeshkvi i Shkodrës nuk pat kurrnji lutje si; as nuk kishte nevojë per lutje, pse kater a pesë vjet perpara ishte i gaçem me fotografue atë liber me shpenzime të veta, e më pat urdhënue me e marrë në kujdes ketë punë. Ju luta do miqve me shkrue në Parigj; por mbassi numri i katalogut qi bite Z. Faik Konica, ku u pshtetëshe une, nuk ishte si i katalogut të tashem, nuk mujtne me gjetë gja. Ma vonë Z. Filip Fishta shkoi në Parigj, e porosin me e fotografue atë liber e shpenximet e duhëshme, të pagueme prej Simzot Mjedës, ja kam çue une neper mjet të F. Pantelis, S.J.” Më tej Filip Fishta vazhdon me sqarime:”Nen fjalën: mbas lutjes s’eme, nuk thom se i kam drejtue Shkëlqesisë së Tij Argjipeshkvit të Shkodrës ndo’i lutje. Keshtu i pelqen të thotë shkruesit të letrës së kallnorit në Hylli Dritës. Nen fjalen lutje kam nenkuptue njerzit e Shkëlqesisë së Tij Argjipeshkvit të Shkodrës prej kleri shekullar e jezuitëvet. Lutja e përsëritun jo ‘ji herë por sa e sa herë, ka kenë ba në ket drejtim e ne ket shart: të fotografohet libri e mos të mbesë ashtu kopje fotografike, por të shtypet. Mue me kje premtue. Si e përshkrova së pari të gjithë librin (425 faqe shtypi), i cili ma vonë u fotografue, m’u premtue të përgatis edicjonin e dytë të Pasqyrës me orthografinë e sotme dhe pjesë pjesë t’a shtypi në Lekën. Prejse në atë kohë ndodhesha si student në Paris e mujshe me pasë për dore të njajtën vepër t’Emerico de Bonis, botue po në atë kohë edhe nder sa gjuhë tjera, ndodhesha nder kondita shumë të mira me e ba komentarin fjalëvet e shprehjevet të rralla këtij visari të pashterrun gjuhe shqipe të shek. XVII. Por unë nëpër korrespondencë të rregullshme qi kishe rreth kësaj çeshtje me të ndertin F. Pantalin, S.J. e pash se ishte tu e rezervue nji tjetër për vedi ta bajnë botimin e dytë të Budit, Nd. Dom Ndre Mjeda. Unë isha gati indiferent në këtë gja. (Qëllimi im ishte të rishtypej Budi). Deshta të shtoj dishka: Me rasën e marrëveshjes për fotografim të librit e pata për detyrë të njoftojshe të Ndertin Dom Ndre Mjedjen nepër të Ndertin F. Gj. Pantalin, Drejtorin e Lekës, se fotografimi qi po më ngarkohej të baj: i bardhë në të zi, ishte – si më theksonte sa herë Zotni Profesor Mario Roques – pare e humbun – e se me nji grimë shpërblim ma të naltë do të mund të fotografohej edicjon fotomekanik eventuer, në gjasën e rishtypjes së Bardhit prej Zotni Profesor Mario Roques. Pata përgjigje negative e m’u tha të bashe veç nji kopje me nji gjysë çmimi: fotografim i bardhë në të zi. Kështu edhe veprova. A u përshkrue libri prej meje, u fotografue ma vonë e u çue në Shqypni veren e vjetit 1932, unë pata nderin mos me pritë nga i Nderuemi Dom Ndre Mjeda, të cillit ia drejtova të porositun librin e fotografuem (425) as ma të voglin njoftim se e mora. Mbas nji kohe 2-3 muejsh më pat ardhë në Paris nji post-kartë prej nji mësuesi të shkollës së Tiranës “Llesh Topallaj”. Në riçevutën e paketës së drejtueme e n’insistimet e mia me pasë ndo’i njoftim mbi paketën e 425 fotografivet të mbarë librit, prej këtij mësuesi të Tiranës me anën e kartës qi përmenda, pata mbas sa kohe pergjigjen se, po e kishe pas marrë...”

 

Si shihet, Filip Fishta thotë se dikush ia ka premtuar botimin e veprës së Budit. Ai mendon se me që është në Paris, ka avantazhin për t’u konsultuar me veprën e Emrico de Bonis, nga e cila ishte bërë shqipërimi. Ndërkohë Fishta ka mësuar prej drejtorit të LEKËS, Fr. Gj.Pantelia S.J. se dikush tjetër, Dom Ndre Mjeda, ishte duke e rezervuar për vete ribotimin e veprës së Budit. Filip Fishta ka njoftuar Mjedën, përmes Pantelisë S.J. se fotografimi bardhë në të zi, ishte pare e humbur e se me pak shpërblim më të lartë do të mund të fotografohej edicion fotomekanik, sipas rishtypjes së Frang Bardhit prej Mario Roques. Fishta njoftoi se pas këmbënguljes së Mjedës fotografimi qe bërë sipas porosisë, bardhë në të zi. Në fund ai ankohet prej se Mjeda nuk është treguar korrekt, por ka vonuar dy muaj për të njoftuar se e ka marrë librin e fotografuar.

 

Diviza e Mjedës: Me punue si mos me vdekë kurr!

 

Edhe mbasi kishte mbushur 70 vjeç, Mjeda vazhdonte të punonte me ambicje shkencore për disa projekte madhore, si: Fjalori leksikografik i gjuhës shqipe, transkriptimi fonetik i veprave të Budit, veprimtaria e Shoqërisë Letrare Shën Jeronimi për botimin e autorëve të vjetër, kujdesi për ortografinë e Lekës, botim i teorisë së tij për artikuj e premnave pronës, veprimtaria pedagogjike në gjimnaz. Të dhënat vërtetojnë se Mjeda 70-vjeçar vazhdon me këmbëngulje të punojë për Budin: ai bën kërkime për dy veprat e tjera të Budit: Ritualin Roman edhe Shtojcën prej 16 faqes.

 

Këto dy dokumente provojnë se Mjeda paska punuar deri ditën që vdiq për t’i fotografuar veprat e Budit. Të dy këto letra janë komplementare me njera tjetrën. Në letrën e datës 15 korrik 1937, mësojmë se Ndre Mjeda i jep dy porosi mikut të tij Zef Valentinit, i cili shkon me shërbim në Romë: Së pari që të fotografojë të gjitha faqet e librit të Budit “Rituali Roman”, të cilat t’i bëjë në madhësi natyrale. Kjo për arsye se edhe fotografitë e veprës Pasqyra e të Rrëfyemit, ai, Mjeda, i posedon në madhësi natyrale. Së dyti, që përveç “Ritualit Roman” të fotografohet edhe një fashikull prej 16 faqesh që flet për mbajtjen e meshëve (Katekizmi). Mjeda tregon saktësisht pozicionet e kopjeve që duhen fotografuar, çka tregon se ai ka informacione të sakta dhe se ka punuar gjatë në këtë drejtim (AQSH, fd Ndre Mjeda (nr.40), ds. 8, letër autografe e Dom Ndre Mjedës, dërguar At Zef Valentinit, nga Shkodra, më 15 korrik 1937): “Fort i ndérshmi e i dashtuni Át, Ju falem ndérës me gjithë zêmrë per kujdes qi keni pasë me i rá mbrapa dishirit tim. Ritualin ta bâjë “grandezza naturale”, mbass) ashtû e kam edhè Pasqyren e të Rrfyemit. Mbas Ritualit e mbas Perkrejcës se tí ká nji fashikull 16 faqësh permbí Meshë. E kanë kopjet V.51; V.35. – Dishroj qi të fotografohet edhe ky. Tui Ju falë ndérës per mirësí të madhe të Jue, jam Sherbtuer i Juej D. Ndré Mjedja, Shkodrë 15 korrik. “Vetëm dy javë më vonë, autori i këtyre radhëve, Dom Ndre Mjeda vdes nga një atak në zemër.

 

Kur Atë Zef Valentini kthehet në Shkodër, i kërkon argjipeshkvit të Shkodrës, Ezmot Gaspër Thaçi, (djalë halle me Mjedën), që të përgjigjej për shpenzimet e bëra. Për këtë problem të fundit flet letra autografe e Atë Zef Valentinit e datës 25 tetor 1937, dërguar argjipeshkvit të Shkodrës, Emzot Gaspër Thaçit (për të cilën studiuesi Kolec Çefa shkruan në “Kumbona e së Diellës”, viti V, nr. 8, Shkodër, gusht 1996. Në letër shkruhet: “Kolegja Saverjane Shkodër, Shkëlqesi, i paharrueshëm mësuesi i yni D. Ndre Mjedja, kur u nisa për në Romë në korrik që shkoi, më pat vu barrë me i nxjerrë fotokopjet e “Ritualit Romak” e të Katekizmit (edicjon II) të Budit, e mandej ma përsëriti porosinë tue marrë mbi vedin edhe shpenximet, sikurse e difton letra e tij qi ruej përanë vedit. Qëllimi i tij – të cillin ma tha shprehimisht kje qi me ja lanë mandej kolegjës. Un porosita fotografin, por ndërkaq ndërroi jetë D. Ndreu, kështu që shpenximet më mbeten mue. Shum kishe për të ja dijtë për nderë Shkëlqesisë s”Uej po të dotë me ma diftue vullëndetin e vet në këtë çështje. Gjithashtu shum herë më pat thanë D. Ndreu për ato pak libra qi i kishin mbetë ose kishte ble mbas plaçkitjes së Kuklit, se për bibliotekë tonë i ruete: e posë këtyne, ndër libra qi bartne tash vonë n’Argjipeshkvni pa e ditë unë, gjindeshin edhe disa qi i përkitshin bibliotekës sonë ose më përkitshin mue personalisht. Më lejoni, Shkëlqesi, të Ju shprehi miradien teme për interesimin tuej, qi po shpresoj, në këtë punë. Shkëlqesis së Ti Timzot Gaspër Thaçi, Argjipeshkëv Metropolit Shkodër Shkodër, me 25 Tetuer 1937 P.S. Shpenzimet e fotokopjevet u kapne në L. it. 745".

 

Këto dy letra flasin shumë për poetin dhe gjuhëtarin tonë të shquar, Dom Ndre Mjedën. Fotokopjet e librave të Budit që Mjeda solli në Shqipëri, u depozituan, në fillim në arkivin e jezuitëve dhe pastaj në AQSH. Pavarësisht se puna e Mjedës për transkriptimin fonetik të veprave të panjohura të Budit, nuk arriti të finalizohej, ajo mbetet një model i heroizmit shkencor.

 

Tri veprat e panjohura të Budit, për të cilat punoi Mjeda

 

“Pasqyra e të Rrëfyemit”, “Rituali Roman” dhe Shtojca prej 16 faqesh, që tria janë vepra të shkëputura nga njera tjetra që Budi i shkroi më 1621. Ato kanë qarkulluar më vete edhe së bashku.

 

1. Pasqyra e të Rrëfyemit është botuar në Romë, diku mbas datës 20.7.1621. Kjo për arsye se autori i botimit cilësohet ipeshkëv i Sapës. (Në këtë datë Budi u bë ipeshkëv). Libri është i vogël, në 8o. Është përkthim i librit omonim të Atë Emerio de Bonis. Deri vonë mendohej se ekzistonte vetëm një kësombëll e këtij libri, në Bibliotekën Mazarine të Parisit, me nr. Sig. 24582. Mirëpo më vonë studiuesi francez Mario Roques, zbuloi edhe dy kopje të tjera në bibliotekën e Vatikanit, në pozicionin R.I.V. 2213-R.G.Liturgia, V. 35, in. 3. Libri është një konfesionar, që sqaron teorikisht dhe jep udhëzime praktike mbi mënyrën se si duhet të veprojë meshtari katolik për të marrë në rrëfim besimtarin që kanë mekatuar, si dhe për mënyrën se si duhet t’i përcaktohet cdo besimtari ndëshkimi apo për të bërë pendesën. Nga pikëpamja letrare artistike, Pasqyra e të Rrëfyerit qëndron pa krahasim më lart se Doktrina e Krishterë e po të njëjtit autor.

 

2. Po në vitin 1621, Budi ka shqipëruar edhe dy vepra të tjera, Ritualin Roman dhe një Shtojcë prej 16 faqesh, që është vepër më vete, por e ngjitur me të Ritualin. Rituali Roman është një vepër kolektive e hartuar në Kongregacionin e riteve në Vatikan, me ritet ceremoniale të kodifikuara të kishës katolike (200 faqe), si dhe me lutje të ndryshme fetare (160 faqe), me format tetëshe. Pëlqimin për botim të Ritualit Roman së bashku me atë për Pasqyrën e të Rrëfyemit, e ka dhënë ipeshkvi i Sapës, Emzot Simon Gjeçi, në të njëjtën ditë, më 27 gusht 1620.

 

3. Vepra tjetër, Shtojca prej 16 faqesh, e tëra me shkronja korsive, duket si vazhdim i Ritualit Roman, e cila shpjegon meshën romane. Megjithate fashikulli është vepër më vete, gjë që shihet nga numrimi i faqeve të saj më vete nga ai i Ritualit Roman. Studiuesi Namik Resuli ka sqaruar se ekziston vetëm një kopje e saj në Bibliotekën e Vatikanit me siglën: R.G.Liturgia, V. 51, V. 35, int. 1 et 2. Ndre Mjeda mësoi për ekzistencën e këtyre dy veprave, përmes deklaratës së vetë Pjetër Budit në Parathënien e Pasqyrës së të Rrëfyemit, botuar nga Mjeda në Leka në korrik të vitit 1932: “ende mâ teper nçtova Rubriket e Ritualit Romës, me gjith sa tjera urdhënime ká nde vetëhe, me shpëresë ende ato bashkë me tjerat me i shtampuom sikundrëse thashë persiperi.”

 

“LEKA” për punën e Mjedës me veprën e Budit

 

(Çashtje e giuhës, Leka, vj.X, nr. 6-7, fq. 270-275, Shkodër, qershor-korrik 1938):

“U xû në gojë nder këto dit edhè auktoriteti i D. Ndré Mjedes. D. Ndré Mjedja, gramatolog, glotolog e letrár i madh pernjiheri, ká kênë me të sakt nji nder antarë mâ kompetentë të Komisís Letrare shkodrane qi dau unjisimin e giûhës në temel t’Elbasanishtes. Ky kje gjenezi i studimit të tí permbi Budin...E prei Budit e prei popullit, me krahasime me ndimë të dijes së thellë së vetes në lamë glotologjike, xuer pak ka pak e me evolucjone të pádáme theorín e vet gramatikore edhè orthografíke. Mjerisht e xûni deka pá e lânë të kristalizote plotsisht theorin, e cila me të sakt do t’ishte kênë nji hap i mirë kah unjisimi. Nji punues njaq i persosun vonë e vonë ká per të mujtë me ja xânë vendin D. Ndreut.”

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora