Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mërgim Korça: Për një koherencë të pohimeve të një personaliteti shqiptar me të kaluarën historike të vëndit tij

| E shtune, 26.03.2011, 08:59 PM |


Për një koherencë të pohimeve të një personaliteti shqiptar me të kaluarën historike të vëndit tij.

 

Shkruar nga: Mërgim Korça

 

Askush, veç të larguarve nga Atdheu, nuk mund t’a përfytyrojë se ç’ndjente një emigrant teksa lexonte, ose dëgjonte nëpërmjet medias pohime ose qëndrime të cilat binin ndesh me përvojën e dhimbëshme historike. Ndërkaq shpresojmë se ajo epokë ka kaluar.

Me këtë rast aspak nuk kam ndërmënd t’i kundërvihem zv/Kryeministrit si edhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zotit Edmond Haxhinasto, përkundrazi, dua që pozicionimi i tij, sa kohë q’e mbulon postin që ka, të mos bjerë ndesh me përvojën e idhët historike të kombit tonë.  Por, duke mos qenë unë më nën trysnínë famëkeqe të një sistemi diktatorial, më lind e drejta t’i shtroj para lexuesit ato të vërteta historike të cilat ose janë shtrembëruar, pa lé edhe fshehur fare nga historishkruesit e kohës së diktaturës, sepse herë binin ndesh me ato aleanca fatkëqija që pati lidhur shteti komunist shqiptar, ose aq më keq lidheshin me njerëz që konjuktura komuniste i kishte damkosur fare padrejtësisht me vulën e tradhëtarit ose kolaboracionistit.  

Pa i a hyrë problemit të hulumtimit në mënyrë të gjer’e të thellë të fakteve si edhe rrethanave historike që kanë lidhje me sjelljen dhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha të kohës ndaj kombit si edhe të drejtave tona, lexuesit dua t’ia bëj të qartë se sa herë që të drejtat tona kanë pas qenë nëpërkëmbur, ose edhe kur kemi pas qenë ndihmuar, asnjera syresh nuk na e ka pasë blatuar këtë “për hatër tonin”, as edhe mohuar për “inat ndaj nesh”.  Jo, i dashur lexues.  Gjithmonë ka qenë në mes interesi i secilës fuqi vënë në plan të parë !   Lidhur me këto pozicionime, (sa për një idé të përgjithëshme), vetëm sa do t’ju ze në gojë disa momente kyçe historije dhe, cili ësht’i interesuar, këtyre referencave mund t’u shkojë deri në fund duke lundruar nëpër internet.

Që në shekullin e XVII-të, kur populli ynë ish i përfshirë dhunshëm brënda Perandorisë Osmane, Franca i kishte konsujt e saj që nga Shkodra në Durrës e deri në Janinë edhe Artë !  Po ashtu edhe Vatikani, i nxitur dhe mbështetur nga Austria, i kish Ipeshkvinjt’e tij në Shkodër, Lezhë e deri në thellësit’e Mirditës, në Orosh.

Rusia, me politikën e saj pansllaviste, e donte me këmbëngulje daljen e saj në Mesdhé !   

Po Porta e Lartë si kundërvepronte ?  Përçá e sundó :  jepte tituj dhe krijonte principata si ajo e Ali Pashait ose e Bushatllinjëve ! 

Më 1875 -’76 shpërthyen kryengritjet sllave për pavarësí.  Turqia ishte gati të ndërhynte.  Kurse Anglia provokoi Protokollin e Londrës.  Kush përfitoi më shumë ?  Bullgaria, së cilës i u dhanë me përparësí toka turke (por banuar kryesisht nga popullsi shqipfolëse dhe jo turke).  Të pakënaqur, Sërbia, Mali i Zi, si edhe Rusia që i ndihmonte këta, i ranë Turqisë dhe rrufeshëm e thyen.  Ç’lindi nga ato rrethana ?  Traktati i Shën Stefanit (3 Mars 1878) që fituesve u dha edhe më toka turke, (të gjitha populluar nga shqiptarë)!  Ç’i thonë kësaj ?  Zemërgjerësi sllave me nëpërkëmbje totale të interesave të drejta shqiptare !   I vinte ndokuj keq se nëpërkëmbeshin kaq egër dhe padrejtësisht interesat e kombit tonë ?  Aspak.  Po pse atëbotë e çfuqizuan Traktatin e Shën Stefanit dhe Bismarku organizoi më 13 Qershor 1878 thirrjen e Kongresit Berlinit ?  Sepse donin të ulej pa një e pa dy ndikimi i Rusisë në Ballkan !  Kjo e gjitha.  Përfundimi i pakëndshëm qé se shqipfolësit së rishmi u ngushtuan territorialisht duke mbetur prap pré e Turqisë së zvogëluar për vete. 

Po zë pozitiv në ndihmë të interesave të kombit tonë pati asokohe ?  Po.  Ish një zë i vetmuar, ai i kryeministrit të Italisë Francesco Crispi i cili i foli Bismarkut në favor të shkëputjes territoreve të banuara nga popullatë shqiptare prej Turqisë me pikësynim krijimin e një shteti të pavaruar.  Lind natyrshëm pyetja :  cili interesi i Crispit përgjatë kësaj ndërhyrjeje ?  Thirrja e të parëve !  Ky ish Kryetar i Parlamentit Italian si edhe Kryeministër i Italisë ... ishte Bir Arbëresh !   Pra, edhe ky mik, nuk bënte përjashtim nga rregulli !

Përgjatë atyre dhjetvjeçarëve, Fuqit’e Mëdha bënin sehir duarkryq shitjen e interesave shqiptare, për hir të barazpeshës ndërkombëtare, në viset ballkanike !   Për t’a ndriçuar këtë fakt, mbas shpalljes së pavarësisë Shqipërisë, Konferenca e Londrës e ambasadorëve, (21 dhjetor 1912 – 23 mars 1913 periudha më kuptimzez’ e asaj konference për shqiptarët), qé ajo që u dha sllavëve troje banuar vetëm nga shqipfolës !  E sa për t’a nënvizuar këtë SKANDAL, t’a mësojë lexuesi se vetëm Sërbia mori 20.000 km2 troje shqiptare, (kur e gjithë Shqipëria sot numron 28.748 km.2)!(?)  Ministri i Jashtëm i Anglisë, Sir Edward Grey pohonte : “... Objektivi kryesor i konferencës, ruajtja e marrëveshjes dhe mirëkuptimit mes Fuqive të Mëdha, u arrit ...” !  Ndërsa historia provoi se ajo, me gjithë nëpërkëmbjen që u bëri interesave shqiptare, nuk i a arriti fare barazpeshës që gjoja kish si pikësynim.  Ç’e provon këtë pohim timin ?  Vetë shpërthimi i Luftës së I-rë Botërore !  Pra Konferenca e Londrës vetëm se ballafaqoi e kundërvuri projektet kolonialiste serbo-greke ndaj projektit etnik shqiptar.  Veç Austro-Hungarisë, interesat kundraruse të së cilës bënë që ajo t’i mbështeste interesat shqiptare, interesat e fqinjëve tonë territorialë u mbështetën nga Rusia ! 

Me pak fjalë, historikisht asnjë prej shteteve të mëdha nuk i ka mbrojtur interesat e të vegjëlve po të mos u përputheshin ato interesave të tyre.  Kjo edhe përgjatë shekullit të shkuar.  Përfundimi ?  Mbas Luftës II-të Botërore Bashkimi Sovjetik as që e kishte në llogari Shqipërinë dhe marrëdhënjet me ne, deri në 28 Qershorin e 1948-ës, kalonin nëpërmjet Jugosllavisë, (deri para rezolutës Informbyrosë).   Këtu edhe pika kyçe lidhur me aleancat si edhe kolaboracionin, pikë të cilën duhet t’a shqyrtojmë.  

Deklarata e zv/kryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë z.Edmond Haxhinasto, - atyre që nuk e kanë parasysh po u a rikujtoj, - se lidhur me Kosovën ai pohoi që “... Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar, apo lëvizja e kufijve, ësht’e dëmshme si idé për shqiptarët dhe si veprim për rajonin.”

Dëshiroj si çdo shqiptar patriot të guxojmë të themi atë që na duhet neve dhe jo kundërshtarëve të interesave tona. Në vazhdim dua t’ua sjell lexuesve disa shëmbuj si edhe pohime personalitetesh të ndryshme si botërore e gjithashtu edhe kombëtare.  Rabindranad Tagora, nobelisti i parë aziatik, ka pas pohuar : “ Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhëshme.  Ai ësht’i destinuar të zhduket “.  Ballafaqojmë tashti pohimet si edhe veprimet e dy burrave shteti prej të cilëve njeri ka qenë përbaltur nga diktatura si kolaboracionist dhe tradhëtar kurse tjetri i hymnizuar si udhëheqës patriot si edhe besnik i atdheut.

Mustafa Kruja, kryetar Këshilli Ministrash gjatë periudhës pushtimit fashist pohonte :  “Në kushtet tona ma mirë nji Shqipni gjysëm e pavarun por me Kosovën, se sa nji Shqipni krejt’e pavarun por pa Kosovën”. 

Enver Hoxha, sekretar i Përgjithshëm i P.K.Sh. kur në muajin Korrik të 1946-ës Kuvendi i Serbisë mori vendimin e aneksimit të Kosovës Jugosllavisë, ai heshti.  Në Gusht 1946 në Konferencën e Paqës në Paris kur e pyesin lidhur me marrëdhënjet me Jugosllavinë ai tha : “ ... Ne nuk kemi pretendime ndaj aleates tonë Jugosllavi”.  Më 15 Dhjetor 1946 gjatë mbledhjes Byrosë Politike Enver Hoxha u shpreh : “ ... Disa antarë partie mund të filozofojnë e të thonë se mos thotë populli ç’bëtë me Kosovën ?  Ne do t’u a shpjegojmë.  Kush nuk na kupton ... do t’a luftojmë “.  E këto qëndrime të E.Hoxhës nuk janë gjë tjetër veçse vazhdim i qëndrimit të tij servil ndaj themeluesve jugosllavë të P.K.Sh. Dushan Mugoshës e Miladin Popoviçit, i cili vendimet e Konferencës Mukjes të 26 korrikut 1943 i quajti TRADHËTI !  Pika e dytë e vendimeve të Mukjes formulohej si vijon :  2- Indipendencë e plotë e Shqipërisë në kufijt’e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtyt të parimit të vetëvendosjes të popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës Atlantikut.  E mua logjikisht më lind e drejta të pyes :  Tradhëtí ndaj kujt?  Ësht’e qartë dhe nuk ka as më të voglin dyshim se t’a konsideroje bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë tradhëtí, do t’ish një nonsens.  Ai vendim tradhëti mund të emërtohej vetëm duke e konsideruar tradhëti ndaj Jugosllavisë !  Tashti vjen edhe fjalimi i Titos (AVP.RF.F.06 OP.9 L173-174) ku ai më 13 Korrik 1947 pohon :  “ Enver Hoxha do t’a firmosë bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë “. 

Unë nuk kam ndërmënd kësaj radhe t’ia paraqes lexuesit dokumenta që dy herë i a kam bërë të qartë në formë përkujtesash Kryesisë Akademisë Shkencave lidhur me veprimtarinë tejet patriotike të Mustafa Krujës gjatë gjithë jetës tij, por edhe se si kolaboracionizmi i tij në themel ka patur në ballë interesat tona kombëtare !   Por dua vetëm t’ia rikujtoj lexuesit se si kur në Lindje atë e quanin tradhëtar dhe i shitur, në Perëndim për të pohohej nga profesor Ernest Koliqi “... I ndriçuem n’Amshim nga ideja e shqiptarizmit qi përher’i flakoi në shpirt ...” kurse Tahir Kolgjini shprehej për Mustafa Krujën :  “...Mâ i ndritshmi hyllë i nacionalizmës shqiptare ...”!  

Po i referohem tashti një “tradhëtari tjetër”, (sipas përbaltjeve q’i bëri sistemi i diktaturës proletare), i cili më qart’edhe shkoqur s’kish si të fliste. 

     Patër Gjergj Fishta, pohonte në vargje :  Ku do t’mërrijë megja serbjane / Për me u gjetun Cernagora / Me Serbí bashkë dora dora /  Shqypnin tjetër kan me e dá / Bullgarija e ajo Greqija / Pse, mbasi Shkjét e Ballkanit / T’kenë pushtue tokët e Sulltanit / E mârrë t’kenë do skele detit / Të kenë lidhë besë ndërmjet vetit / Ká m’i u dhânë Shkjenís e mbara / Ka m’u shtrue ura përpara / Dét’e m’dét m’u kapë Moskovi ...

At Gjergj Fishta me 10 vargje mjeshtërore ka gdhëndur në granit objektivat si edhe qëndrimet e shteteve kufitare me ne.   Në vargjet e 11 dhe 12-të Mjeshtri Atdhetar’i madh tregon se a është Car Aleksandri në krye të Rusisë, apo është vetë Hrushovi, sa u takon politikave sllavo-ekspansjoniste apo daljes në Mesdhé, ato nuk ndryshojnë !  E ato  as sot nuk ndryshojnë.  Dua me këtë rast t’ju kujtoj se si u shpreh Kryeministri Vladimir Putin pikërisht më 23 Mars 2011, (përvjetori i sulmit të NATO-s ndaj Sërbisë), lidhur me Kosovën ka deklaruar në Beograd :  “ ... Rusia ka qenë dhe mbetet aleate e Sërbisë “.   Dhe lexuesi t’a ketë mirë parasysh se Rusia ende as nuk e ka njohur pavarësin’e Kosovës ! 

Besoj se edhe pa u zgjatur lexuesi i nderuar e kupton qëllimin tim, porosi që vjen nga thellësia e ndërgjegjes kombëtare për diplomacinë e sotme shqiptare. Fjala të paraprijë veprimin. E shkuara të ardhmen.

                 

Michigan 25 Mars 2011