E shtune, 20.04.2024, 02:53 AM (GMT+1)

Mendime

Besim Muhadri: Tradita hasjane e shkrimit të shqipes

E premte, 25.01.2008, 08:47 PM


Sprovë

Tradita hasjane e shkrimit të shqipes

“Dhe mund të flitet për një traditë ndër “hasjane”,- për shkrimin e shqipes, e pakta nga Pali gjer te Pjetër e Lukë Bogdani....” ( Dhimitër S. Shuteriqi)

Nga Besim Muhadri
 

Besim Muhadri
Siç dihet, dokumentet e para të shkrimit të gjuhës shqipe i hasim që nga shekulli XV, përkatësisht që nga Formula e pagëzimit me autor Pal Engjëllin (1462), ndonëse gjurmë apo dëshmi të shkrimit të gjuhës shqipe datojnë edhe më herët, përkatësisht nga viti 1332, te pohimi i murgut francez Brocardus Monacus (Guillelmus Adae) se “Shqiptarët kanë një gjuhv krejt tjetër de tv ndryshme nga latinishtja, megjithatë kanë alfabetin latin në përdorim dhe në tërv librat e tyre’. Kjo thënie e këtij murgu jep për të kuptuar një të vërtetë të pakontestueshme se gjuha shqipe përveç që ishte folur në këto troje të banura me shqiptarë, ajo edhe ishte shkruar. Me këtë thënie të këtij murgu ne mund të kuptojmë se në këtë gjuhë të lashtë të Evropës mbase edhe ishin shkruar libra dhe gjatë shkujve të mbushur plot errësisrë padëshmie dhe se do të ketë pasur edhe shkrimtarë shqiptarë, të cilët u “tretën” poashtu në errësirën e harresës dhe të mungesës së dëshmive, të cilat mund t’i ketë përbirë tymi dhe flaka e luftërave të shumta të zhvilluara në këtë troje gjatë shekujve. Si pasojë e mungesës së dëshmive dhe të së vërtetës së fatit të gjuhës shqipe dhe të lërimit të saj na vjen mjaft e errësuar edhe dëshmia shumë e sinqertë e murgut Brokardus dhe si pasojë e gjithë kësaj edhe dokumentimi ndoshta shumë i vonuar shkrimit të librit të parë në këtë gjuhë (së paku kështu dokumentohet deri më tani) i “Mesharit” të Gjon Bdek Buzukut (1555).
Por dëshmi të vonuara, apo edhe të “errësuara”, të pasqaruara në masë të duhur na vijnë edhe në shekujt e mëvonshëm, qoftë për librat, qoftë edhe për autorët e tyre. Një gjë e tillë do të ndodhë edhe me Pal Hasin, një ndër autorët e parë të mundshëm të një libri, tashmë inkezistentë dhe të mbetur vetëm si i cituar, por kështu do të ndodhë edhe me Andrea Bogdanin e ndonjë autorë tjetër shqiptarë, emrat dhe veprat e të cilëve, për shkak të rrethanave të ndryshme historike, mbetën në margjinat e kujtesës historike. 

Pal Hasi apo prijësi i traditës hasjane të shkrimit të shqipes

Emri i Pal Hasit, i këtij françeskani shqiptar, i cili duhet të ketë shërbyer si meshtar në kishat e Shqipërisë veriore, përkatësisht në Kosovë, përmendet vetëm të Pjetër Budi, i cili poashtu ishte prift dhe shërbeu në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit të XVII në kishat e Shqipërisë veriore, përkatësisht të Kosovës. Budi njëherësh njihet edhe si poeti i parë shqiptar dhe autor i disa librave të përkthyer për nevojat e klerit katolik të Shqipërisë së asaj kohe. Në parathënien e librit të tij “Doktrina e krishterë” (1618), Budi ndër të tjera thotë: “Shkrova mbë gjuhu tanë ma parë do kapituj të Ditësë gjyqit, qi i gjeta shkruom Atit shumë ncë ndershmit e ncë devotshmit, frat Palit prej Hasi, të cijtë, ende me do të tjera nshtuome, disa herë tue i shkruom, kur  tue pamë se ishnë për të madhe ndihmë e fruitë shpirtit t’atij populli, e aqë ma tepërë të disa priftëne, qi dëshirojinë me i pasunë, hina për gjithë ditë ka pak tue nshtuom, shkrova ende sa të tjera kafshë, sa mujta, ncë tjera gjuhush tue i nkthyem mbë gjuhu tanë; e ndë e vonë, mbasi andej u dashë, erdhshë mbë Romë (...) Tue pamë se gjuha jonë asndonjë letërë e të mpsuom s’e ka, me të cijtë të mundëjë  ndë ta me u ndihmuom feja e Krishtit, zuna fill, mund aqë sa munda, nktheva këtë shinte Doktrinë gjuhë çë lëtine mbë gjuhë t’arbëreshë(...)”
Siç shihet, ky është Pal Hasi, apo fort i nderuari frat Pali prej Hasi, të cilin e citon Pjetër Budi në vitin 1618, përkatësisht në parathënien e librit “Doktrinë e krishterë”. Është i pari dhe i vetmi citim që i bëhet nga një autor, sepse më nuk do të hasim asnjë të vetmen gjurmë të ekzistimit të këtij personaliteti fetar dhe letrar të shekullit XVI. Megjithatë, qoftë edhe përmendja e emrit të Pal Hasit nga ana e Pjetër Budit është një dëshmi e mirë dhe argumentuese për ekzistimin e një personaliteti të nderuar siç ishte Pali prej Hasit, i cili duhet të ketë shërbyer si frat në gjysmën e dytë të shekullit XVI në kishat e Shqipërisë Veriore, në Kosovë apo edhe gjetiu dhe madje të ketë shkruar apo përkthyer libra për nevojat e kishës shqiptare dhe priftërinjëv shqiptarë që shërbenin në ato kisha, në një kohë kur inkuzicioni bënte kërdi, në një anë, ndërsa Perandoria Otomane, në anën tjetër.

Autor libri apo figurë e dorëshkrimeve shqipe të tretura

Sipas dëshmive që na i jep Budi në “Të rekomanduomit”, përkatësisht në parathënien e “Doktrinës...”, Pal Hasi, apo Pali prej Hasi, siç i thotë ai, ishte autor i një libri të quajtur “Dita e gjyqit”, që doemos është një përkthim i shërbesave fetare nga gjuha latine në shqip. Poashtu, sipas dëshmive të Budit, ai libër, ndonëse shumë i rëndësishëm, kishte dhe shumë të meta, të cilat e shtyejnë atë që të ndërhyjë gjuhësisht e ndoshta edhe në aspekte të tjera, në mënyrë që të krijonte një libër krejtësisht tjetër, apo një kopje apo variant të zgjeruar të “Ditës së gjyqit” të shkruar apo të përkthyer nga Pali prej Hasit.  “Shkrova mbë gjuhu tanë ma parë do kapituj të Ditësë gjyqit, qi i gjeta shkruom Atit shumë ncë ndershmit e ncë devotshmit, frat Palit prej Hasi, të cijtë, ende me do të tjera nshtuome...”. Këto fjalë të Budit të japin për të kuptuar se “Doktrina ë krishterë” është e shkruar mbi bazën e “Ditës së gjyqit” të Pal Hasit, apo më mirë të themi mbi bazën e disa kapitujve të këtij libri të Palit, tashmë inekzistentë, por gjithësesi të cituar.
Në gjuhën e studimeve letrare kësaj i thonë hipertekst, apo tekst mbi tekst. Kjo do të thotë, dhe këtë e pranon edhe vetë Budi, se “Doktrina e krishterë” është një libër i ndërtuar mbi hipertekstin e një libri tjetër, për të cilin ai na njofton vetë. Ne nuk e dijmë saktësisht nëse ky libër i Budit është tërësisht i tij, apo vetëm një redaktim apo përpunim i një libri të mbetur në dorëshkrim nga Pal Hasi, i cili gjithashtu librin e tij, apo “kapitujt” e librit të tij, që i përmend Budi i kishte shkruar apo përkthyer poashtu si një nevojë imediate për klerikët shqiptarë dhe për komunitetin shqiptar që falej dhe lutej në kishat anekënd Shqipërisë së asaj kohe, ku të gjitha shërbesat fetare beheshin në gjuhën latine, italiane dhe greke. Kjo, sikurse edhe Budin, e kishte shtyrë para tij edhe Pal Hasin që të hartonte një libër e ndoshta edhe më shumë, por të cilët ai ose nuk pati mundësi ta apo t’i botonte, për shkak të rrethanave kohore dhe historike, të Inkuziocionit apo edhe për shkak të moslejimit nga ana e Vatikanit që të botoheshin libra në gjuhën shqipe, apo edhe për arsye financiare apo dhe të vdekjes së hershme të tij. Ne nuk e dijmë nëse Pal Hasi vdiq i ri apo në moshë të shtyrë, ashtu sikurse që nuk e dijmë as për vitin e vdekjes dhe të lindjes së tij.
Siç dihet Budi e nisi veprimtarinë e tij me libra në gjuhën shqipe kur gjeti shkrimet e Pal Hasit, përkatësisht duke marrë e duke i përpunuar disa kapituj të “Ditës së gjyqit”, mirëpo ne nuk dijmë nëse këta kapitujt të këtij libri që ai citon, të shkruar apo të përkthyer nga Pal Hasi ishin dorëshkrim, apo libër nga i cili mori apo u shërbye Budi, duke e përpunuar tekstin dhe duke e botuar atë si libër i veçantë, në të cilin botoi qindra vargje duke u bërë vetë poeti i parë shqiptarë (hiq tetë vargje të “Këngës së përshpirtshme” të Lekë Matrangës 1592). Këtë askush s’e thotë, sepse nuk kemi informacione të tjera. Megjithatë ne mund të themi një gjë që është fort e sigurtë se tërë “Doktrina e krishterë” e Pjetër Budit është e ndërtuar nga brumi i gatshëm i gatuar nga Pal Hasi. Budi bëhet i sinqertë kur thotë se mori nga Pali i Hasit tekstin e të cilit e përmirësoi, e përpunoi, e plotësoi dhe së fundi e botoi duke e hedhur firmën e tij si autor. Në këtë rast, nëse për hartimin e librit të tij, të cilin e botoi më 1618 ka marrë nga kapitujt e “Ditës së gjyqit” të Pal Hasit, Budi është dashur që së paku në kopertinat e këtij libri (“Doktrina e krishterë”) të shkruante edhe emrin e “ncë ndershmit e ncë devotshmit, frat Palit prej Hasi”, në mënyrë që ai në këtë rast të ishte bashkautor. Por këtë s’e bëri dot, ndërsa Pal Hasin e la vetëm si autor të cituar, pas të cilit emër do të mbeten shumë dilema, shumë paqartësi, shumë mjegull, qoftë për kohën e të jetuarit, qoftë edhe për të shkruarit dhe të të lënit trashëgim diçka për letërsinë, kulturën dhe gjuhën tonë deri atëherë shumë pak të lëruar. Ngaqë emri i Pal Hasit figuron vetëm në parathënien e librit të Budit, por jo edhe në kopertinë si bashkautor, apo autor i veçantë, atëherë ai mbeti vetëm si autor i cituar, ndonëse në këtë rast të gjitha rrugët të shpiejnë të konstatimi se ai është një autor origjinal ( vetëm te “Doktrina e krishterë” ), ndërsa Budi si një “përpunues i teksteve të Palit prej Hasit”.  Se Budi ishte një përpunues dhe bashkautor me Palin, këtë e pohon edhe Selman Riza, i cili punën e këtij shkrimtari, kleriku dhe përkthyesi librash fetarë e sheh jo vetëm si një kopjim të thjeshtë, por ripërkitje stilistike apo ripërpunim redaksional.  Megjithatë, duke pasur parasysh tretjen e këtij krijuesi, apo mbetejen e tij nën “hijen” e cituesit, i cili edhe mund të ketë marrë nga vepra e tij, sipas Sabri Hamitit, Pal Hasi mbetet vetëm figurë e letërsisë së shkruar e të tretur, që jeton si farë në kujtesën popullore. ”Për ne Pal Hasi mbetet një figurë e dorëshkrimeve shqipe të tretura”, thotë studiuesi Hamiti.

A ishte Pal Hasi bashkëkohës i Gjon Buzukut?

Por, ashtu sikurse dilema rreth autorësisë, ekziston edhe dilema e të jetuarit, e gjuhës dhe e alfabetit më të cilat Pal Hasi i shkroi apo i përktheu librat e tij. Kur jemi te koha e të jetuarit, duke u bazuar në të dhënat që jep Budi në parathënien e librit të tij, Shuteriqi dhe studiues të tjerë të letërsisë shqipe, hamendësojnë se Pal Hasi duhet të ketë vdekur në fund të shekullit XVI, që do të thotë dikund rreth viteve 1590-1599, kohë kjo kur edhe Budi filloi shërbimin e tij kishëtar në ato vende ku me siguri do të ketë shërbyer Pal Hasi, gjurmët e të cilit i gjeti ai. Por nëse kemi një pohim për periudhën e vdekjes, ne nuk kemi datën e lindjes së këtij autori. “Pali ka qenë përshtatës apo përkthyes i një vepre me titull “Dita e gjyqit” dhe se ka jetuar në pjesën e dytë të shekullit XVI”, pohon Dhimitër S. Shuteriqi . Ndërkaq duke folur për gjuhën e autorit dhe alfabetin me të cilin ai mund të ketë shkruar, Shuteriqi mendon se ai duhet të ketë shkruar me alfabetin tonë të vjetër latin të Veriut, të njohur që nga Buzuku, konstatim që qëndron. Po ky studiues Pal Hasin e vendos midis Buzukut dhe Budit: “Ai duket se bën kapërcimin midis dy autorëve shqiptarë, Buzuku dhe Budi, me emrin e të cilëve janë të lidhura fillimet e një përpjekjeje të re për shkrimin e shqipes, mbas rrënimeve që pësoi kultura jonë e shkruar gjatë luftërave të shekujve XIV-XV kundër osmanëve. Kuptohet, pra interesi i veçantë që ngjall emri gati i panjohur i Pal Hasit”.
Me këtë nënkuptohet se Pal Hasi, si një autor i panjohur, por gjithësesi interesant, mund të jetë edhe bashkëkohës i Gjon Buzukut, ndërsa vepra apo veprat e tij, tashmë të humbura dhe të panjohura për historinë e letërsisë shqiptare, mund të jenë shkruar edhe para, njëkohësisht dhe pas “Mesharit”, ndërkaq “kapitujt” e “Ditës së gjyqit” të përmbledhur në ndonjë libër të kryer apo të pakryer mund të jenë të asaj kohe, por ndoshta në pamundësi botimi ato mund të kenë mbetur në sirtarët apo tavolinat e qelave kishëtare ku shërbeu Pali, qoftë në Hasin e tij, si vend i lindjes, në Kosovë, apo edhe në vende të tjera të Shqipërisë ku mund të ketë shërbyer. Puna dhe veprimtaria e këtij autori, bashkë me emrin, po të mos e kishte cituar Budi, mund të ishte zhdukur tërësisht. Askush tjetër nuk e përmendi deri në atë kohë e as më vonë, përveç Budit. Madje as Pjetër Bogdani, një shkrimtar tjetër i rëndësishëm i letërsisë së vjetër shqipe, i cili poashtu vinte nga e njëjta krahinë nga e cila ishte Pal Hasi. Dhe kjo mospërmendje vazhdon edhe më pas.
Pjetër Budi u mbyt në valët e trazuara të Drinit në prag të krishtlindjeve të vitit 1623, pra në fund të dhejtorit të vitit 1622, duke lënë pas vetes një opus bukur të konsideruar veprash fetare e letrare me mjaft interes për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Por nëse ai vdiq, apo u mbyt, dhe nëse pas vete la veprat, të cilat do të pasoheshin edhe nga shumë të tjera po të mos vinte ajo vdekje e papritur, ai me vete s’e mori edhe dëshminë e të ekzistuarit të një Pal Hasi, të cilin e njihte mirë dhe e respektonte dhe nga i cili u shërbye kur shkroi “Doktrinën e krishterë” apo edhe ndonjë libër tjetër. Pas vete, përveç veprave, Budi la dëshminë shumë të fuqishme të ekzistimit të një emri që mund të simbolizojë dhe të dëshmojë edhe ekzistimin e një tradite shumë më të hershme të shkrimit të shqipes, por edhe të ekzistimit të ndonjë shkolle, nga e cila dolën personalitete të larta fetare, kombëtare e kulturore, siç janë Andrea, Pjetër e Lukë Bogdani, por edhe ndonjë tjetër, që të gjithë nga treva e Hasit. Pse e them të një shkolle? Sepse kjo ende s’është dëshmuar, prandaj do një elaborim më thuktë dhe kredhje në histori. Ne në shekullin XVI nuk njohim ekzistimin apo funskionimin e shollave në krahinën e Hasit, në të cilat mund të jenë shkolluar dhe edukuar gjenerata të tëra, nga gjiri i të cilave dolën personalitete kaq të nderuara që përjetësisht mbetën në piedestalin e historisë, kulturës dhe të humanizmit shqiptar, siç janë emrat e lartcekur, megjithatë ne duhet të shprehim kaqardhje që nuk mund të bazohemi dikund për të nxjerrë ndonjë konkludim apo dëshmi të funksionimit të një shkolle të tillë. Megjithatë, duke u bazuar në veprimin e gjithë këtyre personaliteteve, ne duhet të “dyshojmë” vërtet në ekzistimin e ndonjë shkolle në Has, nga e cila merrnin mësimet e para, sepse përndryshe nuk do të ishte e mundur dalja në skenë e këtyre  penave kaq të fuqishme, të cilat pastaj kryen shkolla të larta nëpër kolegje dhe akademi më të njohura të kohës. Përndryshe, pa posedimin e një tradite më të hershme shkollimi, emancipimi etj., vështirë se do të vinte deri të orientimi dhe vendimi për të marrë në “sy” botën në zënien e dijeve, nga e cila pas disa vitesh do të ktheheshin me grada shkencore.

Pal Hasi dhe Andrea Bogdani – autorë të cituar të një letërsie të tretur

Tradita hasjane e shkrimit të shqipes nuk kishte të rreshtur. E filluar nga Pali prej Hasit, gjurmët e ekzistencës së të cilit i shpërfaqi vetë imzot Pjetër Budi në parathënien e “Doktrinës...”, dëshminë e vazhdimit të kësaj tradite na e forcon pohimi i Pjetër Bogdanit për një Gramatike latinisht-shqip të të ungjit, Andrea Bogdani, e cila për fat të keq, para se të vinte në duart e lexuesve u zhduk pa gjurmë.
Për Andrea Bogdanin dijmë se ishte një klerik i përmendur i shekullit XVII dhe i ungji i Pjetër Bogdanit, arqipeshkv i Shkupit, post të cilin pas vdekjes së Andreas do ta trashëgojë nipi i tij Pjetri. Por nëse Andrea ishte një personalitet shumë i nderuar dhe i përgatitur i kohës së tij, në shërbim të kishës dhe atdheut, i cili mund të ketë ndikuar në përgatitjen e Pjetrit dhe të pasardhësve të tjerë, ne nuk kemi ndonjë dokument që do të na dëshmonte sheshazi se ai ishte edhe një personalitet kaq i nderuar i kulturës dhe i gjuhësisë. Dëshminë se ai ishte një njeri i përkushtuar i lërimit të gjuhës shqipe, por edhe i njohjes së gjuhëve të tjera, na e ofron Pjetër Bogdani në parathënien e “Cuneuesit...”, ku thotë se i ungji i tij kishte shkruar “një gramatikë fort të godiçime latine-shqip”. Vepra në fjalë, e cila ishte gati për botim, nuk ishte botuar deri në atë kohë, mbase për shkak të moslejimit nga ana e propagandës Fide, të Vatikanit apo edhe për ndon jë arsye tjetër. Këto pengesa dhe vështirësi i kishte pasur edhe vetë Pjetri për librin e tij “Çeta e profetëve”, të cilin, siç dihet arriti ta botojë vetëm pas dhjetë vjetësh të pritjes, do të thotë pasi që iu desh ta përkthente edhe në gjuhën italiane. Sipas Pjetër Bogdanit, gramatika latinisht e shqip e Andrea Bogdanit, të cilën pas vdekjes së të ungjit e mbante Pjetri, i humbi rreth vitit 1684, kur edhe vdiq Andrea. Ky vit shënon edhe kohën e luftës  austro-turke. Në bazë të informacioneve që na vijnë nga analet e kohës, por edhe nga biografët e tij, Pjetër Bogdani, për shkak të veprimatrisë së tij patriotike dhe të tentimit të organizimit të shqiptarëve në luftë kundër turqëve, shpesh ishte i detyruar që të fshihej shpellave dhe maleve nga pushtuesit otomanë. “Duket se gramatika qe shkruar për nevojat e mësimit të latinishtes prej klerit katolik shqiptar. Pjetri thotë se i ungji e dinte mirë shqipen dhe pati ndihmuar e nxitur për të shkruar veprën e tij “Cuneus...”.
Andrea Bogdani, shikuar nga ky prizëm, përpos që ka mbetur një personalitet shumë i nderuar i kohës, na del edhe një autor tekstesh të rëndësishme, siç ishte hartimi i një gramatike. Ai ishte njohës i mirë i shqipes dhe i latinishtes, prandaj, duke qenë një gjuhëtar i mirëfilltë, kishte arritur të shkruante një gramatikë shumë të qëlluar, apo siç shprehet poligloti dhe prozatori i parë i shqipes, Pjetër Bogdani, “fort të godiçime”. Gramatika në fjalë, për shkak të rrethanave tragjike që e përcollën kombin shqiptar, e bashkë më të edhe kulturën, gjuhën dhe intelektualët shqiptarë, humbi, apo siç pohon P.Bogdani “u tret si kripa në ujë”, që do të thotë u zhduk. Kjo gramatikë, humbja e së cilës doemos se paraqet një humbje të pakompensueshme për gjuhësine dhe për kulturën e gjithëmbarshme shqiptare, me siguri do të jetë tretur dikund maleve dhe shpellave kah u strehua dhe u fsheh Pjetër Bogdani në kohën e ekspeditave turke në pjesën e dytë të shekullit XVII. Atë mund ta ketë mbuluar pluhuri i kohërave, apo flakët e luftërave, por dëshmia e Bogdanit se i ungji i tij kishte shkruar një gramatikë fort të goditur, është për t’u besuar. Librin në fjalë nuk e kemi, ashtu sikurse nuk e kemi as librin “Dita e gjyqit” të Pal Hasit, por për to janë dëshmitë. Përderisa për të parin flet një i afërm i tij, pra i nipi, që u dëshmua dhe ka mbetur një nga figurat më universale të kohës së tij, për të dytin, pra për Pal Hasin flet një personalitet tjetër, poashtu i rëndësishëm i kohës, Pjetër Budi, një autor i cili letërsisë dhe gjuhës shqipe i la një dëshmi fundamentale dhe një visar shumë të çmuar. Dhe nëse Pal Hasi, sipas dëshmive të Pjetër Budit është një autor që kishte përkthyer apo përshtatur pjesë nga libri i shenjtë, tjetri, pra Andrea Bogdani është hartues i një gramatike dygjuhëshe. Ata kishin të njejtin qëllim: Të shkruanin apo të përkthenin tekste për nevojat e kishës dhe të klerikëve katolikë shqiptarë, të cilët kishin vështirësi në kuptimin e latinishtes, apo të italishtes, në të cilat gjuhë edhe predikoheshin ritet fetare në kishat shqiptare. Tendenca për hartimin e librave të veçantë, për nevojat e klerit katolik shqiptar, ishte një tendencë e një rëndësie të madhe, e cila shoqërohej me rreziqe të mëdha, madje edhe me jetë, siç i kushtoi Budit, por mbase edhe Pal Hasit dhe ndonjë autori tjetër.
Dhe ndonëse Pal Hasin dhe Andrea Bogdanin i përcolli një fat i keq i përbashkët: ai i mosnjohjes së veprave të tyre, që do të thotë i mosnjohjes së fryteve të punës së tyre shumëvjeçare, ata i përcolli edhe një fat tjetër i përbashkët: mbetja vetëm si autorë të cituar, apo siç e thotë Sabri Hamiti, autorë të një letësie të tretur. Megjithatë, veprat e Palit dhe të Andreas, edhe kështu, sikur arrijnë të përçojnë tërë kompleksitetin e veçantisë dhe të rëndësisë së  tyre kombëtare.

Pjetër Bogdani - autori i parë shqiptar në vështrimin modern të krijuesit

“Dhe mund të flitet për një traditë ndër hasjanë, që të mos themi domosdo “traditë hasjane” për shkrimin e shqipes, e pakta nga Pali gjer te Pjetër e Lukë Bogdani” janë rreth katër breza. Me këtë traditë, duke filluar prej Andreas, Bogdanët i lidhi Budi apo ishin të lidhur brendapërbrenda tyre, duke nisur nga Pal Hasi”. Kështu shprehet Dhimitër S. Shuteriqi në një shkrim të tij për Pal Hasin, rrënjët e të cilit i gjen në Has. Taditën hasjane të shkrimit të shqies, apo traditën ndër hasjane të shkrimit, siç shprehet ai, e quan një traditë të kultivuar me mjaft pasion dhe përgjegjësi. E filluar nga Pali e ndoshta edhe më herët, kjo traditë u pasua edhe nga Bogdanët e Hasit, në krye me Andrean dhe e vazhduar nga Pjetri e  Lukë Bogdani.
 Dhe përderisa Andrea nuk njihet si autor për shkak të tretjes së librit të tij si “kripa në ujë”, siç thotë Pjetër Bogdani, ashtu sikurse edhe Pal Hasi, që konsiderohet si nismëtar i “traditës hasjane të shkrimit të shqipes”, i cili citohet nga Budi, por veprën e tij s’e njohim, autori i tretë, vazhdues i kësaj tradite, është Pjetër Bogdani. Ai në letërsinë tonë vjen si një autor i dëshmuar dhe mjaft origjinal. Vepra e tij e shkruar në vitin 1675 dhe e botuar dhjetë vite më vonë, 1685, “Kuneus prophetarum” (Çeta e profetëve) padyshim se ka mbetur një nga veprat monumentale të kulturës sonë të gjithëmbarshme, duke e renditur autorin në korife të letërsisë. “Bogdani me “Çetën e profetëve” shfaqet krijues. Pra ai është autori i parë shqiptarë në vështrimin modern të krijuesit individual. Vepra e tij filobiblike ka strukturën e doktrinës, pra librit të ndërtuar nga ligjëratat për oratori, filozofi e politikë”.
Mendimi i shfaqur i Hamitit në lidhje me profilin krijues të Pjetër Bogdanit, është dëshmi që flet për një krijues të gjithanshëm. Për një njeri të përgatitur si në aspektin e oratorisë, filozofisë, letërsisë dhe të teologjisë, cili cilësohet si “shkrimtari i parë i Kosovës”, “korife i gjuhës shqipe”, “krijues i parë origjinal shqiptar”, autori i parë i prozës shqipe” etj. “Vepra e Bogdanit jep materje shpirtërore, mendore e poetike me rëndësi të parë edhe për poetin, edhe për studiuesin”.
Duke folur për origjinalitetin dhe gjenialitetin poetik dhe krijues të Bogdanit, i cili tejkalon idenë fetare dhe futet në rrafshin kombëtar, I. Rugova në studimin e tij për veprën e Bogdanit, ndër të tjera shprehet: “Gjeta, se pas çëshjteve të tjera filozofike - teologjike e filozofiko-shkencore, fliste edhe për metaforat, për tropologjinë dhe për figurat e ndryshme të retorikës si dhe për disa aspekte të poetikës”.  Duke folur më tutje për rëndësinë e veprës së Bogdanit, por edhe të përpjekjeve të autorëve shqiptarë, veçanërisht të atyre që konsiderohen si pjesë e traditës hasjane të shkrimit, Rugova mendon se ajo është një “sintezë e këtyre përpjekjeve, një kurorëzim i denjë dhe gurthemeli për veprat e ardhshme”. Kur jemi te tradita letrare hasjane, e vlerësuar si e tillë për herë të parë nga Dhimitër Shuteriqi, edhe Rugova pranon se me të vërtetë mund të bëhet fjalë për një traditë të tillë. Ky studiues në këtë traditë përveç Pal Hasit, Pjetër Mazrrekut, Andrea, Pjetër e Lukë Bogdani e sistemon edhe Pjetër Budin, jo si ndërlidhës, siç  konsideron Shuteriqi, por si autor të drejtpërdrejtë të saj. Futjen e Budit brenda kësaj tradite ai e bën me arsyen jo se ai ishte nga krahina e Hasit, siç ishin pesë të cituarit tjerë, por për shkak të asaj se ai (Budi) një pjesë të madhe të aktivitetit të vet e kishte zhvilluar në Kosovë, që do të thotë se nga kontakti i vazhdueshëm me traditën tashmë të krijuar ndërhasjane ai kishte sajuar edhe veprat e veta. Duke cilësuar lart rolin dhe kontributin e autorëve të traditës letrare hasjane Rugovën nuk e habit fakti i daljes në dritë i një vepreje siç ishte “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit, e cilësuar si vepra e parë origjinale në gjuhën shqipe.    
Pjetër Bogdani ishte njohës i thellë i gjuhës, traditës, i historisë së atdheut të vet, por edhe i teologjisë, retorikës, i teorisë së letërsisë, i poetikës dhe i fushave të tjera të kulturës dhe të shkencës së kohës. Kjo bënte që ai të ishte një intelektual i mirëfilltë dhe një njeri me kulturë të gjerë dhe që e arsyetonte plotësisht gradën shkencore të doktorit të teologjisë të cilën e mbante. Veçoritë e këtij krijuesi si një intelektual i mirëfilltë i kohës, e bënte edhe njohja e shtatë gjuhëve të vjetra, si i hebraishtes, arabishtes, greqishtes, armenishtes, italishtes, latinishtes dhe i siriakishtes, përmes të cilave ai kishte mundësi të konsultonte literaturë të duhur në kompletimin e dijeve të tij, të njihte më mirë problemet shkencore, filozofike e teologjike dhe të merrte fizionominë e një intelektuali të vërtetë të kohës kur jetoi dhe veproi, madje shpesh edhe duke i tejkaluar mundësitë e asaj kohe.

Pjetër Bogdani dhe vendlindja

Pjetër Bogdani ishte i lidhur fort me vendlindjen e tij. Siç dihet ai ka lindur në një fshat të krahinës së Hasit, i cili për fat të keq në kohën tonë si toponim nuk ekziston. Ai thotë se ka lindur në fshatin Gur, gjë që në këtë kohë e bën të pamundur përcaktimin e saktë të këtij toponimi. Por në këtë shkrim s’e kemi ndërmend të merremi me këtë çështje, sado e rëndësishme që të jetë ajo, sepse kjo mbase nuk ka ndonjë peshë të madhe, sepse autori në fjalë e dëshmon katërcipërisht se është hasjan. Në librin e tij ai fut toponime nga Hasi, ndërsa një vend të veçantë aty zë mali i Pashtrikut, mal ky që bie mespërmes krahinës së Hasit. Te Bogdani ai ka kuptimin e një mali të shenjtë, aty ku rriten, jetojnë dhe veprojnë zanat. Rëndësia dhe të qenit mitik ky mal vazhdon edhe sot. Si duket Bogdani këtu merr frymëzimin, krenarinë dhe forcën krijuese. Këtë e beson populli i Hasit, i cili me gjelozi edhe sot e ruan dhe e kultivon traditën e të besuarit në mitikën e këtij mali, por këtë e ruajnë dhe e trajtojnë në veprat e tyre edhe autorë të tjerë hasjanë të kohës më të re. Kjo të jep për të kuptuar se ndërlidhshmëria e traditës hasjane të shkrimit është ruajtur edhe pas shumë shekujsh.
Vendlindja në veprën e Bogdanit shpërfaqet edhe si shprehje e origjinalitetit të këtij autori. Përmes kësaj ndërlidhje ai futet drejtpërdrejtë në rrafshin kombëtar. Por ndërlidhja e këtij autori me vendlindjen nuk bëhet vetëm duke futur në veprën e tij  toponime nga zona e Hasit. Në veprën e tij ai tenton dhe ia arrin të inkuadrojë shumë fjalë të vjetra, apo “fjalë plaka”, të cilat janë pjesë e leksikut popullor dhe të pasur hasjan. Ngritja e fjalëve lokale ose krahinore në nivelin e përdorimit të përgjithshëm, janë një kontribut i këtij autori në pasurimin e gjuhës shqipe, por edhe të ruajtjes së këtyre fjalëve, që ndoshta ishin harruar apo po harroheshin gradualisht. Me këtë nënkuptohet se Pjetër Bogdani paraqet shqetësimin e tij për gjuhën shqipe dhe zhdukjen graduale të fjalëve të saj që dilnin nga gjiri i popullit. Kjo mund të jetë edhe një dëshmi e rëndësishme se përpos atyre veprave që i njohim, ishin apo mund të ishin shkruar edhe vepra të tjera para Bogdanit, të cilat ne nuk i njohim dhe në të cilat siç vëren ky autor nuk përfshiheshin shumë fjalë të rëndësishme të trungut të shqipes. Prandaj me futjen e këtyre “fjalëve plaka” ai “iu tregoi bashkëkohësve dhe pasardhësve një model të shkrimit të gjuhës shqipe, duke u hapur atyre rrugët më të përshtatshme të shkrimit dhe të pasurimit të saj”. 

Lukë Bogdani autor i këngës së kushtimit

Lukë Bogdani është autori i katërt i “kolanës” së pagëzuar “tradita letrare hasjane”, apo tradita hasjane e shkrimit të shqipes. I lindur dhe i rritur në gjirin e shkollës së Bogdanajve të Hasit, Lukë Bogdani në letërsinë shqipe vjen si autor i një poezie kushtesë për kushuririn e tij, Pjetër Bogdanin, me rastin e botimit të librit “Çeta e profetëve” në Padovë më 1685. Me krijimin e tij njëzetvargësh, me një tetërrokësh të alternuar, Lukë Bogdani në letërsinë shqipe hyn si një autor i një poezie kushtesë, por që dëshmon se ai ishte një krijues mjaft i talentuar, i cili përfveç këtij krijimi mund të ketë pasur edhe krijime të tjera, të cilat ose nuk i ka publikuar, apo mund të kenë pasur fatin e krijimeve të paraardhësve të trungut të tij hasjan, siç ishin Pali, kushuriri Andrea dhe ndonjë tjetër.
Në krijimin e tij, që siç tham ia kushton kushuririt, Lukë Bogdani fillon me vendlindjen, por në shumë raste ai flet edhe për personalitetin e Pjetrit, për karakterin e tij si bari kujdestar religjioz gjatë kohës së shërbimit të tij, por edhe si një personalitet me kulturë e dije të gjerë dhe universale. Edhe në krijimin e Lukës, mbizotëron toponimia hasjane dhe me theks të veçantë mali mitologjik i Pashtrikut, me tërë kompleksitetin e një mali të ekzistimit të figurave dhe besimeve mitologjike, për të cilin shkruan edhe vetë Pjetri, të cilit edhe i kushtohet ky krijim, apo kjo këngë.

Dul n’GURIT bukuria.
ZANA si një sut’ e naltë,
Qi s’kish mbrenda VENEQIA,
Te PESHTRIKUT muer Maltë

GURI, ZANA, VENEQIA dhe PESHTRIKU, në poezinë e Lukë Bogdanit janë të shkruara jorastësisht me shkronja të mëdha. Shkrimi i tyre në këtë formë, mendoj se shpërfaq respektin e pakontestueshëm të autorit ndaj këtyre emrave: Guri, si vendlindje e tij dhe e kushuririt si dhe e Bogdanajve të përgjithësi, Zana, si një krijesë mitologjike, besimi në të cilën ishte shumë i përhapur te hasjanët, e cila sipas tyre fshihej dikund në Pashtrik, Venecia (Venediku) si një qendër e rëndësishme kulturore, fetare, por edhe politike të asaj kohe si dhe Peshtriku (Pashtriku apo Pushtrigu siç theksohet nga hasjanët), si mal i shenjtë për të cilin thureshin shumë legjenda, e që kishin krijuar respektin ndërhasjanë, madje duke e pagëzuar atë edhe si Baba (Baba Pushtrig) dhe betimi i përhershëm në të (pasha vorrin e Pushtrigut), respekt dhe epitet të cilin e gëzon edhe sot. Katër vargjët e poezisë, të shoqëruara secila me nga një emër: Guri-Zana-Veneqia-Peshtriku, të shëmbëllejnë si një formulë e rëndësishme e zëbërthimit të veprës dhe të personalitetit të Pjetër Bogdanit, të cilit edhe i kushtohet. Janë vargje admirimi, cilësimi dhe përçimi.
Poezia e Lukë Bogdanit është vlerësuar dhe si e tillë është konsideruar si një trashëgimi e rëndësishme letrare e shekullit XVII. “Vjersha e Lukës, sikurse edhe ajo e Lekë Sumës dhe disa vjersha të Pjetër Bogdanit, janë shenja të një veprimtarie pak a shumë të gjerë poetike në Shqipëri në shekullin XVII, pas Budit”, pohon Dhimitër Shuteriqi në librin e tij “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850. Ndërkaq sipas Sabri Hamitit, kjo “vepër e ndërliqshme”, siç e cilëson ai, është më afër vjershave të Budit se sa të Pjetër Bogdanit. Sipas këtij studiuesi, “kjo poezi nuk krijon njerinë në nivelin figurativ, po në strukturimin e motiveve dhe me lidhjen e tyre merr karakterin e një përmbledhjeje poetike ku dalin problemet kryesore reale dhe ideale të botës shqiptare të kohës”.  Hamiti, duke e vështruar nga aspekti i deve, poezinë e Lukës e cilëson edhe si një këngë atdhetare të thurur nëpërmjet shtresimeve historike, aktuale dhe të së ardhmes. Duke qenë një krijim në të cilin shpërfaqen ide dhe kërkesa të fuqishme  atdhetare, ajo njëherësh është edhe një nga krijimet e para të këtij lloji në poezinë shqipe. Do të thotë një unikat.
Kjo do të thotë se Lukë Bogdani, duke qenë një përfaqësues i shkollës së Bogdanajve dhe i “traditës hasjane të shkrimit”, padyshim se ishte, dhe mbeti një autor mjaft serioz dhe i vlerësuar, sado që vepra e tij e arritur në këtë formë, cilësi dhe sasi është e mangët për të na ofruar mundësinë e ndonjë konstatimi përfundimtar. Mirëpo, megjithatë, jo vetëm pse njihet si autor i një libri tashmë të vlerësuar lart, Pjetër Bogdani është autori më i rëndësishëm i kësaj tradite. Përveç kësaj ai është edhe autori më i rëndësishëm i letërsisë shqipe të shekullit XVII, përkatësisht ai asaj letërsie të cilësuar si letërsi filobiblike, e lëruar kryesisht nga klerikët shqiptarë të shekujve XVI-XVII.

1. Sipas Dhimtër S.Shuteriqit, “Autorë dhe tekste”, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977, f. 64.
2. Sabri Hamiti, “Studime letrare”, ASHAK, Prishtinë, 2003, f. 60.
3. Aty, f. 30.
4. Dhimtër S.Shuteriqit, “Autorë dhe tekste”, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977, f. 63.
5. Sabri Hamiti, “Tematologjia”, ASHAK, Prishtinë 2005, f. 34-35.
6. Po aty, f. 57.
7. I. Rugova, Vepra e Bogdanit, “Faik Konica”, Prishtinë, 2005, f. 11.
8. Zija Xholi, “Pesë mendimtarët më të vjetër të kulturës sonë kombëtare”, ASHSH, Tiranë, 2003, f. 123.
9. Sabri Hamiti, vepra e cituar, f.68.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora