E merkure, 24.04.2024, 04:00 AM (GMT+1)

Mendime

Behram Hoti: Gjakmarrja nuk shëron plagët e zemrave dhe shpirtrave njerëzorë

E premte, 25.01.2008, 08:38 PM


Në 18-vjetorin e veprimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Mbarëkombëtare për Pajtimin e Gjaqeve

GJAKMARRJA NUK SHËRON PLAGËT E ZEMRAVE DHE SHPIRTËRAVE NJERËZORË!

Intervistoi: Mr. Jetish KADISHANI

-Lëvizja Kombëtare Shqiptarë për Pajtim dhe Bashkim Kombëtar-faljen e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave dhe shuarjen e hasmërive të familjeve në konflikt sivjet shënon 18-vjetorin e veprimit të saj. Ajo nuk pushoi së vepruari edhe pas Kuvendit VIII, që u mbajt më 17 maj 1992 në Prishtinë.

-Intervistë me koordinatorin gjeneral të kësaj Lëvizjeje z. Behram Hotin.

Behram Hoti
Në vitin e madh të pajtimi kombëtar 1990-1992,në Kosovë u falen mbi 1700 gjaqe dhe po aq plagë e ngatërresa. Mirëpo, që nga viti 1992 e deri në vitin 2000, duke i përfshirë edhe vitet e luftës së lirisë (1998-1999) u falën edhe shumë gjaqe, plagë e ngatërresa të cilat kishin mbetur pa u pajtuar gjatë vitit 1990, sepse në luftë për liri nuk mund të hyhet me hasmëri Në  veçanti, në vitet 2000-2007 Lëvizja Kombëtare Shqiptare zgjeroi veprimtarinë edhe në të gjitha Trojet Etnike Shqiptare: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Pellagoni, në Preshevë dhe në Mal të Zi, ku u pajtuan 378 familje dhe u falen 197 gjaqe. Këtu mund të përmendim se vetëm në rajonin e Kumanovës u bënë 87 pajtime, në vitet 2006-2007, ndërsa në rajonin e Kurbinit, të Lezhës, të Pukës, të Shkodrës, të Bajram Currit, të Mirditës dhe të Tropojës u falen mbi 100 gjaqe dhe u hap dera e lirisë të mbi 278 familjeve të ngujuara si dhe u qel rruga e shkollimit të shumë nxënësve dhe të studentëve të këtyre zonave, falë njerëzve të vullnetit të devotshëm njerëzor, familjeve kombëtare si dhe pajtimtarëve të devotshëm.

Behram Hoti është veprimtar i dalluar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, koordinator gjeneral i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, poet, publicist, shkrimtar, autor i 24 veprave letrare, ish i përndjekur politik në regjimin okupator sllavokomunist, i burgosur dhe i dënuar në kazamatet ushtarake serbe, por edhe pjesëtar aktiv i UÇK-së.
Ne biseduam me z. Beharm Hoti, për veprimtarinë aktuale të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, që flet në periudha të ndryshme kohore, përkatësisht për vitin e madh të pajtimeve 1990-1992, para luftës, për pajtimet gjatë luftës së UÇK-së, me fakte dhe fjalë të pandryshuara, autentike të veprimtarisë dhe punës së Lëvizjes.

PYETJE: Z. Behram, jemi në 18-vjetorin e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, a mund të na thoni disa fjalë për historikun e vitit të madh të pajtimit të gjaqeve 1990-1992?

HOTI: -Populli shqiptar pati vite të mëdha, të lavdishme, të përgjakshme të lirisë në historinë e vet kombëtare., por një ndër vitet më të shënuara në historinë tonë kombëtare është vitit 1990. Thyerjet dhe përplasjet demokratike në botën e civilizuar dhe të lirë, por edhe në botën e shpirtit të shqiptarit që u bën në vitet e rezistëncës sonë kombëtare gjatë viteve 1980-1990 zgjuan, forcuan, kalitën, kombëtarizuan nga marramendja ndjenjën e plogështisë, të panikut ndaj okupatorit, kompromisit, të mashtrimit, të lakmisë të ulët, të ligështisë ndaj të keqes-me veprim kundër okupatorit për zhdukjen e robërisë dhe për dritën e lirisë, përmbysen nënshtrimin shpirtëror të frikës që ka vetëm një emër-robëri. Brezat, sidomos studentët u radhitën, vepruan dhe marshuan drejt lirisë shpirtërore dhe fizike, sepse pa liri shpirtërore nuk ka liri fizike kombëtare.
Okupatori serbosllavorus me strategji dhe taktikë veproi në përçarjen e shqiptarëve në Kosovë brendapërbrenda. Inicioi, trasoi dhe shpesh herë realizoi gjakderdhjen midis shqiptarëve duke destabilizuar familjen shqiptare e cila ishe e njohur për okupatorin si celula kryesore e kombit shqiptar. Hakmarrja u bë ferr për shumë familje. Skamja e mynxyrat, gdhendën në shpirtin e disa pjesëtarëve të familjes, të cilët humbën vetëdijen dhe vepruan në dëm të pjesëtarëve të familjeve të tjera. Burgjet serbe u mbushën përplot me shqiptarë. Më  e rëndë bëhej belaja se sa okupatori sllavokomunist që ngriti burgjet në tërë Jugosllavinë dhe në Kosovë për t’i mbushur me shqiptarë.
Avokatët, që ishin lëkundur dhe tëholluar nga dinjiteti, fitonin para marramendëse nëpër proceset e gjykatave serbosllave ku dënoheshin pjesëtarët e familjeve shqiptare.
Në vitin 1990, me devotshmërinë e minatorëve të Trepçës, të burgosurve politikë, të studentëve që janë lulja dhe drita e Kosovës, u falën mbi 1370 gjaqe dhe plagë e ngatërresa.

PYETJE: -Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë iu bashkangjitën edhe intelektualët, profesorët e Universitetit të Kosovës, shkrimtarët e në veçanti ish të burgosurit të ndërgjegjes kombëtare që kishin lansuar amanetin dhe apelin nga qelitë e tmerrit serbosllav, që të gjithë shqiptarët kudo që janë të bashkohen. Sa ishte kontributi i intelektualëve të Kosovës në këtë drejtim?

HOTI: Gazetarët, në veçanti gazetarët e “Botës së Re”, “Rilindjes”, “Shkëndisë”, “Bujkut” e ndonjë tjetër kontribuuan dhe krahpërkrah TVP sensibilizuan gjendjen dhe  krijuan hapësirë dhe kohë duke e kthyer vullnetin e popullit shqiptar në besim të patundur për zhdukjen e gjakmarrjes dhe shuarjen e hasmërive.
Rinia studentore i zgjoi nga gjumi edhe ish-politikanët, ish- deputetët e qeverisë të asaj kohe, ish-ishat e tjerë dhe krejt spontanisht koha dhe thirrja studentore si dhe ndjenja e thellë e veprimtarëve kombëtarë vuri në ballë Profesor Anton Çettën, që ishte dhe është i mishëruar me gjëmën, krenarinë, burrërinë, shpirtin e  madh, atdhedashurinë e popullit shqiptar si një bletë që e kishte vjelur dhe mbëltuar nektarin e urtisë  të traditës së shëndoshë të popullit shqiptar në të gjitha Trojet Etnike e në veçanti në Drenicën heroike.
Krah të djathtë e kishte historianin e mirënjohur prof. Dr, Zekeria Canën e shumë të tjerë. Po i përmendim veprimtarët e vitit të madh si dhe veprimtarët e pasvitit të madh të pajtimeve e deri në ditët e sotme duke qenë i vitëdijshëm se në këto faqe gazete nuk mund të përfshihen që të gjithë dhe pa pardan mund të harrohen edhe emra, pajtimtarë të devotshëm, nga të cilët kërkoj falje: Prof. Anton Çetta, dr. Zekeria Cana, dr. Muhamet Pirraku, dr. Eshref Ademaj, dr. Latif Berisha, dr. Kajtaz Rrecaj, Kolonel Safet Syla, dr. Mujë Rugova, dr. Musa Limani, dr. Zymer Neziri, prof. Ramadan Shala, prof. Bajram Blaku, prof. Xhafer Murtezai, prof. Bajram Kurti, prof. Xhafer Kabashi, dr. Masar Shporta, Demush Zefi, Tefik Sadiku, Tasim Hasani, Idriza Rreci-Llausha, Fetah Bekolli, Januz Mazreku, Cenë Desku, Myrvete Dreshaj, Hava Shala, Hasime Mazreku, Demush Zefi, Simon Veseli, Anton Noka, Mark Berisha, Kristë Gojani, Dom Lush Gjergji, Imzot Mark Sopi, Imzot Nikë Prela, Dom Frana, Mulla Xhevat Kryeziu, Idriz Kakrruki-Kosova, Haxhike Kakrruki-Kosova, Prof. Bardhyl Qaushi, Avdi Kelmendi, Daut Kelmendi, Shyqri dhe Jusuf Kelmendi, prof. Azem Syla, Rexhë Sadiku-Gjurisheci, Vehbi Grashtica, Hajriz Demaku, Daut Demaku, Jakup Sfirca, Shaban, Adem e Hamzë Jashari nga Prekazi, mr. Jetish Kadishani, Ukë Bytyçi, dr. Ejup Statovci, dr. Drita Statovci, dr. Shefkije Islamaj, dr. Mehmet Halimi, prof. Sami Peja, Ahmet Vatovci, Sokol Bashota, dr. Musli Bajraktari, Gani Koci, Jakup Krasniqi, Emin Krasniqi, Vesel Krasniqi, Berat Luzha, Ramë Buja, prof. Hazir Shala, Adem Grabovci, Hetem Çeku, Nurije Zekaj, dr. Mehmet Rukiqi, dr. Ilaz Metaj, prof. Sulejman Meta, mësuesi Reshat Hoxha, Selami Aliu-Kumanova, mësuesja Besa Luzha-Kumanova, Destan Kumanova, shkrimtari Mehmet Kajtazi, dr. Sheremet Krasniqi, Salih Bajra-Kaçaniku, Nasuf Shabani, Bedri Tahiri, oficer Rrahim Prestreshi, Fehmi Mujota, Rauzhdi Jashari, Ruzhdi Poturovci, Muharrem Musliu-Daja Shemë dhe pjesëtarët e shumtë të TMK-së, të cilët ishin shumë aktivë në këtë aksion human mbarëkombëtar.
Urtakët e popullit (pleqët): Selim Obranxha, Hasan Jashar Hoti-Likoci, Fekë Hajdin Feka i Likocit, Mujë Loshi, Osman Ajazi, Ibrahim Ramë Bllaca, Liman Kadolli, Mehmet Oraca, Shaip Gega, Adem Sopi, Daut Bugujevci, Gani Shahini nga Shtimja etj.
Islamologët: Mulla Naim Tërnava, dr, Rexhep Boja, Mulla Sabri Bajgora, Mulla Hajrullah Hoxha, Mulla Jaha, Mulla Abdyl Tahiri, Mulla Hamdi Morina, Mulla Mehmet Morina etj.

PETJE: -Z. Hoti, janë shkruar disa vepra-monografi për pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe janë botuar shumë intervista të veprimtarëve të atyre viteve, por është folur për Kuvendet e Pajtimeve, çka mund të na thoni për gjuhën dhe devotshmërinë e këtyre Kuvendeve?

HOTI: -Kuvendet Kombëtare të Pajtimeve kanë ngritur vetëdijen dhe krenarinë kombëtare. Kanë rritur vetëdijen e brezave, duke përimtuar virtytet e larta të traditës së popullit shqiptar, kanë kultivuar atdhedashurinë, unitetin, urtinë, me gjuhë, sepse gjuha është një dhunti njerëzore e pashtershme. Gjuha ka për bazament dhe kulmon urtinë, ka për maje mençurinë dhe ka flamurin e vet-ndershmërinë. Pa fjalë të lirë nuk bëhet dialog e pa dialog urtie nuk ka të vërtetë e pa të vërtetë dhe pa të drejtë nuk ka progres e as pajtim kombëtar. Ai që ka gojë nuk mund t’i mohojë Kuvendet Shqiptare, sepse ato kanë qenë tribuna të mençurisë, të demokracisë, të burrërisë dhe të karakterit shqiptar. Kuvendet e Pajtimeve janë të peshuara me ar. Në Kuvendet e Pajtimeve nuk ka fjalë pa radhë, se fjala pa radhë është anarshi.
Njeriu, pajtimtari, deputeti, profesori, punëtori, vizionari, nxënësi, studenti… duhet të dijnë, të dëgjojnë, pa të kuvendojnë, dhe kur gjuha nuk e njeh turpin, të gjith ata që e dëgjojnë turpërohen. Kjo është një segment i gjuhës së Kuvendeve të Pajtimit Kombëtar.

PYETJE: -Z. Hoti, lexuesit të gazetës sonë të nderuar duan tërë dijën edhe për pajtimtarët e, veprimtarët e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Preshevës, të Malit të Zi dhe Pellagonisë?

HOTI: -Ata janë në aktualitetin tonë dhe kanë emra dhe nuk janë pak: Zef Sokoli dhe Adem Isufi (Shkodër), Gjakë Malqi ( Kurbin), Nikollë Lleshi (Pukë), Pjetër Gjoka (Lezhë), prof. Selami Aliu (Kumanovë), Xhemail Zeqiri (Kumanovë), Zahir Xheladini (Kumanovë), Dërgut Presheva (Preshevë) Abedin Selimi (Preshevë), prof. Samedin Aliu (Pellagoni), prof. Muhamet Aliu (Pellagoni), kur e përmendim Pellagoninë, ajo ka një shtrirje në jug-perëndim të Shkupit, në mes Prilepit-Velesit-Kërçovës, është një harkore dhe fushë që i përngjan hënës, me këto fshatra: Llozhan, Dobrinë, Jakërnovë, Shëshdovë, Presallë, Dobreshti, Jabullqishtë, Desovë, Cërnalishtë etj. Cërnalishti ka 400 shtëpi shqiptare. Në këtë zonë që ka 70 km gjërësi ka plagë, vrasje, por nuk është e theksuar hakmarrja e as gjakmarrja. Veprimtarët nga Tetova janë: dr. Milaim Fevziu me veprimtarë të tjerë, pastaj e Malit të Zi: Vëllezërit Dodaj, nga Shasi i Ulqinit, dr. Simë Dobreci etj.

PYETJE: Z. Hoti, ju keni shënime, fakte dhe shifra për pajtimet e familjeve në vitin 2006 dhe 2007, që po e përfundojmë tani. Ku është përqëndruar veprimtaria e Lëvizjes, spikama e saj në cilat zonat shqiptare për vitin e ardhshëm 2008?

HOTI: -Vetëm në vitin 2006-2007, në të gjitha zonat shqiptare, Kosovë, Mirditë, Shkodër, Kumanovë, Tetovë etj.,   janë pajtuar për këto dy vite mbi 112 gjaqe dhe janë shuar hasmëritë  ndërfamiljare, janë shëruar mbi 478 hasmëri, ngatërresa, plagë, konflikte, janë bërë pajtime bashkëshortësie, kanë qenë në spikamë konfliktet pronësore si dhe puna e Lëvizjes për vitin 2008 kulmon dhe ka për pikësynim veprimtarinë e saj të dendur në lirinë e familjeve të ngujuara që ende me vështirësi ipet e fitohet besa që ka për bazë lirinë e pjesëtarëve të familjes për punë, ekonomi dhe kafshatë të gojës së familjes, shkollimin e nxënësve dhe të studentëve që janë krejtësisht të pafajshëm.
Ky është Programi  i Lëvizjes dhe i Kongresit të Dytë të Misionarëve të Pajtimit, që u mbajt më 17 shtator 2004 në Tiranë, si dhe është program i misionit të pajtimit mbarëkombëtar, që u mbajt Kuvendi i Parë i këtij Misioni në Shkodër, më 5 shtator 2007, që isha edhe unë prezent me shumë veprimtarë si dhe me shumë misionarë, por ishim të nderuar edhe nga misionarët ndërkombëtar për këtë veprimtari humanitare për të mirën dhe ardhmërinë e qenies njërëzore.
Në veçanti Lëvizja falënderon familjet që shtrijnë dorën e pajtimit nuk mund t’i harrojmë disa pajtime eklatante, por të gjitha pajtimet kanë një emër: ardhmëri! Në vitin 2006-2007 u pajtuan shumë familje: në Pllaçicë familja Maloku, në nëntor 2006 u falën dy gjaqe në Mitrovicë (që Lëvizja Mitrovicën e emëron “Tahir Meha”), në vitin 2007 u pajtuan dy gjaqe në Drenicë, në Drenas të Drenicës Miftar Kiçina, i ati i gjeneral Rasim Kiçinës, dëshmor fali gjakun e djalit. Në këto pajtime që u bënë për hir të gjakut të derdhur për Zotin dhe Kosovën kontirbuan Halil Krasniqi, babai i Mujë Krasniqit nga Qabiqi, Destan Selimi-Açareva, babai i gjeneral Rexhep Selimit, Gani Koci, Ramadan Gashi, Daut Kelmendi, Mulla Osman Muslia nga Likoci etj. Po përmendim pajtimin më të ri me devotshmëri në në mes të fshatit Petrovë dhe Monopolc, të familjeve Fehmiu dhe Mujota. Në të gjithas këto pajtime ishte prezente pjesëmarrja e pjesëtarëve të familjes së madhe kombëtare Jasharaj nga Prekazi. I pakurrësyeshëm dhe shumë i gatshëm ishte Rifat Jashari, Murat Jashari, Sahit Jashari e të gjithë Jasharajt.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora