E merkure, 24.04.2024, 09:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Arqile Gjata

E enjte, 24.03.2011, 07:53 PM


Arqile Gjata

 

 

NATA E BARDHË

 

Në natën e bardhë

së larti zbret me jehonë

i shënjti lis,

Adem Jashari!

 

U çelën portat e Festës ...

Për të kuvenduar  me  etërit

Ai,

nga  zemra e maleve hapon drejt Kullës.

ku ende është i varur qielli i vranur.

 

Është në këmbë...

Me fytyrën veshur me diell

nëpër  gurtonët(1) e flakëruar

që kanë një emër,

këndon këngët e lirisë.

 

Në të gdhirë

me të dy  krahët mbledh yjet

në qiellin e zjarrtë,

i shtron  në sofrën e madhe

të Ditë-Lindjes. 

 

Si rreze drite rend nëpër Dardani

e bashkë me gjakun e shokëve

kënga ‘’ U Kry Bac’’

i dhanë Ymër(2) Mëvetësisë

 

Nga vlaga e tokës

pëshpërimat e shpirtërave të vrarë

kanë çelur luleborat..!

                                         

   1-gurtonët– nëpër gurët

 2-Sipas mitologjisë Ymri  është ai që i dha jetë Burrit

 

 

VAJZA E KËNGËS LABE

 

Vajza e Këngës Labe

nga majëmalet

hapi derën e mëngjezit…

 

Bukurisë së saj

i rrinë afër retë dhe erërat.

E pa vëmendëshme prej tyre

qëmton këngë

me iso labe në trastën e saj. 

 

Shikonte lindjen…

Nga një zhurmë e bardhë

nën gjethet e një lisi

iu shfaq dëshira

për ta thyer qelqen e moshës.

 

*  *  *

Dua të soditem, t’i jepem djalit të isos!

Tingëllimën e qelqtë  ta shijojë

si melodi këngësh

dalë nga oshëtima e zërave tanë,

kur dielli do shlodhet

 dhe hëna të flerë.  

 

 

MONOLOGU I SHURDHUR

 

I betuar në sytë e kohës

ndërgjegjja ime qëndron si kockë

në këngë

e hovshëm merr frymë

monologu i shurdhur.

 

Monologu…

pret  të shkruaj mes erërave

dhe qiellit që pikon yje

të nesërmen,

mbetur në ashtë të trupit.

 

*  *  *

Në vite ndërtuam gjigandë,

më pas i tretëm rrëzë maleve

ngrohur nga drita e hënës.

 

Në monologun e shurdhur

hija ime

banon në lagjen e vdektarëve

ku stinët kremtohen  me dhimbje. 

 

*  *  *

Të gjithë ankohemi për keqësimin e motit,

më shumë natë se ditë.

Dhe me mall e kurajo pimë gotën e verës 

nëpër rrathë ku nuk ka rrufe djegëse.

 

Flokët e monologut

krehin mallëngjimet e detit,

ku e djeshmja mungon

në përgjigjen time,

veç e nesërmja zgjatë krahët

të më shuaj etjen e moshës.

 

Athinë

Janar-Shkurt 2011

 

 

E Qeshura

 

Kur isha djalë i ri

qeshja shpesh,

tani e qeshura është frika që kam

nga vetja.

 

Dhe pse e admiroj veten,

tani më shumë kënaqem

me bustin e shokut.

Kjo tregon se:

Tani më ka filluar t’më vdes koha

nëpër duar.

 

Si i shkon puna njeriut!

Ecën vrullshëm nëpër ëndrra

 pengohet sa herë shkon të pi kafe,

as dashuria nuk i shuhet.

 

Eh..këto dreq përfytyrime...!

Të frymëzojnë vend e pavend,

deri sa të bëhesh plak i pagojë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora