E enjte, 25.04.2024, 01:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Rami Kamberi: Shqipëria e Sadudin Gjurës dhe liria në poezi

E enjte, 24.03.2011, 08:41 PM


SHQIPËRIA E SADUDIN GJURËS DHE LIRIA NË POEZI

 

Sadudin Gjura, intelektual i ndershëm, luftëtar për liri dhe bashkim kombëtar, besnik ndaj idealeve të lirisë dhe vigjilent për kauzën e ribashkimit të kombit, i zhgënjyer nga flamuri i Internacionales proletare me karakter komunist, duke humbur interesin për të ashtuquajturin Vëllazërim/Bashkim dhe barazi mes njerëzve, u bë njëri nga armiqtë më të njohur kundër ish-Jugosllavisë, dhe, njëri nga të persekutuarit e parë pas “çlirimit”, respektivisht pas rirobërimit të shqiptarisë.

 

Nga Rami Kamberi

 

Nëqoftëse do të bëhej studimi historik i receptivit të poezive kushtuar Lirisë që penat shqiptare e kanë shkruar në letrat shqipe deri sot, sigurisht do të konstatohet se kurora e poezive në fjalë është poezia „Jeta e re e njerzimit po agon”,  e poetit Sadudin Gjura me origjinë nga Shipkovica, e vetmja poezi dhe dëshmi nga shkrimet e poetit, e cila sipas natyrës së saj mund të emërohet si libër mes kopertinave metaforike të sintagmës „toka dhe qielli shqiptar”.  Kështu mund të konstatojmë, ngase receptivi i rreshtave dhe vetë ndarja e poezisë në tre cikle e konkretizon natyrën e një entuziazmi të veçantë, i cili i mjafton gjeografisë që pagëzohet Libër. Meqë kjo vjershë poezia e Sadudin Gjurës,  përveçse në faqet e „Jetës së Re” të viteve 1950, gjatë moteve të monizmit nuk arriti të gëzojë dritën e ribotimit që të lexohet lirisht nga lexuesit, dhe duke qenë e ndëshkuar mbi gjashtë dekada, as interesimi kritik dhe as mendimi i lirë nuk ka mundur ta thotë fjalën e vet. Andaj, në qoftëse kritika e asja kohe nuk mundi ta ndryshojë fatin historik të poezisë dhe poetit, sot, mund ta intensifikojmë receptivin e kohës në fjalë, kështuqë ardhmëria e poezisë dhe poetit të bëhet pjesë e pandarë e letërsisë dhe historisë së kombit tonë.

 

Ku qëndron arsyeja kryesore e mendimit të këtillë për vlerat lirike të  Sadudin Gjurës, intelektual i ndershëm, luftëtar për liri dhe bashkim kombëtar, besnik ndaj idealeve të lirisë dhe vigjilent për kauzën e ribashkimit të kombit, i zhgënjyer nga flamuri i Internacionales proletare me karakter komunist, duke humbur interesin për të ashtuquajturin Vëllazërim/Bashkim dhe barazi mes njerëzve, u bë njëri nga armiqtë më të njohur kundër ish-Jugosllavisë, dhe, njëri nga të persekutuarit e parë pas “çlirimit”, respektivisht pas rirobërimit të shqiptarisë. Kacafytjet e para me pushtetin në fjalë do t’i shprehë me gjuhën e penës, e në veçanti me poezinë në fjalë.  Pushtetarët sllav me barbarinë e tyre dhe pafytyrësinë ia zunë rrugën e lumturisë, lirinë e veprimit intelektual dhe duke shkuar edhe më larg, më barbarisht, ia morën të drejtën për të jetuar, e persekutuan maleve të Sharrit kur ishte nisur për në Shqipëri, ngase syçeltësia e tij dhe vatra ndijore e dhembjes, e deri te arrestimet dhe shpërnguljet me dhunë si dhe persekutimet e shqiptarëve, poetin jo vetëm që do ta detyrojnë të veprojë në kuptim fizik, por edhe intelektual, duke e thënë me penë fjalën e tij, për të sfiduar sfidat barbare.

 

Sadudini ishte i vetëdijshëm se Liria për njeriun është një ndjenjë e shenjtë, dhe ishte i vetëdijshëm se njeriut ende nuk i jepej e drejta për ta kuptuar dhe kultivuar atë vetëdije të lartë dhe ndjenjë të shpirtit për ta kuptuar kuptimin e fjalës Liri, dhe se të gjithë njerëzit duhet të jetojnë të lirë e në në liri. Me një fjalë, Sadudin Gjura ishte i vetëdijshëm se barbarët sllavë dhe djallëzia e tyre nuk e ka vetëdijen për të kuptuar se plotënija e jetës është ndjenja pa të cilën nuk mundë të shijohet Liria. Nga gjeografia e poezisë lirshëm mund të themi se poeti asaj kohe ishte intelektual i ngjarjeve të mëdha, dhe historisë nuk i mbeti vetëm si emër për ta gjurmuar nëpër datat historike, por, si vizionar për ardhmërinë e shqiptarizmit dhe mbarë njerëzimit. Në kohën kur është shkruar dhe botuar poezia e Sadudin Gjurës „Jeta e re e njerzimit po agon”,  poezia shqipe ishte e paktë kurse numri i poetëve që premtonin se poezia do të mbetet vokacion i tyre ishte i dyshimtë për arsye të njohura. Dhe, me poezinë e Sadudin Gjurës „Jeta e re e njerzimit po agon”, do të vërejmë evoluimin e koncepteve që flasin për një kontinuitet sa të ndjeshëm, po aq dhe të kuptueshëm dhe të domosdoshëm për shpirtin që do Liri.

 

Pikëpamjet e Sadudin Gjurës për Lirinë janë racionalizim kontinuitiv i praktikës së njeriut që duhet të vetëdijesohet për vetveten, që, në të vërtetë të bëhet i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e evolumiti si kusht i shijimit të asaj që të mungon, madje edhe i universalizimit ta saj në praktikë, andaj jo rastësisht poeti shkruan se poezia i është „Kushtue kohës së robnisë e luftës shlirimtare“. Nisur nga vetë titulli i kësaj poezie,  „Jeta e re e njerzimit po agon”  dëshmon se sa e thellë dhe e pasur në aspekt të vrojtimit për njeriun ishte vetëdija e poetit. Sikundër mund të shihet në rreshtat e saj, që në ciklin e parë poeti dëshmon për mendimin, dhe se plotnija e jetës së tij është ndjenja që jo vetëm që do ta shijojë lirinë në kuptim individual, por, si liri për mbarë njerëzimin: “Liri! Sa e naltë asht kjo fjalë dhe e shtrenjtë,/ Me mujtë, me nji ndriçim mendimi m’e kuptua n’tansi.../ Sa i madhnueshëm kuptimi i gjanë e i plotë i saj, që me plot mall i thomi: Liri...”

 

Po qe se e shikojmë në tërësi poezinë „Jeta e re e njerzimit po agon”, lirshëm do të themi se në tekstin poetik të Sadudin Gjurës lartësohen shumë probleme qenësore, si: liria, robëria, lufta, ekzistenca, qëndresa, humanizmi etj.  Që të gjitha ngjyrat e natyrës jetë, shtrohen për t’u kuptuar, brenda kufijve gjeografik të poezisë në fjalë: “Sa e madhe ashtë në sytë e robit t’shkelun,/ Kur e peshon me lot gjakun e robnisë!.../ E asgja tjetër, e madhe dh’e naltë nuk ngelën,/ Pa iu falun me përunjësi lirisë! “ Vetë rreshtat flasin se shkaktar i mosshijimit të lirisë është robëria e qenies sonë. Poeti vetëm e emërton dhe rrëfehet se sa peshon liria kur matet me lot e gjakun e robërisë, e madhe është liria na mbetet të themi për t’i kuptuar rreshtat në vijim: “Sa e vlefshme asht kur merret prej t’hujt/ E edhe zemra pleqesh atëherë me hov kumbojnë!/ Sa e dashtun asht për njerëzit e përvujt,/ Dhe sa e ambël shfaqet kur e kujtojmë...” Rreshtat në fjalë a nuk na sugjerojnë se nga duhet të shpalosen dhe më pas të degëzohen ngjyrat e jetës që ta kuptojmë se çfarë na qenka kjo – Liri, që i mungoi poetit dhe njeriut për të cilin e shkruajti poezinë!

 

Kur zemra e shqiptarit merr hov dhe kumbon

 

Duke lexuar poezinë, nga vargu në varg do të mësojmë se liria që i mungoi poetit është gjuha e robërisë që e sfidon lirinë si gjithmonë shekujve, liri e cila gjendet në duart e forcës që të sundon – pushtuesit. E vlefshme është liria, kur merret nga i huaj thotë poeti, atëherë edhe zemra e plakut merr hov dhe kumbon. Kështu fjalët e poetit bëhen gjithnjë më domethënëse duke ia treguar lexuesit se si fitohet liria, duke shpalosur shpirtin dhe duke mbyllur në vete mos guximin, në ciklin e dytë do t’i shfaqë ngjyrat e natyrës që dhurojnë liri: „Në kryengritje thërret nji za e ushton,/ Mas vajit vjetër, po lindë një gaz i ri:/ E me gjallni e rreptësi shpirti gufon/ Sa u nis lufta e pritun për liri!“ Liria si nocion për Sadudin Gjurën është një pasqyrë e jetës, kuptim ku percepton më të rëndësishmen për njeriun, poeti është në kërkim të lirisë së vendit dhe popullit të tij, me gjithë atë në natyrën ku jetohet i robëruar, nën diktaturën e ashpër të pushtuesit, vëren burrërinë si shpresë për të marrë lirinë nga i huaj: “Dhe si një vullkan i plasun n’kulm të tërmetit,/ Revolucioni e lufta kudo krisë;/ Përpara syve t’mjegulluem n’tym t’barutit,/ Qëndron flamuri i kuq i lirisë!”

 

Ndërkaq në vazhdën e rreshtave, liri për mbarë njerëzinë, flitet më bindshëm dhe shpresa mbizotëron, mbizotëron optimizmi karshi pesimizmit, shpresa se arriti dita e lirisë për njeriun si qenie, ngase vullkani i revolucionit, lufta për liri shihej në çdo anë të botës dhe se flamuri i lirisë valëvitej dhe, në rreshtat e ciklit të tretë shihet qartë se për poetin, mbarë globit i lindi ylli i lirisë: “N’orizont t’hapët, po lind nji yll i ri!/ Me dritë shpëtimi, fillon ai të ndrisë./ I kuq si gjaku i dëshmorëve për liri,/ Ndriçon agimin e shlirimit të njerzisë!“ Të kthehemi prapë te titulli i poezisë dhe se kujt i kushtohet poezia, thelb e poetikës së poetit, për të kuptuar se a është individi kreator i fatit të vetvetes – njeriut – njerëzimit. Liria – gjeografia e saj është hapësira e qenies sonë, sa jemi të vetëdijshëm se: plotënija e Lirisë është në ndjenjë dhe se vetëdija e njeriut shqiptar nuk është ajo ndjenjë, vetëdije e lartë dhe ndjenjë e shpirtit, për ta kuptuar kuptimin e fjalës Liri, që të mos mbetet rob i të huajve, dhe se edhe ne si të gjithë njerëzit duhet të jetojmë të lirë – në liri, në një shtet ku mund ta shijojmë lirinë që e ëndërrojmë me shekuj. A nuk na mësojnë vargjet e poezisë se si fitohet ajo: “Gjallni dhe gëzimin’shpirt’ t’tretun s’qëndron,/ Kur endet zemra n’shtërgim të errësisë/ Kur syni përlotun veç vaj e zi shiqon/ E mbi dhe t’shkelun pikon loti i lirisë!“ Ose:

 

“O, Yll i kuq i shlirimit të njerëzisë / Me dritë të madhe që larg e fort ndriçon:/ Shndrit dhe ma me dritën e lirisë/ Se jeta e re e njerzimit po agon!”  Duke lexuar poezinë respektive të Sadudin Gjurës, pos vështrimit të lartë shkruar duhet të shtojmë edhe këtë: Liri – shqetësim kohor për njeriun, ballafaqim mes robit dhe pushtuesit, mes shqiptarit dhe armikut siç themi nëpër odat tona, e plakur në tokën tonë. Motet, shekuj i kemi harruar duke bredhur pas saj.  Po, do të themi e shijojmë lirinë ose do të thirremi në të kaluarën, për të justifikuar robërinë e sotme dhe, duke bërë portretet e heronjve, dëshmorëve dhe disa fytyrave kombëtare do të përshkruajmë kuptimin e Lirisë se ajo duket e këtillë!? E, poeti do të thoshte: më lexuat, më kuptuat se sa dhe si e dëshiroja Lirinë. Pra, qëllimi i sajimit të kësaj poezie është: që të mendojmë për unitet kombëtar, të mos na mungoj ndjenja, pa të cilën nuk mundë të fitohet dhe të shijohet Liria.

 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora