E premte, 29.03.2024, 12:06 AM (GMT)

Kulturë

Agron Luka: Përsëri për “Flamurin Nacional”, me elemente autenticiteti e kronologjie të heroit nacional Gjergj Kastrioti Skënderbeu

E merkure, 23.03.2011, 07:34 PM


Përsëri për “Flamurin Nacional”, me elemente autenticiteti e kronologjie të heroit nacional Gjergj Kastrioti Skënderbeu                            

 

(Në kuadrin e studimeve dhe diskutimeve të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë)

 

Nga Agron LUKA

 

Termat, nacionalitet, nation, eroe, flambur ishin përdorur edhe në gjuhën albanishte – epirotishte, nga rilindasit tanë mesjetarë alban-epirotë të shek XV-XVI, njëkohësisht edhe rilindas të kulturës europiane.

Në literaturat e dokumentuara qysh nga shek XIII e deri te shek XVII e hasim edhe termin “natio Albanese” etj.

Procesi i fermentimit të nacionalitetit/kombësisë nga ish etnosi antik, ka zgjatur disa shekuj, ku dukuritë e para na shfaqen qysh aty te fundi i shek XI. Në shek XV, si rezultat edhe i disa faktorëve sforcues që diktonte mbrojtja dhe luftat kundra invazionit regresist turko-osman, është konstatuar se, hasim edhe disa nga elementet e parë drejt procesit të nacionit/kombit. Deri aso kohe siç e kishte nënvizuar prof. A. Buda, ne ishim pothuajse me një hap dhe modë me këtë proces, siç zhvillohej edhe në Europën perëndimore.

Me pushtimin turko-osman, me zbulimin e kontinentit amerikan dhe rrugëve gjeografiko-tregtare, në gadishullin tonë, në pellgun Adriatik dhe në të gjitha aerialin levantin, ra zhvillimi ekonomik. Me këtë rast edhe procesi i nacionalitetit drejt nacionit, tek ne, pësoi një stopim dhe regres dhe madje edhe ndërthurje me elemente orjentale, etj. Por, megjithatë bërthama europiane rezistoi dhe do të rizgjohej gjithnjë e më fuqishëm nga shek XIX, për të përparuar e zënë kohën e humbur në shek XX.

Termi kom/komb, simbas gjuhëtarit Mati Logoreci, kishte hyrë në gjuhën popullore nga gjuha arabishte-turqishte dhe fillimisht kuptonte fis, rracë, milet. (Rev., Cirka, 6 shtator 1936, Nr. 8) 

Pak më vonë termi “kom” mori edhe kuptime si kombanik, kombtarnikë si patriotë vatanistë. Nga kjo bazë u fut edhe diminutivi kombësi. Te “Fjalori i Bashkimit” Shkodër, 1908, termat komb e kombësi u shpjeguan si të barazvlershëm me kuptimet dhe proceset europiane për  nacionalitet dhe nacion. Përdorimi i dyzuar si, “emrat e vjetër nacionalë” dhe “emrat e rinj kombëtarë”, vërehej edhe te vetë prof. E. Çabej.  Ndërkaq, dhënia e një preference nga lart-poshtë termave “komb e kombësi” si normë terminologjike dhe letrare, na duket e diskutueshme, sepse jep përshtypjen sikur termat mbarëeuropianë nuk kishin ekzistuar tek ne apo ishin adoptuar vonë, kurse në fakt historikisht është e kundërta!

Përsa i përket një diskutimi që po zhvillohet aktualisht, mbi dy identitete, një shqiptar Albani-Shqipëri dhe një kosovar  Kosovë – Kosovo Polje (Fusha e Mëllënjave), nuk duhet harruar se, nuk ka patur asnjëherë një njësi shqiptare e një territor të njësuar e të zyrtarizuar si Shqipëri, sepse gjithmonë kemi kaluar nga njeri pushtim tek tjetri. Por, ndërkaq, gjithashtu nuk duhet harruar se, ka patur një unitet popullor, një unitet gjuhësor, tokësor, kulturor, qarkullimi etj. Historiografia jonë nuk ka përse ta mohojë kategorikisht, se një pjesë e krahinës së veri të Kosovës ka qenë ripopulluar edhe me shqiptarë nga Shqipëria veriore. Ndërsa në Kosovë pranohet se ka edhe pakica etnike, në Shqipëri çuditërisht presidenti dhe juristët e tij po përpiqen të krijojnë iluzionin sikur Republika e Shqipërisë aktualisht nuk ka pakica etnike!

Kështu në çështjen e procesit të formimit të nacionit/kombit nga autoritetet shkencore të Kosovës, nuk duhet folur qesim, si një formim i vonë i shek XIX, i kombit mbi një bazë islame, duke asimiliuar edhe të tjerë etj.

Unë mendoj se në Shqipëri dhe në Kosovë, ka vetëm një identitet alban/epirot-shqiptar bazament dhe ribashkimi me referendum popullor i atdheut, e drejta për vetvendosje teorikisht ka qenë e do të mbesë një aspiratë, e cila mundet edhe të realizohet një ditë. Prandaj kemi edhe një Gj. K. Skënderbe simbol edhe në Tiranë edhe në Prishtinë edhe në Shkup. Mund të falim sa pak, aq sa mban, por jo më shumë!

Po na thuhet se, brenda kuadrit europian, disa forma e procese, mundet edhe të shmangen në kuadrin e qytetarisë dhe procesit integrues europian, unifikimit gjuhësor etj, por gjeneratat e reja le ta shohin vetë, duke parë e duke bërë, beso e kontrollo…

Përshkrimin e asaj që e quajmë si “Epopeja Nacionale e shek XV”, përshkrimin e rimarrjes së Krujës dhe Principatës së Kastriotëve me 28 nëntor 1443 dhe të ringrities së flamurit të tyre, përshkrimin e shkruar të flamurit të Gj.K. Skënderbeut, të familjes së Kastriotëve dhe të fisit të alban-epirotëve, përshkrimin se, ky flamur përfaqësonte vetë heroin nacional, bashkimin e konventën nacionale të centralizuar, përfaqësonte lidhjen me antikitetin, përfaqësonte edhe simbolin e nacionalitetit dhe të përmasave të para të nacionit mesjetar albano-epirot/shqipetar, ne ja detyrojmë rilindasve mesjetarë si M. Barleti, Dh. Frangu etj. 

Po citoj diçka nga përshkrimet e Barletit: “Banorët dhe të tjerët prej fisit epirot, me ta hequr qafe Muratin, i shkonin pas, edhe pa i grishur kush, prijësit të ri dhe flamurëve e shqiponjave të njohura prej kohe, sepse Skënderbeu mbante flamurë të kuq, të qendisur me shqiponja të zeza e dykrenore, (ky ishte flamuri i fisit të tij). (Shih, M. Barleti, HS, bot. shqip 1967, f 93, etj.)

“Skënderbeu dërgoi përpara sipas zakonit, shqiponjat dhe flamujtë e vet… (HS, cit. f 406)

Barleti kishte dëshmuar edhe për simbolet shqiponja, të cilat mbaheshin edhe nëpër shtizat metalike, shoqëruar edhe me ndonjë tip flamuri, por edhe për flamurët, që i mbanin e u prinin flamburtarët e fiseve (bajraktarët e mëvonshëm) kjo ishte arësyea që ai shkruante në mënyrën e dyzuar, “shqiponjat dhe flamuret”, siç e kam shkruar e sqaruar edhe gjerë e gjatë gjetiu. (Shih HS, f 150; 165;174; 184; 349; 350; 406; 413 etj) Fjalën “flamubular” do ta gjejmë në përdorim edhe në vitin 1499, me “Flambular di Terranova/Flamurtari-bajraktari i Elbasanit”. (“Dok. për Hist. Shqip. Shek XV, Vëll. IV, 147-1506, bot. 1967, Ditaret e M. Sanutos, përkth. I. Zamputi, f 221, Dok. Nr. 320; Flambulari, Dok. 334, f 229 etj.) 

Vetë fjalën latine “aquilae” = “shqype”, shkabë/shkyponje/shqiponjë etj, e gjejmë të përkthyer te Buzuku më 1555 dhe nga kjo bazë lehtësisht zbresim më poshtë. (Alternimi y-i gegnisht e toskërisht është një fenomen dialektor i lashtë) Etimologjia, si një hipotezë, lidhet me fjalën shkyej, ndaj, por edhe me kuptimin kaposh/kaponj.

Këndej ka një farë bazimi të mendohet se, mbiemri që na del në fundin e shek XIV-fillimi i shek XV, në një familie të Drishtit, si Schabudar, Schepudar, Schibudar, Scaputaro, mundet të lidhet me funksionin e shqiponjëmbajtësit me shtizë e flamurmbajtës.  Mendohet se edhe kur Gjon Kastrioti dhe Gjergj Kastrioti ishin edhe si timarlinj, ata kishin dhe mbanin flamujt e tyre. Ndër përshkrimet e mbledhura nga Barleti del se ai edhe traditën e ndërtimit të qyteteve tona antike, në vende të larta, e quante “si çerdhe shqiponjash”. (HS, f 81 etj) Naim Frashëri në “Istori e Shqiperisë”, e kishte shprehur idenë se, emri shqipetar vinte nga flamuri me shqiponja etj.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora