E merkure, 24.04.2024, 10:04 AM (GMT+1)

Editorial

Titan Tivari: Cilat janë "pesë" Shqipëritë

E premte, 25.01.2008, 07:18 PM


Ta njohim etnikumin shqiptarë

CILAT JANË "PESË" SHQIPËRITË

Shkruan: Titan TIVARI

1. Iliria Antike

Përfshin trojet e Ilirëve dhe kufijtë e Ilirisë, duke filluar nga Istra e Sllovenia, në perëndim, deri në kufijtë e Rumanisë, në lindje dhe nga brigjet e lumenjve Sava e Danub në veri, e deri në More (Peloponez), në jug, si dhe nga brigjet e Adriatikut dhe të Jonit e deri në kufijtë e Bullgarisë dhe të Turqisë, me një sipërfaqe prej 400 000 km2.
2. Arbëria ose Shqipëria Ilirike
Është një territor gjeografik e historik më i madh se Shqipëria Etnike. Në të bëjnë pjesë, përveç Shqipërisë aktuale Etnike, edhe disa territore të Ilirisë, por të cilat aktualisht nuk janë të banuara me shumicë dërrmuese të popullit shqiptar, ose nuk janë fare të banuara me shqiptarë, për shkak të dëbimit të tyre me dhunë nga vatrat e tyre ose asimilimit gjatë shekujve.

Arbëria ose Shqipëria Ilirike përfshin Principatën e Gjergj Ballshës I në shek.XIV, e cila përfshinte një pjesë të Bosnjës, Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë e Mesme. Dhe kjo Shqipëri Ilirike vazhdoi pastaj katër shekuj më vonë me Pashallëkun e Shkodrës, të udhëhequr nga Kara Mahmud Pashë Bushati dhe me Pashallëkun e Janinës, të udhëhequr nga Ali Pashë Tepelena. Pikërisht tërësia tokësore e këtyre tri principatave apo pashallëqeve shqiptare, që shtriheshin nga Bosnja në veri dhe mbaronin në fund të Epirit (Çamërisë) te Gjiri i Artës në jug, përbëjnë atë që sot mund të quhet Shqipëri Ilirike, me një sipërfaqe tokësore prej rreth 200 000 km2.

3. Shqipëria Etnike
Është një territor i caktuar gjeografik dhe historik në hapësirën e Ballkanit, i cili ka qenë dhe është edhe sot i banuar me shumicë të popullit shqiptar. Është territor kompakt e homogjen dhe është atdhe i shqiptarëve që nga parahistoria dhe antika e deri në ditët tona.

Shqipëria Etnike përfshin territoret e katër Vilajeteve Shqiptare që ekzistonin para, gjatë dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881):

1. Vilajeti i Janinës,
2. Vilajeti i Manastirit,
3. Vilajeti i Kosovës dhe
4. Vilajeti i Shkodrës.
Kufijtë e Shqipërisë Etnike fillojnë te Gjiri i Artës në jug të Çamërisë dhe ngjiten lart në veri te Molla e Kuqe afër Nishit në Toplicë, kurse mbarojnë në Tivar të Malësisë së Madhe në veriperëndim. Po këtë Shqipëri Etnike, me këto troje dhe me këta kufinj shtetërorë e shpalli shtet të Pavarur dhe Sovran Kuvendi Mbarëkombëtar, me Ismail Qemalin në ballë, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Shqipëria Etnike, atëherë dhe tani, ka një sipërfaqe tokësore prej rreth 100 000 km2.
Derisa në kohën e sundimit të Perandorisë Turke Shqipëria Etnike ndahej në 4 vilajete historike :

1. Vilajeti i Janinës,
2. Vilajeti i Manastirit,
3. Vilajeti i Kosovës dhe
4. Vilajeti i Shkodrës.

Sot Shqipëria Etnike ndahet në 8 "vilajete" moderne:


1. "Vilajeti" i Shqipërisë (londineze)
2. "Vilajeti" i Kosovës Qendrore (protektorat)
3. "Vilajeti" i Iliridës
4. "Vilajeti" i Kosovës Lindore
5. "Vilajeti" i Malësisë së Madhe
6. "Vilajeti" i Çamërisë,
7. "Vilajeti" i Toplicës (Nishit) ( Toplica + Nishi në miniatur 1 2 )
8. "Vilajeti" i Sanxhakut (shih hartën e zmadhuar këtu )

Nga ky realitet i sotëm del se "vilajetet" shqiptare janë dyfishuar dhe se Shqipëria Etnike jo vetëm që nuk është bashkuar, por ka shkuar drejt shpërbërjes së mëtejshme, copëtimit dhe përçarjes ndërshqiptare! Ky është realiteti i sotëm gjeopolitik i Shqipërisë Etnike.

Por, ajo që e bën edhe më tragjike, edhe më të dhimbshme këtë mozaik gjeopolitik të trojeve etnike shqiptare është qëndrimi indiferent, anacional e mosfërfillës i klasës politike shqiptare të këtyre 8 vilajeteve mjerane, e cila kurrë nuk ka marrë inisiativë të vendosur, të qartë e serioze për hartimin e një Programi Kombëtar për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar!

Motoja e rilindasve tanë kombëtarë, ”Një komb, një shtet”, është anashkaluar vazhdimisht nga qendrat e politikës shqiptare anembanë "vilajeteve" moderne të Shqipërisë Etnike! Udhëheqësit dhe pushtetarët shqiptarë ende nuk e kanë një ëndërr, një ideal, një aspiratë, një opcion, një strategji politike dhe një qëndrim të vetëm e të përbashkët zyrtar për shtruarjen dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare – çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike.

Opcioni i përbashkët dhe i vetëm i liderëve dhe partive shqiptare deri më sot ka qenë karrierizmi, pushteti, pasurimi personal dhe asgjë tjetër. Ata, jo vetëm që kanë zhvilluar një politikë antikombëtare, por kanë bërë edhe një poplitikë antipopullore.

Klasa politike e të gjitha "vilajeteve" moderne shqiptare të Shqipërisë Etnike është sjellë e po sillet ndaj çështjes shqiptare me një nihilizëm e përçmim të hapur e të pa shoq, deri në një mohim e injorim të plotë të ekzistimit të saj si një çështje e shtruar për zgjidhje! Ekzistojnë një numër i pambarim deklaratash e pohimesh kundër ribashkimit kombëtar, duke e cilësuar atë si iluzion, fantazi, të tejkaluar apo si utopi e aventurë të një grupi idealistësh, nacionalistësh apo ekstremistësh shqiptarë që nuk marrin vesh nga politika, duke mos ngurruar që t’i etiketojnë edhe si njerëz me maska, kriminelë dhe terroristë!

Shovenistët fqinjë propagandojnë se Shqipëria Etnike nënkupton pushtimin dhe aneksimin nga ana e shqiptarëve të territoreve të tyre etnike, pra, okupimi nga ana jonë e territoreve të huaja. Por dihet historikisht se shumica e atyre territoreve ku sot banojnë popujt fqinjë kanë qenë territore ilire, pra shqiptare, dhe se po këta popuj janë agresorë, sepse i kanë pushtuar me dhunë territoret iliro-shqiptare ku kanë ngritur sot shtetet e tyre. Themelet e shteteve të tyre janë të ngritura në pronë të huaj, mbi troje të tjetërsuara!

4.Shqipëria Naturale

Këto kohët e fundit në skenën politiko-terminologjike është shfaqur edhe një term i ri politik me emrin Shqipëria Natyrale, i cili, në njëfarë mënyre, përpiqet që të zëvendësojë nocionin politik Shqipëria Etnike. Shqipëria Natyrale bazohet në atë që quhet realpolitika shqiptare, kurse Shqipëria Etnike bazohet në politikën historike dhe mbi të drejtën e pronësisë së Shqiptarëve, të Kombit Shqiptar, mbi trojet e tyre stërgjyshore.

Por, megjithatë, termi politik Shqipëria Etnike nuk është i njëjtë dhe i barabartë me nocionin politik Shqipëria Natyrale. Emërtimi Shqipëria Etnike është nocion etnik (kombëtar), kurse termi Shqipëri Natyrale është nocion politik. Shqipëria Etnike është më e madhe se Shqipëria Natyrale. Shqipëria Etnike shtrihet nga Tivari, Sanxhaku e Toplica në veri dhe deri në fund të Çamërisë te Gjiri i Artës (Ambrakisë) në jug. Kurse Shqipëria Natyrale nuk e përfshinë as Tivarin, as Sanxhakun, as Toplicën, as Veleshin, Manastirin e Ohrin dhe as Çamërinë.

Shqipëria Natyrale është një rrudhosje e mëtejshme e Shqipërisë Etnike. Një ithtar i Shqipërisë Natyrale në një rast shkruan kështu: "Shqipëria natyrale nuk merret me Mollën e Kuqe, as me Pargën, as me Kosanicën dhe Toplicën. Por ajo është e detyruar të merret me Mitrovicën, me Preshevën, me Ulqinin, me Strugën etj etj." Në këtë mënyrë, që në start, pa na kërkuar kush, ne përmes Shqipërisë Natyrale do të bënim kompromis të madh, duke lënë jashtë Shqipërisë Etnike gjysmën e trojeve shqiptare të saj! Në këtë mënyrë Shqipëria Natyrale nuk do të ishte më Natyrale, por do të shndërrohej në Shqipëri Artificiale, siç është sot Shqipëria londineze e Tiranës!

Më tej, në të njëjtin shkrim, autori i shkrimit Shqipërinë Natyrale e quan "Dhimbje e së Vërtetës", kurse Shqipërinë Etnike e quan "Dhimbje e Mashtrimit"(!) dhe Shqipëri artificiale(!). Po citoj nga origjinali i shkrimit: "Por dhimbja e se Vertetes eshte shume here me e lehte se Dhimbja e mashtrimit. Shqiperia Natyrale eshte pjese perberese e dhimbjes se realitetit, prandaj ka edhe te ardhme. Shqiperia artificiale eshte pjese e dhimbjes se mashtrimit, prandaj edhe nuk do te kete te ardhme."

Të kërkosh Shqipërinë Etnike, sipas ithtarit e ithtarëve të Shqipërisë Natyrale do të thotë të ngritesh mbi gjëra të paqena e ireale, mi artificialitete dhe të themelosh shtetin e bashkuar etnik shqiptar - Shqipërinë Etnike mbi mite, legjenda dhe në toka të huaja, e jo mbi trojet autoktone, etnike e stërgjyshore shqiptare! Bile ai shkon edhe më tej dhe "parashikon" se Shqipëria Etnike nuk ka të ardhme, nuk do të bëhet kurrë! Autori i lartpërmenduar, në të njëjtin shkrim-analizë shkruan: "…Shqiperia natyrale nuk ngrihet mbi artificialitete, nuk ngrihet mbi mite dhe legjenda, nuk ngrihet mbi te tjeret." Nga kjo del se Tivari e Sanxhaku, Toplica e Çamëria dhe më se gjysma e Iliridës janë toka të huaja, të të tjerëve, janë pjesë e miteve dhe legjendave artificiale!

Se ithtari i Shqipërisë Natyrale vërtetë Shqipërinë Etnike e quan artificiale dëshmon edhe artikulli tjetër i tij i mëhershëm, në të cilin shkruan tekstualisht: "Duket se atë (Drashkoviçin-Shënimi im) e tremb termi real “Shqipëri Natyrale”, e cila nuk ka cilësoret artificiale “E Madhe apo Etnike”, por vetëm atë që është cilësori reale, natyrale."

Shqipëria Etnike, përveç që është etnike, kombëtare pellazgjike, ilirike e shqiptare, njëherit ajo është edhe natyrale, edhe reale, por edhe e madhe në krahasim me shtetin e sotëm shqiptar të Shqipërisë londineze dhe Shqipërinë Natyrale të autorit të lartpërmendur. Shqipëria Natyrale nuk është Shqipëri Etnike dhe as e madhe, sepse ajo nuk përfshinë të gjitha territoret shqiptare në kufijtë e saj shtetërorë. Shqipëria Natyrale nuk i bashkon 4 ish-Vilajetet Shqiptare në një shtet të vetëm, por lenë jashtë saj gjysmën e territoreve të tyre.

Kombi Shqiptar dhe Shqipëria Etnike nuk kanë troje për të falur fqinjëve grabitqarë, sepse edhe ashtu ata mjaftë kanë marrë e pushtuar troje pellazgo-iliro-shqiptare që nga antikiteti e deri më sot!

Nacionalizmi okupues serb nuk duhet të jetë më i fortë se nacionalizmi çlirimtar shqiptar. Disa shqiptarë kanë kujtesë të dobët kombëtare dhe i harrojnë shumë shpejt trojet shqiptare të Shqipërisë Etnike! Disa shqiptarë janë shumë "bujarë" dhe i falin shumë lehtë trojet stërgjyshore, sepse i kanë "mall babe" e nuk i kanë fituar me djersë, ndaj nuk i mbrojnë dhe as nuk i çlirojnë me gjak!

Shqipëria Etnike është Maksimumi i zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, kurse Shqipëria Natyrale është Minimumi i zgjidhjes së çështjes shqiptare. Ajo është zgjidhje e pjesëshme, është zgjidhje kompromisi, sepse nuk i përfshinë brenda kufijve të saj të gjitha trojet etnike dhe historike shqiptare.

Shqipëria Natyrale është një hap i madh përpara, por jo i fundit, drejt zgjidhjes së tërësishme e përfundimtare të çështjes kombëtare shqiptare, është hap kualitativ drejt bërjes së plotë të Shqipërisë Etnike. Shkurt e shqip: Shqipëria Natyrale nuk është Shqipëri Etnike.

Shqipëria Natyrale, përafërsisht, ka një sipërfaqe prej rreth 50.000 km2.

5. "Shqipëria e Madhe"

Për ta luftuar dhe kompromituar luftën tonë të drejtë për Shqipërinë Etnike, shovenistët sllavo-grekë bëjnë zëvendësimin e termit Shqipëri Etnike me termin "Shqipëri e Madhe"! Por ajo çka duhet të sqarohet këtu është se, kur serbomëdhenjtë dhe të tjerët përdorin termin Shqipëri e Madhe, ata aludojnë në "Shqipërinë e Madhe" fashiste me qëllim të identifikimit të së drejtës sonë dhe veprimtarisë sonë kombëtare me një ideologji antidemokratike e raciste dhe me një krijesë shtetërore të nazifashizmit.

Edhe Shqipëria Etnike, edhe "Shqipëria e Madhe" fashiste janë territore etnike iliro-shqiptare, dallimi ështe se Shqipëria Etnike është më e madhe territorialisht se "Shqipëria e Madhe" që e krijuan nazifashistët italo-gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"Shqipëria e Madhe" ka qenë rezultat i bisedimeve ndërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Ribentrop dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Çiano, të cilët në vitin 1941, pas pushtimit të Jugosllavisë (Prill 1941), në Vienë të Austrisë arritën pajtimin për ndarjen e Jugosllavisë dhe gjithë Ballkanit. Kjo marrëveshje midis Gjermanisë hitleriane dhe Italisë musoliniane u quajt Marrëveshja Ribentrop-Çiano.

Sipas kësaj Marrëveshjeje Kosova u nda në tri pjesë:

1. Gjermania mbajti për vete Veriun e Kosovës me rrethet e Vushtrrisë, Besianës dhe Mitrovicës, të cilat më pastaj ia dha nën administrim direkt qeverisë kuislinge fashiste serbe të Millan Nediçit!

2. Pjesa tjetër e Kosovës iu dha Bullgarisë së Car Borisit, si aleate fashiste e Gjermanisë, që përfshinte territoret e Kosovës Lindore (Preshevë e Bujanoc), Kumanovën, Shkupin, Vitinë, Kaçanikun, Shtërpcën etj.

3. Pjesa "e luanit" të trojeve shqiptare të Kosovës dhe të Iliridës iu dha Italisë fashiste, e cila me ato territore dhe me Shqipërinë londineze formoi të ashtuquajturën "Shqipëri e Madhe".

Pra, sa e "Madhe" mund të jetë Shqipëria pa gjysmën e Kosovës Qendrore, pa Kosovën Lindore, pa gjysmën e Iliridës, pa Malësinë e Madhe, pa Çamërinë, pa Sanxhakun dhe pa Toplicën?! Kjo "Shqipëri e Madhe" nuk i kishte më shumë se 40.000 km2 sipërfaqe!

”Shqipëria e Madhe”, si krijesë e fashistëve italo-gjermanë, nuk ka qenë aspak e ”Madhe”, sepse ajo nuk i ka përfshi të gjitha territoret e Shqipërisë Etnike. Kjo "Shqipëri" nuk është krijuar me vullnetin e kombit shqiptar, ajo është imponuar me dhunë ushtarake nga okupatorët italo-gjermanë. Jashtë saj kanë mbetur troje të pastra etnike shqiptare të banuara me shumicë nga populli shqiptar. ”Shqipëria e Madhe” fashiste ka qenë pak më e madhe se Shqipëria e vogël londineze, prandaj nga fashistët italo-gjermanë, nga shovenistët sllavo-grekë dhe nga disa kolaboracionistë shqiptarë është quajtur ”Shqipëri e Madhe”. Okupatorët shovenistë do të "gëzoheshin" shumë po të kërkonin shqiptarët territoret e ish-"Shqipërisë së Madhe" fashiste, por ata tmerrohen kur shqiptarët kërkojnë bërjen e Shqipërisë Etnike, e cila territorialisht është më e madhe se dy "Shqipëria të Mëdha".

Po të kërkonin shqiptarët Shqipërinë e Madhe e jo Shqipërinë Etnike, atëherë kjo Shqipëri e Madhe nuk do të nënkuptonte ”Shqipërinë e Madhe” fashiste, por do të ishte Arbëria ose Shqipëria Ilirike, e cila, territorialisht është sa dyfishi i Shqipërisë Etnike. Kësaj i frikësohen serbo-greko-malazezët kur ata akuzojnë shqiptarët se po kërkojnë Shqipërinë e Madhe, që ne të mos e kërkojmë Shqipërinë Ilirike dhe e transferojnë çështjen tek ”Shqipëria e Madhe”, si term gjeopolitik i kompromituar dhe i cunguar nga fashizmi.

Sa herë që ne potencojmë se po kërkojmë bërjen e Shqipërisë Etnike, shovenistët alarmohen me qëllim, duke thënë se ne po kërkojmë ”Shqipërinë e Madhe” dhe në këtë mënyrë e kompromitojnë edhe termin historiko-gjeografik Shqipëri Ilirike, që kështu shqiptarët të heqin dorë nga kjo Shqipëri, sepse na qenka ”Shqipëri e Madhe” fashiste. Pra, sllavo-grekët me termin ”Shqipëri e Madhe” po tentojnë të kompromitojnë edhe termin Shqipëri Etnike, edhe termin Shqipëri Ilirike, që shqiptarët të heqin dorë nga të dyja këto Shqipëri dhe të mos synojnë bashkimin dhe formimin e asnjërës prej tyre, që të pajtohen me copëtimin e trojeve shqiptare dhe të pajtohen me këtë çerek Shqipërie të vitit 1913 që kanë sot.

Ka pasur raste (tepër të rralla) kur në gojën dhe shkrimet e disa shqiptarëve naivë është përmendur apo përmendet termi politik “Shqipëria e Madhe”, si kërkesë dhe aspiratë e shqiptarëve, dhe këtë naivitet, mendjelehtësi dhe injorancë të disa kalemxhinjve dhe politikanëve shqiptarë e shfrytëzojnë me mjeshtëri shovenistët sllavo-grekë për të kompromituar luftën tonë për Shqipërinë Etnike, për t’i dhënë veprimtarisë sonë ngjyra fashiste, duke aluduar në “Shqipërinë e Madhe” fashiste dhe në këtë mënyrë tundin para hundëve tona dhe ndërkombëtarëve gogolin "Shqipëri e Madhe" që kundërmon era fashizëm! Kështu, sllavo-grekët tentojnë të na trembin që ne të heqim dorë nga lufta jonë për Shqipërinë Etnike. Kurse faktorin politik ndërkombëtar përpiqen ta manipulojnë që ai të mos e përkrah zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare - bërjen e Shqipërisë Etnike.

Prandaj, nuk ka pasur dhe nuk ka as Shqipëri të madhe as Shqipëri të vogël, por ka pasur një Iliri e Arbëri, ka pasur dhe ka vetëm një Shqipëri Etnike, të banuar me shumicë nga populli shqiptar që në kohërat e lashta e deri më sot. Për këtë Shqipëri ëndërrojnë, punojnë e luftojnë shqiptarët që ta çlirojnë dhe ribashkojnë në një shtet të vetëm.

Përmasat në kilometra katrorë të “pesë”Shqipërive

Kjo është (përafërsisht) madhësia në kilometra katrorë (km2) e sipërfaqeve të “pesë” Shqipërive:

Iliria Antike - rreth 400.000 km2
Arbëria ose Shqipëria Ilirike - rreth 200.000 km2
Shqipëria Etnike - rreth 100.000 km2
Shqipëria Natyrale - rreth 50.000 km2
"Shqipëria e Madhe" - rreth 40.000 km2


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora