E shtune, 20.04.2024, 03:09 PM (GMT+1)

Editorial

Pal Ndrecaj: Islami politik dhe politika kosovare

E marte, 22.03.2011, 08:59 PM


ISLAMI POLITIK DHE POLITIKA KOSOVARE

 

Nga PAL NDRECAJ

 

Është e njohur kaherë se njëri ndër kushtet e ndërtimit të një shteti modern me premisa të avansimit të të drejtave të njeriut është edhe garantimi i lirisë së besimit dhe  i praktikimit të tij. Mirëpo, në shoqëritë e ndërtuara mbi këtë parim, kjo liri  ka i shumë të qarta vijat që ndajnë fenë nga politika, të cilat, në raste të veçanta shndërrohen në vija të kuqe dhe të pakapërcyeshme. Institucionet e një shteti modern, pra, garantojnë lirinë fetare, si pjesë e lirive të njeriut dhe nuk influencohen as në masën më të vogël nga feja. Ky kusht bëhet aq më i domosdoshëm në shoqëritë shumëfetare, nëse ato shoqëri kanë për qëllim ruajtjen e balancave fetare. Për të dëshmuar në praktikë këtë nivel balancues, shoqëritë e tilla bëjnë një përfaqësim në nivel të kënaqshëm të besimeve fetare në institucionet e shtetit, duke bërë kështu që diversiteti kulturor të shndërrohet në vlerë të çmueshme të asaj shoqërie.

Mirëpo, sa është duke u përfillur ky parim në shoqërinë kosovare?

Le të ndjekim disa fakte:

Besimi islam dhe islami si ideologji politike në një vrojtim objektiv nuk janë dy gjëra krejtësisht të njëjta, ndonëse ushqehen nga i njëjti burim, nga libri i shenjtë i  muslimanëve, Kur`ani.  Përderisa i pari, besimi islam, në qëllimet e veta shpirtërore mund të gjejë në Kur`an porosinë se Allahu i ka shpallur Profetit Muhamet mësimet e veta, se e ka porositur atë t`i përhapë, por nuk e  bën përgjegjës nëse të tjerët nuk duan t`i pranojnë ato, islami politik gjen në po të njëjtin libër se nuk ka fe tjetër të pranueshme për Allahun mbi tokë, pos asaj islame, duke lejuar dhe porositur përhapjen e saj me të gjitha mjetet; përderisa i pari, pra islami si besim fetar, gjen në Kur`an se njerëz të tjerë kanë fe të tjera dhe se të jetuarit në paqe me ta është kusht i porositur nga Allahu,  islami si ideologji politike gjen në po të njejtin libër se nuk duhet miqësuar kurrsesi me të pafetë (të krishterët dhe jahuditë); përderisa i pari, islami si qëllim shpirtëror gjen në Kur`an se Isaja (Jezusi) është profet i Perëndisë, për të cilin profeti Muhamet shprehet përherë me respekt, islami si doktrinë bazë për veprimtari politike gjen po aty se pasuesit e Isasë  janë të pafe, pabesimtarë dhe, si të tillë, Allahu nuk i do. Përderisa i pari, islami si besim fetar nxjerr prej andej se kush ndihmon të varfërin , jep zeqatin e sadakanë dhe do të afërmin e tij shkon në xhenet, politika islame rekruton për të vrarë në emër të Allahut duke u premtuar regrutëve xhennet të përjetshëm me disa bashkëshorte të pastra (virxhëra); përderisa i pari, pra besimi islam gjen në Kur`an porosinë se i vetmi krijues i jetëve është Perëndia dhe se të drejtën për t`i marrë ato jetë Ai e ka të rezervuar vetëm për Vete, islami politik eliminimin e kundershtarëve të islamit e sheh si urdhër të vet Allahut drejtuar muslimanëve kudo që janë.

Tashti, nga këta shembuj të pakët, e që nuk janë të vetmit, më tepër se  çfarë thuhet në Kur`an për marrëdhëniet e muslimanëve me të tjerët, për marrëdhëniet mes tyre dhe për marrëdhëniet mes tyre e Allahut, mund të nxjerret se çka mund të merr lexuesi nga ky libër i shenjtë i fesë islame. Përgjigja më e plotë në pjesën e dytë të kësaj çështje është se prej Kur`anit mund të nxjerret edhe njëra: thirrja për paqe e dashuri, edhe tjetra: thirrja për urrejtje e për luftë. I gjithë ky jounitet idesh e mësimesh vazhdon si konfuzion i ajeteve kuranore për mungesë të një reformimi sado të vogël të Islamit. Nevojën e një reforme të tillë e kanë potencuar edhe vetë dijetarë islamikë të moderuar e filozofë të tjerë, të cilët synojnë që feja të mos del jasht suazave të angazhimit shpirtëror, pra të mos bëhet instrument në duart e grupeve politike dhe të qëllimeve të tyre. Mirëpo, një kërkesë e tillë, është thënë se nuk mund të ndodh, përderisa feja islame nuk ka një qendër të vetme për ruajtjen e mbikëqyrjen e doktrinës, e cila do të mund t`i hynte punës në reformimin e kësaj feje në faza të planifikuara.

Deri atëherë, në faqet e Kur`anit do t`i shohim të vallëzojnë edhe engjujt, por edhe të tjerët…

 

KOSOVA NË ATMOSFERËN E ISLAMIT SI FE DHE TË ISLAMIT SI POLITIKË

 

A është duke u ndërtuar shteti i Kosovës mbi parimet e një shteti që i ka të qarta vijat që ndajnë fenë nga politika? Përderisa në teori kjo mund të merr një përgjigje pohuese, për praktikën e përditshme ka përgjigje tjetër, përgjigjen JO!. Jo, përderisa shteti ynë ndan mjete për rehabilitimin e varrit të Sulltan Muratit, në një kohë që edhe vetë pjesëtarë të qeverisë përkulen para atij varri. Jo, përderisa nën trysninë e mossqarimit të duhur të raporteve personale me fenë, në heshtje a me gjysmëzëri, ata rehabilitojnë periudhën e sundimit islam në trojet shqiptare. Jo, përderisa në Qeveri vijnë ministra të njohur për qëndrime të një islami radikal, si Memli Krasniqi e Ferid Agani. I pari që në ditën e parë të marrjes së detyrës, si për të kënaqur elektoratin e tij, hoqi portretet e dy figurave më të shquara, të Nënë Terezës dhe të Ibrahim Rugovës. I dyti, me psiko-filozofinë e tij, këtë mision e zhvillon në faza: njëherë mbulesën dhe mësimin fetar në shkolla, e mandej tjerat… Që të dytë I karakterizon një gjendje shpirtërore që nuk ka asgjë të përbashkët me tolerancën ndaj tjerëve. Kur është fjala për të parin, edhe idesë më dashamirëse se ai mund të jetë vetëm një besimtar islam por jo edhe një politikan i kurseve radikale islamike, i prish punë fakti se emërton femijën e vet me emrin Tara, që bashkë me emrin e të mbesës Bora kompleton toponimin Tarabora (rezidenca luftarake e terroristit Osama Bin Laden). I prish punë paksa edhe fakti se i ati i tij, shkrimtar dhe intelektual I njohur, në Wall-in e tij në FB ka vënë thirrjen: “Për të ruajtur identitetin tonë, duhet organizuar mbi bazat e Ummetit” (ummeti: term arab që në kontekstin islamik përdoret për të identifikuar bashkimin islam në nivel botëror). Pra, një shembull i pakundërshtueshëm i indoktrinimit të ministrit tonë, Memli me ideologjinë e islamit politik.

 

RREZIKU I RËNIES SË KOSOVËS NË KURTHËN E ISLAMIT POLITIK

 

Trendet politike në botën islamike janë dukshëm të ndikuara nga Al Qaeda dhe Islam Brotherhood. Islami, çdo ditë e më shumë po merr konturat e një ideologjie politike, duke u shmangur dukshëm nga misioni i fesë si qëllim shpirtëror. Se a do të bie Kosova në vorbullën e këtyre hallakamave, mbetet të shihet nga mënyra se si nxjerrim mësime nga rastet më ekstreme, siç ishte përpjekja e dy shqiptarëve nga Maqedonia për të sulmuar një kazermë ushtarake në New Jersey të SHBA-së dhe nga rasti I Frankfurtit, kur një i ri me origjinë shqiptare vret dy ushtarë amerikanë dhe plagos dy të tjerë në shenjë solidarizimi me “vëllezërit” e tij muslimanë në Afganistan. Sado që për rastin e Frankfurtit ka pasur përpjekje për t`u distancuar duke u nisur nga fakti se ai i ri ishte shtetas gjerman, atmosfera në familjen e tij, edukimi i fortë “fetar”, kultura dhe  shpirti prej një militanti islamik, nuk i përkasin ambientit gjerman. Madje, të gjitha qëndrat informative të botës, përfshirë edhe CNN, kanë raportuar për të si për një shqiptar me origjinë nga Kosova.

Ndërkohë, Kosova, për mungesë kurajo nuk ushtron asnjë kontroll mbi grupet që propagandojnë urrejtjen ndaj botës së krishterë, e sidomos ndaj Amerikës dhe që gradualisht ndërtojnë ura lidhëse mes kosovarëve dhe Vëllazërisë islame. Në një të ardhme pozicionimi i tillë do të mund të tërheqë qortimin e bashkësisë evropiane, për integrimin me të cilën është  e interesuar pjesa e shëndoshë e shoqërisë sonë.

Një klimë e tillë që karakterizohet me perpjekjet e çarqeve te caktuara për ta ngritur islamin në sistem politik shtetëror, doemos se nxit edhe reagim të ashpër të pjesëtarëve të feve tjera, si dhe të qytetarëve islamë të papolitizuar. Reagimet që vijnë nëpër këtë klimë në të shumtën i karakterizon dozë e tepruar mllefi ndaj njëri-tjetrit. Me doza të këtij mllefi shpeshherë spërkaten edhe veçori fetare, të cilat po të manifestohen jasht ndikimeve ekstremiste të grupeve politike, do të mund të krijonin vlera të mirëfillta njerëzore, të cilat do të korporoheshin krejt normal në sistemin e vlerave të përgjithshme të njerëzimit, duke i afruar mes vete njerëzit e feve e të besimeve.



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora