E marte, 16.04.2024, 09:43 AM (GMT+1)

Kulturë

“Sherbelo”, Historia e një kënge që na u mohua

E enjte, 24.01.2008, 11:47 PM


“Sherbelo”
Autorët: Historia e një kënge që na u mohua

Zef Çoba dhe Fadil Kraja: E krijuam këtë këngë në vitin 2004. E prezantuan me bujë pa përmendur autorët. Shtëpia shkodrane e 1800-ës, ku lindën notat e një melodie magjepsëse

...Krejt natyrshën, një zë i qetë, por që është i fortë në muzikën shqiptare, i mirënjohuri Zef Çoba thotë: “Këtë këngë e kam kompozuar unë dhe teksti është i professor Fadil Krajës.”
Për ne që i njohim shumë mirë të dy emrat, na erdhi krejt e natyrshme, pasi dy krijuesit më në emer, njeri në letersi dhe tjetri në muzikë, nuk kishin mundësi tjetër veçse të krijonin diçka shumë të bukur. Habia qëndronte në mënyrën sesi ky krijim u prezantua. Megjithëse ishte hera e parë që trasmetohej, autorët nuk u përmendën fare.
Megjithatë dy krijuesit me shpirtin që vetëm një artist mund ta ketë nuk reaguan publikisht duke pritur dhe duke shpresuar se gjërat do të rregullohen rrugës. Ndërkohë që ndodhi e kundërta. Krijimi i tyre vazhdoi ta trasmetohej ekskluzivisht në një televizion të njohur, dhe madje së fundmi del dhe një CD ku kjo këngë ishte e përfshirë brenda kolazhit të titulluar “Sherbelo” me shënimin “bonus track”. CD është prezantuar si “Ritmi në shqip”. Tashmë të bindur se autorësia e tyre ndaj kësaj këngë po humbet, krijuesit e saj vendosin të pohojnë publikisht atë që u kishin thënë miqve dhe shokeve të tyre prej më shumë se një vit e gjysëm, se kënga është e tyrja dhe së është bërë posaçërsiht për ta kënduar Nikoll Nik Prelaj , këngëtar shqiptar nga Mali i Zi.
Mjafton të dëgjosh mënyrën sesi Zef Çoba luan në piano notat e këngës dhe sesi profesor Fadili e shoqëron me fjalët e këngës për të kuptuar pasionin që i bashkoi këta artistë, passion që krijoi një këngë të mrekullueshme me vlera të mirëfillta artistike duke ju bashkuar këngës popullore shkodrane të traditës. Në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kjo këngë ka lindur në një shtëpi të viteve njëmijëetetëqind. Tradita që ka vetë ndërtesa e vjetër, shtëpia e Zef Cobës, tavani prej dërrase i punuar shumë bukur që i përket po këtyre viteve i ndodhur në dhomën e punës së Zefit, shkallët prej guri, pusi i vjetër po prej guri në oborr dhe pjesë të tjera që tregojnë traditën e gati 200 viteve janë prova se brenda këtij ambjenti, krijimet që mbartin vlerat e mrekullueshme të Shkodrës vijnë natyrshëm.
Po në mënyrë të kulturuar, e natyrshme për zotnillëkun e Fadil e Krajës dhe Zef Çobës ,vjen dhe mënyra sesi ata duan të tregojën autorësinë e krijimit të tyre:pa bërë shumë zhurmë ,thjesht duke thënë fjalën e tyre si artistë , fjalë që në fakt do të thotë shumë.

Kush është Zef Çoba

Zef Çoba ka lindur në Shkodër më 17 korrik 1951. Ka mbaruar “Institutin e Larte të Arteve” në vitin 1974, në degën e dirigjimit koral. Ka filluar punën në Peshkopi si përgjegjës muzike praën shtëpisë së Kulturës. Në periudhën 7-vjecare të qëndrimit në Peshkopi, ka gjurmuar pasuritë folklorike të kësaj treve dhe në mënyrë autodidakte filloi studimet në fushën e kompozicionit. Në vitin 1980 filloi punë në qytetin e Shkodrës, si përgjegjës muzike ne Shtëpinë e Kulturës. Në vitin 1985 del në profesion të lirë. Që nga viti 1991 punon praën Radio “Shkodrës” si gazetar i programeve muzikore. Ka kompozuar gjini të ndryshme muzikore ku dallohen kompozimet vokale si dhe ato për filma dhe teatër. Ka shkruar ciklin me romanca vokale “Kënga e njeriut” si dhe ciklin për fëmijë “E drejta dhe e shtrembërta”.
Është vlerësuar me tre cmime për muzikën e filmave “Skëterrë 1943” , “Kur happen dyert e jetës”, “Muri i gjallë”. Ka marrë cmime në festivalet e këngëve të zhvilluara në qytetin e Shkodrës si dhe në festivalet e fëmijëve. Që nga viti 1997 është drejtues artistik i korit “Schuola Cantorum Don Mikel Koliqi” të Shkodrës.

Zef Çoba-Intervista

Kur dhe si lindi kjo këngë?

Kënga është krijuar në vitin 2004. Ka qenë një bashkëpunim me autorin e tekstit profesor Fadil Kraja. Libri që më dhururoi profesori me rastin e 70-vjetorit te lindjes së tij më frymëzoi. Bashkëpunëtor tjetër ishte dhe këngëtari nga Mali i Zi Nikoll Nik Prelaj një tenor tipik, mbartës i traditave më të mira të trashigimisë së kulturës së këngës popullore shqiptare. Kënga lindi krejt natyrshëm. Kam qenë shumë i prekur ndaj vargjeve. Unë asnjëre nuk bëj melodi pa pasur fjalët. Frymëzimin e marr tek fjala. Nuk mund ta quaj veten kompozitor në kuptimin klasik të fjalës në këtë rast, por një interpretues të këtyre vargjeve me anë të tingujve muzikorë. Në këtë proces përjetimi krejt të natyrshëm doli ky krijim. Më pas e pashë se kënga u mirëprit nga të gjithë të njohurit tanë, të cilëve ia treguam këtë krijim.
Kënga ishte bërë për këngëtarin Nikoll Nik Prelaj. Kur u përfundua unë e thirra Nikollën dhe ai mbeti i kënaqur prej saj.

Si u ndjetë kur e dëgjuat në televizon krijimin tuaj të kënduar jo nga Nikoll Nik Prelaj ?
Këngën e dëgjova në gusht 2004 tek “Miss Globi”, të kënduar nga 4 emrat e njohur të muzikës sonë të lehtë. U ndjeva i kënaqur kur e dëgjova, sepse unë isha krijuesi. Çdo krijues do të ndihej i kënaqur, i priviligjuar kur krijimi i tij zgjidhet në një aktivitet me përmasa të tilla siç ishte “Miss Globi”, aq më shumë që mesa më kujtohet ky ka qenë numri i vetëm shqip në spektakël. Nga ana tjetër ngaqë ishte një aktivitet i tillë artistik, meqë ishte dhe prezantimi i parë publik i kësaj kengë mendoj që ishte krejt normale me paraqiteshin dhe krijuesit. Për herë të parë kur jepet një krijim duhet të jepen dhe emra e krijuesve. Materiali u paraqit si një kolazh, ku ishte bashkëngjit dhe një material tjetër muzikor.
Materiali është trasmetuar shumë dhe mendoj që ruan freskinë dhe dëshirën e njerëzve për ta dëgjuar këtë këngë. Unë këtu kam dhe një album, ‘Shqip” titullohet, që brenda ka dhe këtë këngë. Në kopertinën e dytë ka një shënim -Bonus Track dhe shkruhen katër emrat e këngëtarëve -Eranda, Evis, Redoni, Aleksander dhe një shënim “Sherbelo”. Ndërkohë që nuk vihen emrat e krijuesve të këngës. Natyrisht këtë nuk e them me egoizëm, këtë e them me një dialog, mendoj të arsyeshëm, dashamirës për të gjithë atë që e kanë zgjedhur dhe e kanë përdorur këtë material. Por mendoj se duheshin shënuar dhe emrat e profesorit të nderuar Fadil Kraja dhe emri im si krijues, sepse janë këto tinguj muzikorë dhe ky tekst që i kanë insipiruar edhe ato vetë për ta përfshirë në këtë album.

Si ju duk mënyra sesi është trajtur kjo këngë?
Në fakt prezantimi i kësaj kënge nuk u bë natyrshëm si vjen një krijim i ri, por u fut në një kolazh. Unë natyrshëm njerëzve që njoh, të nersërmen e trasmetimit të këngës, e cila pati sukses, u tregova që isha unë krijuesi i kësaj kënge bashkë me prof. Fadil Krajën. Në fakt i takonte dikujt tjetër q ëta bënte publike një gjë të tillë. E ndiej veten pak keq pasi nuk me takon mua të bëj një gjë të tillë.

Si mbërriti kënga juaj deri në Tiranë?
Rruga që ka ndjekur është më e gjatë sesa rruga Shkodër-Tiranë. Këngëtari Nikoll Nik Prela, i cili e mori me shumë dashuri këtë këngë e realizoi në një studoi muzikore në Mal të Zi, erdhi ma tregoi gjithnjë brenda kontureve të një bashkëpunimi dhe ai, e ka dërguar për ta transmetuar në “Top Chanel” pasi kishte realizuar edhe vidioklip. Ndërsa pa mëshirë ato që e kanë dëgjuar këtë material, nuk e kanë kanë trasmetu të paktën një herë këtë material sa për sudisfaksion për Nikollën, por e kanë përdorë brenda një kolazhi. Përsa i përket gjuhës muzikore ajo ka një ide të qartë. Nga vete melosi që ka dhe nga subjekti, ajo është e mbeshtetur mbi një zë të psikologjisë së gjuhës muzikore që është në veri, pjesë e trashigimisë së idendidetit tonë muzikor.

Keni tentuar që të lidheni me personat që e kanë trasmetuar këtë këngë dhe që po e përdorin krijimin tuaj?
Unë nuk kam hyrë direkt në bisedë me këto persona, pasi më duket se është një dialog jo i thjeshtë, por prapë si artist kam kërkuar që të lidhem me artistët që e kanë përdorur. Komunikimin e kam bërë me Genti Lakon, i cili e ka punuar këtë këngë në formën e kolazhit. Kemi biseduar në telefon, kemi lënë takim në Tiranë, por ai nuk erdhi. Interesant është reagimi i këngëtarit Nikoll Nik Prela, i cili me botën e tij fisnike ka ardhur dhe më ka takuar, pasi kënga u trasmetua. Ka shprehur çudinë e kësaj që ka ndodhur, por nga ana tjetër ka shprehur dhe admirimin e suksesit që ka pasur kënga. Dhe tha “Jam i kënaqur që kam zgjedhur një këngë të bukur”. Natyrisht kjo ka një klithmë brenda. Ai që e ka përdorur duhet që ta dëgjojë.

Si e përjetuar herën e parë që e dëgjuat këtë këngë në televizion?
Sigurisht, unë nuk isha një spektator i thjeshtë dhe nuk e dëgjova si i tillë. Unë isha krijuesi. Në këtë vështrim e përjetova me kureshtje për mënyrën sesi është trajtuar, të mirën dhe negativen e këtij varianti. Unë pranova atë inciativë që e kanë këngëtarët pasi lidhet me stilin e këngëtarit. Unë do të isha shumë i kënaqur sikur ta dëgjoja ashtu sic e kam konceptuar unë pasi mendoj se ai është më autentiku, më origjinali, për vetë mënyrën sesi perjetohen vargu dhe muzika. Mendoj se është e pafalshme, madje deri në diletantizëm mund ta them, eliminimi i strofës së tretë. Këtë e them me kurajën e një pedagogu. Ky eleminim ishte pa vend. Autori e ka vendosur në vendin e duhur. Ai material që mua më ka shërbyer si refren “…por hej e shumja si nuk shikjoj/ u skuq vogëlushja u ba n’ftyr gjak/ se kamen djalit tek sa kaloj /ja shkeli pak…” është zhvendosur, në një kohë që në rrjedhën e fabulës ka vendin e vet. Mendoj se kjo u ka rrëshqitur atyre që e kanë punuar. Kjo ka sjellë të metë në trajtimin e idesë.

Jeni një ndër kompozitorët më të njohur me një numër shumë të madh këngësh popullore shkodrane. Mund të na e thoni numrin e saktë të tyre?
Të them të drejtën kurrë nuk i numëroj këngët. Ato vijnë natyrshëm. Kënga ashtë bashkëudhëtare e imja. Kam marrë këtë përgjegjësi, sepse kënga shkodrane meriton shumë vëmemedje, sepse paraqet të dhëna, është dëshmi e vlerave origjinale, është trashëgimi. Kemi realizuar me kompozitorin e madh Pjetër Gacin në vitin 1986 një koncert me kënga të reja shkodrane që më ka lënë bresa të mëdha.

Keni ndonjë këngë më përzemër?
Nuk mudn të them ndonjë titull kënge, pasi ato janë krijimet e mia, që të gjutha, por mund të them se e kam ndier veten shpesh herë shumë mirë. I tillë ishte koncerti me të madhin Pjetër Gacin me këngën “Nusja na ka ardhë”. Megjithatë emocionin kur është luajtur ndeshja e futbollit Shqipëri -Kosovë nuk do ta harroj kurrë. Ka qenë një ndjesi e paharrueshme kur i gjithë stadiumi “Qemal Stafa”, i mbushur plot, këndontë këngën time “Xhamadani vija –vija /është Kosova o është Shqipëria”. Ky ka qenë cmimi më i madh që kam marrë ndonjëherë si kompozitor.

Planet për të ardhmen?
Kam një tjetër ambicje. Kam në plan një koncert me këngë të reja shkodrane. Por nuk është afruar ende ndonjë donator për ta bërë të mundur realizimin e këtij koncerti. Kam 12 krijimi të miat me këngë shkodrane.

Zgjimi i një melodie nga vargjet e 40 viteve me parë

Intervistë me autorin e vargjeve të këngës Fadil Kraja


Kur e shkruat këtë poezi?
Poezia është shkruar rreth 40 vite më parë me titullin “Përsëri i dhemb”. Në atë kohë kam shkruar dhe një poezi tjetër “Brenga” e cila tashmë ka fituar anonimatin. Teksti është marrë nga Xhelal Daka dhe tani njihet si kënga “Kuvendon Marta me gra”. Poezia “Përsëri i dhemb” është ribotuar në një përmbledhje poetike me rastin e 70 vjetorit të lindjes sime nga shtëpia botuese “Camaj –Pipa”. Poezia stilizon ato pak shenja që përdornin të rinjtë për t’i dhënë sinjale dashurie njëri-tjetrit në një mjedis konservator. Meqë si motiv është e lashtë unë i dhashë formën e një poezia klasike, përdora strofat sofike, të thyera, poezia ka formë tregimtare. Në vetvete ka atë frymën idilike të malësisë me të veçantat e saj, me butësinë dhe dhimbjen brenda saj. Brenda saj kjo poezi ka dhe dramë. Sipas Kanunit, kumbara dhe djali i kumbarës janë si njerëz të shtëpisë, të familjes, ndërsa këtu në poezi, djali i kumbarës ndihet i dashurua me vajzën e shtëpisë. Kjo bën që poezia të ketë një ngarkesë të veçantë. E bukura e kësaj kënge është se u bashkuan dy të lashta: lahuta dhe motivi i poezisë.

Si lindi bashkëpunimi me kompozitorin Zef Çoba?
Librin ai dhurave ish-nxënësit dhe mikut tim, të adhuruarit tim për talentin e tij Zef Cobës. Ai ishte frymëzuar nga poezia dhe pas disa ditësh Zefi me thirri. Shkova në studion e tij dhe dëgjova të mishëruar në muzikë vargun e kësaj poezie. Të them të drejtën u emocionave shumë. Më pëlqeu jashtë mase dhe jo vetëm mua, por të gjithë miqve dhe dashmarisve tanë, të cilëve jua treguam.

Cilat ishin ndjesitë kur e dëgjuat këngën për herë të parë?
Kjo është e bukur. Të vjen mirë kur dikush ta merr këngën, poezinë dhe mundohet ta bëjë anonimat. Kështu më ka ndodhur dhe me këngën Brenga, një rapsot e mori dhe u përhap në të gjitha trevat. Askush nuk e dinte se atë poezi e kisha krijuar unë, ndërkohë që poezia ishte e botuar. Kjo u ndodh shumë krijuesve. Për në këtë rast ndodhi e kundërta dhe shkelej pak etika e krijuesit, shkelej e drejta e autorti sic thuhet sot dhe nuk po zbatohet. Po shihja në televizion “Miss Globin” në gusht të 2004-ës. Ishte ora rreth 12 e natës kur u trasmetua. Kënga që e kisha dëgjuar të luajtur në piano nga Zefi shumë herë, po këndohej nga një kuartet, të cilët për cudi e paraqiten si një krijim të tyrin. Nuk përmendej fare autori i muzikës as dhe i teksit. E mora në telefon Zefin dhe për cudi edhe Zefi e kishte parë trasmetimin e këngës. Na mbeti pak hatri sepse bëhej haptas, nuk po them atë fjalën e madhe “vjedhje”, por bëhej një shpërdorim i hapur i veprës së dikujt tjetër. Zefi foli me to. Por më e keqja është se kjo mungesë etike kaloi deri në absurditet.
Pashë më vonë një album që kishte dalë dhe kënga ishte kamufluar me një emër banal sic ishte “Sherbelo” dhe përsëri nuk përmedej as emri i muzikës dhe as i tekstit. Me vjen keq pse të ndodhin gjëra të tilla. Natyrisht ne nuk jemi nga ato që e bëjmë problem një gjë të tillë, por së paku duhet ta dinë që gjëra të tilla nuk janë të mira dhe kurdoherë këto zbulohen edhe dënohen.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora