E marte, 23.04.2024, 08:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Jonida Maliqi: Do më shikoni ndryshe në pranverë…

E enjte, 24.01.2008, 10:50 PM


Shkruan: Kristi Pinderi

Jonida Maliqi
Jonida Maliqi, këngëtarja 24 vjeçare e cila nuk le asnjë festival në vend pa marrë pjesë ka vendosur që të shfaqet para publikut edhe në një pozicion tjetër: atë të prezantueses. Cdo të dielë ajo do të jetë përkrah Gjergj Lekës në emisionin e tij për muzikën në Televizionin Publik Shqiptar. Por kjo, nuk duket të jetë surpriza e vetme e saj. “Në fakt do të kem shumë surpriza, jo një! Surpriza më e madhe do të jetë në fushën personale. Por nuk dua t’ju them më shumë në këtë moment”, thotë ajo në këtë intervistë për revistën MAPO. Nuk është e vështirë të kuptosh se kjo surprizë ka të bëjë me finalizimin në altar të një lidhjeje të gjatë fejese që këngëtarja po konsumon tashmë prej disa vjetësh. Arsyeja për të mos dhënë detaje, lidhet me një zgjedhje të saj “për të qënë e kujdesshme” në marrëdhënien me median dhe me publikun. “Them se duhet të jesh e kujdesshme që të kesh jetëgjatësi. Kjo vlen për çdo personazh publik. Por ja që ka njerëz, sidomos ata që mendojnë të bindur se janë këngëtarë pa qenë të tillë, të cilët e kanë domosdoshmëri daljen në ekran”, thotë Maliqi për këtë çështje.
Jonida Maliqi është quajtur ndryshe edhe si këngëtarja e festivaleve, për shkak se ajo nuk mungon asnjëherë në asnjë prej festivaleve që organizohen në Shqipëri. Së fundi, ajo doli nga konkurrimi i Festivalit të fundvitit, në vendin e katërt. Debatet e ashpra që u zhvilluan pas atij festivali, Maliqi i komenton si “të shëmtuara”. “Nëse je artist, nuk mund të sillesh si i tillë vetëm gjatë atyre 5 minutave kur je në skenë, dhe pastaj të bëhesh pjesë e trillimeve dhe thashethemeve”, pohon ajo.
Mban mend me detaje të gjitha herët kur ka interpretuar në skenë. Edhe rastin kur ishte 10 vjeç dhe teksa zbriste shkallët për të kënduar në Festivalin e Tiranës për fëmijë u rrëzua duke u bërë fobike që nga ajo ditë ndaj çdo shkalle në skenë…

MAPO: Kohët e fundit shfaqeni rrallë dhe në mënyrë selektive para publikut. Ka të bëjë kjo me ndonjë strategji komunikimi me publikun apo ju preferoni të jeni në fokus të vëmendjes rrallë e pa rrezikuar?

Jonida Maliqi: Asnjëra prej tyre. Unë mendoj se në kohët e sotme po abuzohet shumë me median, si me atë të shkruarën si me televizionet. Them se duhet të jesh e kujdesshme që të kesh jetëgjatësi. Kjo vlen për çdo personazh publik. Por ja që ka njerëz, sidomos ata që mendojnë të bindur se janë këngëtarë pa qenë të tillë, të cilët e kanë domosdoshmëri daljen në ekran. Nuk jetojnë dot pa këtë gjë dhe kuptohet, asgjë të re nuk sjellin.

MAPO: Cila do të jetë surpriza e ardhshme, e kujdesshme, nga Jonida?

Jonida Maliqi: (qesh)… Në fakt do të kem shumë surpriza, jo një! Surpriza më e madhe ka të bëjë në fushën personale. Por nuk dua t’ju them më shumë në këtë moment. Ndërsa surpriza tjetër vjen që nesër në 20.30: ditën e dielë unë nis një seri programesh së bashku me kompozitorin Gjergj Leka në Televizionin Publik Shqiptar, këtë herë në pozicionin e prezantueses, përvec se edhe do të këndoj.

MAPO: Ju nuk mungoni në asnjë nga festivalet shqiptare. Këtë vit e përfunduat e katërta konkurrimin në festivalin e fundvitit. Cili është mendimi juaj për debatet që lindën pas festivalit?

Jonida Maliqi: Unë kam qëndruar gjithmonë larg debateve të tilla. Ato më janë dukur gjithmonë të shëmtuara. Eshtë e papranueshme që njerëz të cilët pretendojnë se bëjnë art, të sillen në këtë mënyrë dhe të nxjerrin maskat e tyre egoiste. Nëse je artist, nuk mund të sillesh si i tillë vetëm gjatë atyre 5 minutave kur je në skenë, dhe pastaj të bëhesh pjesë e trillimeve dhe thashethemeve.

MAPO: Ju është dashur ndonjëherë të bëni ndonjë kompromis që nuk e keni dashur, për hir të konjukturave të tregut muzikor shqiptar?

Jonida Maliqi: Nuk dua të dukem jomodeste, por fatmirësisht jam rritur në një familje me principe të larta morale. Dhe jam mësuar të mos bëj kompromise që shkojnë përtej këtyre principeve. Që kur kam qenë më e re më kanë ofruar që të këndoj, për shembull, nëpër bare apo ambiente të tjera të kësaj natyre, por asnjëherë nuk kam pranuar. Unë kam studiuar për këtë profesion. Për mua kënga është pasion dhe jo një mjet mbijetese financiare (të më kuptoni që tani po flas për veten dhe nuk dua aspak të paragjykoj ata artistë që performojnë të në tilla vende). Në bazë të atij moralit familjar që ju thashë më lart, unë kam krijuar standartet e mia dhe nuk e lejoj veten që të zbres poshtë tyre. Ka patur raste kur nuk janë pranuar çmimet e mia dhe në të tilla raste nuk kam bërë asnjëherë kompromis. Sigurisht kam kënduar edhe shumë herë falas, por për çështje të mëdha. Zakonisht kur performoj unë interesohem të di më shumë për ambientin, organizatorët, artistët e tjerë që do të marrin pjesë, etj.

MAPO: Si ndiheni ju me tregun shqiptar të muzikës?

Jonida Maliqi: Jo gjithmonë ndihem mirë. Sidomos kur sapo hedh sytë e shikon që ky treg është pushtuar nga pseudokëngëtarët. Kjo është pasojë e injorancës. Por në fund nuk dekurajohem pasi arrij ta kuptoj që kjo është një periudhë tranzitore. Ndoshta po ndodh me ne ajo që ndodhi dhe me vendet e ish-Jugosllavisë.

MAPO: Ju keni tashmë 15 vjet që këndoni. Në gjithë këto vjet çfarë do të kujtonit me dashuri?

Jonida Maliqi: Unë i kujtoj me dashuri të gjitha herët kur kam kënduar në skenë. Mbaj mend në mënyrë të veçantë debutimin tim, kur isha 9 vjeç. Atëherë këndova në skenën e Festivalit Mbarëkombëtar për Fëmijë në Shkodër, një këngë të Aleksandër Lalos, të titulluar “S’është e lehtë të jesh muzikant”.

MAPO: Dhe çfarë nuk doni ta kujtoni fare?

Jonida Maliqi: Nuk dua ta kujtoj fare rastin kur, një vit pas debutimit tim, po hyja në skenë për të kënduar në Festivalin e Tiranës për fëmijë dhe u rrëzova nga shkallët. Që nga ai rast unë i kam fobi shkallët. Ju ndoshta nuk e keni vënë re por unë edhe sot kur hyj në ndonjë skenë me shkallë hyj shumë ngadalë. Madje i porosis njerëzit e zërit që baza muzikore të fillojë pak më vonë derisa unë të kem zbritur të gjitha shkallët.

MAPO: Si u zgjidh çështja e padisë që ju bëtë ndaj një banke në Tiranë, ndaj së cilës pretendoni se ka përdorur pa ju pyetur imazhin tuaj?

Jonida Maliqi: Eshtë një çështje e cila vazhdon të jetë në proçes prej 3 vjetësh tashmë. Unë do prononcohem publikisht në një moment tjetër dhe do t’ju tregoj edhe emrin e bankës, e cila përdori një fotografi timen në një nga kartolinat që prodhoi, pa më pyetur fare. Unë jam e bindur ta vazhdoj këtë proçes deri në fund, pasi mendoj se artistët kanë të drejtë të mbrohen nga padrejtësitë në këtë vend ku mungon fare edhe një legjislacion I mirë që t’i mbrojë ata.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora