E premte, 29.03.2024, 01:27 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Luan Çipi: Erdhëm edhe ne në Amerikë (III)

E hene, 21.03.2011, 07:58 PM


ERDHËM DHE NE NË AMERIKË

 

Nga Luan Çipi

 

Pjesa e tretë

 

Gjatë kohës që unë isha në Çikago të Amerikës, natyrisht nuk ndenja gjithë kohë brenda shtëpisë, me dorezën e telefonit në dorë e në vesh, apo duke lexuar, shkruar e lundruar në internet. Shpesh, me gjithë kohën e keqe dhe borën e pareshtur, dola e shëtita, më shume me makinë, po dhe më këmbë.

 Shoqërues dhe nisiatorë për lëvizjet në rrugët e Çikagos dhe për njohjen më të mirë të qytetit, u bënë djali im Ani, nusja Dela, po dhe  vlonjatët e nderuar miqtë e mi, Dalan Luzaj dhe Llazar Basko.

Janë të paharrueshme vizitat në “Tregtoren e madhe Westfield”, në “Akariumin Sheed”, në “”Tempullin e Bahait” dhe në Kafenenë e rrugës Rosvelt, ku takova Fatmirin, djalin Vlonjat që kish vendosur pas 10 vjetësh të kthehej në Atdhe. Për këto ngjarje interesante kam bërë përshkrime të gjera e të posaçme. Me që jemi te përshkrimet, dua të paraqes një të vërtetë që fshihet pas një protagonisti, me emrin  e sajuar Fatmir... Fatmiri i vërtetë është djali i ish mikut tim të dashur e të paharruar Mihal Naqo. Ai, i vërteti, pasi e lexoi shkrimin dhe e cilësoi të pëlqyer dhe besnik të ngjarjeve reale, (si i kish treguar vet) ra dakord që të identifikohet. Është inxhinieri vlonjat Gjergji Mihal Naqo ai që me 10 vjet përvojë amerikane, vendosi të kthehet për të punuar e jetuar në Shqipëri, çka mua më gëzoi, me shpresë se shembulli i tij do ndiqet dhe prej djemve të tjerë emigrant në Amerikë dhe në mbarë botën

 Edhe të tjera herë këtu, në Çikagon e pafundme, kam lëvizur me makinë në tregtore për psonisje, në klinikë mjekësore për vizitë, në shkollë për të shoqëruar nipin, në kafenetë dhe çajtoret e qoshkave për kafe, si dhe në dreka e në darka shoqërore e familjare. Po kështu kam shëtitur më këmbë, disa kilometra në ditë në rrugët e afërta Miçigan, Indjana, Rozvelt, deri te Milja Magjike,apo Kullat e Ujit, si dhe në Zonën Muzeore dhe për rreth bukurive mahnitëse të “Parkut të Madh” buzë liqenit Miçigan.

                     

Në një ditë të shtune, ditë e shenjtë ujkendi për amerikanët punëtorë, erdhi me makinën e tij, pasi lajmëroi në telefon, Dalan Luzaj, miku më i nderuar që kemi në Çikago,  ai që u tregua si babai i dytë i djalit tim emigrant. Dalan Luzaj poet, është njëkohësisht Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Ai, me këtë rast, sa më takoi më tha: Kam organizuar një takim për të pirë kafe dhe për të biseduar me disa shkrimtarë shqiptarë, të shoqatës sonë, që banojnë këtu, në Çikago. Dhe unë, në mall për shokët  e mi të Vlorës e të Tiranës, pse mos të bëja shokë e miq të ri?

Me autoveturën japoneze të Dalanit u nisem drejt veriperëndimit dhe pasi përshkuam rreth 15 kilometra rrugë me trafik të rënduar, mbërritëm në afërsi të Ok Parkut, në periferi të Çikagos, ku e ka afër edhe vilën e tij komode tre katëshe Dalani dhe aty, te një kafebar qosheje, zumë vend në një tavolinë katërkëndëshe. Aty gjetëm dr. Mihal Aleksin, me origjinë nga Qeparoi i Vlorës dhe mësuesin veteran Thanas Hodaj, me origjinë nga Labova Zhabës, Gjirokastër.

Për të dy bashkëbiseduesit kisha dëgjuar fjalët më të mira. Mihal Aleksi, mjek human në qytetin e Fierit, dallohej këtu për shërbimet që i bënte emigranteve shqiptarë me përkthimin dhe përshtatjen e disa librave të mjekësisë dhe ndihmën direkt mjekësore, ndërsa  Thanas Hodoja, dikur mësues në Tepelenë, bashkënxënës në Gjirokastër me Ismail Kadarenë dhe Agim Shehun, ishte krijues  i rrëfenjave të bukura, përvojë e jetës së tij të gjatë e të mundimshme.

 Biseda rreth krijimtarisë letrare në diasporë nga poetë e shkrimtarë shqiptar, ishte objekt i diskutimeve të zjarrta, aqsa nuk e morëm vesh si ikën orët. Na ngeli fare pak kohë për të zënë në gojë me admirim e mall të njohurit tanë të përbashkët nga Shqipëria. Fjala kaloi dhe te politika e sotme kontradiktore e Partive opozitare në Shqipëri, te demonstratat e dhunshme dhe vrasjet makabre. Unë u dhurova dy librat e mia me rrëfenja vlonjate, me qëllim që ata t’ia kalonin për lexim njeri tjetrit. Pas dy ditësh Thanasi më mori në telefon dhe i entuziazmuar, më “qortoi”, që e kisha lënë pa gjumë me ato tregime,  që sollën protagonistë shqiptarë në Amerikë, që iu duken interesante, me persona diku të njohur edhe nga ai dhe që paraqisnin, më së shumti, respektin e dashurinë e autorit.

                                      

Përsëri Dalani i palodhur organizoi takimin tjetër me shqiptarë të zgjedhur dhe këtë radhë veç Thanas Hodajt kishin ardhur dhe aktori i spikatur Pandi Siku, si dhe vlonjati i moshuar Maliq Agaj, djali Shero Eminit të famshëm nga Smokthina, komisionarit të Luftës së Vlorës të vitit 1920. Biseda ishte interesante dhe  gjithnjë u kujtuan me respekt miq e shokë të njohur e të përbashkët nga Shqipëria jonë e dashur, që kanë kontribuar ndër vite për letrat, arsimin, teatrin shqiptar dhe në sfera të tjera, ose që lanë emër të mirë e dhanë kontribut për Shqipërinë. Më bëri përshtypje të veçantë ajo që më tha Maliqi dhe që vërteton atë që kam dëgjuar shpesh se: në Amerikë nuk të lënë të vdesësh.

“Erdha këtu në Çikago, te njerëzit e mi nga Vlora, para 10 vjetësh. Ndenja sa u ngopa dhe vendosa të kthehem serish në Vlorën time të dashur, ndofta për të ngrysur atje vitet e fundit të pleqërisë. Kisha prerë dhe biletën e kthimit, kur nga një dhimbje e beftë në bark më shtrojnë urgjent në spital. Pas diagnostikimit dhe analizave të shumta u konstatua kancer në stomak. Dhashë pëlqimin dhe ma hoqën stomakun e më krijuan mundësi e shpresë për të rrojtur nën kujdesin mjekësor, mbase edhe dy tre vjet. Kam dhjetë vjet kështu, që në Shqipëri nuk vete dot, se duhet të jem nën kujdesin e specialistëve të mjekësisë Amerikane, po dhe këta... nuk më lënë të vdes. E  ndjej veten të përtërirë dhe vrapoj të takohem me shqiptarët e këtushëm dhe me këdo që vjen prej andej, për të shuar mallin e vendit tim, ku çështë e vërteta mund të vdes sapo të vete. Pra në Amerikë nuk të lënë të vdesësh dhe jeta ime këtu çdo ditë është qelepir”.

Nuk do ta harroj vizitën e mirëseardhjes që bëri Dalani me Buqen, gruan e tij aq miqësore, në shtëpinë e djalit tim dhe pas tij edhe vizitat e mirëseardhjes të djemve të Dalanit dhe të grave të tyre. Këto ishin çaste të bukura, që do mbahen mënd gjatë dhe që më bindën edhe mua se djali im, i mërguar kaq larg, këtu në Çikagon e Madhe, nuk është i vetëm, po midis vëllezërve të mirë, të ditur e të fuqishëm.

                 

Vizita e kthimit, bashkë me gruan time sipas traditës shqiptare, pas ca ditës në shtëpinë e Dalan Luzajt, vërtetë  na la mbresa të pashlyeshme. Vila tre katëshe ishte në pjesën veriperëndimore të qytetit, e gjerë dhe komode, e pajisur këndshëm me mobilie e orendi klasike, perde të renda në dritaret dhe piktura të bukura në muret. Aty banonte çifti i lumtur i të moshuarve, që vazhdonte të punonte, ndërsa të katër fëmijët të martuar, ishin secili në shtëpitë e punët e veta dhe me fëmijët e tyre të gëzueshëm dhe ata, pa përjashtim, vinin herë pas here si mysafirë te prindërit.

Një tjetër protagonist tepër i rëndësishëm, që e bëri të larmishme jetën time në Çikago është padyshim dajë Llazari. Llazar Basko është daja i Adeles, nuses sonë dhe kështu, quhet dhe është  “daja” i të gjithë miqve dhe të afërmve tanë në Çikago. Ai është vërtet në rolin e një dajoje shqiptar, që sipas traditës reciprokisht “merr deri gjak” për nipin e vet. Llazar Baskoja, përkatësisht daja edhe i djalit tim, i është ndodhur tim biri për çdo gjë dhe ja ka lehtësuar jetën fizike dhe shpirtërore çiftit të ri. Ai, dhe vëllai i Adelës, Tomi Kola, (tani veprimtar i njohur i ekonomisë Shqiptare) dhanë ndihmesë  e kontribut të posaçëm me vlerë, që ata  u martuan, u shkolluan dhe u trashëguan. Ata ju gjendën çiftit të ri pranë, me ndihma kreditimi e deri ushqimi, në ditët e vështira të rritjes dhe zhvillimit, ku tradicionalisht kalon çdo emigrant.

Dajë Llazari, erdhi shpejt te ne, jo vetëm me gruan e tij të devotshme Mondën, po edhe me Julin, vajzën e madhe. Juli Llazar Basko njihet si talenti shqiptar këtu në Çikago. Ajo shkëlqeu si nxënëse në Shkollën e Mesme, duke u klasifikuar në disa olimpiadat në vendet e para. Me bursë shteti universiteti, ajo mbaroi me sukses Harvardin e famshëm në gjithë botën dhe tani po vazhdon me sukses specializimet e mëtejshme pas universitare.  Po ata erdhën dhe me Mikelin, dhëndrin e ri, burrin e Julit, një ekonomist i ri amerikano shqiptar, me origjinë nga Korça, që luan me sukses në bursat e Çikagos.  Këta mysafirë të shquar ishin ndër të parët që mbërritën te shtëpia e djalit tim dhe na uruan mirëseardhjen.

Dajo Llazari, sërish erdhi me gruan e tij me makinë dhe na mori të dyve për drekë në një lokal me pronar austriak në qendër të Çikagos. Një ditë më parë dhëndri i tij Mikeli, mua dhe tim birr, i  ftoi për darkë në një restorant grek. Nuk numërohen rastet që dajo Llazari më nxori e më shëtiti me makinën e tij, në të katër anët e qytetit të madh dhe në çdo rast, ma bëri borxh me traditën shqiptare, duke më imponuar qerasje me kafe e  deri ëmbëlsira.

Pak më lart shkrova, jo pa qëllim për restorante austriake e greke, po kështu pafundësisht këtu mund të cilësosh lokale me përkatësi në origjinë: meksikan, kilian, kinez, indian, vietnamez, italian, polak, izraelit, pse jo dhe shqiptare, pra nga e gjithë bota.

Meqë jemi te restaurantet, dua të them  dhe dy fjalë për kulinarin e Çikagos. Unë diku lexova në internet se Çikagos i thonë edhe “qyteti i biftekut”. Edhe këtu mesa duket, njerëzit e kanë mendjen edhe te pjata, si një nga dy kënaqësitë kryesore të jetës. Në Çikago provuam pjata gjelle në disa restorante për drekë dhe për darkë. Dreka është e çështë, se diku të jep kënaqësi për cilësinë dhe shërbimin, por darka me gati dyfishin e madhësisë së pjatës së drekës, të lë pa mënd. Kjo, si në lokalet e qendrës së Çikagos, po dhe sidomos në restorantet e famshme masive “Çiz Kejk”. Të tilla ka kudo në Çikago. Ato janë vendosur në godina të zakonshme, atje ku ka më shumë dendësi banorësh. Natyrisht në Çikago ka restorante tepër luksoze për të pasurit. Kudo shërbimi, qysh në pritje e shoqërim dhe sidomos buzëqeshja dhe sjellja e kamarjereve të shërbimit, është e jashtëzakonshme. Kjo shpjegohet se këtu kamarjarët paguhen minimalisht dhe mbahen  e plotësohen nga shpërblimet e klientëve, pra direkt se si të shërbejnë e të buzëqeshin. Çmimet gjithashtu ishin më të ulta nga shtetet e tjerë dhe të krahasuara me Shqipërinë, po të gjykojmë nga gramatura,  ishin të barabarta, ose më të lira.

Unë një herë te “Çiz Kejku” afër Aeroportit O’Heri.  porosita, veç të tjerave,  një pjatë makaronash me karkaleca deti. Befasinë që më solli në shije kjo pjatë dhe kënaqësinë që më krijoi, jo vetëm që nuk e kisha hasur kund, po besojëse do ta mbaj mend për shumë kohë. Një herë tjetër porosita biftek viçi dhe veç kënaqësisë që ndjeva, nuk munda të përtyp as gjysmën e tij. Tjetër ndjesi e mirë ishte buka e ngrohtë me shije të veçantë, si dhe gotat me ujë të ftohtë me akull, që ngeleshin gjithnjë plotë, se një kamarjer i posaçëm i mbushte, sapo firosnin pak.

Popullsia e Çikagos është relativisht e re. Ne vitin 1850 qyteti kishte vetëm 30 mije banorë, po pati ritme rritje nga më të lartët në botë, sepse ne vitin 1890 arriti në 1 milion, në vitin 1900 arriti në 1, 7 milion dhe në 1910 në 2.7 milion,

 Sipas vlonjatit Memisha Gjonzeneli, që është anëtar i kryesisë së Shoqatës Shqiptaro Amerikane për qytetin e Çikagos, këtu ka edhe mbi 30 mijë Shqiptarë. Shqiptarët e Çikagos krenohen me bashkatdhetarët e tyre të origjinës, vëllezërit Belushi, artistë të shquare dhe për Amerikën, që janë njëkohësisht qytetarë nderi të qytetit të Çikagos. Këtu kaloi shumë vite të emigracionit të tij të gjatë, politikani i shquar nacionalist, vlonjati Isuf Luzaj, autor i më se 100 librave të filozofisë, letërsisë, historisë, folklorit dhe poezisë. Doktor Profesor Isuf Luzaj ka pasur meritën të jetë një nga dhjetë mësuesit e shquar amerikanë që i është dhënë dekorata e lart “Profesor Emeritus” direkt nga Presidenti Ronald Regan.

Të rinjtë shqiptaro amerikanë të Çikagos bëjnë përpjekje të lavdërueshme për shkollim, duke u dalluar edhe midis vendasve të hershëm, si dhe të ardhurit nga Shqipëria, shumica në 20 vitet e fundit, dallohen si qytetar të qetë, punëdashës e solidar, që paguajnë rregullisht taksat shtetërore, çka formon kërkesën bazë të qytetarisë dhe mirësjelljes amerikane.

 



(Vota: 11 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora