Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Veteranët ftojnë qytetarët në protesta kundër demonizimit të UÇK-së dhe arrestimit të pjesëtarëve të saj

| E hene, 21.03.2011, 08:58 PM |


MË 23 MARS, PROTESTA NË GJITHË KOSOVËN

 

VETERANËT FTOJNË QYTETARËT NË PROTESTA KUNDËR DEMONIZIMIT TË UÇK-SË DHE ARRESTIMIT TË PJESËTARËVE TË SAJ

 

Nga Milazim KADRIU

 

Tejet të shqetësuar dhe të indinjuar pas arrestimit të luftëtarëve të lirisë nga policia e EULEX-it si dhe për fatin e vendit Organizatat e dala nga lufta çlirimtare kanë ftuar të gjithë qytetarët liridashës  që të zhvillojnë  protesta anekënd Kosovës. Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët që të mërkurën, më 23 mars, të marrin pjesë në protestat që do të mbahen në të gjitha qytetet e Kosovës me qëllim  për të kundërshtuar arrestimet e më meritorëve të shoqërisë për çlirimin e vendit dhe për mbrojtjen e popullatës nga vrasjet, dhunimet, masakrimet, dëbimet, gjenocidit dhe krimet më të tmerrshme që ka kryer  ushtria dhe policia e Serbisë, gjatë luftës në Kosovë. Në protesta, do të kundërshtohet demonizimi i luftës çlirimtare nga misioni i EULEX-it dhe do të paraqiten kërkesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve lidhur me aksionet kundër UÇK-së të këtij misioni.

 

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së reagojnë kundër deklaratave të Edmond Haxhinastos

 

OVL të UÇK-së është shumë e zhgënjyer me deklaratat e papërgjegjshme të krye-diplomatit të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto. Deklarimi i tij në Prishtinë kundër bashkimit kombëtar nuk i bën nderë as ministrit e as Qeverisë që ai përfaqëson dhe është në kundërshtim me përpjekjet shekullore të kombit shqiptar. Ne i rikujtojmë ministrit Haxhinasto, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte në themelet e saj çlirimin dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet. Neve nuk na nderon as vizita e tij në varrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, derisa është në kundërshtim të plotë me idealin e Komandantit Legjendar dhe mijëra dëshmorëve që dhanë gjak për një Komb, një Atdhe, një Gjuhë e një Flamur. Ne mbesim me shpresë se qëndrimet e tij nuk e përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Republikës së Shqipërisë dhe tërheqim vërejtjen se për çështje të tilla nuk vendosin politikanët, por vendos vet kombi shqiptar. Të udhëhequr nga ideali i Dëshmorëve të Kombit, ne ftojmë të gjitha subjektet politike e organizatat në të gjitha trojet shqiptare, të orientohen drejtë dhe të zhvillojnë politikë kombëtare, e të mos vendosin asnjë interes, mbi interesin dhe mirëqenien e kombit shqiptar. Vetëm të bashkuar ne mund të bëjmë realitet ëndrrën shekullore dhe kërkesën legjitime të kombit shqiptar për çlirim e bashkim.

 

Edhe Lëvizja për Bashkim kundërshton qëndrimin e  Haxhinastos

 

Kundër deklaratave  të  ministri të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili përjashton mundësinë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve,  ka reaguar Lëvizja për Bashkim, e cila për mes një komunikate sqaron se Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto që në fillim të vizitës së tij ai na e bëri me dije se ka ardhur këtu për të na e përsëritur deklaratën e tij të papërgjegjshme të cilën ai e bëri para disa ditësh në Tiranë, se bashkimi kombëtar i popullit shqiptar apo lëvizja e kufijve na qenkan të dëmshme si ide dhe si veprim për shqiptarët dhe për rajonin!
    Zoti Haxhinasto - para se t’i shpalosë pikëpamjet e tij apo të partisë së cilës i takon - duhet ta dijë se flet edhe si zëvendëskryeministër republike, edhe si ministër shteti dhe se kushtetuta e shtetit të cilin ai përfaqëson e shpreh qartazi aspiratën e popullit shqiptar për bashkim kombëtar.
    Deklarata të tilla të papërgjegjshme nuk i kanë hije një burrështetasi, e aq më pak një diplomati karriere!
    Megjithatë, populli shqiptar do ta ndjekë rrugën e filluar të bashkimit kombëtar pavarësisht deklaratave të tilla.