E premte, 19.04.2024, 06:35 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ish-shefi i krimeve, si nisi konflikti me “të fortët” e Shkodrës

E diele, 20.03.2011, 08:33 PM


Makina ku mbetën të vrarë vëllezërit Pjetrushi

Historia e konflikteve ndërmjet familjes Tafili dhe ish-shefit të krimeve në Shkodër Prelë Pjetrushi nisi më 2 gusht të vitit 2000, kur policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit.Ky i fundit, peshkatar në zonë, ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë për vrasjen e shtetasit Skënder Geci. Gjatë operacionit të organizuar nga policia e Shkodrës pati shkëmbim zjarri mes palëve. Për pasojë, mbeti i vrarë drejtori i Policisë Arben Zylyftari, si dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Po atë ditë kur u vra Arben Zyluftari, policia arrestoi Genc Tafilin, duke e akuzuar atë për vrasje në bashkëpunim. Ai po vuan dënimin e vendosur nga Gjykata e Shkodrës me 25 vite burg. Në atë kohë, djali tjetër i kësaj familjeje, Admiri, i cili dyshohet për autorësinë e vrasjes së dyfishtë që ndodhi dje, nuk ndodhej në Shqipëri.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit 2000, ku u vra kreu i Policisë së Shkodrës, familja e Bahri Tafilit e akuzoi ish-shefin e krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushin, i cili kishte organizuar edhe operacionin për kapjen e të kërkuarit. Familja Tafili, gjatë gjithë këtyre viteve pretendoi se drejtori Arben Zylyftari u vra nga dora e Prelë Pjetrushit dhe jo nga armët e Tafilajve. Kimete Tafili, bashkëshortja e Bahri Tafilit, tetorin e vitit të kaluar është shprehur se i shoqi është vrarë pasi u dorëzua dhe i prangosur nga Prelë Pjetrushi dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit janë të lirë. Deklarata e saj u bë pasi njëri nga djemtë e saj, Admiri, i cili mori disa orë leje nga burgu i Shënkollit për të parë të ëmën që e kishte të sëmurë, u arratis.
Pas ngjarjes që futi në konflikt dy familjet në vitin 2001 ndaj shefit të krimeve të Malësisë së Madhe, Prelë Pjetrushi, kryhet një atentat ku një breshëri plumbash u derdhën mbi të në momentin që ai po futej në banesë. Por, pavarësisht plagëve që mori në trup, shefi i krimeve arriti t’i mbijetojë kësaj ngjarjeje. Duke u ndier i kërcënuar, ai u detyrua të largohet jashtë Shqipërisë, për në SHBA, për arsye sigurie. Në lidhje me këtë ngjarje, në vitin 2002 policia arrestoi, pas shumë operacionesh policore, vëllain e vogël të familjes Tafili, shtetasin Admir Tafili. Ai u dënua me 22 vite burg për atentatin ndaj shefit të krimeve Prelë Pjetrushi. Që nga ajo kohë e deri vjeshtën e kaluar, ish-shefi i krimeve, i cili u konfliktua me familjen Tafili pas detyrës shtetërore, nuk ka ardhur në Shkodër. Ndërkohë që të afërm të tij pohuan se në fundin e muajit shtator, Prelë Pjetrushi kishte ardhur për pak ditë në Shqipëri për të parë prindërit dhe vëllezërit e tij. Zërat e përhapur në Shkodër për ardhjen e tij duket se kanë shkuar deri në burgun e Shënkollit. Pikërisht prania e Pjetrushit në Shkodër dyshohet të ketë qenë arsyeja e arratisjes së Admir Tafilit nga burgu i Shënkollit. Ai mori leje sapo mësoi se në Shkodër kishte mbërritur ish-shefi i krimeve. Por ky i fundit u largua nga Shqipëria sapo mësoi nga mediat lajmin se personi që i kishte bërë atentat edhe një herë më parë ishte arratisur nga qelia.

Kronologji

2 gusht 2000 policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit. Për pasojë u vra i kërkuari, por edhe drejtori i policisë Arben Zylyftari

22 janar 2001 ish-shefit të krimeve të Shkodrës, Prel Pjetrushi i bëjnë atentat. Ai u qëllua me breshëri kur do të futej në banesë, por fatmirësisht shpëtoi

2 tetor 2010 Admir Tafili arratiset pas një leje të përkohshme të dhënë nga burgu i Shën Kollit në Lezhë. Ai u shoqërua nga policia në banesën e tij, bashkë me vëllain Genci Tafili

18 mars 2011 vriten në pritë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit. Policia dyshoi se autori i kësaj ngjarje është Admir Tafili, i cili u arratis nga burgu i Shënkollit

Arben Zylyftari u vra në aksion te banesa e familjes së Tafilit

Admir Tafili, i dyshuari për kryerjen e dy vrasjeve dje në Shkodër, akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e kolonelit Arben Zylyftari. Ngjarja ka ndodhur në 2 gusht 2000, në lagjen “Udha Kryq” të Shkodrës. Ish-shefi i krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushi, vëllai i dy të vrarëve dje në Shkodër, pati filluar asokohe një aksion kundër grabitësve të makinave. Policia po patrullonte në lagje kur një agjent i rendit ka vënë në dijeni grupin e gatshëm për praninë e Bahri Tafilit, person në kërkim për vrasjen e Gëzim Gecit, i cili ka tentuar të largohet sapo ka parë forcat e rendit. Policët shkuan në banesën e Tafilit dhe, pasi trokitën disa herë, askush nuk e hapi portën. Njëri nga policët tentoi të hipte në murin rrethues për të shkuar në oborrin e banesës, por u ndesh një breshëri automatiku. Në këtë kohë, ish-shefi i krimeve, Prelë Pjetrushi, që drejtonte aksionin, komunikoi me radio me drejtorin e policisë së Shkodrës, Kolonel Arben Zylyftarin. Ky i fundit vendosi të shkonte dhe vetë në vendin e ngjarjes. Ndërsa Zylyftari po mbërrinte në vendin e ngjarjes, vazhdoi shkëmbimi i zjarrit. Arben Zylyftari, ndërkohë kishte kërkuar mbështetjen e FNSH-ve dhe ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke u pozicionuar rreth 17 metra larg nga kasollja ku ishin futur Bahri dhe Genci Tafili. Në këtë kohë, zyrtarisht thuhet se është qëlluar me një të shtënë nga kasollja dhe plumbi kapi në gjoks Arben Zylyftarin, i cili gjeti vdekjen më pas në spitalin e Shkodrës. Në këtë ngjarje, mbeti i vrarë edhe Bahri Tafili, ndërsa i biri, Genci Tafili, iu dorëzua policisë. Pas ngjarjes, 31-vjeçari Genci Tafili, i dënuar me 25 vjet burg, ka deklaruar se vrasja e Zylyftarit nuk është bërë nga ai.

Atentati çoi në SHBA Prelë Pjetrushin

SHKODER – Prelë Pjetrushi rihyri në radhët e policisë në vitin 1997. Në vitin 1999 ai u emërua shef krimesh në Shkodër. Por ai ishte emri më i lakuar në lidhje me ngjarjen në banesën e familjes Tafili, ku mbeti i vrarë kolonel Arben Zylyftari dhe kryefamiljari Bahri Tafili. Më pas Pjetrushi transferohet me detyrën e shefit të krimeve në rrethin e Malësisë së Madhe. Por, me gjithë transferimin, problemet për të nuk patën të sosur. Në këtë periudhë ndaj tij organizohet një pritë ku Pjetrushi mbeti i plagosur rëndë. Autori i dyshuar ishte djali i Bahri Tafilit, Admiri. Duke parandier rrezikun që i kanosej, menjëherë pas atentatit ish-shefi i krimeve largohet së bashku me familjen në drejtim të SHB-ve, ku jeton edhe sot. Që nga ajo kohë e deri vjeshtën e kaluar Pjetrushi nuk ka ardhur në Shkodër. Në familjen e tij jetonin prindërit me dy vëllezërit që u ekzekutuan dje, njëri prej të cilëve i martuar. Ish-shefi i krimeve ka edhe një vëlla tjetër që jeton jashtë Shqipërisë.                                              r.d

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora