E shtune, 20.04.2024, 02:30 AM (GMT+1)

Editorial

Krenar Gashi: Grupet e armatosura kosovare në hije

E enjte, 24.01.2008, 10:08 PM


Grupet e armatosura kosovare në hije

Nga Krenar Gashi

“Ne nuk luftojmë për bashkim kombëtar. Qëllimi ynë është mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, nëse ky integritet rrezikohet”, - thotë Arbëri, një burrë në të tridhjetat, ndërkohe që pi kafe në një lokal të stilit të vjetër në qendër të Prishtinës.

Arbëri pohon të jetë i pari i grupit të armatosur që quhet Armata Kombëtare Shqiptare, AKSH.

I shoqëruar nga dy bashkëluftëtarë të tij – së paku njëri prej tyre i armatosur lehtë – Arbëri qetësisht flet për grupin e tij, i cili është shpallur organizatë terroriste nga autoritetet e OKB në Kosovë, UNMIK.

Por, siç edhe e pranon vetë, Arbëri nuk është përgjegjës për të gjithë personat e maskuar në Kosovë.

Pas një hulumtimi të bazuar në intervista ekskluzive me njërin prej grupeve të armatosura në Kosovë, ‘Balkan Insight’ ka zbuluar se në Kosovë ekziston disa këso grupesh, që operojnë me të njëjtin emër e emblemë, por që nuk kanë ndonjë lidhje me njëra-tjetrën.

Madje, këto grupe të armatosura shpesh nuk kanë vizione të njëjta. Përderisa njëri grup pohon të jetë kundër procesit të tanishëm politik, të cilin po e ndjekin politikanët e Kosovës për të arritur pavarësinë e vendit, grupi tjetër thotë se nuk dëshiron të ndërhyjë në atë proces.

Ndërkohë, një lëvizje tjetër që quhet Fronti për Bashkimin Kombëtar Shqiptar - FBKSH - e që pohon se AKSH është krahu i tyre luftarak, nuk duket të ketë ndonjë lidhje me personat e armatosur që vazhdojnë të shfaqen në Kosovë që prej tetorit të vitit 2007.

Që atëherë, së paku dy grupe të ndryshme, të cilat pohojnë se i takojnë AKSH, janë paraqitur të armatosur e të maskuar nëpër media të ndryshme anë e mbanë botës.

Përderisa disa prej tyre, si Arbëri, thonë të kenë mobilizuar gjithnjë e më shumë luftëtarë, Shërbimi Policor i Kosovës, SHPK, ka konfirmuar të jetë përballur me persona të uniformuar e të armatosur, po që nuk kanë mundur të thonë, nëse këta kanë qenë pjesëtarë të AKSH apo jo.

SHPK madje nuk flet as për strukturën dhe kapacitetet e këtij grupi ilegal.

Kush, kur dhe pse?

Arbëri e sheh veten si një atdhetar të shqetësuar. Ai thotë se të gjithë pjesëtarët e AKSH janë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, shumë prej të cilëve kanë luftuar edhe në konflikte tjera, si në atë të Maqedonisë në vitin 2001 dhe në luginën e Preshevës në vitet 2000-`01.

Radiotelevizioni publik i Kosovës, RTK, pati transmetuar në tetor të vitit të kaluar pamje të AKSH duke patrulluar në njërin nga akset rrugore më të frekuentuara në Kosovë.

Xhirimet e bëra në afërsi të kufirit serbo-kosovar, në komunën e Podujevës, tregonin një grup prej 10-12 personash me uniforma të zeza, të armatosur mirë, madje disa prej tyre edhe me snajperë të sofistikuar. Kjo qe paraqitja e parë e AKSH në televizion pas disa vitesh qëndrimi jashtë publikut.

Arbëri, kreu i këtij grupi, thotë se organizata është formuar qysh në vitin 1998, kur ende zhvillohej lufta mes UÇK dhe forcave të Millosheviçit. Ai pohon se emri, emblema dhe misioni i AKSH janë përcaktuar qysh atëherë, në një kohë kur UÇK gati sa kishte dështuar, si rezultat i përfshirjes së armatës jugosllave në luftim.

AKSH ka marrë përgjegjësi për disa sulme me bomba në Kosovë gjatë viteve 2001-`03. Një tentim për të bombarduar një urë në Kosovën veriore ishte hapi vendimtar për të shtyrë kreun atëhershëm të UNMIK, Michael Steiner, që ta etiketonte këtë grup si organizatë terroriste.

Sipas Arbërit dhe shokëve të tij, organizata ka qenë pasive për disa vite, pasi “nuk ka pasur nevojë të operojnë”.

“Megjithatë, ne vendosëm t`i marrim armët në dorë, duke parë kërcënimet serioze që tani vijnë nga Serbia, në ditët e fundit para pavarësisë”, - thotë Astriti, një tjetër pjesëtar i këtij grupi.

Astriti, të cilin ‘Balkan Insight’ e kishte intervistuar edhe më herët, konfirmon se misioni i AKSH është mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës.

“Kur autoritetet e Kosovës ta shpallin pavarësinë, Serbia do të bëjë çmos për ta destabilizuar veriun”, - thotë Astriti.

Arbëri mohon se grupi i tij lufton për Shqipërinë e Madhe, ashtu siç kanë theksuar disa media. “Ndryshimi i kufijve nuk është mision i AKSH. Ne vetëm duam të sigurohemi që të shmangim një ndarje të Kosovës pas pavarësisë”, - shton ai.

Ndërkohë, FBKSH, e cila operon pothuajse vetëm në internet, pohon se AKSH është krahu i tyre ushtarak dhe misioni i saj është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Gafurr Adili, zëdhënës i FBKSH, pati deklaruar për ‘Balkan Insight’ në dhjetor se grupi i tij ishte i përkushtuar të bashkojë të gjitha “territoret e okupuara shqiptare me nënën Shqipëri”.

Adili, i cili gjithmonë i nënshkruan kumtesat e tij për shtyp me emrat e gjashtë qyteteve, Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tivarit, Toplicës (në Serbi) dhe Prevezës (në Greqi), pohon se pavarësia e Kosovës është vetëm hapi i parë drejt një bashkimi të vërtetë kombëtar shqiptar.

Fronti i ndarë

“Gafurr Adili mund të përfaqësojë gjithkënd tjetër pos AKSH”, - thotë Astriti, i cili nga ky grup i armatosur është caktuar që të merret me mediat. “AKSH është një grup njerëzish të vullnetit të mirë dhe nuk është krah i luftës së ndonjë fronti politik”, - vazhdon Astriti.

“FBKSH është organizatë politike, kurse ne jemi apolitikë”, - thotë ai.

Astriti shpjegon sesi FBKSH, një organizatë me bazë në Tiranë, e udhëhequr nga Adili, e ka promovuar veten në emër të AKSH.

“Ne nuk i kemi kundërshtuar, pasi nuk na kanë bërë diçka keq. Sa herë që kemi bërë diçka diku, ata kanë shpërndarë komunikata për shtyp për të marrë përgjegjësinë. Ne nuk ka penguar, sepse nuk na ka interesuar asnjëherë fama”, - thotë ai.

Gjatë një interviste të mëhershme për ‘Balkan Insight’, Astriti kishte thënë se për AKSH “çdo ushtar në terren ka më shumë reputacion sesa Gafurr Adili.”

Në anën tjetër, Adili pohon se të gjithë pjesëtarët e AKSH janë betuar t`i përmbahen politikave të frontit të tij. Gjëja e vetme, të cilën ai e pranon, është se fronti i tij jo domosdoshmërisht kontrollon çdo luftëtar në terren.

Mirëpo, konflikti AKSH - FBKSH nuk është i vetmi sa i përket grupeve të armatosura në Kosovë. ‘Balkan Insight’ arriti të kuptojë se ekzistojnë edhe grupe të tjera të maskuara dhe të armatosura, të cilat nuk komunikojnë me njëra-tjetrën.

“Associated Press”, AP, dhe disa media tjera, patën transmetuar xhirime të një grupi tjetër të armatosur, të cilët po ashtu mbanin maska të zeza dhe uniforma me simbole të AKSH, teksa po betoheshin diku në veri të Kosovës.

“Ne do ta mbrojmë këtë tokë deri në ushtarin e fundit”, - i ka thënë AP komandanti i këtij grupi, i identifikuar si Preka, në nëntor të vitit 2007. Preka gjithashtu iu kishte bërë thirrje shqiptarëve të Kosovës të mos dalin në zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit, si shenjë për ta bojkotuar procesin politik të zgjidhjes së statusit.

Në kohën kur televizionet në Kosovë po transmetonin këtë deklaratë, ‘Balkan Insight’ ishte duke e intervistuar Astritin, i cili po thoshte pikërisht të kundërtën – që ai dhe shokët e tij të grupit nuk kishin asgjë kundër zgjedhjeve.

Astriti, i cili njëherë kishte menduar se grupi i Prekës ka lidhje me Gafurr Adilin dhe FBKSH, më vonë tha për ‘Balkan Insight’ se “ata, në fakt, janë një grup tjetër, i pavarur, që e kanë përvetësuar emblemën e AKSH.”

“Ata duken të jenë njerëz të vullnetit të mirë. Nuk kemi kontaktuar me ta më parë, por tani do të vemi kontakt”, - i tha Astriti ‘Balkan Insight’ në fund të dhjetorit.

‘Balkan Insight’ është përpjekur të kontaktojë grupin e Prekës, por nuk ka mundur që të gjejë këtë grup në hije.

Ndërkohë, Astriti nuk e mohon mundësinë se në Kosovë ekzistojnë edhe grupe tjera të armatosura, të cilat përdorin emblemën e AKSH. “Por, ne jemi AKSH e vërtetë”, - insiston ai. Këtë deklaratë, sidoqoftë, ‘Balkan Insight’ nuk ka mundur ta vërtetojë nga burime tjera të pavarura.

Një zyrtar i lartë brenda policisë, ka konfirmuar për ‘Balkan Insight’ ekzistencën e disa grupeve të ndryshme të armatosura në Kosovë, por ka thënë se policia nuk i di motivet e tyre.

“Janë se paku tri grupe të ndryshme. Nuk janë të organizuara. Ne i kemi përcjellë ato për së afërmi”, - thotë ky zyrtar me kusht anonimiteti.

“AKSH nuk ka përkrahje në popull. Populli i sheh ata ashtu siç edhe janë – si ilegalë”, - potencon ky zyrtar.

“Ata nuk janë të organizuar dhe për këtë arsye nuk paraqesin ndonjë kërcënim të madh për sigurinë e Kosovës”, - përfundon ai.

Të mirët dhe të këqinjtë

Misteri që zotëron së bashku me paraqitjen e këtyre grupeve të armatosura ka krijuar hapësirë të volitshme për kriminelët ordinerë, të cilët kanë zgjeruar veprimtaritë e tyre ilegale, duke shfrytëzuar kapelën politike, siç është rasti me emblemat e AKSH.

Në Fushë-Kosovë, një qytetar qe plaçkitur nga disa persona të armatosur që mbanin simbole të AKSH. Në Podujevë, afërt kufirit të Kosovës me Serbinë, njerëz të maskuar kishin tmerruar udhëtarët e një linje autobusi, Beograd-Prishtinë. Sipas raportimeve, edhe ata kanë pasur emblema të AKSH.

“Nuk kemi qenë në!”, - thotë Astriti, duke iu referuar këtij incidenti. “Ne japim përgjegjësinë vetëm për ata pjesëtarë të AKSH, të cilët mbajnë emblemat tona origjinale dhe uniforma të zeza. Tashmë, kemi dalë në televizion dhe njerëzit e dinë se kush jemi”, - thotë ai.

“Fatkeqësisht, nuk mundemi me i ndalë të tjerët që po i falsifikojnë emblemat tona edhe po i keqpërdorin ato. Po çka muj me thanë është se AKSH nuk bën vepra të tilla. Ne nuk mbledhim pará prej qytetarëve as vullnetarisht e leje më me dhunë. I kemi kanalet tona të financimit”, - thekson ai.

Duke mos dashur të japë detaje, Astriti vetëm tha se ekzistojnë disa fonde të mëparshme të diasporës kosovare, të cilat ende janë aktive.

Por burimet e ‘Balkan Insight’ në polici mendojnë ndryshe. “Ne kemi arsye të besojmë se AKSH është më e afërt me disa politikanë në Kosovë”, - shprehet për ‘Balkan Insight’ një burim nga policia.

Një deklaratë e ngjashme është bërë vitin e kaluar nga Hashim Thaçi, tashmë kryeministër i Kosovës që asokohe ishte udhëheqës i opozitës. Duke kritikuar qeverinë e kaluar, Thaçi kishte deklaruar se grupet e armatosura dhe të maskuara janë vegël e parapolitikës.

Policia, sidoqoftë, refuzon të prononcohet më shumë rreth kësaj. “Në polici ka akoma raste të hapura në lidhje me AKSH. Thënë në përgjithësi, tani nuk është koha e duhur që të merremi me to.”

Ndërkohë, askush nuk e di se çfarë do të ndodhte sikur dy AKSH të ndryshme, por që mbajnë shenja të njëjta, të takoheshin me njëra-tjetrën gjatë ndonjë operimi në terren. A do të shtinin mbi njëra-tjetrën? Astriti nuk e mohon këtë mundësi.

“Mund të ndodhë që të ndeshemi me këto grupe, të cilat janë të armatosura dhe operojnë nën emblemën tonë, por jo edhe nën komandën tonë”, - thotë ai. Astriti thekson se ai dhe grupi i tij do të ishin më se të kënaqur të pranojnë “njerëz tjerë të vullnetit të mirë që t`i bashkëngjiten zinxhirit të tyre komandues”.

Zyrtarisht, SHPK thotë se “AKSH është organizatë terroriste dhe policia do ta trajtojë atë si të tillë”.

Veton Elshani, zëdhënës i SHPK, nuk mundi të tregojë për atë sesa di policia në lidhje me këto grupe.

“Kemi pasur rastin, kur është raportuar se njerëz të armatosur kanë kontrolluar automjetet në një rrugë afër Gjakovës dhe kur njësitë tona janë konfrontuar me to. Mirëpo, ne nuk kemi informata se a kanë qenë anëtarë të AKSH apo jo”, - shprehet Elshani.

Armatë apo aktorë?

Një burim i lartë brenda KFOR ka thënë për ‘Balkan Insight’ se KFOR’ posedon informata të hollësishme për AKSH’ dhe se janë duke i vëzhguar veprimtaritë e tyre prej së afërmi.

Ky burim, i cili nuk deshi të identifikohej, shpjegon pse publiku nuk ka parë aq shumë që KFOR’ ka marrë ndonjë aksion ndaj AKSH’.

“Ata janë shumë pak. Madje, as disa dhjetëra. Por, janë të armatosur. Atyre më shumë iu intereson paraqitja në televizion dhe titujt e lajmeve sesa lufta. Sa të ketë ekipe televizive, kamera e gazetarë, do të ketë edhe AKSH. Sapo të ikin mediat, edhe këta njerëz i lëshojnë armët dhe ia mbathin nëpër shtëpi”, - thotë ky zyrtar i KFOR.

I njëjti burim shprehet se KFOR ka një shërbim shumë të mirë të inteligjencës dhe se ata janë duke u marrë me AKSH.

Edhe burimi i ‘Balkan Insight’ brenda SHPK pajtohet me këtë. “Veç po dalin para kamerave. Aq”, - ky burim thotë.

Lulzim Peçi, ekspert i fushës së sigurisë, e përshkruan AKSH si luftëtar part-time. Astritin nuk e pengon kjo. “Ne nuk jemi gjithmonë me uniforma. Shumica prej nesh kanë jetë normale, kanë një punë të rregullt, prej shërbimeve publike e deri tek organet e sigurisë”, - thotë ai.

Astriti pohon se forcat e tij tani janë duke mobilizuar anëtarë të rinj, duke u fokusuar në pjesën veriore të Mitrovicës të banuar me serbë.

Për KFOR gjërat janë ndryshe. “Ne kemi parë video-xhirime të AKSH të transmetuara në televizion dhe, nëse iu kushtoni vetëm pak vëmendje, shihni sesi njerëz të njëjtë paraqiten nëpër vende të ndryshme”, - tha i njëjti zyrtar i KFOR.

Pamjet e transmetuara kishin nxitur që shumë gazetarë të raportojnë sesi pjesëtarë të AKSH, të pajisur më armë moderne, kishin kontrolluar automjete nëpër magjistralet e Kosovës. Por, shërbimet e inteligjencës së KFOR, që kanë analizuar këto xhirime, nuk pajtohen.

“Në pamjet e transmetuara në RTK, shihet AKSH duke ndaluar vetëm një automjet dhe kjo ka qenë vetura e gazetarit”, - shprehet burimi i ‘Balkan Insight’ nga KFOR.

“Aty kishte vetëm një snajper, kurse të tjerët kishin kallashnikovë. Por ja që xhirimet kanë qenë të inskenuara asisoj, sa që janë siguruar që në çdo pamje të shihet ky snajperi i mirë. E paramendojeni, i ndalnin automjetet me snajper. Unë jam ushtarak dhe, nëse do të doja ta ndaloja një veturë, më përpara do të merrja një kallashnikov sesa një snajper, në një distancë aq të shkurtër”, - tha i njëjti burim.

Astriti nuk pajtohet. “Ne kemi mjaft ushtarë. Kemi mjaft armë. Për momentin nuk na nevojiten më tepër”, - thotë ai.

E çka tash?

Tani, në kohën kur Kosova pritet ta shpallë pavarësinë, shumëkush pyet se ç’do të ndodhë në të ardhmen me këto grupe të armatosura, të cilat kohë pas kohe paraqiten dhe pastaj zhduken.

“Ne po përqendrohemi në pjesën veriore të Kosovës, atje ku serbët do të mundohen të sjellin forca të sigurisë pas shpalljes së pavarësisë”, - thotë Arbëri.

“Ne kemi marrë mësim të mirë në mars 2004”, - thotë ky gueril, duke iu referuar përleshjeve më të dhunshme ndëretnike në Kosovë që prej përfundimit të luftës, gjatë të cilave 19 persona kishin gjetur vdekjen, ndërsa qindra shtëpi serbe ishin djegur.

“Do të jemi të parët që nuk do t`i lëmë serbët dhe shqiptarët të vrasin njëri-tjetrin, por, po ashtu, do të pengojmë çfarëdo njësie të armatosur të hyjë nga Serbia në Kosovë”, - thotë ai.

“Ashtu si edhe më parë, ne nuk do të konfrontohemi me KFOR apo me forcat tjera të sigurisë në Kosovë. Ne do të jemi aty që vetëm ta parandalojmë ndonjë konflikt etnik”, - vazhdon ai.

“KFOR e shohim si aleat”, - shton Astriti nga AKSH. “Kur ata t`i marrin përsipër territoret, të cilat ne i patrullojmë, ne do t`i lëshojmë armët dhe do të shkojmë nëpër shtëpi”.

Por për KFOR, AKSH nuk është ndonjë aleat, sikurse policia edhe KFOR i konsideron ata si terroristë.

Kapiteni i marinës franceze, Bertrand Bonneau, që është zëdhënës në KFOR, thotë për ‘Balkan Insight’ se “KFOR do të reagojë ashpër ndaj cilitdo individ apo grup që tenton ta pengojë paqen dhe sigurinë”.

“Ne ritheksojmë se KFOR, SHPK dhe policia e UNMIK merren me sigurinë e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Këto janë të vetmet forca të ligjshme për të vepruar në mbarë Kosovën”, - sqaron Bonneau.

Nga ana e saj, AKSH pohon të ketë përgatitur plane në rast të tensioneve në Kosovë. Në bazë të udhëheqësve të saj, kjo do të ndodhë, vetëm nëse vjen deri te ndarja e Kosovës, ku serbët do ta merrnin pjesën veriore, apo, nëse autoritetet e vendit nuk e shpallin pavarësinë së shpejti.

“Nëse politikanët në Kosovë nuk e shpallin pavarësinë, të themi, deri kah marsi i vitit 2008, ne kemi planin B; do të hyjmë në institucione dhe do ta shpallim pavarësinë vetë”, - thotë Astriti.

Një zyrtar i policisë qeshi, kur e kuptoi këtë deklaratë. “Ata nuk e kanë as fuqinë e as mbështetjen e popullit ta bëjnë këtë”, - tha ky burim. “Ata mund ta shpallin pavarësinë vetëm diku në male, para kamerave, gjatë natës, duke u fshehur nga forcat tona dhe KFOR”, - ironizoi ai.

“Ne nuk dëshirojmë luftë”, - thotë Arbëri. Ai shprehet se grupi i tij është në dispozicion “për ta parandaluar një konflikt të ri”.

“Nuk mund ta parandalosh një konflikt, derisa je duke shkaktuar një të ri dhe mbajtja e armatimit ilegal është vepër penale”, - thotë burimi ynë nga policia.

Ky burim shton se policia ka një numër rastesh në lidhje me AKSH, që mbeten të hapura dhe se këto raste do të zgjidhen shumë shpejt.

“Kemi ca punë tjera, më të rëndësishme, njëherë. Plus kësaj, këto grupe të armatosura nuk paraqesin ndonjë rrezik të vazhdueshëm”, - thotë burimi dhe shton se “kur të vijë koha, do të merremi me to shumë shpejt”.

Arbëri mbetet optimist. “Ne nuk shohim ndonjë konflikt të hapur që mund të ndodhë në Kosovë. Por, mund të ketë vrasje”, - shprehet ai.

Në anën tjetër, kapiten Bonneau është i qetë. “KFOR do të vazhdojë të jetë vigjilent dhe të bashkëpunojë me UNMIK dhe Shërbimin Policor të Kosovës për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë”, - thotë ai.

* Krenar Gashi është redaktor për Kosovën i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN. ‘Balkan Insight’ është publikim i BIRN në internet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora