Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Intervistë me Jona Kapllanaj, këngëtare

| E diele, 20.03.2011, 08:08 PM |


Intervistë me Jona Kapllanaj, këngëtare

 

E dua muzikën shqiptare të jugut...

 

Intervistoi: Tefik Selimi

 

Jona Kapllanaj, 27-vjeçare, është këngëtare e muzikës popullore. Origjinën Jona e ka nga Tepelena. Vend historik. Ajo thotë se e adhuron shumë muzikën e jugut, se familja e saj e ka origjinën nga Tepelena. E, ky qytet i lashtë dhe historik, e ka historinë e veçantë, për faktin se flitet për Ali Pashë Tepelenën, një personalitet i një kohe të shkuar. Edhe poeti i madh anglez, Bajroni, në veprën e tij “Shtegëtimet...” i ka adhuruar fort qytetarët e këtij qyteti shqiptar, të cilët i ka përjetësuar në vargjet e tij poetike. Pra, nga ky qytet na vjen këngëtarja Jona Kapllanaj, një zë i bukur i muzikës popullore dhe një zë i dhimbshëm baladesk. Dhe, jo vetëm kaq. Ajo ka hyrë në artin e muzikës nga një moshë fare e re. Kështu i lind natyra, e  cila ua falë zërin e tingullin e këndimit. Ne zhvilluam një intervistë me Jona Kapllanjn për lexuesit e gazetës sotë “Bota sot”, e ajo iu përgjigj ftesës sonë.

 

“Bota sot”: Cila është Jona Kapllanaj, sot?

 

Jona Kapllanaj: Dihet: edhe unë sot jam një këngëtare e muzikës popullore, e sidomos e muzikës së jugut nga më është dhe origjina ime, Tepelena. Kënga e unë jemi bërë të afërt. Asgjë s’mund t’na ndajë. Kjo “dashuri” jona, sikur është vulosur dhe po merr dimenzione të thella drejt një arti të mirëfilltë të këngës. Këndoj, por kënga ime është jetë, punë, optimizëm dhe shpresë e të gjithë qytetarëve. E jetoj jetën “tjetër” me këngë dhe vetëm me këngë. Kush nuk e do këngën, ai nuk e di çka është jeta. Kënga ma zgjat jetën, ma afron dashurinë dhe miqësinë me të tjerët. Këndoj për adhuruesit e mi, të cilët më duan dhe i dua pa masë...

 

“Bota sot”: Çka do të thotë për ju të jeni këngëtare?

 

 Jona Kapllanaj: Po, dihet: fillimi im në këngëtim nuk ka qenë i lehtë. Pse jo? Diçka ndryeja në vetëvete. Mu dridhte zemra e më ndizej shpirti. Ishin këto “ethe” të nisjes së parë të jetës sime këngëtare. Këto nisjet e mia në artin e muzikën janë të hershme, që në fëmijëri, mu atë kohë kur isha në korin e shkollës, në qendrën kulturore të fëmijëve të qytetit të Fjerit. Isha edhe njëfarë soliste dhe më pas, familja ime u vendos në qytetin bregdetar të Durrësit, ku unë e vazhdova aktivitetin tim kulturor pranë asamblit të këtij qyteti të lashtë dhe historik. Këngën nuk e ndala, por e interpretova ashtu si ma do shpirti e zemra. Këndoj edhe sot bukur, mendoj...  

“Bota sot”: Si keni hyrë në artin e këngës?

 

Jona Kapllanaj: Ishte një gjë e papritur në jetën time. Them troç, për mua të jem këngëtare, do të thotë realizimi i ëndrrës sime, i pasionit tim që e kisha gjithmonë si synim të këndoj. Është përgjegjësi e madhe, po dhe kënaqësia e madhe imja si këngëtare shqiptare. Hyra lehtë, por rëndë të dali dhe këtë “dalje” nga arti i këndimit nuk mund ta merri as me mend, sa do të thoja, vdekja do të ishte më e e afërt se sa largimi nga kënga.

 

“Bota sot”: A keni diçka do të thuani për artin e këngës?

 

Jona Kapllanaj: Po, si nuk kam të shtoj! Kënga është një “vaj” zemre e shpirti që artikulohet më zë e tingull. Kënga ëshë magji, por edhe “ilaç” për shënimin e dhimbjeve. Por, kënga është miku më i mirë i jetës që në momente më të vështira është afër meje dhe përherë më qetëson. Ajo është kënga e Migjenit, kur thotë: “Rini, thuaja këngës më të bukur që di”. Pra, kënga është jata ime, pa te s’marr dot frymë e as s’jetoj dot... Kah eci, këngën e kam në shoqërim. S’ka më bukur se të këndosh e ta duash melodinë, tingujt, zërin e ëmbël, i cili del dhe i gëzon njerëzit për të punuar e jetura më bukur.

 

“Bota sot”: Cilat janë shpërblimet e juaja si këngëtare?

 

Jona Kapllanaj: Aha, po. Shpërblimet e mija në artin e muzikës më tepër më janë gjatë këndimit nëpër festivalet e fëmijëve në Fier, ku kam zënë çmim të vendit të dytë (2),  mandej të vendit të parë. Por, nuk kam mundur të preki skenën e festivalit të fund vitit nëTVSH,  po shpresoj shumë shpejt do të ngritem aty ku mendoj për të arritur.

 

“Bota sot”: Cilin zhanër të muzikës (këngës) e preferoni ose e adhuroni?

 

Jona Kapllanaj: Si do t’ia filloja. Unë kam “shije” për muzikë më të ndryshme. Por, në shpirt e zemër më flë muzika ime e preferuar e lehtë. E adhuroj muzikën e këngëve baladeske, e cila më duket të jetë me e kuptushme për të gjithë adhuruesit e këngës. Por, mua më pëlqen shumë muzika e jugut, që e këndoj me shumë dëshirë dhe me të cilën jam bërë e njohur në skenën e këndimit në shtetin tim ku jetoj.

 

“Bota sot”: Jona sot, por cila ishe dje?

 

Jona Kapllanaj: Jona sot është një këngëtare e njohur në Shqipëri dhe e ftuar në shumë aktivitete muzikore, në shumë gostira e gëzime familjare. Jona që jep autografe, Jona që shumë herë nuk ftohet në emër, po me vargjet e këngëve të mija. Dje Jona ka qenë një vajzë e thjeshtë, e ndrojtur me një ëndërr për t’u bërë këngëtare me emër të merituar e skenës muzikore popullore... Isha dhe jam akoma modeste. E ruaj këtë “stil” timin me gjelozi. Jam e “fortë” në karekterin njerëzor. Pa karakter, s’ka kuptim jeta e një njeriut. Jam e këtij stili bashkëkohor, pa ngarkesa të tepërta të “shijes” së modës e farsave tjera prej këngëtarejeje.  

 

“Bota sot”: Si jeni në shoqëri?

 

Jona Kapllanaj: Shihni, e shtova një gjë, se jam modeste dhe e thjeshtë. Kjo është natyra ime si qenje njerëzore. Në shoqëri jam shumë e thjeshtë, e komunikushme e “gjinshme” në çdo situatë. Mundohem që dhe me njerëzit që si njoh, t‘i bëj për vete e të ndihen sikur jemi njohur prej vitesh të tëra. Këtë e pëlqej dhe ka nevojë kjo kulturë të ndikohet nga të tjerët që e posedojnë dhe çmohet.

 

“Bota sot”: A është vështirë të këndosh para publikut?

 

Jona Kapllanaj: Sigurisht, po. Në fillimet e mija të para si këngëtare kjo “punë” arti ka qenë e vështirë përballja me publikun. Kisha shumë emocione, ethe, droe e madje edhe paksa frikë. Po, tani jam mësuar. Kam shkelur shumë skena më të ndryshme të qyteteve tona, si brenda dhe jashtë vendit. U kalua kjo “gjendje” pa asnje problem. E, tani emocjonet janë më të bukura, janë larg atyre mundimeve të para.E tani publiku im i adhuruar është pjesa ime duartokitjet e tyre të gjata. Këta mua më japin vullnet për të vazhduar aktivitetin tim gjithnjë përpara, aty ku mendoj të arrij si këngëtare, besoj.

 

“Bota sot”: Keni diçka ndonjë porosi për të tjerët?

 

Jona Kapllanaj: Natyrisht, po. Kam përvojë të them si mesazhe për të tjerët. Pra, të tjerëve ju them të luftojnë për ëndrrën e tyre deri sa të arijnë atë që duan si synim i karierës së tyre në këtë art të bukur të këngës sonë popullore. Le të të bëjnë të pamundurën gjer te afirmimi dhe prezantimi i vlerave më të mira të këngës sonë popullore e asaj të lehtë.

 

“Bota sot”: Pak biografi të juajën, cila është ajo?

 

Jona Kapllanaj: Jam e lindur më 1984 në qytetin e Durrësit, e rritur për disa vite në Fier me origjinë nga Tepelena. Tash jam studente në degën e psikologjisë. E dua këtë profesion, sepse psikologjia është lëndë e adhuruar nga të gjithë të rinjtë, të cilët kanë afinitete për të menduar qartë, bindshëm, arsyeshëm  e me logjikë mendimin për vete dhe për të  tjerët.