E shtune, 20.04.2024, 12:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Vullnet Mato: I shëmtuari misterioz

E diele, 20.03.2011, 08:00 PM


Vullnet Mato

 

I SHËMTUARI MISTERIOZ

 

Tregim

 

    Në grupin tonë  të arsimtarëve që kishim krijuar teatrin amator, bënin pjesë djem e vajza të rinj, me arsim të lartë dhe të gjithë të pashëm. Për të mos thënë se kishte edhe shumë të bukur, si Petriti, e sidomos Shania fantastike, të cilën e quanin çamia bukuroshe e Durrësit.

    Por, ishte afruar mes nesh, për inerci e si për të kompensuar tërë hijeshinë e grupit, edhe më i shëmtuari i efektivit të arsimtarëve të rrethit, që kishte vetëm emrin e bukur, Fatmir. Për të cilin edhe ai vetë thoshte shpesh: “Unë duhej të quhesha “Fatkeq” po nuk e kuptoj pse krijuesit e mi prindër më vunë këtë emër, që stonon tmerrësisht me pamjen time.”

    Na prekte shpirtin me këto fjalë dhe me dëshirën e tij për të marrë në pjesët teatrale vetëm rolet negative, të cilat i qante si askush tjetër. Por ndjeheshim keq, sidomos, kur padashur hidhnim sytë vëmendshëm mbi fytyrën tij. Apo kur unë, që bëja makijazhet e shfaqjes, punoja gjatë për të transformuar në përshtatje me rolin, detajet e gjymtyrëve të tij të llahtarshme. Duke bërë të pranueshëm për spektatorin ballin e zbuluar deri lart në zhogën e kokës, me dy gunga koskore të dala në të dy anët çuditërisht, sikur natyra kishte përgatitur me to bazamentin për t’i nxjerrë brirë kafshe, por më pas ishte penduar dhe e kishte kthyer në njeri. Dy sytë e thelluar në gropat pamore pa qepalla, vetullat e kreshpëruara, bulçitë e rrafshuara nga dobësia, të ngjitura fare pranë dhëmbëve, xigomatikët si dy funde dardhash dhe mjekrën si të cjapit, të zgjatur deri afër fikthit të theksuar mashkullor, që i lëvizte si kokërr arrë poshtë e përpjetë gurmazit, sa herë fliste.

    “ O zot, - kishte thënë Shania nën zë, - edhe sikur ndonjë piktor të kërkonte tipare të tilla, për të bërë portretin e një xhindi, zor se mund t’i gjente këtu mes nesh!”

    Ne shokët e tij, u thoshim vajzave dhe vetë Shanes, të mos e vrisnin shpirtërisht, duke e braktisur në biseda, kur ato qëndronin gjithë kohën vetëm pranë të tjerëve. Madje, për ta bërë të afruar e të domosdoshëm për secilin gjatë provave, Fatmirin e zgjodhëm regjisor të grupit teatral. Ndonëse  kishte mësues të tjerë me prirje letrare e me njohuri skenike të mjafta për atë punë. Megjithatë, Fatmiri, që kishte mbaruar për matematikë, e justifikonte më së miri këtë përgjegjësi shoqërore që i kishim caktuar. Sepse ai ishte prej natyre më i zgjuari nga të gjithë ne dhe me shije e durim të pamposhtur për të lexuar pjesë teatrale. Me të cilat pushtuam skenën e shtëpisë së kulturës disa herë dhe bëmë turne në shkollat e mesme të Elbasanit dhe të disa qyteteve të Myzeqesë.

    Në marrëdhëniet tona shoqërore, vajzat mësuese, si Shania, Leta, Neja e ndonjë tjetër ishin tejet të lakmuara nga djemtë si Petriti, Kashani, e gjithë beqarët e tjerë. Por sidomos Shanes i vardiseshin jo vetëm amatorët, por edhe djem të qytetit, të cilët i rrëmbente portreti i saj  fantastik gjatë shfaqjeve, në disa role vajzash heroina të repertorit skenik. Madje Petriti thoshte me shaka, lum ai pallosh që do t’ia mbushë mendjen, ta ketë gjithë jetën në shtrat këtë perri çame, e cila na ka zbukuruar edhe vetë opinionin për të gjithë çamët e Shqipërisë.

    Pra, siç lashë të kuptohet edhe më sipër, djemtë ndjeheshin të gjithë të dashuruar në mënyrë të njëanshme me këtë vajzë të rrallë. Por Fatmiri psherëtinte nga dhimbja kur vështronte Shanen, dhe kjo lëndohej në shpirt kur ai e shigjetonte në sy, njësoj si trëndafili që vyshket, kur gjembi në afërsi i prek petalet. Ndoshta mjerimi shpirtëror që ndjente kohët e fundit Fatmiri nga shëmtimi tij, i shkaktohej kryesisht, sepse ndjente largësinë kilometrike prej saj. Por edhe pamundësinë për të qenë në raport të barabartë pozicional me djemtë e tjerë që e ngacmonin e bënin shaka me këtë vajzë, të cilën fati ia kishte privuar vetëm atij, duke e dënuar të përgjërohej për të. Aq sa kishte arritur të shfrynte te shokët: “Ah, moj nënë, ç’më bëre që s’më mbajte dhe nja dy javë në bark, sa të më rregulloheshin defektet.” Dhe këtë duf e nxirrte pikërisht në rastet, kur nuk ia varte Shania. Sepse, edhe kur ai i afrohej për ndonjë shpjegim roli, ajo e dëgjonte pa e vështruar në sy. Megjithatë, kishte edhe raste kur ajo e falënderonte përzemërsisht për mendimet që i jepte, duke ndjerë ngrohtësinë e sinqertë të zërit të tij të butë e të nënshtruar tërësisht para saj. Gjithsesi edhe në këto raste, ajo komunikonte kokëmënjanë e me sytë diku në boshësi, teksa Fatmiri ndjehej mirë, sepse kishte idenë se kur vajza të kthen shpinën duke të qëndruar afër, do të thotë se të bluan në trurin e saj.

     Në fund të atij viti mësimor me arritje të mjafta në punë e në lëvizjen amatore të shkollës sonë të mesme, ndodhi e çudia e të gjitha çudirave që e la pa mend grupin tonë të arsimtarëve. Shania me kasafortën e mbyllur rreptësisht e tepër sekrete të mendimeve të saj, u kthye befas për një vizitë në familjen e Fatmirit, te shtëpia e tij dykatëshe me oborrin e madh nën hijen aromatike të portokalleve në Elbasan. Pas këtij pelegrinazhi në Edenin e fshehtë të këtij qyteti të lashtë, ajo bindi prindërit e saj në Durrës për vendimin e rëndësishëm jetësor që kishte marrë papritmas.

    Të gjithë ne të tjerët, por sidomos pretendentet për tu fejuar me të, gati sa nuk shkalluam nga trutë, kur morën vesh se Shania bukuroshe ishte fejuar me të shëmtuarin misterioz. Tejet i mahnitur Petriti, tha se Shania duhet ta kishte dredhur patjetër gjatë viteve të universitetit në Tiranë, që pranoi verbërisht të martohej me Fatmirin e përçudnuar fizikisht.

    Unë ia ktheva në çast:

    - E ka dredhur, apo e ka shpërdredhur, është puna e saj ç’ka bërë. Në fund të fundit, e di vetë e zonja përse e ka zgjedhur...

    Nga një bisedë me Letën, mësuam se Shania i kishte thënë asaj: “Mua, moj motër, nuk më duhet bukuria që kam vetë, më duhet burrëria, mençuria dhe besnikëria, në atë masë, që e ka Fatmiri, por sidomos shpirti i tij i bukur e fisnik me të cilin ndjehem fare mirë.“

     Këto fjalë të qarkulluara me shpejtësi të habitshme, mes të gjithë atyre që i njihnin, bënë të mbylleshin përfundimisht të gjitha gojët. Madje pas kësaj, edhe vete Fatmiri filloi të na dukej disi më i natyrshëm me hijen e re të pamjes së tij prej bashkëshorti. Por nuk na shkulej nga mendja sidomos zhgënjimi që pësuam, kur kuptuam se teksa qahej për fatin e keq të fytyrës së shëmtuar, kishte punuar në mënyrën më misterioze për të shtënë në dorë fytyrën më të bukur që gjendej mes nesh. Por në fund të fundit, jeta është përpjekje e pareshtur e njeriut, për të arritur të pamundurën në të gjitha format dhe trajtat ku shfaqet. Dhe na mbetej vetëm t’i shtrëngonim dorën këtij fitimtari të madh, që i la me gisht në gojë të gjithë pretendentët.   



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora