Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Rekordmeni shqiptar i Italisë Eusebio Haliti dhe 80-vjetori i Atletikës Shqiptare

| E enjte, 24.01.2008, 09:58 PM |


Rekordmeni shqiptar i Italisë Eusebio Haliti dhe 80–vjetori i Atletikës Shqiptare

Nga Besnik Dizdari

Besnik Dizdari
Më 13 janar 2008, ka ndodhur një ngjarje sportive që edhe për historinë e sportit shqiptar është sensacionale. Një djalë ka thyer rekordin kombëtar të Italisë në vrapimin e 400 metrave në sallë (indoor) me kohën e bujshme 48.86 sekonda, që kishte mbetur i pathyer prej 25 vjetësh, çka ka ngjallë një kënaqësi të veçantë në mjedisin atletik italian.

Nuk po na pëlqen që qysh në fillim të endemi në një koment tonin. Idhtar të dokumentit autentik për ngjarje që nuk i kemi pa me sytë tonë, do t’i drejtohemi shkrimit të autorit italian Michele Capolupo për të kuptuar se çka ka bërë në këtë fillim dimëror të vitit 2008, shqiptari Eusebio Haliti i cili ende nuk i ka mbushë 17 vjetët…

XXX

“400 metra në sallë: Eusebio Haliti rekordmen!”

Shkruar nga MICHELE CAPOLUPO

E hënë, 14 janar 2008

*Atleti i shoqërisë “Rocco Scotellaro Matera” i ka habitë të gjithë duke sunduar garën e 400 metrave në salllë (indoor) me një rezultat rekord: është rekord i ri italian në kategorinë e të rinjve (NEN 17). Vështroni të veçantat!

“Rezultat teknik i jashtëzakonshëm dhe historik është arritur prej atletit Haliti Eusebio përfaqësues i “Pol. Rocco Scotellaro Matera”.

Në të vërtetë, në mbasdreken e djeshme, gjatë “Meeting Nazionale Indoor” zhvilluar në Ancona, atleti i ka çuditur të gjithë, duke sunduar provën e 400 metrave, por mbi të gjitha ai ka vendosur me kohën 48”86 rekordin e ri italian për të rinjtë NEN 17, duke e ulur atë plot 26 të qindtat prej 49”12 që ishte i mëparshmi, i vendosur në Genova nga Danilo Bertaggia i mbetur në fuqi qysh nga viti 1983.

FIDAL (Federata Italiane e Atletikës së Lehtë) ende nuk e ka regjistruar zyrtarisht si rekord italian përsa kohë i riu i datlindjes 1991, me origjinë shqiptare, ende nuk ka marrë shtetësinë italiane, ndonëse atleti prej gjithmonë jeton, studjon dhe stërvitet në Itali, saktësisht në Bisceglie.

E rëndësishme është se nis me shpërthim stina e këtij margaritari të klubit materan, teksa kujtojmë ndërkaq, se tetorin e shkuar, ai fitoi në Cesenatico titullin e Kampionit të Italisë në këte moshë në 400 metra me pengesa. Në fund të garës, Eusebio me vetsigurinë e tij të njohur, deklaroi:

“Ky është vetëm fillimi. Këte vit mendoj për të përjetuar shumë kënaqësi, duke filluar me përvetësimin e dy titujve italianë në 400 metra të drejtë dhe ato me pengesa jashtë në pistë të hapur në Rieti. Falenderoj së tepërmi trajnerin tim Antonio Ferro, i cili me shumë profesionalizëm më ndjek përditë në stërvitje, në fushë dhe në garë. Nëse nuk do të marr sa më parë që të jetë e mundur shtetësinë italiane, atëherë është krejt e natyrshme pjesëmarrja ime në Olimpiadën e Pekinit në gusht nën fanelën e Kombëtares Shqiptare. Por ëndërra ime është që të vesh fanelën “azzurra” sepse ndjehem italian 100 %”.

Talentin e tij të lindur Antonio Ferro nuk e gjen thjesht në natyrshmërinë e vrapimit të tij, kur thotë: “Eusebio më ka çuditur edhe mua, sepse natyrisht që nuk e prisnja një përmbysje të tillë të kronometrit qysh në garën e parë të sallës për vitin 2008, por prej këtij të talenti të jashtëzakonshëm sportiv, gjithçka mund të pritet. Ai niset gjithmonë për të fituar çdo garë dhe për të tejkaluar caqet e tij”.

Presidenti Vizziello, shumë i emocionuar dhe shumë i kënaqur, deklaroi: “Eusebio është atleti më i plotë që kam njohur deri më sot. Ai kalon me lehtësi nga 400 metrat e drejtë tek ato me pengesa. Jam me të vërtetë i kënaqur për praninë e tij në klubin tonë i cili këte vit feston 45-vjetorin e themelimit”.

XXX

Ndërkaq nga ana e saj, Shqipëria i afrohet 80-vjetorit të themelimit të Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë: 2 qershor 1929.

Ky është dhe Kampionati i parë Kombëtar që ka zhvilluar Shqipëria në historinë e saj. Një vit para futbollit (1930). Kësisoji, kemi të bëjmë me 80-vjetorin jo vetëm të Atletikës Shqiptare, por dhe të vetë themelimit të sportit shqiptar në rang kombëtar në tanësi, përderisa fjala është për të parin kampionat kombëtar për një sport.

E tash, si mund ta lidhet mendimi ynë në atë që kemi titulluar këte shkrim: “Rekordmeni shqiptar i Italisë Eusebio Haliti dhe 80–vjetori i Atletikës Shqiptare?”.

Rekordmeni “italian” Eusebio Haliti

Ka lindur në Shkodër më 1991. Biri i një sportisti, Naim Halitit, i cili më 1983 është fitues i Kupës së Shqipërisë në baskeboll për meshkuj në përbërjen e skalionit të dytë të Vllaznisë së Petrit Osmanit, Sokol Kalajt e Korab Llazanit. Kemi të bëjmë kështu me një “bir të artit”, si thonë latinët (“figlio d’arte”). Një bir që sportin e ka në gén. Madje edhe më thellë se te i ati. Gjyshi i tij, Lutfi Haliti, i cili për fat të keq u nda nga jeta dy vjet më parë pa ndjerë kënaqësinë e shijimit të mrekullisë së Eusebios “së vogël”, ka qenë një figurë e shquar e sportit në Shkodër. Dhe për përkimin më të pagabueshëm ishte edhe ai po një atlet, madje Kampion i Shqipërisë në trehapësh më 1954 me 12.94, duke hyrë në Librin e Artë të kampionëve shqiptarë mids dy rekordmenëve të mëdhenj, Vlash Koljakës – Kampion më 1953 me 12.74 dhe legjendarit tonë Hysni Bebeziqi - Kampion më 1955 me 13.35. Dhe jo vetëm kaq. Futbollist i Dinamos së Shkodrës, po mbi të gjitha basketbollist i Vllaznisë (Punës së Shkodrës) së Esat Haxhit, Muhamet Sokolit, Luan Shatkut, Vehbi Ademit e Skender Osmanit, Lutfi Haliti më mbas gjyqtar i mirënjohur i basketbolit dhe një nga organizatorët e shquar të sportit në Shkodër duke mbërritur deri përgjegjës i Klubit Vllaznia, nuk kishte menduar se atletika e tij do të përçohej te nipi Eusebio, emrin e të cilit tash e njeh gjithë mjedisi atletik italian. Lutfi Haliti i dha Vllaznisë tre sportistë, tre bijtë e tij, babain e Eusebios - Naimin basketbollist dhe hendbollist, Skenderin hendbollist, e sidomos Agim Halitin –basketbollisti i shquar për vite në kampionatet tona kombëtare.

Për fat nuk mbërriti Eusebion - Rekordmen të Italisë. Ky do të largohej nga Shqipëria qysh në moshën 9-vjeçare dhe po për fat si atlet do të lindte dhe do të formohej i tani në Itali. Kësisoji, duhet të pranojmëse Eusebio Haliti është një formim i shkollës italiane të atletikës ndër më të mirat në botë. Me Shqipërinë Eusebio ka lidhjen e gjakut, të familjes prej kah vjen, të vendlindjes, e nga ana sportive génin atletik të gjyshit Lutfi Haliti.

Historia e sapo nisur e Eusebio Halitit megjithate ka një vështrim kah Shqipëria e tij. Në analet aktuale të atletikës shqiptare emrin e tij e ndeshim për herë të parë në vitin 2006 kur Vllaznia e Shkodrës e thërret nga Italia për të përfaqësuar klubin shkodran në Kampionatin Kombëtar të Rinjve zhvilluar në Tiranë nga 30-31 korrik 2006, ku ky 15-vjeçar, çka do të thotë plot katër vjet nën moshë, shpallet Nënkampion i Shqipërisë për të rinjtë në garën e 400 metrave me 52.19 sekonda.

Dhe kthehet në Italinë “e tij”. Nëntë muaj më vonë, prill 2007, në garat italiane ai shpërthen në 49.60 po në 400 metra dhe përkufizimi i shtypit italian është lakonik: “Haliti fluturon në 400 metrat!” Nuk ndalon këtu. Më 23 qershor 2007 në kampionatin rajonal iu sulet 400 metrave me pengesa me 53.82 duke marrë titullin e fituesit. Mbas një muaji 400 metrat e drejtë të tij shënojnë 49.48.

E prap nuk ndal as këtu. Më 7 tetor 2007, në orën 14.45 në pistën e Cesenatico-s, Eusebio Haliti bëhet qytetari i dytë shqiptar mbas Naim Kryeziut të Romës më 1942, që fiton një titull të Kampionit të Italisë në një sport: 400 metra me pengesa për NEN17. Rezultati është 54.15 sekonda! “Rezultat teknik i jashtëzakonshëm dhe historik i atletit Haliti Eusebio nën fanelën e “Rocco Scotellaro Matera””, thërret shtypi vendas; - “Atleti rrëmben titullin e Kampionit të Italisë në garën e 400 metrave me pengesa në Kampionatin Italian të të 16-17-vjeçarëve. Eusebio vrapoi dhe fitoi me qetësi e siguri në baterinë e mëngjezit”. Ndërsa për finalen shkruhet: “ Eusebio udhëhoqi garën, e, duke e ndjerë qysh në fillim veten si favorit, ndërron marshet në pengesën e gjashtë dhe mandej në metrat e fundit sundon forca dhe mjeshtria e tij në kalimin e pengesave, duke përfunduar garën në një crescendo dhe triumf me 54.16 dhe duke i shpërthyer në delir teknikët dhe shoqëruesit të cilët ishin me te”.

I ndarë midis Italisë dhe Shqipërisë, Eusebio Haliti kalon nga udhëtimet midis Apeninëve dhe Bregut Shqiptar të Adriatikut. Më 2007 vesh fanelat e klubeve shqiptare, po dhe të Kombëtares Shqiptare. Nën fanelën e Shqipërisë shkon në Selanik dhe me 54.46 thyen rekordin kombëtar të rinjve në 400 metra me pengesa. I rrëmbyer tashmâ prej Sportklub Tiranës ai vjen në Kampionatin Kombëtar të të rriturve (Tiranë, 10-11 korik 2007), renditet i treti në 200 metra me 23.13, por shpallet kampion kombëtar në 400 metra me 50.07 sekonda, duke u bërë kampioni më i ri në historinë e atletikës shqiptare me të rriturit: vetëm 16 vjeç! Një fenomen i vërtetë! Shtypi i paditun shqiptar pak merret me këte sensacion, por më tepër me punë përfaqësimi të Eusebios nëse është i Vllaznisë apo i SK Tiranës, kur në të vërtetë ai është i klubit italian “Rocco Scotellaro Matera”. Një ngatërresë e tanë e stilit shqiptar! Krejt e qartë, madje befasues është vetëm ritmika atletike e rezultateve të 16-vjeçarit tonë, rast i rrallë për atletikën kontemporane: kampion e rekordmen edhe në 400 metrat e drejtë, edhe në 400 metrat me pengesa!

Eusebio kthehet përsëri në Itali dhe qé, tek mbërrin 13 janari 2008 dhe titullit të Kampionit të Italisë në 400 metra me pengesa, ai i shton edhe atë të Rekordmenit të Italisë në 400 metrat e drejtë, por në sallë!

Siç shihet, kemi të bëjmë me një rast të rrallë, madje të jashtëzakonshëm të një atleti me të ardhme të sigurtë në sferat e larta të ”mbretëreshës së sporteve”, i cili tash ka ardhur në çastin e vendimit të tij të prémë: ose me Italinë, ose me Shqipërinë. Deklarata e tij në shkrimin e kolegut MICHELE CAPOLUPO është vërtet një mëdyshje e kushtëzuar: “Nëse nuk do të marr sa më parë që të jetë e mundur shtetësinë italiane, atëherë është krejt e natyrshme pjesëmarrja ime në Olimpiadën e Pekinit në gusht nën fanelën e Kombëtares Shqiptare. Por ëndërra ime është që të vesh fanelën “azzurra” sepse ndjehem italian 100 %”.

Nuk do të komentojmë më tej. Do të vendosë Eusebio, një atlet shqiptar i lindur dhe i formuar si i tillë në Itali. Nuk besojmë të ketë asnjë lloj lufte dhe asnjë lloj mallkimi si disa vjet më parë me kampionët e famshëm shqiptarë. Dhima, Shabani, Manjani, Xhelili, Mitro, Goga, Suxho, Kuqo, Gercalliu apo së fundi Vojsava Lika, të cilët arritën apogjeun e sportit botëror dhe mbetën të lirë të vepronin simbas interesave dhe synimeve të tyre. Gjakrat janë ftohur. Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë luftë, asnjë “kërcënim” të tipit nacionalkomunist, aq më tepër në rastin e Eusebio Halitit i cili është një talent krejt i formuar në shkollën italiane të atletikës. Sot Shqipërisë i takon të ruajë dhe të punojë fort për nacionalizmin në kuptimin më të qartë të atdhetarisë. Dhe kjo e thërret edhe Eusebion për nën fanelën e Shqipërisë. Siç thamë, më 2007 Eusebio e veshi fanelën e Shqipërisë, u shpall madje Kampion dhe Rekordmen i Shqipërisë, po aq edhe Kampion e Rekordmen i Italisë (në të dy rastet me të rinjtë), duke na lejuar që të paktën nesër të kemi të drejtë të themi se ky fenomen i atletikës italiane ka qenë Kampion, Rekordmen dhe i Kombëtares së Shqipërisë. Natyrisht nëse Eusebio nuk do të vijë për te fanela kuqezi e Atdheut të tij.

Dhe rruga për te 80-vjetori i atletikës shqiptare

Nëse mbas Mirela Manjanit dhe Vojsava Likës, Eusebio Haliti do të bëhet shqiptari i tretë i atletikës që “e tradhëton” fanelën e Shqipërisë, pa u revoltuar asesi askush, mbasi jemi bindur tashmâ se edhe atletika shqiptare lind talente botërore, mu përmes këtij mësimi, ne besojmë te 80-vjetori i kthimit të besimit për një të ardhme të atletikës shqiptare. Doemos nëse do të jemi të aftë të shkojmë te 80-vjetori i saj me një mendim krejt të ri. Një mendim që i jep nxitjen e madhe atletikës shqiptare, që i bën nderin asaj si sporti që i dha Kampionatin e parë Kombëtar Shqipërisë, duke çelur e para në histori rrugën kombëtare të sportit shqiptar.

E pra, a shkon që të flasim qysh sot për një 80-vjetor që ende nuk ka hyrë në vitin e tij jubilar?

80-vjetori i Kampionatit Kombëtar të Atletikës shqiptare dhe të të gjithë kampionateve kombëtare të sporteve në Shqipëri i bije të jetë më 2 qershor 2009, çka do të thotë rreth 17 muaj më mbas. Duken shumë. Në të vërtetë janë pak, kur mendon se me festimin e këtij 80-vjetori nuk kuptojmë një mbledhje jubilare, dekorim të disa sportistëve, kjo po e po, sidomos pionierët e atletikës së vitit 1929 prej të cilëve sot e ksaj dite nuk kemi dekoruar apo nderuar asnjërin, e disa ende vazhdojnë të mbeten armiq të Shqipërisë. Kërkojmë dhe marrim me mend diçka më tepër. Kërkojmë dhe marrim me mend shpëtimin e atletikës shqiptare, në mënyrë që përveç të tjerave, Eusebiot, Vojsavat dhe Mirelat të mos mendojnë tjetër përveç Shqipërisë së tyre. Një fjalë goje megjithate.

Sepse ende ka njerëz të cilëve nuk iu mbushet mendja që Shqipëria mund të bëjë atletikë të lehtë. Ose e thënë më qartë: kemi harruar që Shqipëria ka bërë atletikë të lehtë. Madje qysh në fillimet e saj, më 1929 dhe duke shpërthyer në vitet ’30, deri me guximin e pjesëmarrjes së saj në katër Kampionate Ballkanike: Athinë 1933, Zagreb 1934, Stamboll 1935, Beograd 1938!

Mbetëm duke i kujtuar dhe rikujtuar në qindra shkrime e në librat tonë historikë.

Duke kujtuar ndërkaq, se Shqipëria në modestinë e saj e ka përfshirë emrin e saj 7 herë në titullin e Kampionit të Ballkanit. Nëse më 1934 në Stamboll, Gaqo Gogo dhe Luigj Shala fituan medaljet e para ballkanike duke zënë i pari vendin e dytë në 400 metra dhe i dyti të tretin në 110 metra, por mbrenda Kampionatit Ballkanik të dhjetgaristëve; dhe nëse Sllave Llambi u rendit i 5-ti në kërcimin së larti me 1.75 në Kampionatin Ballkanik të Beogradit më 1938 – këto përbëjnë arritjet tona të jashtëzakonëshme për kohën, madje një themelim arritjesh që sot e kësaj dite ka mbetë në harresat famëmëdha sportive shqiptare!

E mandej Mbaslufta që do të prodhojë Kampionët Ballkanikë të Shqipërisë në Atletikë. I pafati i madh Behlul Hatibi - Nënkampion i Ballkanit në 110 metra me pengesa më 1946 me rezultat të barabartë (16.1) me jugosllavin Srb dhe Shqipërisë që do t’i duhesh të priste 15 vjet (1961) që të përmendet me titullin e Kampionit të Ballkanit për të rinjtë në hudhjen e gjyles prej Ramazan Drizës, një kollos i atletikës sonë. Do të duheshin edhe pesë vjet të tjerë (1966) që Shqipëria të fitonte titullin e Kampionit të Ballkanit në kros me femrat (Adile Dani, Lumuri Markola, Elizabeta Muço). Duhej pritur edhe 22 vjet të tjera. Ajet Toska kishte përsëritur titullin e Drizës në çekiç po për të rinj, por edhe kjo mesa duket, qe pak. Më 1988 Shqipëria dhuron Kampionin e saj të Parë të mirëfilltë të Ballkanit. Eshtë një femër, një atlete stoike me emrin Donika Hanxhara që triumfon në 10.000 metra. Kur Ajet Toska në çekiç, Pavlina Evro në 3000 metra dhe Anile Mekshi po në 10.000 metra janë Nënkampionë të Ballkanit. Më 1989 Kampion i Ballkanit është Krenar Meçani në 3000 m/p. Më 1989 vjen Kampionia e Ballkanit e shtatgarëshit, universalja e atletikës shqiptare Alma Qeramixhi. Mandej, më 1994, Kampionia e Ballkanit Mirela Manjani e shtizës. E mbas saj, më 1996 është Kampionia e Ballkanit Anila Kasati në 3000 metra. E ndërsa më 1997 mbërrin Kampioni i Ballkanit Ilir Xhani në 400 metra, më 2005 është Klodiana Shala në 200 metra.

Shtatë Kampionë të Ballkanit, por dhe një grup i pashlyeshën Nënkampionësh të Ballkanit si Ajet Toska, Pavlina Evro, Anila Mekshi, Klodeta Gjini, Sazan Fisheku, Vera Bregu përmbledhin një histori që mbetet përgjithmonë pika e referimit nga duhet të nisesh.

Dhe mbi të gjitha mrekullia me emrin e Pavlino Evros: Nënkampione e Evropës për të rejat në 1500 metra më 1983. Por ka dhe më tej: 1984 dhe Pavlina Evro - Medalje e Artë në Mitingun e Nicës në 1500 metra! Mandej Mirela Manjani – Nënkampione e Evropës për Shqipërinë me të reja në shtizë më 1995!

Del qartë që edhe në sportin e saj sot “të prapambetur” të atletikës, Shqipëria ia ka arritur të përfshijë emra të saj në një listë që nis nga viti 1929 dhe vazhdon deri më sot midis kollosëve të atletikës botërore. Dhe me një rekord “shqiptar” unikal: Kampionia e Evropës dhe e Botës, Nënkampionia Olimpike dhe Rekordmenia e Botës shqiptarja Mirela Manjani, është e vetmja Kampione e Ballkanit me Shqipërinë (1994) si dhe me Greqinë (1997) - por dhe dy herë me të rejat! Shembull që vetvetiu na qas te ngjarjet dhe rastet e freskëta kaq të ngjashme të Esusebio Halitit - Kampion dhe Rekordmen i Shqipërisë dhe i Italisë! Kjo është historia që pa mëshirë përsëritet.

Edhe më 2007, ndër vitet më të varfëra të atletikës shqiptare, gjithnjë në modestinë e vet, ajo fitoi 9 medalje ndërkombëtare. Ndonëse Shqipëria është i vetmi vend në Evropë me një pistë të vetme atletike (tartani, se të tjerat, ato me dhé nuk quhen më pista).

Siç e kemi thënë kushedi sa here, sot atletika shqiptare ka plot 24 rekorde që i përkasin viteve ’80 të shekullit të kaluar, vite kur lindi talenti i Vojsava Likës, e vetmja nga plejada shqiptare e viteve ’80 të Shekullit XX, që mbijeton deri në dekadën e parë të Shekullit XXI. Nuk mbijeton si rekordmenia nga fshati Gjorm, siç titullonte shkrimi ynë i vitit, 1987, por si e pesta e botës e vitit 2007.

Ajo çka mbetet e rëndësishme është se Shqipërisë së shtatë titujve ballkanikë dhe të disa arritjeve evropiane edhe pse të rralla, duket se më fort i rëndon ana tjetër e medaljes: 24 rekorde të pathyera të viteve ’80.

Mu për të gjitha këto, më fort se sa keqardhja që mund të kemi ndaj një lamtumire të një Eusebio Haliti, do të shërbente që qysh këto javë, Federata Shqiptare Atletikës, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministria përkatëse të përimtojë planin për 80-vjetorin e Atletikës shqiptare me synime si asnjë herë tjetër: një pistë atletike për Qytetin e Atletikës, Shkodrës, një pistë për Korçën e Pirro Kasatit e Pavlino Evros, një pistë për Vlorën e klimës së mrekullueshme bregdetare, një pistë për Durrësin e Mirela Manjanit, më e pakta që do të mund të bëhej. Merreni me mend se sa sensacional do të ishte 2 qershori 2009 dhe festa e 80-vjetorit të Kampionatit të parë të Atletikës me përurimin e tri pistave të atletikës në tre qytetet e mëdha shqiptare!

Kam njoftuar se kohët e fundit kam hulumtuar për gjashtë Kampionate Kombëtare të Atletikës së Lehtë të zhvilluara në Shqipëri nga 1929 deri më 1934. Asnjë konfirmim historiko-shkencor nuk ka patur për ta deri më sot. Më në fund, mbas një pune jo pak të lodhshme, në arkivin tim gjithçka është e plotë. Dihet që edhe Kampionatet Kombëtare të Atletikës, Partia Komuniste gjithashtu nuk i njohu asesi për bukur 47 vjet, ndonëse për një farë kohe në krye të sporteve vuri një kampion të shquar të këtyre kampionateve, të nderuarin Vasil Konomi, të cilit po aq nuk ia përmendi asnjëherë se qe Kampion i Shqipërisë i kohës së Mbretërisë! Kur shokët e tij, Sabit Çoku e Sandër Kraja, Feti Dizdari e Ibrahim Dizdari, Gaqo Gogo e Ragip Lohja, Peter Andoni e Selman Stërmasi, Qazim Dervishi e Ragip Meta, Sefedin Biçaku e Ibrahim Kodra apo Muharrem Toptani, e të tjerë kampionë e rekordmenë në këto kampionate, u cilësuan disa të dyshimtë, disa armiq të betuar, disa u burgosën, ndonjeri edhe u pushkatua. Partia lejonte të përmendeshin përvit vetëm Kristo Isakun apo Dum Allën, thjesht ngaqë këta figura të nderuara dhe të paharrueshme ishin dëshmorë dhe pjestarë të lëvizjes komuniste.

Prof. Gaqo Gogo (1908-1991), të cilin pa ngurim, mund ta konsiderojmë personazhin më të rëndësishëm të sportit shqiptar të ushtruar, po dhe të kulturës fizike të Paraluftës, si atleti shqiptar më universal i viteve ’30, një nga themeluesit e sportit kombëtar, pedagogu i edukimit fizik të Liceut të Korçës, Gjimnazit të Shkodrës e të Tiranës, teoriku i parë i edukimit fizik në Shqipëri, autor i shkrimeve të pafund të fushës, organizatori i parë i manifestimeve të mëdha fizkulturore shkollore në Shqipëri – i vetmi sportist shqiptar i dekoruar me Urdhërin “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” në 10-vjetorin e Mbretërisë (1938) dhe Mësues i Merituar më 1992, kur është kthyer në Shqipëri nga Berlini më 14 gusht 1936, mbasi ai vetë kishte intervistuar më të madhin e Olimpiadës, Jesse Owensi-in legjendar, ka bërë këte përcaktim pionieristik për olimpizmin shqiptar:

“Frymën e ndeshjes ne e kemi, por duhet një vullnet i fortë djerse që të vazhdojmë gjer në fund punën e angazhuar me anën e sportit, për t’ia arrirë qëllimit si përfaqësi olimpike”.

Do t’i shtonim ate që kemi vënë në hyrje të shkrimit tonë, thënien tjetër emblematike, atë të njerit prej historianëve më të mëdhenj në të atletikës së lehtë, Roberto L. Quercetani:

“Në më shumë se një shekull të atletikës moderne, gjithë kontinentet dhe të gjitha racat, kanë ditur të shpalosin, në masë dhe në kohë të ndryshme, kampionë të zot për të nderuar ambicjen e përjetëshme të njeriut për tejkalimin e vetvetes dhe caqeve të tij”.

Shqipëria e vogël e ka edhe ajo génin e të atletikës. Shembulli më i fundit është Eusebio Haliti i vitit 2008, Kampioni i dhe Rekordmeni i Shqipërisë dhe i Italisë. Ju mjaftojnë ndërkaq, edhe gjithë emrat e tjerë të mësipërm që përbëjnë kurorën e artë të atletikës modeste shqiptare.

Nisuni sa më parë për te 80-vjetori i Ateltikës sonë, jo vetëm për hir të shpirtit tuaj sportiv, por më tepër për hir të nacionalatdhetarisë që shprehet përmes sportit.