E shtune, 20.04.2024, 06:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Ali Sh. Berisha

E shtune, 19.03.2011, 08:58 PM


Ali Sh. Berisha

 

 

Klithma e Teutës

 

Që nga Tuna e deri thellë në det

Zot ishte Iliria e mbretëroja vetë

Ngricave të veriut shtigjet u zija

Thikave romake valë deti u ngrija

 

Ç’t’i bëja tradhtisë që m’hëngri jetën

Dhe i solli robërinë atdheut tim

Po që të shpëtoj nderin vrava vetën

Mu si lulet që u hodhën në greminë

 

Mallkuar qofsh ligësi e besës

Që u prunje n’vend t‘qëndresës

N’vend të gjuhës nënë zgjodhe fron

Dhe Ilirisë i dhe t’ardhme zezonë

 

Ngritem nga varri dhe kërkoj djepin

Kërkoj lapodët, liburnët e Ilirikumin

Dardanët, maqedhonët e Epirin

I gjej tek përkundin në sy gjumin

 

Thërras e qirrem të zgjoj trimat e fjetur

Të zënë shtigjet çakallët për t’mos i lënë

Si pyka tek futen djepin për t’ma tretur

Engjujve të mi kokat për t’ua ngrënë

 

Meqë s‘dëgjoni atëherë s’do të ndjeni

As gjuhën e atmes kur ta ndërroni

As gjen e gjak nga shtati kur të bjerrni

Tuajën me të huajën do ta ngatërroni

 

 

A ka më zi

 

Dhe Hyu solli dritë për të ndritë

Atë dritë gjaku e përgjaku n‘kryqësim

Njeriu që vuajtjen në kryq ka ngritë

Kryqin n’kulla t’gurta e hapi shpalim

 

Një qe u bënë dy pas shumë jetrash 

Njëri nga lind tjetri nga dielli perëndon

N’koka lëvronin shejtni mes dy detrash

Djepa që as edhe njërit nuk i takon

 

I dyti ia rrëmbente faltoret të parit

Bërë nëpër grykat që zanat i njihnin

Kishtarët i çkishëronin për hije varrit

I verbonin e digjnin, për asgjë i vritnin

 

Carët vritnin plisbardhët e bekoheshin

Pranë altarit e pronat e tyre u falnin

Kapuçanëve që shejtën shuguroheshin

Dritën e jetës nëpër shekuj ta tallnin

 

Në mesjetë mes jeta gërmadhë erdhi

Bri kryqesh mileniumi djallin e solli

Shallvarexhinjtë me qitape i derdhi

Në mes t’Ballkanit Anadollinë e mbolli

 

Mbolli emra t’rinj e varre krejt të reja

Qytetrim të lashtë dogji e rrënoi

Arrnaut milet – nxihej e kriste rrufeja

Po rrjedha s’u ndal e shqip rrodhi kroi

 

Medet thoshte plaku ç’mordje më mori

Njëri djalë thotë kokën n‘Romë e kam

Tjetri thotë se është ortodoks apriori

I treti thotë me trup e shpirt turk jam

 

Varret t’ua lësh çakallëve a ka më zi

Robëruesin ta njohësh zot në shtëpi

Që për fe atdheut shpinën t’ia kthesh

Që vrastar t’vetvetës vetën ta gjesh

 

 

Mollëkuqët

 

Anës Malit të Gjakut nënë Tunë

Mollëkuqja lulëzonte çdo pranëverë

Me Dardhën që e ndante një lumë

Qëndisnin kurorë e rrisnin fruta përherë

 

Seç ia behën nga Karpatet re të zëza

Frymë e ortiqe me fytyrë kallkani

Mbi kurora u shkundën breza – breza

Rënia mbi Mollëkuq kurrë s’prani

 

Mbetën prapa lumenjtë Tuna t’i përpijë

Mbetën rrënjët me varre e pasoi zija

Mbetën këngët dhe idilat djalli t’i grijë

Vaj medet treti përgjithmonë Moesia

 

Rrënjët që mbetën ngadalë u tretën

Gjuha e bardhë n’një gjuhë tjetër u shkri

Për plis një kapuç me brirë ua gjetën

Llukuni çakallësh gjithandej u shtri

 

Konvertoi njerëz e ndryshoi emra

Po Mollëkuqët tutje mollëkuq vazhdojnë

Të përcjellin porosi gjithnjë në zemra

Se rrotët e historisë në nisje do ndalojnë

 

 

Myhaxhirët

 

Nëpër Dardani me thes në krah mbetë

Rakovici, Gavuri, Mollëkuqi e të tjerë

Me shpirt ndër dhëmb e me mendje tretë

Kërkojnë strehë e pak bukë me pranverë

 

Car e acarë sulen jo t’pushtojnë sulltaninë

Por t’i zënë portën Portës dhe të ulërijnë

Ik nga Arnautllëku ose të hëngri Bosfori

Çakallët i nisa se atyre u pëlqen kallnori

 

Shën Stefani ai Shën Djalli krahun shtriu

Dhelpra anadollake bisht nën këmbë iku

Plisbardhët mbetën pa ditë çfarë i pret

Ikë robëri e parë që t’pasojë tjetër rrëmet

 

Sulen çakallët dhe ëndrrat n‘gjumë therin

N’flakë skëterre shtëpi njeriu e shtëpi zoti

Përvëlohet Naisusi, Dardania kafshon terrin

N’qëndresë niset pushkë lirie larë nga loti

 

Po a do t’i lajë mëkatet Evropa e Berlinit

A do t’i lajë mëkatet vallë i sëmuri i Bosforit

Që njëra e shiti e tjetra ia bëri tapi Kabilit

Gjysmën e plisit tek ia falte natës t‘vorrit

 

Dhe carë-çakallët e robëruesi Anadoll

Përmes Dardanisë thurën gardhiqe t’reja

Plisin e bardhë e prenë përmes si mollë

Elaboratet rishtuan bre i vraftë rrufeja

 

Kush do ta mejë dhembjen për të vdekurit

Kush do të shërojë plagët e të gjallit

Kush do të mbushë magjen e muhaxhirit

A do pushojë malli për vendin e të parit

 

N’Kasovë shtrohen sofra e ofrohen strehë

Për vëllezërit mbetur pa plang e shtëpi

Kuvendi ngrehë zërin e krismën shkrehë

Të vrasë robërinë e bëjë vdekjen si me le

 

 

Lahuta

 

Car e acar bijnë n’Cetinë e cubat nxisin

Hajnisht shqiponjave krahët tua këpusnin

Nga çerdhet ku rrisnin zogjë t’i ndiqnin

Male, kroje, ara e varre tua rrëmbenin

 

Thikat vrastare orët i dëgjuan në natë

Dhe nëpër vatra lëshuan kushtrimin

Bukës bukë e ujit ujë kush i bën uratë

Ja sot ja kurrë të mprehë ashpër guximin

 

Rrahin trumpetat carët në Berlin

Pasi zjarr lufte ndezën n’Malsi t’Madhe

Duke vajtuar malazezët se bukë s’kishin

Se u duheshin ara dhe kroje me male

 

E ku të gjente Evropa për zezinjtë tokë

Pos në truallin shqipëtar që nga turku digjej

Me litarë ndanë male e liqe atëbotë

Porse Lidhja ua tha troç - jo për atë zot

 

Dhe u turbulluan e u gjakosën ato korije

Me gjak robëruesi e jetra plisash flijimi

Tek therej hem përpara hem pas shpine

Por s’dorëzonte malet pa u shuar agimi

 

Luftonin drangojët e zanat ato heroina

Malësia ndeshej me një Evropë e një Azi

Që kishin zënë majat këputë kah Vranina

Që kishin zënë detin Ulqinin për të shtri

 

Medet edhe një krah ia këputën Shqipërisë

Tretën orët e bardha erdhën orët e ligësisë

Zanat u zhdukën se plagët s’shëruan dot

Varri i Teutës me kujë tashti nxjerr edhe lot

 

Vaj s’është më Hoti, Gruda, Tivar e Guci

T’ia fshijnë lotin Plavës, Peshterit e Beranit

Se ç’treti këngë e zanave në këtë kaltri

Se ç’treti gjuha e plisit edhe në Pazar tëRi

 

Po a pushuan retë e zeza të fyejnë qiellin

A pushuan çakallët me apetitet e veta -

Ata mprehin thikat e dhëmbët ckërmitin

Se duan tokë të djegur jo ku bulon jeta

 

 

Kasova

 

Nuk u ngopë Evropa as carë e çakallë

T’grabisin atmen u ngritën në kryqëzatë

Atëherë kur shqipja po ndiqte aziatët

Dhe Skupit po ia hiqnin terrin e gjatë

 

Turreshin si hije çakallët breza-breza

Të prishnin gardhin që kishin vënë vetë

Thërrisnin se plisat do t’i bartë Sitnica

Se s’do të linin një për farë në Vilajet

 

Kushtrimi bie dhe gjoksin i vënë shqipet

Gardhit t’shkaut që t’i dalin zot vendit t’vet

Kur Perandoria për vdekje përpëlitej

Dhe flamuri i pavarësisë n’Vlorë ngritej

 

E çakallët si çakallë stepesh që janë

Pas humbjesh t’mëdha shtigjet shpërthejnë

Djegin e presin para çfarëdo që gjejnë

As nënat me foshnje në bark s’kursejnë

 

Burra e gra përgjatë rrugëve n’kryq varin

Shumë të tjerë robër n’Serbi i shpiejnë

Mijëra të tjerëve ua humbin edhe varrin

Për ta lënë pa zot për mot Shqipërinë

 

Carët dhe Evropa sërish të vënë kufi

Përmes e ndajnëShqipërinë e bardhë

Shumë shqipe vanë sërish n’Anadolli

Po mbetën aq sa luftën mos me ndalë

 

Shqipet që mbijetuan rritën zogjë për liri

Të rinjtë për t‘marrë n’dorë fatin e atdheut

Ndër beteja binin për të lindur përsëri

Vazhdimisht në qëndresë prej Prometeut

 

Në Kasovën martire erdhi dita plotë dritë

Shqipet ndezën flakadanin e lirisë

Dhe në ushtri t’shenjtë u shkrinë pa pritë

Me gjak qëndisën diellin e ardhmërisë

 

 

Nëna

 

Veç nga Korabi e deri në det

Nga Vermoshi e deri në Konispol

Mbeti Shqipëria shpresa vet

Për krahët e këputur t’vetit troll

 

Dhe aty sa nisin bijnë qeveritë

Bijnë e ngriten etje bajraktarësh

Për t’qenë kush i parë e kush i dytë

Ftojnë në ndihmë orekse barbarësh

 

Serbisë i duhej një Toptan n’Shqipëri

T’bëhej mbret e mbyste demokracinë

Zogu i fali Junikun e Shën Stefanin

Dhe zuri fronin të mbyste lirinë

 

„Përditë perëndojnë perënditë“

Thoshte Migjeni dhe lindën të tjerë

Në këtë shekull me përçudnitë

Që botën ferrë e bënë ferr

 

Para kombëtares ideologjia u gjet

Kur dy herë u trazua i gjithë rruzulli

Dhe shqipet u vranë me një të tretë

E në mes vete n’gjak u qull trualli

 

Moj nënë e mjerë truri seç t’u herr

Si mbrend ashtu edhe jashtë kufirit

Kur do të vijë për shqipen pranverë

Dhe stop t’i thuhet thikës së katilit

 

Nisën erë të reja mure të shembin

Dhe frone perëndishë u lëkundën

Nënë e bi rrufeshëm tash ngarendin

Me përqafim nomatisjen mundën

 

 

Malli

 

Sa më ka marrë malli të zbresë tek ti

Nëpër Epirotum e Artë moj Çamëri

Ta dua Uliksin e ta përqafoj Homerin

Mbi tradhëtitë të shfryjë vrerin

 

Deri te Malet e Gjakut krahët i shtrija

Skupin e kisha prehje bri Vardarit

Skardusin e kisha strehë t‘zanave t‘mia

Maqedhoni më thërrisnin zërat e nakarit

 

S’më pushon loti t’mbush dy dete

Prej se Lekën e Madh ma hëngri Nili

Prej se më grinë lakmitë greke

Prej se varret m’i përdhosi bullgarofili

 

Lugetër stepesh mu ulën n’fron t’altarit

I kthyen thikat në këngë të varrit

Shenjat e shkrimit që ia fala kishës

I kthyen në nofulla e pallje të bishës

 

Alfabetin e shqipes e ngrita n’Manastir

Ngrita shqiponjën n’zemrat luftëtare

Ngrita dhe Turqinë me birin më të mirë

Në nënë të botës një nënë shqiptare

 

 

Fyshekzjarr në qiellin tënd

 

Ç'më doli tymi e ç’u dogja për ty

Se as vjen e as s'vij tek ti Çamëri

Gardh plumbash u vunë në mes

Ta duan vdekjen dhe unë të vdes

 

S'ta dëgjoj këngën as fjalën

S't'i shoh varret, s'ta ndiej gjamën

Ecin motet etja duke më grirë

Vatrën e shuar për ta përtrirë

 

Ç'më vete mendja nëpër hënësi

Botërisht veç një herë të vij tek ti

Të mbledhim në sofër gjak e lotë

Dielli t’ngrohë si atëherë dhe sot

 

Pastaj ashtu bashkë nëpër korije

Të ngjizim sërish fidan dashurie

Me kec e qengj e këngë Shqipërie

N’atë kënd mëme pa valle djalërie

 

T’i lëpifsha plagët që ke marrë

T‘u bëfsha në qiellin tënd fyshekzjarr

Përvëlim imi ti Çamëri gjak shkabe

Dashuri e pasosur ti këngë labe



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora