E enjte, 09.02.2023, 06:13 AM (GMT)

Editorial

Avni Halimi: Letër lakmusi

E shtune, 19.03.2011, 07:58 PM


Letër lakmusi

 

Në geto, të izoluar e nën shtrëngesën e maqedonasëve do të jetojnë shqiptarët, ndërsa Maqedonia e izoluar nga ndërkombëtarët dhe nën shtrëngesën e shqiptarëve

 

Nga Avni Halimi

 

Këto ditë, në mënyrë dëshpëruese (sepse ftesës nuk iu përgjigjën as dhe një për qind e burrështetasve të ftuar) u bë përurimi i Qendrës Përkujtimore të Holokaustit në Shkup, në nder të hebrenjve të Maqedonisë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e katërta e këtij lloji në botë! Gjest shumë human dhe për t’u përshendetur, sidomos nga ne shqiptarët si miq të sinqertë të popullit hebre. Po sikur të vepronte ndryshe kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, në vend të kësaj Qendre të angazhohej për një përmendore përkujtimore për mënxyrat e tmerrshme që i përjetuan shqiptarët e Kosovës me rastin e spastrimit etnik që e ushtroi Millosheviqi, çka do të ndodhte? Do të dëshmonte fuqishëm se është për një bashkëjetesë me shqiptarët, do t’i iritonte tej mase “vëllezërit serbë”, do ta humbiste lashtësinë që kap sidomos kohën e Moisiut, simbolit të popullit të shenjtë që stoikisht ka mbijetuar përballë përpjekjeve barbare për shfarosje në periudha e kohëra të ndryshme. Lashtësia biblike, fuqia historike prej Aleksandrit të Madh dhe vëllazëria e përjetshme me popullin serb, e gjithë kjo, përballë shqiptarëve me një lashtësi shkencore, me një shpirt të madh human e me një tolerancë të dëshmuar që nga dyndjet e sllavëve nëpër tokat ilire e deri në ditët e sotme. Pra, jo përballë grekëve por përballë shqiptarëve! Gruevski dhe populli maqedonas realisht kanë problem me shqiptarët, ndonëse është i vetmi popull në rajon që ua njeh etninë, gjuhën, kulturën, fenë, shtetin! Mbajtja e këtij tensioni është një letër lakmusi që përdëfton se shovenizmi çon ujë ekskluzivisht në mullirin e partisë pushtet dhe të oligarkëve të saj dhe jo në atë të shtetit. Uh me sa lezet do ta pranonte Gruevski dhe populli i tij që sot Maqedonia të quhej si “Republika sllave e Maqedonise” apo, aq më tepër “Republika e Maqedonisë sllave”! Problem i këtij emërtimi  janë shqiptarët, jo grekët.

 

Ahmeti çekan në dorën e Gruevskit

 

Por, si të arrihet defaktorizimi i shqiptarëve dhe për çdo gjë e përgjithçka në Maqedoni dhe për Maqedoninë të vendosin vetëm naqedonasit? Këtë, fatkeqësisht, në mënyrë të përkryer e arriti çunaku Gruevski! Kur më vitin 2006 krijoi qeverinë në koalicion me Menduh Thaçin, për pak kohë u bind trishtueshëm se PDSH-ja nuk është vetëm një parti politike e kotë, ashtu siç e kishin proklamuar strukturat e caktuara të shërbimeve sekrete maqedonase, porse, mbi të gjitha, është një ide, një ide e brumosur këtu e shekuj më parë, një ide e cila nuk eliminohet dot për asnjë çmim. Sakaq, për ta nxjerrë jashtë loje PDSH-në, Gruevski nisi shpejt e shpejt një marrëveshje “sekrete” me Ali Ahmetin. Më vitin 2008 bashkërisht formuan qeverinë e re. Gruevskit i duhej kjo lojë sa për t’i dëshmuar popullit të vet se është tepër i aftë për të përdorur forcën kundër forcës. E futi në grusht Ali Ahmetin dhe të gjitha problemet e shqiptarëve tash e katër vjet pa kurrfarë problemi i fut në dhe! Gjithnjë e më shumë po e bind veten se çdo problem mund ta zgjidh duke përdorur forcën popullore maqedonase! Gruevski BDI-në po e mban si çekan të madh në dorë. Dhe, çdo shqetësim shqiptar i PDSH-së po i duket si gozhdë të cilin po e godet pa mëshirë. Kjo strategji e Gruevskit duket sikur të jetë e mbështetur në proverbin hebraik “Çfarë nuk mund të arrijë forca, e arrin një forcë edhe më e madhe”! Megjithatë, nuk ka forcë të madhe në botë që mund ta mposhtë idenë. Historia e njerëzimit nuk mban mend që të mos jetë realizuar ndonjë ide racionale, herët a vonë! PDSH-ja, si ide, do t’i ndodhë Gruevskit, maqedonasëve, sepse vetëm kjo ide është stabilizim dhe shpëtim i shtetit! Çdo shmangie nga jetësimi i kësaj ideje (Marrëveshja e re) nuk do të thotë asgjë tjetër përveçse përpjekje meskine për parti e për pushtet që nuk kanë kurrfarë kuptimi pa shtet. Forca e përdorur për shtypjen e idesë veçsa e kalit atë. Është dëshmuar me ligjet e natyrës se forca e përdorur mbi një subjekt, jo vetëm që e ka kalitur subjektin por edhe e ka mësuar se si ta përdor forcën për ta mposhtur forcën provokuese. Gruevski dhe tajfa e tij, me gjasë, akoma nuk po e kuptojnë se pa zgjidhjen e çështjeve shqiptare dhe pa bashkëpunimin e sinqertë me PDSH-në, ne të gjithë do të jetojmë të izoluar e nën peshën e dyshimit se do të mund të funksionojë ky shtet. Në geto, të izoluar e nën shtrëngesën e maqedonasëve do të jetojnë shqiptarët, ndërsa Maqedonia e izoluar nga ndërkombëtarët dhe nën shtrëngesën e shqiptarëve.

 

Mrizimi i BDI-së nën hijen e pushtetit

 

Tashmë fare nuk ka mbetur për t’u analizuar dëshira e flaktë e të gjitha subjekteve maqedonase, serbe, rome, turke, bosnjake etj, për të qenë në koalicion më BDI-në e Ali Ahmetit! Sepse, realisht, strukturat udhëheqëse të kësaj partie kanë ngelur me të vetmin shqetësim: si të shpëtojnë dhe sa më gjatë ta shijojnë rehatinë e kolltukut pushtetar. Kurse BDI-ja mund të sigurojë jetëgjatësi në pushtet  vetëm duke shtypur me forcën e pushtetit të gjitha ato shqetësime kombëtare që i ngre PDSH-ja. Nëse në natyrën e kafshës është që mos t’i ndjej problemet e veta, në natyrën e njeriut është që t’i zgjidh problemet dhe jo t’i shpërbëjë!

Më vitin 2008 VMRO-ja dhe BDI-ja arritën një marrëveshje që në opinion u njoh si “marrëveshja e majit”! Po atë vit u formua edhe koalicioni i ri qeveritar në mes të Gruevskit dhe Ahmetit, pasi që paraprakisht u morën vesh që të heshten të gjitha ç’ështjet kombëtare shqiptare dhe prioritet t’i jepet zhvillimit ekonomik të vendit. Pak kriza botërore ekonomike dhe më shumë oreksi për ta vjedhur shtetin, penguan zhvillimin ekomomik të shtetit, ndërsa marrëveshja e famshme në mes të VMRO-BDI i hapi shteg krizës ndëretnike në mes të maqedonasëve dhe shqiptarëve. Derisa BDI-ja mrizon në pushtet, VMRO që e ushtron pushtetin edhe me lekë (me karrotë) edhe me dhunë (me shkop) nuk la të zezë pa ushtruar mbi popullin shqiptar të Maqedonisë. Vazhdimisht i ndjek, i burgos e i vret si hajna, si kriminel, si banditë, si terroristë si... vetëm e vetëm që faqe botës ta justifikojë fuqinë shtetërore mbi një “popull tejet problematik”, në fakt, mbi një parti tejet problematike! Shqetësimet kombëtare të PDSH-së pushteti aktual VMRO-BDI përpiqet t’i shtrembërojë dhe t’i paraqes si vepra penale për ç’gjë ky koalicion arriti që të ngrejë padi penale për rreth 300 simpatizantë të flaktë të PDSH-së. Edhe pse shumicës së kryesisë së BDI-së mbi kokë u pezullojnë lloj-lloj proçesesh të stopuara gjyqësore, dosje sekrete, dosje të Hagës etj. deri më sot, BDI-ja u dëmtua vetëm me një militant të saj të flaktë – me burgosjen e Kolë Dijamantit!

 

Plaka e kënaqur

 

BDI-ja e di shumë mirë se VMRO-ja për asgjë nuk bën hesap! BDI-ja e di edhe këtë fakt: VMRO-ja gjithnjë në prag të zgjedhjeve nis fushatën agresive nacionaliste. Këtë e  bën për popullaritet të vetin ndërsa edhe për uljen sa më të madhe te popullaritetit të partisë shqiptare që e ka në koalicion. Përgjatë këtyre tre viteve e ca të qeverisjes, jo njëherë BDI u detyrua të ulë kokën para aksioneve policore e ushtarake, para vendimeve e qëndrimeve, para ligjeve e diskriminimeve të VMRO-së kundër shqiptarëve. Ali Ahmeti e ka të qartë se tani, partia maqedonase e çartur për pushtet, do të bëjë çmos që ta ushtrojë sa më shumë diskriminimin kundër shqiptarëve dhe ta minimizojë sa më shumë partnerin shqiptar. Vetëm gjatë kësaj jave tri herë radhazi nuk deshti të dëgjojë për shqiptarët. Hera e fundit ishte kur për inat të BDI-së Kryetari i shtetit, Ivanov, e propozoi (me bekimin e Gruevskit) për guvernator të bankës popullore Dimitar Bogovin të cilin Kuvendi e votoi pa prezencën e deputetëve shqiptarë të BDI-së. Ky gjest e paskësh revoltuar shumë partinë shqiptare dhe, sakaq, gjithandej po lexohet titulli: BDI-ja e gatshme të prish koalicionin me VMRO-në!

Ky paradoks mund të shpjegohet vetëm me tregimin për plakën e cila, pasi bëri qejfin e vet me një jaran të ri, u ngrit duke pëshpëritur: “ta mbyllë derën me shul se po na zë dikush”!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora